Flet publicistja dhe gazetarja rebele, Zenepe Luka
Intervistoi: Raimonda Moisiu
Profili i publicistes, intelektuales dhe gazetares “rebele”- Zenepe Luka Cekrezi – i përket brezit të artë të gazetareve femra, si një nga gratë e para në median shqiptare që me shpinën e mendjes dhe “kockë intelektuale” të fortë, në sajë të përkushtimit, pasionit e përgjegjshmërisë morale, qytetare e intelektuale na ka dhënë gazetarinë bashkëkohore, profesionale, përvojën dhe eksperiencat e jetës, dhe afirmimin me vizion të gjerë profesional në dekada të tëra. Brez i artë i gazetareve femra që përfaqësohej denjësisht nga Adile Xhabija, Ludmilla Xhabija, Nexhmije Zajmi, Tefta Radi, Valentina Leskaj, Zenepe Luka, Elsa Xhai, Kozeta Mamaqi, Donika Tele, Albana Mëlyshi, Jorgjeta Gjanci, Frosina Papa, Kozeta Zavalani, Julia Naci, Shirma Minga, etj., me arritje të papara gjatë karrierës së tyre dhe kanë sfiduar skeptikët e kritikët e kohës edhe për çështjet më të rëndësishme në jetën social-kulturore politike të vendit. Ky brez i artë gazetaresh së bashku me kolegët e tyre burra- bënë rrotacionin mediatik më spektakolar, profesional e historik mes kufirit të dy epokave –Gazetarisë para ’90-s dhe pas viteve ’90-t- në vazhdim e deri më sot-pra bënë historinë e medias shqiptare. Ja si shprehet shkrimtari i shquar i letrave shqipe, Dritëro Agolli për gazetaren Zenepe Luka: “Në kuptimin e marrëdhënieve shoqërore, të jesh gazetar, do të thotë; të njohësh dhe të të njohin shumë njerëz, t’a kesh për nder, që i njeh dhe ta kenë për nder ata, që të njohin. Në këtë larmi organesh shtypi, Zenepa Luka vazhdoi të përparojë stilin publicistik të gjinive të ndryshme të gazetarisë. Është një shprehje: Vrapojmë, të arrijmë Horizontin, Horizonti largohet duke paraqitur një pejsazh tjetër. Horizonti i shoqërisë politike shqiptare, ndryshoi, ndryshoi edhe përmbajtja dhe forma e gazetarisë. Nuk kishte më kontroll të rreptë të shtypit, u bë mënyra e të shkruarit më dinamike, më e thjeshtë, duke larguar ekstazën. Këtë përmbajtje dhe formë të re të shtypit, mundi ta përvetësojë edhe Zenepe Luka. Ajo filloi të shkruajë më thjeshtë, duke shmangur kozmetikën e frazës, kozmetikë, që fsheh përmbajtjen dhe zbeh faktin.’ Ndërsa babai i gazetarisë shqiptare, Prof.Dr.Hamit Borici, do të shprehet kështu për ish-studenten e tij Zenepe Luka: ”Zenepe Luka më sjell në kujtesë studenten që ngulmoi për të ndërruar degën, nga Gjuhë–Letërsi në Gazetari. Tashmë ajo është një gazetare e afirmuar me vision të gjerë profesional dhe përfaqëson një punë të madhe dhe me përkushtim në fushën e gazetarisë dhe publicistikës bashkëkohëse, profilin shoqëror e qytetar të njohur e vlerësuar jo vetëm nga kritika e kohës por edhe nga opinion publik shqiptar.” Në këtë intervistë ju do të mësoni disa gjëra për herë të parë port ë vërteta, për sfidat dhe kalvarin e sakrificës e profesionalizmit të gazetares Luka.
Znj.Luka, jeni një penë publicistike mjaft e njohur në Shqipëri e krejt trojet shqiptare. A ju kujtohen ditët tuaja të para si gazetare?
Gjëja e parë që dua të shpreh është mirënjohja për Ju, zonja Moisiu, një publiciste dhe krijuese shumë e njohur, që po më mundësoni dhënien e kësaj interviste. Shkrimet e para të miat, botuar tek “Zëri i Rinisë”, revista “Shqiptarja e Re”,janë përpara se përfundoja studimet. Nëse bëhet fjalë për shkrimet pasi jam diplomuar gazetare, plot 40 vjet më parë, në maj të vitit 1973, janë në gazetën lokale “Kukësi i Ri”. Po e kujtoj shkrimin e parë. Sidoqë isha një vajzë e re, që vija në një rreth aq të largët, redaksia më dërgonte shpesh me shërbim në fshatra. Shkrimi i parë ka qenë pas një shërbimi në Shishtavec, lidhur me një fenomen shumë të bukur: Dashurinë e të rinjve me shkollë. Meqë më ra rasti të zë në gojë shkrimet në këtë gazetë lokale, nuk mund të harroj një rast, që për pak, më kushtoi shumë. Unë kisha bërë një shkrim për rastet që ndodhnin shpesh në këtë rreth verior, që thuajse ishte fenomen. Bashkëshorti i linte shenjë gruas, kur ajo e tradhëtonte, duke i prerë veshin, hundën, duke e ndëshkuar kështu tërë jetën. Në shkrimin tim vura edhe emrin e bashkëshortit dhe kur ai e kish lexuar erdhi në redaksi i revoltuar dhe me mendjen për të më prerë edhe mua veshin, pasi sipas tij” e kisha turpëruar”. Kam shpëtuar për qime, duke u mbrojtur se fajin e ka kryeredaktori që ka vendosur emrin e tij.
