Bisedoi: Raimonda MOISIU
.
Gjëja më e bukur dhe që e ka lumturuar Aidën,është se ajo po provon për herë të parë në jetë, të qenurit “Nënë”!. Para 48 orëve ajo ka sjelle në jetë, vajzën e saj, Nathel-që do të thotë në shqip, “Dhuratë nga Zoti” në spitalin “Albert Einstain”, në New York. Baby Girl është fryt i dashurisë dhe i lidhjes për disa vjet me të dashurin e saj isrealit, me banim në SHBA, Eyal-in. Fëmija është një bebe e shëndetshme dhe peshon 4 kg. Ja si i njofton miqtë e mikeshat e saj në Facebook, këngëtarja e talentuar shqiptaro-amerikane Aida Dyrrah, vetëm pak orë mbas lindjes : “Dua t’u jap lajmin e mirë që sot më erdhi në jetë engjëlli im, Baby Girl…nuk gjej dot fjalë për t’ua përshkuar atë që ndjej dhe sa e lumtur jam, ju uroj të gjithëve ju vetëm lumturi …sinqerisht Aida”
Muzika ka lindur që në belbëzimet e para fëminjore, që për Aidën nuk janë fjalë, por tinguj muzikorë. Është aq e talentuar sa vokalin e saj e përshtat me zhanre të ndryshme muzikore, si muzika e lehtë, popullore dhe balada. Gjithashtu është një nga këngëtaret më të preferuara e kërkuara në Diasporë, ku jep maksimumin e talentit të saj dhe rrëmben nga publiku artdashës duartrokitjet dhe admirimin e tyre. Në këtë intervistë spontane dhe ekskluzive, ajo rrëfen emocionin që i jep të qenurit nënë, dashuria për babain e vajzës, bashkëshortin e saj Eyal-in. Por ajo ka edhe energji të na rrëfejë gjurmët, përpjekjet, ëndrrat e sfidat e karrierës së saj muzikore. “Ditët më të bukur dhe të lumtura të jetës sime janë: Ardhja në jetë e Nathel-it dhe pjesëmarrja në Eurovizion”, shprehet artistja. Gjithashtu ajo nuk harron të shprehë mirënjohjen dhe falenderimin për ata që e mbështetën në këtë udhë të bukur, hyjnore,siç shprehet këngëtarja, por mbi të gjitha i falet besimit te Zoti! Ka një ëndërr sa të mrekulleshme aq edhe të ndjeshme shpirtërisht, respektuese dhe dashamirëse për brezin e artë të këngëtareve si Vaçe Zela dhe Nexhmije Pagarusha, të këndojë duet me këto dy ikona të muzikës shqiptare!
Sapo keni fituar statusin e mrekullueshëm, jeni bërë Nënë! Kini sjellë në jetë Baby girl, Çfarë emocionesh ndjeni ? Si e ka emrin vajza? Urimet më të mira dhe plot shëndet e jetë, pastë vajza tuaj!
Ju faleminderit Monda, Jam e sigurtë që secila femër që ka pasur dhe ka fatin e madh për të provuar të njëjtën ndjenjë është ndjerë kështu si unë në këto momente mrekullie. E çdo njëra e përshkruan në mënyra të ndryshme! Unë ndjehem akoma e papërcaktuar në cakun e lumturisë. Dije që jam ende nëpër re duke fluturuar. Baby girl është një bebe e shëndetshme që peshon rreth 4kg, quhet Nathel, që do të thotë “Dhuratë nga Zoti “.
A asistoi bashkëshorti tuaj gjatë lindjes? Kush ja preu kërthizën bebit?A patët lindje të vështirë?
Patjetër që bashkëshorti im Eyal-i asistoi aty gjatë gjithë kohës. Ai i preu kërthizën dhe e mori përherë të parë ndër krahë. Lindja shkoi mirë desh Zoti.
Mes këtyre emocioneve , le të bisedojmë edhe për karrierën tuaj. Cila është kënga e parë që keni kënduar? Çfarë viti?
Me thënë të drejtën kënga e parë që kam kënduar është pak vështirë për tu mbajtur mend sepse kam qenë shumë e vogël akoma pa i mbushur 2-vjeç, por jam e sigurtë që kam kënduar, para se të flas.
Të kënduarit ka qenë një pasion i hershëm i juaji, apo talent i lindur?
Nuk e di si mund ta emëroni ju, por meqë bëlbëzimet e mija të para kanë qenë nota muzikore dhe jo fjalë besoj që ka qenë e lindur.
