Perandori romak Kaligula ka një emër që është bërë sinonim i tiranisë së pamëshirshme, përdorur si referencë popullore për diktatorë si Idi Amin apo Jean-Bedel Bokassa. Por a ishte me të vërtetë Kaligula një njeri i çmendur dhe i keq apo viktimë e një fushate shpifjeje ndaj tij?
Këndvështrim
Mary Beard, BBC
Ideja jonë moderne mbi tiraninë lindi dy mijë vjet më parë. Ishte gjatë sundimit të Kaligulës, – perandori i tretë i Romës, i vrarë në vitin 41 pas Krishtit, para se të mbushte 30 vjeç – kur të gjithë përbërësit e autokracisë së çmendur u bashkuan për herë të parë në një njeri të vetëm.
Në fakt, fjala e greqishtes së lashtë “tirannos” (nga ku rrjedh termi që përdorim sot), ishte fillimisht një fjalë goxha neutrale për të përshkruar një sundimtar të vetëm, qoftë ai i mirë apo i keq.
Natyrisht kanë qenë disa monarkë me të vërtetë të tmerrshëm dhe despotë para se të vinte Kaligula. Por, për aq sa ne dimë, asnjë nga paraardhësit e vet nuk i ka kryer të gjitha punët për t’u konsideruar një tiran në të gjitha kuptimet moderne të kësaj fjale.
Tek ai ishte edhe një pasion (i stilit të Imelda Marcos) për këpucë, megalomani, sadizëm dhe perversion seksual (përfshirë incest, thuhet, me të tria motrat e tij), si dhe një marrëdhënie me të vërtetë e çuditshme me kafshët shtëpiake. Një nga idetë e tij më të ndritura thuhet të ishte propozimi për të bërë kalin e tij të parapëlqyer një konsull – si të thuash, kryeministër i Romës.
Shkrimtarët e Romës shkruan shumë mbi këtë sjellje rrëqethëse dhe ai u bë kaq shumë referencë e tiranisë për ta, sa si një perandor jopopullor, një gjysmë shekulli më vonë, mori nofkën “Kaligula lakuriqi”.
Por sa prej historive të tyre sensacionale janë të vërteta? Këtë nuk e dimë sot. A i detyroi ai me të vërtetë njerëzit të shihnin ekzekutimin e fëmijëve të tyre dhe pastaj i ftoi të merrnin pjesë në darka të gëzuara, ku ata duhej të qeshnin e të bënin shaka?
A shkoi ai me të vërtetë në Tempullin e zotave Kastor dhe Polluks në forumin e Romës dhe priti që njerëzit të fillojnë t’i falen atij?
Do të ishte ndoshta skepticizëm i tepruar të mos besojmë çdo gjë që na kanë thënë për të. Kundër të gjitha pritshmërive, një nga arkeologët e Kembrixhit beson se ka gjetur gjurmët e një ure të stërmadhe që Kaligula supozohet se ka ndërtuar mes pallatit të vet dhe Tempullit të Jupiterit – në mënyrë që të ishte më e lehtë për të, të shkonte dhe të bashkëbisedonte me Zotin, kur ai të kishte qejf.
Për këtë arsye, ideja që Kaligula ishte një djalë i ri, i këndshëm që u përball thjesht me një mbulim mediatik shumë të keq, nuk është një ide e pranueshme.
Por e njëjta gjë mund të thuhet për faktin se provat për monstruozitetin e Kaligulës nuk janë gjithmonë të qarta sa duken në pamje të parë. Ka disa kronika të kryera nga dëshmitarë të pranishëm në fragmente të ndryshme të sundimit të tij dhe asnjëra prej tyre nuk përmend ndonjë nga historitë më të këqija.
Nuk ka asnjë përmendje të akuzave të rënda, për shembull, të incesteve me motrat e veta. Dhe një përshkrim i jashtëzakonshëm nga Philo, një ambasador i nivelit të lartë i hebrenjve, për një takim me Kaligulën, e nxjerr atë një shakaxhi kërcënues, por asgjë më shumë.
Ai ironizon me hebrenjtë, për faktin se ata refuzojnë të hanë mish derri (ndërsa pranon se edhe ai vetë nuk pëlqen të hajë mish qengji), por mendja e tij perandorake nuk është shumë e interesuar në bisedën me delegacionin e hebrenjve – ai në fakt është shumë i zënë duke planifikuar një rimobilim luksoz deri në ekzagjerim të një prej rezidencave të tij, dhe është në procesin e përzgjedhjes së pikturave të reja dhe disa dritareve të shtrenjta prej xhami.