Çfarë ka ndikuar te ju, që ju zgjodhët të bëni gazetaren? Si iu lindi ideja për të qenë pjesë e gazetarisë shqiptare e Ballkanike -si pjesë narrative jetësore e rëndësishme nën ndikimin e kulturës, historisë e fenomeneve sociale, ekonomike dhe politike në komunitet, apo….?
Mendoj se gazetaria, përveçse profesion, është edhe pasion. Unë e kam trajtuar gjatë rrugën e mundimshme, që kam përshkuar, deri sa u futa në degën e gazetarisë, që çelej për herë të parë si degë më vehte në Universitetin Shtetëror të Tiranës në fakultetin e Shkencave Politike-Juridike. Vija nga qyteti i vogël i Librazhdit dhe të shkoje në këtë Fakultet, ku ishin fëmijët e anëtarëve të Byrosë Politike, nuk ish e lehtë. Me guxim dhe këmbëngulje ndërrova degën, pasi bursa më kish dalë për Gjuhë-Letërsi, hyra në konkurs dhe u pranova në këtë degë. Duke qenë se e kisha pasion gazetarinë, unë pranova të shkoj në terren, ku vazhdoj të jem edhe sot që mbusha 40 vjet në këtë profesion të bukur dhe të vështirë. Sigurisht, pasi ke marrë njohuritë e domosdoshme të gazetarisë dhe je diplomuar,bëhesh e përgjegjshme edhe për misionin që ka gazetaria. Gjykoj se jam fatlume, sidoqë në fillim e pata shumë të vështirë, që gjithë kohën kam qenë gazetare në terren, ku është gazetaria e vërtetë. Pikërisht të qenurit në terren, të krijon hapësirat për të trajtuar problematikët e shumta që ka pasur dhe ka shoqëria. Shkrimet nga terreni ishin dhe mbetet “ushqimi” më i vyer për gazetën. Sigurisht, të punosh kaq gjatë në këtë profesion, të provosh peripeci deri edhe në dhimbje për shkak të tij, padyshim do të bëhesh zëri i vërtetë i shoqërisë së kohës. Pas rënies së regjimit komunist, kur gazetaria mori lirinë e munguar, padyshim ky zë do të vinte edhe nga trevat e shtetet ku jetojnë shqiptarë, nga shtetet ku emigruan bashkëkombësit për një jetë më të mirë. Për gazetarin, por jo vetëm, kjo është një pasuri e madhe, e çmuar, një brilant në historikun e gazetarisë shqiptare..
Duke pasur një karrierë të gjatë në fushën e gazetarisë, ju keni përjetuar momente mbresëlënëse, të këndshme, por edhe kritike, dëshpëruese e të trishta. A mund të na përshkruani momente nga eksperienca tuaj?
Një rrugë kaq e gjatë dhe intensive, që në 40 vjet numërohen mbi dhjetëmijë shkrime, padyshim do të përjetosh kënaqësinë e profesionit, do të njohësh dhe intervistosh mijëra e mirë njerëz. Në 20 vitet e para të karrierës time, që i përkasin periudhës së regjimit komunist, sigurisht kam ndjerë mungesën e lirisë të të shprehurit, por ama më është dashur të udhëtoj me mushkë, në këmbë me orë të tëra, të ngjitem në stabilimentet e sharrave, të kaloja turnin e tretë me minatorët, për të sjellë realitetin. Sigurisht, para se të botohej shkrimi, në redaksi do ti bëhej “grimi” i duhur, për të minimizuar problemet dhe për t’ia dedikuar ”arritje partisë, sistemit socialist”. Pra në një farë mënyre kishte censurë, kjo duhet pranuar. Por edhe pas viteve 90-të, kur prekëm erën e demokracisë, lirisë, mos kujtoni se gjithçka shkon vaj. Unë kam qenë për 10 vjet gazetare e gazetës “Koha Jonë” në Vlorë, që përkon me ndryshimet që pësoi shoqëria, që, për shkak të daljes nga izolimi, u përball me fenomene të dhimbshme si trafiku i qenieve njerëzorë, prostitucioni, tronditja e familjes, që më parë ishte një institucion, fenomene këto që duheshin trajtuar. Periudha më dhimbshme, për mua si gazetare, sikurse për të gjithë shoqërinë shqiptare, janë ngjarjet e vitit 1997, që e kishin kryeqendrën në Vlorën, që ishte njëherësh kryeqyteti i firmave piramidale. Sigurisht, unë kam ndjerë pasojat e trajtimit të këtyre fenomeneve, përfshi edhe korrupsionin e pushtetit në të gjitha nivelet, të gjyqësorit, që kanë shkuar deri në dhunë fizike dhe përballja në shumë procese gjyqësore. Ngjarjet e vitit 1996, 97, 98 që precipituan vrullshëm jo vetëm në Vlorë, por në të gjithë vendin, janë gjurmët e dhunës fizike, që u kurorëzuan me aktin fundamentalist të 10 majit 1998, kur më vendosën tritolin në banesë, që shkatërruan jo vetëm shtëpinë dhe kabinetin dentar të bashkëshortit tim, por u plagosëm burrë e grua dhe dy fëmijët. Është e dhimbshme, që megjithëse kanë kaluar plot 15 vjet, ende nuk janë gjetur dhe ndëshkuar autorët. E vërteta është se edhe pse kanë kaluar kaq vite, unë vazhdoj të bëj gjyqe, tashmë me gazeta, shërbëtore të Qeverisë, që më anatemojnë si përgjegjëse për trazirat e 1997-tës. Ndjehem e lodhur, por njëherësh e qetë që kam fituar dinjitetin me këta artikujshkrues-shërbëtorë të pushtetit dhe politikës.