Kush ka ndikuar më së shumti në zhvillimet tuaja muzikore?
Më së shumti, hmm! I pari mbi të gjithë ka qenë zoti që ma ka falur këtë dhuratë dhe pastaj individët, prindërit, profesorët e muzikës, artdashësit që më kanë suportuar dhe shijuar muzikën time.
Ju jeni e njohur kryesisht për të kënduar këngë lirike, të muzikës së lehtë dhe popullore? Na tregoni diçka për karrierën tuaj?
Për mua muzika nuk ka kufij. Sigurisht që zhanret janë të ndryshme por gjithsecila prej tyre të jep kënaqësi të veçantë dhe të krijon ndjesi të ndryshme shpirtërore. Stili im është pak i veçantë, kujdesem për zërin dhe ruaj individualitetin tim, të jem vetvetja si e dashuruar me këngën e muzikën, një nga dashuritë e mija të patjetërsueshme, dhe si e tillë mund të thosha që eksperimentoj pak nga të gjitha zhanret e saj. Por më shumë unë i jam borxhlie muzikës popullore e cila është shumë e kërkuar në koncerte, ftesa familjare e kombëtare në mënyrë të veçantë në Diasporë ku kam marrë vlerësime dhe admirimin e publikut me duartrokitjet dhe ovacionet e tyre.
Si një adhuruese e hershme e juaja, kam vënë re se ju kini një mirëkuptim mes dinamikës së muzikës, të kënduarit dhe interpretimit emocional, e cila u jep fuqinë e tingujve, melodisë së lehtë, këngës popullore por edhe asaj të trevave të ndryshme shqiptare në përgjithësi. A keni pasur ndonjë trajnim apo eksperiencë në këto gjini?
Të jem e sinqertë nuk kam pasuar përveçse dhuntisë, dashurisë dhe hobit për muzikën. E ndjej shumë muzikën, dhe përvojat gjatë karrierës kanë ndikuar në trajnimin dhe arritjet e kënaqshme kanë krijuar si e përmenda më lart individualitetin tim si këngëtare.
A keni shkruar ndonjë tekst këngësh?
Të gjithë kemi momente të dhimbshme, të bukura, të gjithë duam e dashurojmë në jetë, na duan e i duam, përjetojmë momente të veçanta të jetës, gjë që më ka frymëzuar për të shkruar vargje aty-këtu që janë akoma mistere të paekspozuara, por edhe tekste këngësh. P.sh. Është një këngë për Kosovën, teksti është ndërtuar mbi ngjarje të vërtetë, e dhimbshme përtej dhimbjes dhe kompozitori është nga Kosova, Andin Rondobrova. Ndërsa një këngë tjetër është e zhanrit hip-hop, të preferuara këto nga rinia në përgjithësi.
Ju sapo kini nxjerrë vidioklipin muzikor, “Ah, Ah…TI! Ç’mund të na thoni për këtë? Çfarë mund të presin adhuruesit nga ky vidioklip debutues? Cilët janë producentët e tij?
Klipi u realizua në Europë, në një kohë rekord. Kënga bën fjalë për një histori dashurie të kohës së Homerit kur akoma të dashuruarit sakrifikonin gjithçka për dashurinë, bile edhe mbretërinë dhe titullohet “Ah,AH …Ti ë! . Shpreh mirënjohjen dhe falenderimin për miqtë e mijë, më kanë suportuar dhe motivuar shumë në realizimin e këtij klipi.
Bëni një jetë midis Amerikës dhe Shqipërisë. Çfarë ju lidh me Durrësin? Po me Isrealin?
Ah Durrësi!!! Më keni prekur pikën time të dobët ose si thotë fjala e urtë; Në telat e zemrës e shpirtit! Në Durrës kam belbëzuar, qarë, qeshur, dashuruar, kam lënë dhe akoma e ndjej një pjesë të bukur dhe të rëndësishme të jetës time. Aty kam lënë gjurmët e mija që edhe të dua nuk i ç’gëdhend dot. Aty është burimi ku unë marr frymëzim edhe prej kaq mijëra kilometrash larg, shpirtërisht. Më mirë ta lemë me kaq se më përfshijnë emocionet. Durrësi më mungon shumë! Hmm Pyetje emocionuese e interesante. Me Isrealin më lidh dashuria e jetës sime. Po përjetoj momente e çaste të bukura e të lumtura për më shumë se dy vjet me të dashurin tim isrealit Eyal-i, dhe akoma më shumë na lidhi fryti i kësaj dashurie Baby girl, Nathel, që sa erdhi në jetë.