Por edhe kronikat e mëvonshme më ekstravagante – për shembull biografia me plot thashetheme mbi Kaligulën nga Seutonius, e shkruar rreth 80 vjet pas vdekjes së tij – nuk janë aq ekstravagante sa duken.
Nëse i lexon me vëmendje, herë pas here, zbulon se ata nuk po raportojnë se çfarë në fakt bëri Kaligula, por çfarë thonë njerëzit që ai bëri, tha apo planifikoi të bënte.
Ishte vetëm një thashethem tregimi se gjyshja e perandorit e gjeti atë në krevat me një nga motrat e tij të parapëlqyera. Dhe asnjë shkrimtar roman, për aq sa ne kemi njohuri, nuk tha kurrë se ai bëri kalin e vet konsull. Gjithçka që ata thanë ishte që njerëzit thanë se ai pati në plan të bënte kalin konsull.
Shpjegimi më i mundshëm është se e gjithë historia e kalit konsull është krijuar nga një prej shakave të tij të shumta. Hamendësimi im më i mirë është se një perandor i dëshpëruar një ditë ngacmoi aristokracinë, duke i thënë diçka të tillë: “Ju djem jeni kaq të pashpresë, sa unë mundem ta bëj edhe kalin tim një konsull!”
Dhe në një nga këto shaka, ndodhi që lindi ajo histori e caktuar mbi çmendurinë e perandorit.
E vërteta është se, ndërsa shekujt kaluan, Kaligula u bë, në imagjinatën popullore, gjithnjë edhe më i frikshëm. Ka shumë gjasa që ne më shumë sesa banorët e Romës së lashtë, u përpoqëm të propagandojmë këtë version të caktuar të tiranisë despotike.
Në serialin e vitit 1976 nga BBC, “I Pari i Klaudianëve”, Kaligula (që u interpretua nga John Hurt) u shfaq në mënyrë mbresëlënëse me një fytyrë të tmerrshme të përgjakur – pasi hëngri një fetus, ose kështu ne na thanë të besonim, të nxjerrë nga barku i motrës së tij.
Skena ishte tërësisht një shpikje e skenaristit të dramës. Por kjo mjaftoi që në perceptimin popullor të merrej si një fakt historik.
Ky vizion është përhapur madje edhe te komeditë. Kryegjykatësi Kal ishte një shfaqje e bazuar në versionin e perandorit të paraqitur nga Hurt dhe shfaqja përfundon në mënyrë të tillë sa gjykatësi Kal e bën me të vërtetë peshkun e tij të kuq zëvendësgjykatës.
Por nëse bota moderne ka shpikur një lloj të veçantë Kaligule, kjo mund të shërbejë edhe si një leksion për të mësuar nga ai dhe nga ndryshimi i regjimit që e rrëzoi atë nga pushteti.
Kaligula u vra në një grusht shteti të përgjakshëm pak vite pasi mori fronin. Dhe vrasja e tij shpjegon pjesërisht reputacionin e tij të tmerrshëm. Makina e propagandës së pasardhësve të tij ishte shumë e interesuar ta nxinte emrin e tij pjesërisht për të justifikuar rrëzimin e tij – rrjedhimisht dolën një pjesë e historive të tmerrshme.
Më e rëndësishme është gjithashtu pyetja se çfarë, apo kush erdhi më pas. Kaligula u vra në emër të lirisë. Dhe për disa orë romakët e lashtë duket se flirtuan me rrëzimin e sundimit nga një njeri i vetëm dhe me rivendosjen e demokracisë.
Por pastaj rojat e pallatit gjetën xhaxhain e Kaligulës, Klaudiusin, të fshehur pas një perdeje dhe e përshëndetën atë si perandor, duke i dhënë kurorën. Falë Robert Fraves, Klaudius mori një paraqitje të mirë, më së shumti si një sundimtar simpatik pak i shëndoshtë, që veproi sipas rregullave.
Por historianët e lashtë tregojnë një histori tjetër – atë të një autokrati që ishte po aq i keq sa edhe njeriu që zëvendësoi. Romakët menduan se po merrnin lirinë, por morën të njëjtën diktaturë.