A keni përjetuar fëmijëri të lumtur?A ka pasur në fëmijërinë tuaj se një ditë do të bëheshit gazetare profesioniste dhe një nga më të kërkuarat e më të pëlqyeshmet e shtypit shqiptar në tërësi?
Kam pasur një fëmijëri të vështirë. Jam fëmija i shtatë nga tetë fëmijët që lindën prindërit e mi dhe kam mbetur pa baba, kur isha 6 vjeçe. Fati i fëmijëve ka qenë sepse kishim nënë një mokrare me një histori të dhimbshme, por që rriti me dinjitet fëmijët, duke i arsimuar. Për të fituar degën e gazetarisë nuk qe e lehtë për mua, m;u desh të ndërroja degën, të futesha në konkurs, që e fitova me lehtësi dhe mbi të gjitha të rezistoja vështirësive që më solli jeta dhe profesioni. Jam krenare që në muajin maj mbusha 40 vite karrierë në gazetari me mbi dhjetëmijë shkrime të botuara, duke qenë gazetare e terrenit. Duke qenë gazetare profesioniste dhe për 10 vjet pandërprerë gazetare e gazetës së pavarur “Koha Jonë”, por duke punuar edhe në Vlorë, për vetë ngjarjet e rënda që kaloi më 1997-tën, më është dashur të rriskoj si askush tjetër. Por tek e fundit, ky është profesioni. Gazetaria është profesion, por edhe mision. Kjo është qasja ime. Kjo do të ishte edhe nëse unë sot nisja nga e para karrierën.
Ç’mund të na thoni për momentet më të dhimbshme të familjes tuaj, dhunimi, tritoli në shtëpinë tuaj, kërcënimi i jetës dhe familjes tuaj, -i referohem vitit të mbrapshtë’97-ës. Cila është e vërteta e atij momenti të trishtë –dhe cili ishte kërcënimi që gazetarja rebele Zenepe Luka i sillte pushtetit të asaj kohe. Mendoni një çast se mos e keni tejkaluar misionin e gazetarit?
Një pyetje e vështirë, pasi më duhet të kthehem jo vetëm prapa në kohë, por edhe të rendis ngjarjet e dhimbshme, që kanë tronditur qenien time dhe të familjes, vetëm për shkak të profesionit. Fakti që jam gazetare e terrenit, që për gjatë 10 vjetëve kam punuar tek gazeta e pavarur “Koha Jonë”, por edhe për shkakun se punoj e jetoj në Vlorë, qytet-port me problematika të shumta, janë disa nga shkaqet që kanë ndikuar në dhunën fizike e psikologjike tek unë dhe familja. Sigurisht, kryeshkaku ka qenë dhe mbetet, ajo që është qasja ime, përgjegjësia për të përcjellë të vërtetën në shkrimet e mia, që kurrë nuk u ka munguar emri i autores, ndërthurur kjo me problematikën dhe fenomenet, që solli tranzicioni. Sigurisht të shkruaje për trafikun e klandestinëve, të femrave, të zije në gojë emra skafistësh, trafikantë droge, të godasësh korrupsionin deri në qelizë, në organet e drejtësisë, padyshim duhet të llogarisësh rriskun. Dhuna e parë ndaj meje është ushtruar më 30 maj të vitit 1996, teksa po ndiqja mitingun e opozitës, që kundërshtonte zgjedhjet e 26 majit të këtij viti. Një djalë i ri me emrin L. Halla, më goditi papandehur. Sigurisht ai dëshmoi se i kishin thënë të policisë të më qëllonte dhe u dënua nga gjykata, por ky akt ishte filli i lëmshit të incidenteve të mëtejshme ndaj meje edhe pse isha grua, nënë e dy fëmijëve. Vetëm për shkak të shkrimeve, jam dërguar në gjykatë mbi dhjetë herë me paditës prokurorë, pronarë firmash, gjyqtarë, avokatë, procese që i kam fituar. I kam fituar sepse e drejta ishte me mua dhe se paditësit nuk kish asnjë provë, që unë kisha shpifur. Nuk kanë munguar edhe rastet kur jam kërcënuar edhe nga zyrtarë deri edhe “bosa”, që janë kritikuar prej meje, sepse kanë marrë padrejtësisht pronën publike. Dhuna kulmoi me vendosjen e tritolit në banesën time mesnatën e 10 majit të vitit 1998, një akt fundamentalist ky, që synoi asgjësimin e familjes, po të kemi parasysh orën që u vendos dhe sasinë e madhe të tritolit prej 6 kg
Jeni në gjendje ta përshkruani ndodhinë tragjike të asaj nate?
