Tipi më i keq i një burri :“Kush është tipi i bashkëshortit, me të cilën mund të martohet një grua serioze?” - Ese nga Daniel Defoe



Tipi më i keq i një burri

“Kush është tipi i bashkëshortit,
me të cilën mund të martohet një grua serioze?”

Ese nga Daniel Defoe

Mendoj se ky problem është diskutuar rëndom në shoqëri, kështu që them
se do të jetë një shërbim i mirë për pjesën më të madhe të njerëzve të mirë, që
të mund t’i përgjigjen kësaj pyetjeje. Për sa u takon zonjave që kanë lidhje me
këtë, nëse nuk janë të kënaqur, më vjen keq sinqerisht. Ky problem, shkurt,
nuk propozohet në një letër, por në një bisedë dhe si pasojë premtohet një
përgjigje në këtë copë letër për të mirën e të tjerëve:
“Kush është tipi i bashkëshortit, me të cilën mund të martohet një grua
serioze?”
E pranoj që kjo çështje më ka ngrënë goxha kohë, duke menduar për
shumëllojshmërinë e burrave në moshë, me të cilat një grua e varfër ndjen
shqetësime. Burrat e zgjuar i quajnë këto vite si pelegrinazhi i saj nën diell.
Si
1. Është bashkëshorti i pirë, portreti i të cilit do të kërkonte një volum të
tërë për t’u përshkruar; pasioni i tij për të pirë, për të bërë humor, nuhatja e
tij e pështirë, shoqëria e tij e keqe dhe mbi të gjitha një dashuri e dehur. O!
Një pijanec i dashur, i cili kur kthehet në shtëpi, ecën duke u lëkundur deri te
shtrati, pranë një gruaje modeste, të këndshme dhe që bën një jetë të virtytshme.
2. Burri i shthurur, i cili kur është i kthjellët, i ri dhe ka një grua të
hijshme e të bukur, e braktis atë për një lavire të shëmtuar, vulgare, të pavlerë,
të neveritshme dhe dëshiron të bindë botën se epshi është më i verbër se
dashuria. Ky qerrata ka edhe një mirësi në vetvete për bashkëshorten, që e
dallon nga kafshët e këtij lloji, që kthehen në shtëpi të ngarkuar me huqe. Ai i
jep gruas së tij të ndershme një sëmundje që e largon atë pothuaj fare nga
bota.
3. Burri luftarak. E pranoj që një i tillë është një krijesë e habitshme, që
kur zotëron një pasion të jashtëm, e ndriçon krejt shtëpinë; duke mos pasur
zemër të luftojë me një tjetër, se është burracak, i duhet të kthehet në shtëpi
dhe të luftojë me gruan e tij, në njëfarë mënyre. Ka disa njerëz të përsosur që
marrin përgjegjësi, por ama duke e rrahur gruan pak më shumë, atë grua të
shkretë.
Ajo vdes ose var veten, gjë që e meritonte ai.
4. Burri ekstravagant. Ky është burri i sëmurë, i ashtuquajturi i tillë ashtu
siç kuptohet në përgjithësi kjo fjalë. Ky është partneri i bekuar, i cili shpenzon
paratë e tij duke ulëritur si i marrë nëpër lojëra, duke pirë alkool, kur gruaja e
shkretë rri në shtëpi, duke psherëtirë për shoqërinë e keqe të burrit.
Nëse ai është i varfër, bën akte heorike, duke u përfshirë në banda tavernash,
lokale ku pihet birrë, ndërkohë që bashkëshortja fatkeqe kërkon bukë për
të ushqyer fëmijët.
Nëse është artist, ai nuk e do punën; nëse punon në institucione, as që e
vret mendjn; nëse është biznesmen, vrapon e sillet vërdallë; pijaneci luan me
kohën e jetës së tij, shkatërron veten dhe torturon familjen e vet.
Fundi i këtij teveqeli është arratisja e tij prej ushtrisë apo marinës, pse jo,
edhe burgut.
Nëse një prej këtyre burrave e zgjedhim, më i miri prej tyre është më i keqi
dhe rasti më i keq për një grua, veçanërisht nëse ajo është grua me vlera, që në
fakt ka me shumicë; por në vend të parë ende nuk zgjedhim asnjë; është një
bashkëshort i keq që është me i keq se të tjerët në llojin e vet dhe një grua me
arsye të shëndoshë.
Të gjithë këta tipe janë mjaft shoqërues, të cilët në intervale kohore të
papërmbajtjes mund të shërbejnë për lehtësime dhe e ndreqin gruan e shkretë
në fatin e vet, si dhe e ndihmojnë atë t’i kalojë situatat me kujdes; por ama një
i çmendur është gjithnjë i patolerueshëm; është i neveritshëm dhe krejt
qesharak; është si një grua me pak deformime, që bën që gjithë pjesët e saj të
bukura, të veniten, prej këtyre deformimeve.
Nëse ai ka karakter të lavdërueshëm, është në rangun e fundit të qenies
njerëzore, nuk ngopet kollaj me ligësi, është krejt i papranueshëm, si një
rrudhë që e plak fytyrën. Ai është thjesht një ters. Është dhelparak, kokëfortë;
në shoqëri, i boshatisur krejt, në menaxhim, njeri që nuk mendon; në
sjellje, i neveritshëm, i pakorrigjueshëm; dhe në çdo gjë që bën, qesharak.
Prandaj, mbi të gjitha, përgjigjia imë është e shkurtër. Burri më i keq me të
cilin mund të martohet një grua, është një TEVEQEL. Zoti pastë për të
mëshirë. Në derën ku ai jeton, duhet të vendoset një kryq, në mënyrë që

shtëpia të mos infektohet nga kjo sëmundje.

Përktheu: Rudina Dahri