Ruletë ruso-amerikane/Pragu i Luftës së Tretë. Bota mbajti frymën

BRSS vendosi raketa në Kubë. Më pas, një "JO" e palëkundur e SHBA. Rrezikohej lufta bërthamore mes tyre

PAOLO DEOTTO


Po të mendojmë se ndonjë burrë shteti ka besuar ndonjëherë në ndihmën e sinqertë e të painteres të politikës ndërkombëtare, në veprimet e diktuara prej vëllazërisë mes popujve, e kështu me radhë, me siguri njëri prej më të zhgënjyerve do të jetë Fidel Kastro, kryeministër i Kubës, i cili, në vjeshtën e 1962, u ndodh në qendër të një loje shahu dhe kuptoi se ndodhej veçse në rolin e një "ushtari shahu", sepse dy lojtarët e vërtetë ishin shumë të rëndësishëm e hijerëndë për t'u lënë hapësirë të tjerëve. Bëhej fjalë për Xhon Fitzgerald Kenedi, President i Shteteve të Bashkuara dhe Nikita Hrushov, sekretar i Parë i Partisë Komuniste sovjetike dhe President i Këshillit të Ministrave të BRSS. E megjithatë, në qendër të lojës ishte pikërisht ishulli i Kubës, shtet sovran ku, të paktën teorikisht, duhej të komandonte vetëm qeveria kubane. Por ishin vitet e Luftës së Ftohtë dhe çështjet politike ishin punë të dy superfuqive, secila prej të cilave duhej të mbronte dominionin e vet, domethënë zonën e vet të influencës. Ishin ditë kur e gjithë bota mbante frymën, duke pyetur nëse ishte duke rrëshkitur drejt humnerës së Luftës së Tretë Botërore: televizioni, i shpërndarë tashmë në të gjithë shtëpitë, u mundësonte të gjithëve të shikonin thuajse drejtpërdrejt Frikën e Madhe. E nëse në fund konkluzioni ishte një fitore e arsyes së shëndoshë, kjo i dedikohet shumë faktorëve. Ndoshta sot, pas kaq vitesh, me panoramën botërore të ndryshuar, është e mundur të kërkohet të kuptohet se çfarë ndodhi dhe përse ndodhi. Faktet që përmenden i përkasin një periudhe shumë të shkurtër, nga e shtuna e 20 tetorit deri të dielën e 28 tetorit 1962; por rrënjët ishin shumë më të thella.
Që në 31 gusht të vitit 1962, një prej kundërshtarëve kryesorë të administratës Kenedi, senatori i shtetit të Nju Jorkut, Kenet Jiting, kishte deklaruar në një konferencë për shtyp se kishte provat e pranisë në Kubë të instalimeve të raketave dhe personelit ushtarak sovjetik; nuk ishte ndonjë lajm kushedi çfarë, por shërbeu për të rinxehur një situatë, e cila ishte e ngarkuar tashmë me shumë tensione. Përgjigja e Kenedit, në 4 shtator, synonte të rivendoste qetësinë: në Kubë ndodheshin vetëm armë difensive, pohonte Presidenti, pra nuk ekzistonin rreziqe për kombin amerikan dhe shtetet pranë tij.
Kiting u kundërpërgjigj duke akuzuar qeverinë se po mbante qëndrime shumë të buta ndaj rrezikut komunist, i cili po përforconte "pararojën" e vet në ishullin e Kubës. A nuk ishte e vërtetë se që kur, në janar të atij viti, Kuba ishte përjashtuar nga Organizata e Shteteve Amerikanë, sovjetikët kishin filluar t'i jepnin regjimit të Kastros edhe ndihma ushtarake, përveç atyre ekonomike që kishin kohë që ia ofronin? Çfarë priste zoti President për të zgjidhur çështjen e Kubës? Apo donte të provonte edhe një herë në fshehtësi të madhe, një tjetër aksion të dështuar si ai i 17 prillit, ku zbarkuan mijëra mërgimtarë kubanë në Gjirin e Derrave? Sidomos përmendja e këtij faktit të fundit, ishte kritika më e hidhur që senatori republikan mund t'i bënte Presidentit demokrat. Por, ishte gjithashtu absolutisht e vërtetë: në fakt një vit më parë, me CIA-n që e kish siguruar se populli kuban do të hidhej kundër regjimit të Kastros nëse nga jashtë do të jepej "dora e parë", Kenedi kish autorizuar operacionin, i cili përfundoi në dështim.