E kujtoj në detaje, pasi më 10 maj u mbushën 15 vjet. Minuta fatale e orës 22.30 e 10 majit, solli tragjedinë. Dyer e dritaret e shtëpisë, dolën nga vendi dhe u thërrmuan copë-copë në faqet e mureve, duke rrëzuar edhe suvanë e mureve në të dy katet e shtëpisë. Ballkoni ra, shtëpia u shndërrua në gërmadhë. Shpërthimi solli edhe dëmtimin e linjës elektrike, kështu në errësirë të plotë, kërkoja fëmijët, nuk dija se çfarë kish ndodhur me ta. Pashë tim shoq që kish vënë duart në kokë dhe kërkonte të ndizte një qiri. Dëgjova zërin e vajzës, që thirri: Mami, ku je? E mora në prehër, e përkëdhela në kokë, flokët ishin lagur me gjak. Djali ishte zgjuar dhe thërriste: “Ku je, mami”. Në këtë situatë tragjike, u gjendën makinat e zjarrfikëses, që ndriçuan gjithçka kish ndodhur. Më pas erdhën forcat e policisë, që me mjetet e tyre na dërguan në spital. Shpërthimi kish plagosur edhe dy fëmijët e fqinjës, Ardian Kapllani, që jetonin në një aneks në katin e parë, ngjitur me rrugën. Ishin orë tmerri, ishte një natë e përgjakur e 10 majit, muajit të luleve. Më vjen keq, që ky krim makabër u mbyll në dosje me pretekstin se nuk janë identifikuar autorët. Në ditën e 15 vjetorit i dërgova një letër Kryeprokurorit të Republikës, që të rihapë dosjen dhe unë mund ta ndihmoj me gjetjen e autorëve, njëri prej të cilëve me thotë çdo ditë: Mirëmëngjes. Ju pyesni nëse kam tejkaluar misionin e gazetarit? Absolutisht jo. Kam botuar në një libër të veçantë kronikën e përgjakur të viti të mbrapshtë dhe sot, që bisedojmë bashkë, nuk i heq as presjen. Në parathënien e librit shkrimtari i madh Dritëro Agolli, shprehet: ”Libri Vlora-Vlora është një dokument histori, që pas shumë vjetëve, ata që do të merren me historinë, do të thonë duke cituar”: Dëshmitarja e kohës gazetarja Zenepe Luka, shkruan…”. Kolegia ime,duhet të dimë gjënë më elementare të gazetarisë, që, gazetari i terrenit ka për detyrë të përcjellë ndodhinë,duke qenë vetë në ngjarje,të informojë lexuesin çfarë ndodhi, si, qysh, në ç’rrethana? Këtë kam bërë edhe unë. Po nuk e kam bërë vetëm unë,kishte edhe gazetarë të huaj që jepnin çdo ditë kronikat në stacionet italiane,por edhe gazeta të tjera në Shqipëri. Askush nuk i kundërshton ato, por ndalen vetëm tek gazetarja e gazetës “Koha Jonë”. Aspak nuk kam tejkaluar misionin si gazetare,fatkeqësisht komentin e bënin të tjerë që i shihnin me dylbi ngjarjet në Vlorë. Ata nuk ishin gazetarë, 2-3 kokrra mjeranë të lidhur me pushtetin, që po binte, për faj të vetë pushtetit, që kërkuan poste dhe nuk i muarën dot edhe kur u rikthyen në pushtet. Për mua, ata janë bashkëpunëtorë në vendosjen e tritolit në banesën e gazetares së KJ, mesnatën e 10 majit të 1998 dhe këtë e kam thënë disa herë publikisht. Ishin dy gazeta,shërbëtore të pushtetit që më 10 maj shkruanin me gërma të mëdha: ”Zenepe Luka dogji Vlorën dhe në mesnata shpërtheu tritoli. Me to unë jam përballur në gjykatë, që i ka dënuar për shpifje dhe mua më kanë dëmshpërblyer.
Përveçse gazetare, ju jeni edhe autore e disa librave. Cila është tema që keni trajtuar?
Krijimtaria ime ka nisur me botimin në shtypin e kohës, vjersha,tregime,që kur isha nxënëse në shkollën Normale të Elbasanit dhe më pas studente. Kur isha në vitin e fundit në Universitet, dorëzova edhe një vëllim me poezi të titulluar “vajzëri”, por nuk u aprovua. Redaktori, më ktheu përgjigjen se dominon lirikat dhe nuk kishte edhe një rresht për jetën e re,aksionisten,partinë…I kam ato vjersha,do të konsultohem me bashkëshortin dhe fëmijët dhe pse jo, t’i botoj. Ka qenë vetëm viti 1996, kur botova librin e parë,novelën “Rënkimi i Shpirtit.” Në vitin 1998, u botua libri publicistik “Vlora-Vlora. Një jetë në Shërbim të Kombit” është botim i vitit 2002,për tu pasuar me “Unë gazetarja rebele”" Në vitin 2005 doli nga shtypi libri voluminoz “Rrëfej Nermin Vlorën-Ishim tri” dhe në vitin 2007 u promovua libri “Violeta Manushi, Kryezonja e Skenës”. Në maj të vitit 2008 doli libri “Al Bano dhe Albania”, në gjuhën shqipe që ia dhurova këngëtarit të madh në ditën e 65 vjetorit të lindjes, që e festuam bashkarisht në Vlorë. Në korrik të vitit 2012, në vendlindjen e Al Banos, Celino San Marko promovuam librin në gjuhën italiane “Dashuri shqiptare për Al Bano”, ku mori pjesë edhe Presidenti i Republikës Prof. Bamir Topi dhe ku unë u vlerësova me titullin e “Mirënjohjes. Më 30 maj të këtij viti me rastin e 40 vjetorit të diplomimit “Gazetare” dhe 40 viteve karrierë, u promovua libri i fundit”Kjo është jeta ime”. Kam në duar librin “Jabanxheshat e Vlorës” dhe “50 gazetaret e shquara shqiptare”.
