Hidratimi i trupit është një domosdoshmëri jetike për njeriun, sidomos këto ditë të nxehta verë, kur meteorologët parashikojnë temperatura në rritje. Pa ujë nuk mund të jetohet për një kohë të gjatë. Rreth 65% e trupit të njeriut përbëhet nga uji dhe çdo ditë zëvendësohet një pjesë e kësaj sasie. Gjatë ditës një pjesë e ujit largohet nga trupi i njeriut nëpërmjet djersitjes, urinës, pështymës apo frymës, kështu që është e rëndësishme që të zëvendësohet të paktën një sasi ditore uji prej 2 litra e gjysmë gjë që ndihmon në mirëfunksionimin e veshkave dhe eliminimin e të gjitha toksinave që ndodhen në trup.
Si merren 2 litra e gjysmë ujë në ditë?
Nëpërmjet ushqimit, kryesisht frutave dhe perimeve, 95% e të cilave përbëhen nga uji, mund të sigurohet rreth 1 litër ujë në ditë. Pjesa tjetër sigurohet nëpërmjet ujit, gjë që mund të realizohet nëpërmjet çfarëdo lloj burimi, si për shembull ujit, çajit apo qumështit që pihet në mëngjes, supës së ftohtë apo të ngrohtë, pijeve të ndryshme apo lëngut të frutave. Konsumi i ujit të mjaftueshëm për të siguruar hidratimin e duhur bëhet gjatë gjithë ditës me mënyra të ndryshme dhe jo vetëm nëpërmjet ujit. Në rast se ndjeni etje do të thotë se jeni të dehidratuar dhe se trupi ka vënë në funksionim sistemin e alarmit.