Kjo figurë e keqe i kushtoi pozicionin kreut të CIA-s, Alen Dulles, si dhe i dha Fidel Kastros mundësinë të bëjë figurë të mirë, duke i ofruar gjithashtu shansin për të këmbyer të burgosur me ndihma në ilaçe e traktorë. Ky episod i forcoi lidhjet mes Kubës dhe Bashkimit Sovjetik, qoftë edhe sa për të justifikuar slloganin e Fidel Kastros: "Cuba non esta sola".
Që atëherë, pati një rritje të tensioneve me qeverinë e Kastros, e cila merrte gjithnjë e më tepër pozicione antiamerikane, me izolimin ekonomik të ishullit të dekretuar prej SHBA, me përjashtimin e Kubës nga OSHA, me fillimin e ndihmave ushtarake sovjetike, me deklaratat e Hrushovit, i cili nuk e kish për gjë të shfaqej si mbrojtës i të drejtave të shteteve sovranë (tashmë, pushtimi i Hungarisë prej BS ishte një kujtim i largët...)
Në gjithë këtë lojë, vetëm një gjë ishte e qartë: në qendër të kontinentit amerikan ishte instaluar komunizmi. A do të përfaqësonte Kuba një episod të izoluar, apo do të shndërrohej në pararojë për të eksportuar komunizmin në pjesën tjetër të kontinentit që, i pëlqente apo jo, ishte në zonën e influencës të Shteteve të Bashkuara?
Në 20 tetor 1962, në orën 19.00 me orën e Uashingtonit, Amerika dhe e gjithë bota morën atë grusht në stomak, që të gjithë e quanin se ishte shumë i mundur, por që po të gjithë shpresonin të mos vinte kurrë. Presidenti Kenedi u shpall në televizion për të deklaruar se: "Kjo qeveri ka mbajtur, siç ka premtuar, mbikëqyrjen më të përpiktë të pajisjeve sovjetike në ishulin e Kubës. Në javën e kaluar, në bazë të provave të parefuzueshme, jemi siguruar për faktin që një seri bazash ushtarake me karakter ofensiv po ngriheshin në këtë ishull. Qëllimi i këtyre bazave nuk mund të jetë tjetër përveçse ai i furnizimit me kapacitet për përplasje bërthamore në hemisferën perëndimore..." Kenedi vazhdoi duke saktësuar se bazat e raketave të pikasura përmes fotove të realizuara me avionët spiunë U-2 ishin ndoshta dy llojesh, i pari për lëshimin e raketave balistike në gjendje të godinin Uashingtonin, Panamanë, qendrat e Meksikës, si dhe çdo pjesë tjetër në zonën jugperëndimore të SHBA, ndërkohë që tipi i dytë ishte në gjendje të godiste pjesën më të madhe të qyteteve në hemisferën perëndimore, që nga Gjiri Hadson në Kanada, deri në Lima, në Peru.
Pas një përmbledhjeje të fakteve më të fundit të krizës, Presidenti amerikan shpalli në detaje masat që do të merreshin me vendim të tij. Ishte dekretuar embargo për të gjithë pajisjet ushtarake ofensive që transportoheshin përmes detit drejt Kubës: të gjithë anijet, të çdo lloj kombësie, që drejtoheshin për në Kubë do t'i nënshtroheshin inspektimit nga ana e amerikanëve dhe, nëse në bordin e tyre do të gjendeshin armë ofensive, do të ktheheshin mbrapsht. Përveç kësaj, Kenedi komunikoi se u kish kërkuar forcave të armatosura të jenë të gatshme për çdo eventualitet.
Vendimi i tretë ishte më drastiku: "Do të jetë politikë e kombit tonë që të konsiderojmë çdo raketë bërthamore të lëshuar nga Kuba kundër çdo kombi në hemisferën perëndimore, si një sulm të Bashkimit Sovjetik kundër Shteteve të Bashkuara, sulm që do të shoqërohet me një kundërveprim të ashpër ndaj Bashkimit Sovjetik". Në fund, u kërkua mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB si dhe çinstalimi dhe tërheqja e menjëhershme e të gjithë armëve ofensive nga Kuba, nën kontrollin e vëzhguesve të OKB; këto ishin kushtet për heqjen e embargos. Në vijim të deklaratës, Kenedi mori më shumë se 50 mijë telegrame përgëzimesh nga e gjithë bota, por ndërkohë nisi të shfaqet edhe frika: çfarë do të ndodhte nëse një anije sovjetike do të vihej në kontakt me forcat amerikane? Do të pranonte inspektimin? Do të reagonte me armë? Dhe nëse bllokimi nuk do të përfillej, a do të urdhëronte Presidenti përdorimin e armëve?