Në jetën e përditshme si gazetare ju jeni në kontakte me personalitete të kulturës, intelektualë e qytetarë të thjeshtë, figura të njohura të politikës shqiptare dhe asaj të huaj. Sa është prezent atdheu ynë Shqipëria e çështja shqiptare, veçmas ajo e Kosovës e Çamërisë në marrëdhëniet me ta?
Gjatë gjithë karrierës time si gazetare, kam synuar që veçanërisht në intervistat dhe në të gjithë llojet e zhanreve, të bëhen objekt vlerat dhe trashëgimia historike e kulturore e vendit tim, çështja e Kosovës, e Çamërisë dhe veçanërisht unë jam ndalur tek problematika e gruas. Më është dhënë rasti të intervistoj Ambasadorë të huaj, Presidentë, personalitete botërore nga të gjitha fushat dhe pyetja e parë ka qenë: Sa dhe si e njihni vendin tim, Shqipërinë? Kosova ka qenë një temë e mprehtë në shkrimet e mia. Dua t’ju kujtoj se në vitin e luftës në Kosovë unë kam mbajtur në shtëpinë time në Vlorë 21 pasardhës të Isa Boletinit, që jetonin në Mitrovicë. Do t’ju kujtoj një rast, që tregon edhe për këmbënguljen time, për të treguar se jam gazetare shqiptare dhe për të arritur atje ku kam synuar. Në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, në vitin 1996, mësoj se kryeministria e Turqisë në atë kohë, Tansu Ciller, kishte gjyshin me origjinë nga Shkupi, por kurrë nuk e kish thënë publikisht. Mora rrugën për në Ankara, ku qëndrova 10 ditë deri sa e takova dhe e saktësova këtë fakt, duke e bërë për herë të parë publik. Çamëria, më dhemb shumë dhe gjithë kohën kam ngulmuar ta pasqyroj duke ngritur edhe zërin, për të kërkuar të drejtat e mohuara. Unë kam një mikeshë në Vlorë, që bëhet prezente herë pas here në shkrimet e mia, gruan çame 106 vjeçare Ildizi Haxhiu, që është një thesar për temat e shkrimeve të mia. Ajo reciton edhe vargje pa fund për Çamërinë, sikurse është historia e CCelo Mezanit. Unë jam në krah të vendit tim, të bashkëkombësve, kur me ose pa dashje ju cënohet imazhi. Unë kam hyrë në burgjet e Italisë, Giavatës në Selamik e kudo dhe jam përplasur me prokurorët e gjyqtarët, që kanë bërë dënim të njëanshëm. Është dënuar maksimalisht shqiptari që ka çuar drogë, por është lënë i lirë italiani, që e priste mallin. Kam bërë një seri shkrimesh për një djalë çam nga Vlora, Elidon Abazi, që është dënuar me 26 vjet burg, pse akuzohet se vrau me skaf financierët italianë. Në të vërtetë ai ka qenë në shtëpi atë natë që ka ndodhur incidenti dhe në Vlorë e dinë se kush është autori. Pavarësisht nga shkrimet e mia, argumentet që paraqes në to, ai vazhdon të kryejë dënimin, pa bërë asnjë faj.
A mendoni se “OLD TIMES” rezonojnë ndryshe me audiencën e sotme dhe shoqërisë, krahasuar me audiencën e viteve ’70, ’80, ’90 e më pas?
Ajo që duhet thënë që në krye të fjalës është ndryshimi cilësor pas viteve 90-të. Dallohet lehtë që lajmi ka fituar më tepër hapësirë, dhe vjen shumë shpejt drejt audiencës dhe lexuesit. Unë e kuptoj si një revolucion cilësor Old Times dhe mjaft i efektshëm dhe nuk mund të krahasohet me dinamikën dhe shpejtësinë e emetimit të Lajmit në vitet ‘80-të. Ne gazetarët që kemi punuar në atë periudhë e ndjejmë thellësisht këtë ndryshim. Pa dyshim, ky “revolucion”, ka bërë që audienca e sotme jo vetëm të jetë më e madhe, por edhe më e informuar. Natyrisht falë edhe teknologjisë dixhitale, pa lënë mënjanë edhe emancipimin e vetë lajmit dhe të vetë gazetarisë shqiptare. Sot, gazetarët kanë mundësinë e trajnimeve nëpër mediat prestigjioze perëndimore por edhe vjeljen e një përvoje mjaft profesionale nga kolegë të ndryshëm si në rajon, në Europë apo dhe SHBA. Nëse i hedhim një vështrim gazetarisë shqiptare, ballkanike apo lindore, krahasuar me atë perëndimore, mbështetur në njohuritë e mia, dua të theksoj faktin se dallimet janë ende esenciale e në ndonjë rast edhe tepër dalluese. Në krahasimi me mediat perëndimore, gazetaria shqiptare pas viteve ’90, përjetoi një rilindje, u transformua rrënjësisht. Mjafton të flasim për lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit, dy nga vlerat kryesorë që i kishin munguar tërësisht medias shqiptare gjatë regjimit komunist. Pikërisht këtu starton rilindja mediatike shqiptare, por edhe ajo ballkanike, që kish të njëjtat probleme. Duke u ndalur tek ky proces, gjykoj se gazetaria shqiptare pas viteve ’90, e cila fitoi një dimension të ri lirinë e shprehjes dhe lirinë mediatike,pati dhe keqpërdorimet e saj deri edhe deformime të dukshme. Sikurse e kam prekur edhe më lart, një pjesë e mediave në Shqipëri, ende vazhdojnë të jenë të ndërvarura nga qarqe të caktuara politike apo dhe nga pronarë të politizuar, gjë që ka sjellë deformime të vërtetësisë së lajmit apo dhe qëndrime subjektive. Gjithsesi, sidoqë gazetaria shqiptare ka ende problem të raporteve të saj me realitetin apo dhe vërtetësinë e faktit, ka evoluar shumë dhe ka fituar një fizionomi bashkëkohore.
