Vaj antirrudhë nga lule mosketa

Rrudhat janë armiku kryesor i femrave. Ato nuk reshtin së ndjekuri metoda të ndryshme për heqjen e tyre aq sa ndonjëherë shpenzojnë edhe shuma marramendëse. Por fatkeqësisht nuk shohin asnjë rezultat. Por ka diçka që ju ndihmon
Të mirat e lule mosketës për një vaj antirrudhë natyral
Lulja mosketë i përket familjes së trëndafilave, ndërsa më konkretisht ajo i përngjan trëndafilit të egër. Origjina e kësaj bime identifikohet në Kili, ndërsa ajo rritet në zonën jug-qendrore të këtij shteti. Përbërësit aktivë që kjo lule përmban janë me të vërtetë thelbësorë për hidratimin dhe rigjenerimin e lëkurës sonë. Qysh prej kohësh janë të njohura përfitimet dhe të mirat e Omega 3 dhe 6, por edhe të vitaminave E dhe A për lëkurën. Pikërisht të gjitha këto gjenden në vajin e përfituar nga lulja e mosketës. Pra ky vaj i thjeshtë i lule mosketës është në fakt një koncentrat i fuqishëm i bukurisë për lëkurën e fytyrës. Vaji i lule mosketës është i përshtatshëm për të gjitha llojet e lëkurës. Ai është i pasur me vitaminë E, lufton rrudhat dhe i jep lëkurës shumë butësi. Madje, ky vaj përdoret edhe për të shëruar plagë të ndryshme, në sajë të fuqisë së tij rigjeneruese qelizore. Vaji i lule mosketës mund të përdoret si antirrudhë dhe në përgjithësi ai lufton efektet e plakjes. Këtë veprim ai e kryen edhe te lëkurat e thata që kanë nevojë të ushqehen. Por vaji i lule mosketës rezulton efektiv edhe te lëkurat me puçrra, me akne dhe ato mjaft delikate. Ai mund të përdoret si krem antirrudhë duke e aplikuar në mbrëmje para se të flini. Përpara se ta vendosni atë në fytyrë, duke e masazhuar, këshillohet që lëkurën duhet ta keni mjaft të pastër. Përdorni një pastrues të zakonshëm për të hequr tualetin dhe qelizat e vdekura, më pas aplikoni vajin. Tashmë ju mund ta zëvendësoni kremin e natës pa asnjë mëdyshje me vajin e lule mosketës. Nuk është e thënë që ai të përdoret vetëm nga femrat, por edhe nga meshkujt, të cilët kujdesen për pamjen e tyre vazhdimisht. Vajin antirrudhë të lule mosketës ju mund ta gjeni shumë lehtë në farmaci apo në qendra të ndryshme estetike. Por edhe te shitësit e barnave popullore. E rëndësishme është që tani ju dini më tepër për këtë vaj të mrekullueshëm, i cili do t’ju bëjë të bukur dhe pa rrudha. Por jo vetëm, ai do t’i japë butësi dhe gjallëri lëkurës tuaj duke e rigjeneruar atë. Ndërkaq ky vaj çudibërës këshillohet për moshat mbi 30 vjeç, moshë në të cilën fillojnë të dalin edhe rrudhat e para, sidomos rreth syve apo buzëve, por edhe përgjatë qafës. Nëse e keni kërkuar prej kohësh një “ilaç” të tillë tani është momenti t’u gëzoheni efekteve të shkëlqyera që ai sjell për lëkurën e fytyrës. Kjo gjetje e vajit antirrudhë të lule mosketës është zbuluar nga ekspertja italiane në fushën e biologjisë Laura De Luca. Ajo është diplomuar në shkencat natyrore. Ndërkohë De Luca merr pjesë në trajnime të ndryshme në fushën bio-natyrore. Këshillat e saj janë të njohura jo vetëm në Itali, por edhe në shumë vende të tjera të botës për përdorimin e bimëve mjekësore. Si përfundim ju themi se luftimi i rrudhave me këtë vaj antirrudhë, me bazë lule mosketën, është një zgjidhje e shëndetshme dhe natyrale për t’u aplikuar përpara se të shkoni në shtrat./shqip