Duke vlerësuar atë që ndodhi atëherë, është e vështirë të mos mendosh për gëzimet dhe zhgënjimet e Pranverës Arabe.
Kaligula në kulturën popullore
Nobelisti i lehtësisë nga Franca, Albert Camus, shkroi një pjesë teatrale të mirënjohur më 1938-n, “Kaligula”.
John Hurt bëri emër me aktrimin e perandorit në serinë televizive të vitit 1976 “Claudius I”, bazuar në romanin e vitit 1934 nga Robert Graves.
Filmi i vitit 1979, “Kaligula”, ku luan Malcolm McDowell, mori famë të keqe për nivelin shumë të lartë të seksit dhe dhunës. Regjisori Tinto Brass është më shumë i njohur sot për filma erotikë, por “Kaligula” e tij ishte një portretizim i shkëlqyer i figurës së një diktatori, si dhe një kërkim në shkaqet e rënies së perandorisë.
Europa në atë kohë gjendej në një trishtim intelektual mbi rritjen e antiamerikanizmit dhe rrëzimin e perandorive të kontinentit të vjetër, si Britania e Franca dhe po kërkonte shkaqet e këtij rrëzimi duke eksploruar historinë e bollshme të Perandorisë Romake dhe rrëzimit të saj.
Krahasimi
Roma dhe demokracia moderne
Historianët, shkrimtarët dhe artistët kanë gjetur shumë paralele mes botës së Romës së Lashtë dhe kohës sonë dhe shumë shpesh historitë e Romës së Lashtë shkruhen për të shpjeguar historinë bashkëkohore.
Gratidianusi ishte një udhëheqës revolucionar i Romës që u ngrit në post publik si përfaqësues i plebenjve dhe kërkoi shpërndarjen e fermave të mëdha publike për fshatarët e pastrehë.
Spartaku njihet si skllavi që u ngrit dhe luftoi për lirinë dhe barazinë, por ky është më shumë një produkt i letërsisë së shekujve të 19 dhe 20 dhe shumë më pak një fakt historik. Shkrimtarët eksploruan historinë e Spartakut në kohën e përplasjeve të mëdha për barazi pas Revolucionit Francez dhe për të frymëzuar lëvizjet revolucionare komuniste.
Ciceroni, politikani i Romës së lashtë, u bë simbol i shtetarit që punoi për të ruajtur republikën përballë epshit për pushtet të njerëzve të ndryshëm, të cilët synuan të çmontojnë sundimin me ligje me sundimin nga njerëz të plotfuqishëm. Beteja e Ciceronit përfundoi me ngjitjen në pushtet të Jul Cezarit, i cili portretizohet nga krijimet artistike të sotme më shumë si udhëheqës i aftë dhe frymëzues sesa si diktatori që shkatërroi themelet e konstitucionalizmit, duke përdorur politikën populiste dhe duke shpërdoruar burimet publike me synimin e avancimit të axhendës së tij të fshehtë.
Perandori Adrian është bërë simbol i njeriut që u përpoq të vinte paqen duke themeluar politikën e mosndryshimit të kufijve dhe moszgjerimit të mëtejshëm të perandorisë përmes luftërave.
Historitë e aristokracisë së Romës së Lashtë, babëzisë dhe luksit të tepruar, janë bërë simbol i elitave sunduese, të cilat paraqiten mes të tjerash si seksualisht perverse, ku familja nuk ekziston si koncept siç e njohim ne sot.
Sula, Kaligula apo Neroni janë bërë simbol i ngritjes së një sundimtari në rolin e tiranit satrap, i cili pret të respektohet si një zot i pavdekshëm nga populli. Oktavian Augusti konsiderohet si simboli i diktatorit të ndriçuar, i cili sundoi i vetëm dhe shumë gjatë, por me këtë vendosi paqen dhe rregullin pas shumë dekadash trazirash.
Katilina u bë simbol i vrasësit maniak, i cili jo thjesht i vriste armiqtë e vet, por i copëtonte trupat e tyre në mënyrë simbolike. Ai konsiderohet vetëm si ekzekutor, i cili, kur ngriti krye me tepri kundër paguesve të tij në këtë rol, përfundoi gjithashtu i ekzekutuar.