Znj. Luka ju jeni edhe Presidente e Fondacionit “Nermin Falaski Vlora”, si lindi ideja e themelimit të këtij fondacioni dhe përse e quajtët me këtë emër?
Fondacioni Kulturor Mbarëkombëtar “Gruaja intelektuale shqiptare”, është themeluar nga një grup grash nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia , Mali i Zi, Kalabria, Greqia. Gjermania, Kroacia, etj, i kryesuar nga ambasadorja e kombit Nermin Vlora Falaschi Pas ndarjes së saj nga jeta, më 28 nëntor 2004, Fondacioni mori emrin e Ambasadores së Kombit, mbesës së Ismail Qemalit, Nermin Vlora Falaschi. Është shpallur si person juridik me vendim nr.158 të gjykatës së faktit Tiranë, dhe operon me degët e tij në 10 shtete. Si në Kosovë,Maqedoni, Mali i Zi, Itali, Preshevë, Gjermani, Kalabri, Belgjikë, Kroaci dhe deri në Amerikën e largët. Detyra kryesore e Fondacionit është bashkimi i zërit të gruas intelektuale shqiptare, për të shpalosur vlerat e gruas,për të sensibilizuar shoqërinë e klasën politike dhe më gjerë, se nuk mund të kemi një shoqëri demokratike,një shtet të së drejtës, nëse nuk vendoset në vendin, që meriton gruaja,nëse nuk respektohet barazia gjinore e gjysmës së popullsisë.
Në fund të muajit maj me iniciativën tuaj u mbajt Konferenca e Parë Mbarëkombëtare me temë: ”Kontributi i gruas gazetare në tre kohë dhe problematika në ditët e sotme”. Ç’mund të na thoni për këtë eksperiencë mbresëlënëse dhe arritjet e gruas gazetare?
Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi” më parë kish organizuar një konferencë kombëtare të gruas gazetare, me rastin e 60 vjetorit të gazetares, ikonës së TVSH Tefta Radi, ku edhe u dekoruan tre gazetare në tre breza. Konferenca e parë Mbarëkombëtare me temë:” Roli dhe Kontributi i gruas gazetare ne tre kohë dhe problematika në ditët e sotme”, u organizua me rastin e 40 vjetorit te diplomimit te kursit te pare te gazetarisë, ku bënin pjesë edhe 5 vajza. Morën pjesë 50 gazetare të ardhura nga shumë shtete, anëtare të Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, ish studentët e kursit të parë të gazetarisë, diplomuar në maj të vitit 1973, studente të Fakultetit të Gazetarisë. Shkrimtarë e poetë vlonjate, etj. Fjalën e hapjes e mbajti kryetarja e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi” gazetarja Zenepe Luka. Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi”, po bën atë, që nuk e kanë bërë institucionet përkatëse, që janë marrë dhe merren me median, duke nxjerrë sadopak në dritë figurën e gruas gazetare shqiptare. onferenca është moderuar nga publicistja Desdemona Stefa. Konferencën e përshëndeti znj. Kryetare e Komisionit të Medias në Kuvendin e Shqipërisë, që ndër të tjera tha: Në hyrje të fjalës sime, dua të falenderoj Fondacionin “Nermin Vlora Falaschi”, që organizon këtë konferencë, që diskuton një temë, që në fakt është në periferi të debatit në shoqërinë tonë, që koha e ka lënë në hije dhe që duhej të kishte vëmendjen e duhur në debatin publik. Gjatë zhvillimit të Konferencës u mbajtën disa kumtesa. Serinë e kumtesave e çeli Adile Xhabia, që trajtoi temën ”Gazetaria e pasluftës, nga Radio-Shkodra tek zëri i parë i gazetares shqiptare: Ju flet Radio Moska”. Elsa Xhai një gazetare e shquar e Radio Televizionit Shqiptar, tre breza gazetarësh paraardhësit e saj, duke folur për “Gruan gazetare në historinë e RTSH”, paraqiti një studim të mirëfilltë lidhur me kontributin e vargut të gjatë të grave gazetare në këtë institucion të rëndësishëm të medias publike. Interes për pjesëmarrëset në konferencë, ngjalli diskutimi i gazetares kineze, Uang Lei, që trajtoi “Rolin dhe kontributin e redaksisë së në gjuhën shqipe tek Radio e Kinës, për gjatë 44 vite ekzistencë të saj” për forcimin e miqësisë mes dy popujve. Flora Dyrmishi, gazetarja e ardhur nga Prishtina, trajtoi në kumtesën e saj”Shoqëria ka nevojë për më shumë hapësirë ku të shpaloset vizioni i grave”. Gazetarja Kozeta Mamaqi foli për “Punën e gazetarit në radio dhe në terren, përgjegjësi e madhe dhe shërbim i devotshëm ndaj publikut”. Pjesëmarrëset shprehën respektin për qëndresën e kësaj gruaje gazetare, që e ndëshkoi regjimi komunist dhe kontributet e saj në fushën e gazetarisë. Publicistja Raimonda Moisiu, e njohur dhe vlerësuar për kontributet e saj për dekada