A do të kishte urdhëruar edhe një pushtim të Kubës, gjë që kërkohej në mënyrë eksplicite nga jo pak kongresmenë të SHBA? Më pesimistët u bindën se shpërthimi i Luftës së Tretë Botërore ishte çështje ditësh, në mos orësh. Kenedi, tek shpallte masat e marra, kish nxjerrë krejtësisht jashtë loje Fidel Kastron, duke sqaruar në mënyrë shumë eksplicite se ndeshja luhej mes SHBA dhe BS. Veç të tjerash, mesazhi presidencial përmbyllej me një apel drejtuar Hrushovit, si dhe një deklaratë drejtuar popullit kuban, në të cilin manifestohej zhgënjimi i administratës amerikane për "tradhëtinë ndaj revolucioni tuaj nacionalist... krerët tuaj nuk janë më krerë kubanë të frymëzuar nga idealet kubane, por kukulla dhe agjentë të një komploti ndërkombëtar që e ka nxitur Kubën kundër fqinjëve të saj dhe miqtë e Amerikës..."
Fidel Kastro nuk përmendej në asnjë rast. Çuditërisht, qeverisë sovjetike iu deshën tri ditë për të përgatitur përgjigjen e saj ndaj veprimeve amerikane; e bëri këtë me një njoftim të Tass, agjencisë zyrtare të informacionit të qeverisë sovjetike, e cila në datën 23 pohonte se: "...qarqet imperialistë amerikanë nuk ndalen para asgjëje në tentativat e tyre për të nënshtruar një shtet sovran, një anëtar të Kombeve të Bashkuara. Për të arritur këtë, ata janë në gjendje të çojnë botën në buzë të humnerës së një lufte katastrofike... Duke shpërfillur në mënyrë cinike normat ndërkombëtare të sjelljes së shteteve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara kanë uzurpuar të drejtën dhe kanë shpallur se do të sulmojnë anijet në det të hapur, se do të kryejnë akte piraterie. Qarqet imperialistë të Shteteve të Bashkuara kërkojnë t'i imponojnë Kubës politikën që duhet të ndjekë, çfarë lloj rendi i brendshëm duhet vendosur, çfarë armësh ajo duhet të përdorë për mbrojtjen e vet... Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara duhet të kuptojnë se kohërat kanë ndryshuar. Vetëm të marrët këmbëngulin në një politikë nga pozicione force dhe mendojnë se kjo politikë do të ketë sukses...". Ashpërsia e sulmit ndaj politikës së Kenedit ishte e parashikuar. Veç kësaj, deklarata e TASS, duke vijuar me tonet e saj goxha apokaliptikë, përmendte vetëm në mënyrë të përciptë problemin që ndezi tensionet, domethënë raketat: "... Armët bërthamore, që janë krijuar nga populli sovjetik dhe janë në duar të popullit, por që nuk do të përdoren asnjëherë për qëllime agresive..." Me fjalë të tjera, nuk mohohej ekzistenca e këtyre armëve, por shumë vëzhgues vërejtën se një rreze e parë shprese mund të shihej pikërisht nga kjo frazë që, në këtë garë dhune verbale ekstreme, mund të ngjaje si një garanci, aq më tepër që BRSS pas tre ditësh nuk kish bërë gjë tjetër përveçse kish reaguar në mënyrë verbale, me tone që askush nuk i priste të butë e pajtues, por që gjithsesi mund të përcaktoheshin si pjesë e repertorit.