Çfarë iu shtyhu të bëheshit këngëtare dhe pse?
Absolutisht asgjë dhe askush nuk më ka shtyrë përveç dëshirës dhe ndjesisë deri në palcë të muzikës. Muzika ka qenë dhe do ngelet një ndër elementet më të rëndësishëm të jetës time. Nuk mund ta kuptoja dot ekzistencën e oksigjenit pa muzikën që unë personalisht besoj që janë bashkudhëtare.
Këndoni këngë të muzikës së lehtë, lirike e popullore. A do të këndonit ndonjë baladë?
Sigurisht dhe së shpejti. Baladat janë shpirtra të muzikës ku unë shkrihem brenda tyre.
Cilat këngë preferoni të këndoni më shpesh, e lehtë apo populloret?
Në përgjithësi mua nuk më pëlqejnë kufijtë dhe globi tokësor më duket se vuan shpirtërisht si rezultat i kësaj ndarjeje të pakuptimtë. Kështu që ashtu siç e përmenda për mua të gjitha zhanret janë të bukura dhe i këndoj me kënaqësi.
Me cilin këngëtar të shquar shqiptar dhe të huaj, do dëshiroje të këndoje? Preferencat tuaja për ta?
Çdo artist ka të veçantën e tij ashtu sikurse lulet dhe aromat. Mua më ka rënë rasti të këndoj me artistë të ndryshëm dhe të mirënjohur shqiptarë e të huaj. Sa për të ardhmen do të dëshiroja dhe që i kam për zemër një duet me Vaçen e Pagarushën, ndër femra, Ardit Gjebrea apo Kastriot Tusha ndër meshkuj, dhe ndër të huaj e preferuara ime Celin Dion, Barbara Strasant, apo Nora Jons, Buceli, Josh Groban, etj.
Kë dëshiron të falenderosh për realizimin e ëndrrës tuaj si këngëtare?
Së pari zotin, sigurisht që më ka dhënë këtë dhuratë, dhe të tjerë me radhë, prindërit, profesorët e mijë në shkollë, dashamirësit dhe adhuruesit e muzikës sime.
Gjërat janë duke ndryshuar në rrjedhën e muzikës komerciale. Çfarë mendimi kini për këtë?
Normalisht që duhet përshtatje, por muzika e mirëfilltë ngelet po ajo. Rryma të ndryshme shkojnë e vijnë por boshti ngelet po ai dhe që nuk vdes kurrë.
Si e shihni ju të ardhmen tuaj muzikore?
Asnjë nuk mund të predikojë të ardhmen dhe nuk e dimë çfarë sjell momenti por një gjë e kam të qartë që do vazhdoj të këndoj derisa të marr frymë.
Cili është instrumenti muzikor i preferuar i juaji? A mund të luani me të?
Piano është instrumenti që unë e kam adhuruar që fëmijë, pastaj vjen violina, çelo, shumë melankolik, apo harps që është një personifikim i femrës si në tingull ashtu edhe në dukurinë fizike, oboja që të hyn nëpër damarë e çdo qelizë. Siç e sheh kisha jo një por disa dhe nuk mund ti lija pa përmendur, për të ushtruar për momentin jam dhënë pas kitarës.
Kush është Aida Dyrrah? Çfarë është dashuria për ju? Ndjeheni e dashuruar ?
Aida Dyrrah është ….mmmmm me thënë të drejtën nuk kam shumë dëshirë të flas shumë për veten dashuria është ndjenja më e bukur që ekziston, por kujdes vetëm kur e takon të vërtetën. Nuk kam asnjë lloj pasurie apo pushteti që mund ta zëvendësojë dashurinë. Gjithmonë ndjehem e dashuruar dhe falenderoj Zotin për këtë.
Çfarë projektesh keni për të ardhmen?
Shume plane kam në kokë, por që tani për tani dua ti lë enigmë. Dhe le ti ndjekim më vonë.
Diçka që dëshironi të shtoni….
Ditët më të bukur dhe të lumtura të jetës sime, Dua t’u jap lajmin e mirë që sot më erdhi në jetë engjëlli im Baby Girl…nuk gjej dot fjalë për t’ua përshkuar atë që ndjej dhe sa e lumtur jam, dhe Pjesëmarrja ime në Eurovizion