të tëra në komunitetin shqiptar në Amerikë, u ndal gjatë me argumentet e saj tek “Sakrilegjit të vetvetes për lirinë e shtypit, kontributi i gazetareve femra shqiptare në SHBA dhe Diasporë”. Vitore Leka Stefa, një personalitet i gruas shqiptare në Diasporë, ardhur nga Italia, pinjolle e një familjeje patriote, mbajti kumtesën “Kontributi i gruas publiciste për të mbajtur gjallë vlerat kulturore, atdhetare dhe gjuhën tek brezat e emigrantëve në shtetet e Europës dhe në tërësi në Diasporë”. Vllasova Musta një kineaste e vlerësuar Brenda dhe jashtë vendit, njëherësh poete me vargun e saj të ndjerë, në kumtesën me temën: ”Të shkruash në ekranin e Kinemasë me tingull dhe me zë”, u shqua për nivelin e saj të lartë. Pas një pushimi, Konferenca ka vijuar diskutimet me kumtesën: “Gruaja gazetare në Maqedoni – gruri themeltar i gazetarisë së mirëfilltë”. Mbajtur nga gazetarja Laura Papraniku. Drita Nikoliqi Binaj, ardhur nga Novi Sad i Vojvodinës, ngjalli interes me diskutimin: ”Vështirësitë e gruas shqiptare, për të qenë e pranishme dhe për të luajtur rolin e duhur në shoqëri edhe pse është në gojë të ujkut”. Gazetarja e Vlorës, Frosina Papa, një përfaqësuese e denjë e gruas gazetare në Vlorë, referoi kumtesën “Gruaja gazetare në Vlorë, përgjegjësia dhe rrisku i gazetares së terrenit”. Hatixhe Nelaj gazetare në TV “Teuta “në Mali i Zi referoi temën”. “Sa dhe si vjen zëri i gruas intelektuale shqiptare në median vizive në Ulqin”. Diskutimet përfunduan me kumtesën e publicistes së njohur, një veprimtare e shquar e shoqërisë civile, Desdemona Stefa me temë “Gazetari si pjese e shoqërisë civile”
Si jeni ndier përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit? Çfarë kuptoni me shprehjet “vetëgjymtim dhe vetëvrasje intelektuale’?
Si çdo grua intelektuale ndjehem keq, shumë keq, jo pse më trembin mua, por që fatkeqësisht ekzistojnë ende në shoqërinë tonë, që pretendojmë se po ndërtojmë demokracinë. Drejt e përcaktoni, botë e frikshme, kur ndeshesh me njerëz mediokër, përballesh me grupime, që ndryshe ju themi klane, që kanë thjeshtë dhe vetëm mbrojtjen e interesave të tyre. Unë për vete ju shmangem dhe më mirë preferoj të jem vetëm. Nga përvoja ime si gazetare, kam kuptuar që në këto grupime përfshihen edhe njerëz, që e quajnë veten intelektualë, të tjerë që kanë poste dhe mbajnë rreth vetes ata që ju shërbejnë dhe ky fakt më revolton dyfish. Në shumë shkrime, kur trajtoj probleme që nuk shkojnë mirë, sikurse janë prania e korrupsionit, emërimi i njerëzve të paaftë, vetëm pse mbështesin një parti apo një tjetër, etj, preferoj të vendos si titull: Ku është zëri i intelektualëve? Nuk jam mjaftuar me shkrimin, por kam kontaktuar edhe shumë intelektualë dhe ju kam drejtuar pyetjen: Përse heshtni, kur do të flisni? Përgjigja e tyre ka qenë: Të na heqin nga puna, kush do të na ushqejë fëmijët? Pikërisht këtë stepje, këtë heshtje, unë e quaj vetëvrasje, vetëgjymtim të intelektualëve. Kjo më dhemb shumë, por ky është realiteti. Të shpresojmë se do të shkojmë drejt fundit të trazicionit dhe shoqëria të pastrohet nga”plagë” të tilla. Në këtë pikë, kërkohet kontributi i pandalur i medias së pavarur.
Si gazetare dhe intelektuale cili është koncepti tuaj për kombin, për pushtetin, për partitë politike dhe për demokracinë` në vendin tonë?
Për çdo njeri, kombi duhet të jetë mbi gjithçka. Në shërbim të tij duhet të vihen partitë politike, shteti, pushteti, çdo qytetar, brezat që zëvendësojnë njëri tjetrin. Historia e kombit shqiptar është shumë e pasur. Gra dhe burra të shquar, kanë dhënë kontribute të mëdha, kanë sakrifikuar jetën për mbijetesën e Kombit, të gjuhës, traditave, të nderit dhe ruajtjes me gjak të kufijve. Mendoj se ky është strumbullari, ku dihet të përqendrohen partitë politike, qeveritë, që ikin e vinë. Por historia flet edhe me një gjuhë tjetër, me atë që në kohë të ndryshme, për shkak të politikave, janë dëmtuar, madje edhe janë tradhtuar interesat e kombit. Nëse kombi, Shqipëria do të ishte mbi çdo gjë edhe nga politika e këtyre 22 viteve tranzicion, Demokracia do të kish mbërritur më shpejt në vendin tonë dhe shqiptarët do të jetonin ndryshe.
Çfarë është dashuria për ju? Kur e ndjen një grua se është e dashuruar? A keni shkruar ndonjë poezi dashurie?