Megjithatë, situata nuk qe zgjidhur aspak. Anijet e para sovjetike që lundronin drejt Kubës do të hasnin në bllokun detar, të ngritur nga Kenedi 50 milje larg Kubës, afërsisht në mesditën e 24 tetorit. Në atë moment, çfarë do të ndodhte? Ndërkohë që nga Kuba, Fidel Kastro, në një fjalim kilometrik u lëshua me epitetet më të këqinj kundër Shteteve të Bashkuara, veprimi qe spostuar në OKB, ku delegati amerikan Stivenson dhe ai sovjetik, Zorin, nisën një zënkë të dhunshme verbalisht, gjatë të cilit Zorin refuzoi t'i përgjigjej Stivensonit i cili kish sjellë me vete fotografitë e kryera nga avionë spiunë dhe që nga vendi i tij pyeste vazhdimisht përfaqësuesin sovjetik nëse mohonte apo pohonte praninë në Kubë të instalimeve për armë ofensive.
"Toni prej akuzatori publik" i përdorur nga amerikani, kishte zemëruar sovjetikun që deklaroi se "ndodhej në vendin e tij në OKB dhe jo në një proces përpara një gjykate amerikane". Sekretari i Përgjithshëm i OKB, birmaniani U Thant, kërkoi të ndërhyjë në krizë, duke u propozuar palëve thjesht një pushim njëjavor në veprimet respektivë, me qëllim që të krijonte mundësitë për kontakte dhe diskutime më të thelluara.
Por, propozimi i tij ra në veshë të shurdhër. Ndërkohë, bota vazhdonte të jetonte mes shpresës dhe frikës: në pasditen e 24 tetorit mbërriti larmi i mirë se disa anije sovjetike ishin ndalur përpara zonës së bllokut, ndërsa të tjera kishin ndërruar drejtim. Vetëm një anije nuk ishte ndalur, naftëmbajtësja Bukuresht, por që nga Uashingtoni kishte ardhur autrizimi për kalimin e saj, pasi informacionet e avionëve spiunë kishin konfirmuar se ajo nuk transportonte gjë tjetër veç naftës.
Për momentin, kontakti mes anijeve sovjetike dhe amerikane ishte shmangur, por mbetej sërish një problem i rëndë: survejimi mbi Kubë kish vërtetuar se punimet në ishull jo vetëm nuk ishin ndalur, por kish patur madje një përshpejtim.
Pra, rreziku vazhdonte të ekzistonte dhe as Kenedi nuk mund të sprapsej në kërkesat e formuluara në mesazhin e 20 tetorit, i cili thonte qartësisht se çinstalimi i raketave sovjetike nga Kuba ishte kushti për fundin e bllokadës detare. Nëse në Kubë punimet me instalimet ishin në përshpejtim, në SHBA rritej popullariteti i propozimit të fajkonjve, sidomos të mbështetur nga ish-Sekretari i Shtetit, Dean Acheson, për të sulmuar nga ajri ishullin dhe më pas të vazhdohej me pushtimin nga toka, me qëllim shkatërrimin e bazave që në atë pikë ishin thuajse të përfunduara.
Bllokada detare kish patur sukses, kjo ishte teza e fajkonjve, por nuk mjaftonte, sepse sidoqoftë nga Kuba mund të lëshoheshin ende raketat. "Pëllumbat", që përfaqësoheshin më së miri nga sekretari i Mbrojtjes, McNamara dhe vëllai i Presidentit, Robert, përgjigjeshin se duhej një rezistencë në bllok, e cila kish siguruar tashmë lëshimet e para nga pala sojetike, ndërkohë që një pushtim i Kubës do të kish detyruar BRSS që të ndërhynte në mënyrë direkte; dhe një ngjarje e tillë do të kish patur vetëm një emër: Lufta e Tretë Botërore. E në këtë situatë u mbërrit në mëngjesin e 26 tetorit 1962.
Përplasja detare sovjetiko-amerikane tashmë ishte shmangur; dy anije kishin kaluar bllokadën me konsensusin e amerikanëve dhe Hrushovi i komunikoi Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, U Thant: "U kam dhënë urdhër komandantëve të anijeve që lundrojnë drejt Kubës, por që ende nuk kanë mbërritur në zonën e aktiviteteve pirateskë të njësive amerikane të luftës, që të qëndrojnë larg zonës së përplasjes".
Kreu i Kremlinit vazhdonte me tonet e ashpër dhe dëshironte të paraqitej si njeriu i paqes; por thelbi ishte sidoqoftë një i vetëm: vendosmëria e administratës Kenedi kish patur efektet e saj, qoftë edhe duke bllokuar furnizimet e mëtejshëm drejt Kubës. Thuhet dhe thuhej, se atëherë bota dhe qeveria amerikane përjetonin orë dramatike.