Dashurinë unë e quaj një dhuratë hyjnore. Nuk ka ndjenjë më të fuqishme se sa ajo, që e tjetërson njeriun, që e bën të fluturojë, të vuajë, të qeshë, ka një forcë të mbinatyrshme, që të jep forcë për të mposhtur gjithçka, deri sa të arrish dhe ta prekësh atë. Nuk e di, ndoshta edhe gaboj, por ky është gjykimi im. Njerëzit që kanë provuar dashurinë, kanë rrezatuar të gjitha dashuritë, dashurinë për prindërit, për fëmijët, për njëri tjetrin, dashurinë për kombin tënd. Një grua ndjehet e dashuruar, kur bën gjithçka dhe nuk ka forcë ta pengojë në rrugën e saj. Kam shkruar shumë poezi lirike, që i kushtohen dashurisë. Të parën ia kam kushtuar nënës sime të shtrenjtë, ndërsa kur isha student dorëzova për botim librin “Vajzëri”, por nuk u botua. Shkaku: vetëm pse i kishte të gjitha lirika. Unë e kam edhe sot atë libër të pabotuar dhe mendoj ta botoj bashkë me foton kur isha 20 vjeç. Do të jetë gjë e bukur.
Cilat janë aftësitë profesionale që gazetaret e reja kanë nevojë sot? Ndonjë këshillë për ata që aspirojnë gazetarinë?
Kemi folur më lart, gazetaria e sotme është krejt ndryshe, kuptohet unë jam diplomuar 40 vjet më parë, por nga eksperiencat e dy kohëve, po jap dy-tre mendime. Gjëra e parë është se gazetaria është e pozicionuar, për të mos thënë se është shndërruar në biznes. Gazetaria sulmohet dhe është e varur nga politika, çka e zhvesh atë nga pavarësia që duhet të ketë. onstatoj me keqardhje, që e konsiderojnë veten gazetarë, sidoqë japin lajme për një organ edhe ajo ushtri e madhe që nuk kanë përfunduar studimet në gazetari, që nuk njohin teorinë e gazetarisë dhe më e keqja kanë formuar një autoritet fals, që e përdorin për interesat e tyre. Unë e kam thënë shpesh dhe më jepet rasti ta përsëris. Gazetari si çdo shtetas duhet të zbatojë pikë për pikë Kushteturën. Nëse ai shpif, denigron me një qëllim të caktuar, pa hedhur faktet, argumentat e duhura, duhet të përgjigjet penalisht dhe civilisht. Nuk është ky qëllimi dhe misioni i medias. Sikurse duhet mbrojtur gazetaria investigative. Gjëja e fundit është se gazetaria e vërtetë bëhet në terren, jo në studio televizive, ku shndërrohesh në një arbitër, shpesh herë i keq në “duelet” që bëjnë politikanët apo pushtetarët.
Projektet tuaja në të ardhmen? Çfarë iu ka mbetur peng?
Nuk kam asnjë peng në jetë. Dashuria për njeriun, për vendin tim, më ka bërë të pamposhtur, për të përballuar vështirësitë e jetës. Bukuria është kur mposht dhimbjen, vështirësitë, triumfon mbi gjithçka dhe lë pas emrin e mirë. Projektet për të ardhmen janë pafund në letër si në krijimtarinë artistike, ashtu edhe për aktivitetet e Fondacionit “Nermin Vlora Falachi”, që unë drejtoj. Nuk do resht së punuari, sa të jem. Unë mendoj gjithmonë për jetën.
Mesazhi tuaj për inteligjencën e shoqërinë shqiptare sot.
E kam thënë e stërthënë në shkrimet e mia, në bisedat televizive, kudo që takoj njerëz. Misioni i inteligjencës shqiptare është që të udhëheqë shoqërinë drejt progresit, të ardhmes më të bukur, drejt demokracisë së vërtetë. Intelektuali është pushtet më vete, nuk duhet të heshtë kur gjërat nuk shkojnë mirë, duhet të bërtasë fort, të udhëheqë turmën kur dëmtohet interesi i shoqërisë, i Kombit. Heshtja e intelektualit është baras me inekszitencën e tij.
Do të dëshironit ti futeni një ditë politikës?
Kurrë! Aq më tepër në këtë terren që ka politika shqiptare. Për mua,të futesh në politikë, do të thotë të bëhesh njësh me votuesit, të mendosh edhe natën për ta. Në të vërtetë politikanët nga të dy krahët shohin thjeshtë interesat për të marrë pushtetin,për tu pasuruar. Respektoj këshillën e Nermin Vlorës,që më porosiste: Mos në politikë, se që t’i futesh asaj rruge, duhet të llogarisësh që do të dalësh nga vetja, do të shpifësh, do të mashtrosh”. Kjo do të largojë nga njerëzit”. Me keqardhje vihet re,që edhe ato zonja të nderuara që janë në politikë,tulaten përpara liderëve, heshtin për problematikën e armatës së madhe të grave, që shpresojnë shumë tek ato. Fatkeqësisht përdorin një gjuhë të ashpër. Për mua, më mirë që nuk më pranuan në parti, më mirë që nuk bëj pjesë edhe sot në këtë mori partish, sepse me kokën qe kam, do të isha përjashtuar brenda muajit. Ndjehem mirë kështu. Vazhdoj të ushtroj profesionin me energji që nuk shterin, lëviz shumë nëpër shtete, shkruaj libra, bëj veprimtari me Fondacionin “Nermin Vlora”, që më gëzojnë shume, më emocionojnë. Kështu, besoj se e përmbush obligimin e intelektuales, që i përkushtohet vendit të vet.