I mëdyshur mes mendimit të "fajkonjve" dhe "pëllumbave", Presidenti Kenedi rrezikonte të anonte tashmë nga propozimet për pushtimin e Kubës, pasi informacionet e zbulimit ajror konfirmonin që ndërkohë në ishull potencialet agresivë kishin arritur tashmë maksimumin dhe suksesi i bllokadës detare mund të shërbente vetëm për kufizimin e autonomisë së këtyre mundësive. Megjithatë, kur luhet me armë bërthamore, mjaftojnë pak të tilla për të shkatërruar katastrofë.
Po cila qe situata nga këndi i vështrimit të Hrushovit? Kryeministri sovjetik kishte vërtetë në dorë topin, me gjithë ngarkesën e ankthit që kjo mbartte. Shërbimet informativë sovjetikë, të njohur për eficencën e tyre kishin informuar se sulmi amerikan ndaj ishullit do të ndodhte në 29 tetor, më e vona ditën tjetër.
Hrushovi, kreu i asaj monarkie absolute të çuditshme, jodinastike, ndryshe nga Kenedi, nuk kishte një opinion publik para të cilit të përgjigjej, por si për ta kompensuar kishte një opinion të brendshëm në Kremlin, shumë më të rrezikshëm e të pabesë, i cili sigurisht që nuk do të kish miratuar mosreagimin ndaj një pushtimi amerikan të Kubës. Por edhe Hrushovi ishte i vetëdijshëm se ajo ishte një rrugë pa kthim. Sigurisht, nuk duam t'i japim një pamje ëngjëlli liderit sovjetik; po të kish qenë ëngjëll nuk do të kish ditur të ngjiste shkallët e pushtetit në Moskë, nuk do të kish ditur të shtypte me cinizëm absolut revoltën hungareze. Por Hungaria ishte në oborrin e pasëm të BRSS. Këtu bëhej fjalë për të vendosur nëse të shpërthente apo jo një luftë me SHBA, një luftë botërore.
Në fakt, ishte BRSS që kish ende mundësinë të shpëtonte situatën; amerikanët ishin në një qorrsokak, pasi mungesa e çinstalimit të bazave kubane i detyronte t'i shkonin deri në fund. Dhe, për fatin e njerëzimit, Hrushovi diti të vendosë me arsye. Në natën e 26 tetorit, ndërkohë që ishte mbledhur komiteti i këshilltarëve të Kenedit, këtij të fundit i mbërriti një telegram nga lideri sovjetik, në të cilin Hrushovi, i cili kish braktisur tonet e zakonshëm agresivë, pranonte praninë e raketave në Kubë dhe deklarohej i gatshëm për tërheqjen e të gjithë armëve ofensive nëse Shtetet e Bashkuara hiqnin bllokadën dhe garantonin mossulmimin e ishullit.
Eshtë një letër që duket qartë se është shkruar nën ndikimin e sentimenteve dhe e mbushur me apele të nënkuptuar që kërkojnë shmangien e luftës. Por, pati edhe një tjetër ngjarje: mëngjesin e ditës tjetër, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë përgatiste përgjigjen që do t'i kthente Hrushovit, ky dërgoi një tjetër letër, absolutisht të ndryshme.
Moska propozonte një shkëmbim: çinstalimin e bazave në Kubë me kusht largimin e bazave amerikane në Turqi. Ishte një kopje e një propozimi të formuluar dy ditë më herët nga gazetari Uolltër Lipmen në gazetën Uashington Post, i cili nga ana e tij ,thjesht kish përsëritur një ide të ngjashme që Stivenson, delegati i SHBA në OKB, ia kish sugjeruar privatisht presidentit Kenedi dhe që ky i fundit e kish refuzuar. Ishte një dush i ftohtë i papritur, por me siguri Hrushovi kish ndeshur në opinionin privat në Kremlin, i cili e obligonte të tregonte muskujt.
Edhe një herë situata u kthye në buzë të greminës, me fajkonjtë amerikanë që morën zemër dhe që kërkonin një përgjigje "sipas festes" ndaj të fortëve të Kremlionit. Ishte Robert Kenedi, që po shfaqej si gjithnjë bashkëpunëtori më besnik i Presidentit, i cili gjeti zgjidhjen duke sugjeruar, shumë thjeshtë, që të injorohej letra e dytë e Hrushovit dhe të nxitonin që t’i përgjigjeshin pozitivisht letrës së parë.
Dhe pikërtisht këtë gjë bëri Presidenti amerikan: "Shkëlqesia juaj, zoti sekretar i Parë... elementët kyç të propozimeve tuaja, që duken në linja të përgjithshme të pranueshme ashtu si i kam kuptuar, janë këta: ju do të pranonit të eleminonit këta aparate raketorë nga Kuba nën një kontroll dhe supervizim të përshtatshëm nga Kombet e Bashkuara dhe do të angazhoheshit për të pezulluar vendosjen e raketave të tjera të ngjashme në Kubë. Ne nga ana jonë, do të pranojmë, pasi të jenë arritur marrëveshjet e përshtatshme përmes OKB për të siguruar zbatimin dhe vazhdimin e këtyre angazhimeve, që të pezullojmë menjëherë masat e bllokadës, si dhe të japim garanci kundër një pushtimi të Kubës".
Mesazhi përmbyllës vinte theksin mbi përgjegjësitë që i ngarkoheshin Hrushovit, të cilit historia i jepte mundësinë të shfaqej si njeriu që kish shpëtuar paqen botërore. Dhe kështu, në Uashington erdhi mbrëmja e asaj dite të shtunë, 27 tetor 1962. A mundën të vënë gjumë në sy njerëzit e qeverisë amerikane? Këtë historia nuk na e thotë, por me siguri, secili prej tyre ishte i zhytur në ankth. T'i kujtojmë pak: ata ishin Din Rask, Sekretar i Shtetit, Robert Kenedi, Kryeprokuror dhe këshilltari kryesor i Presidentit, Robert MekNamara, ministër i Mbrojtjes, Maksuell Tejlor, komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Lindon Xhonson, zëvendëspresident, Xhon MekKoun, drejtor i CIA, Adlei Stivenson, i dërguari amerikan në OKB, Din Ejkson, ish-Sekretar Shteti dhe këshilltar për çështjet ndërkombëtare.
Këta njerëz e dinin se ia kishin hedhur sërish Kremlinit pataten e nxehtë në duar: tani vetëm mund të prisnin përgjigjen e Hrushovit. Nëse Hrushovi do të kthehej tek përgjigjet e formuluara në letrën e dytë, nuk mbetej tjetër veçse të ndizej baruti. Por mëngjesin e së dielës, 28 tetor 1962, e gjithë bota më në fund mundi të marrë frymë e lehtësuar. Nga Kremlini erdhi mesazhi i udhëheqësit sovjetik, i cili kish kapur që në ajër mundësinë për të shpëtuar fytyrën e tij, duke dalë jashtë kështu nga një situatë që po precipitonte. Hrushovi kish qenë në lojë: amerikanët injoruan letrën e dytë, dhe ai harroi që e kish shkruar. Mesazhi i tij ishte pajtues dhe përmbyllës: "Shkëlqesia juaj, zoti President, shpreh kënaqësinë time si dhe mirëkuptimin e plotë për përgjegësinë që vihet mbi mua aktualisht, sa i përket ruajtjes së paqes në botë... Unë e konsideroj me respekt dhe besim deklaratën tuaj në mesazhin e 27 tetorit, sipas të cilës asnjë sulm nuk do të kryhet ndaj Kubës dhe nuk do të ketë pushtim...
Duke marrë parasysh këtë, nuk mbeten më motive që na kishin detyruar që të furnizonim Kubën me ndihma të kësaj natyre..." Në fund, komunikimi më i rëndësishëm: "Kemi urdhëruar zyrtarët tanë që të ndërpresin ndërtimin e instalimeve të sipërpërmendura, për t'i çmontuar dhe rikthyer në bashkimin Sovjetik. Jemi gati të bashkërendohemi me ju me qëllim që të dërguarit e OKB të verifikojnë sa më sipër..."
Kish marrë fund; por shkopinjtë e fundit në rrota i vuri Fidel Kastro, i cili bëri të pamundurën për t'ia vështirësuar jetën U Thantit, i cili kish shkuar në Kubë në 30 tetor për të nisur verifikimet mbi zbatimin e pikave të marrëveshjes Kenedi-Hrushov. Udhëheqësi kuban, i nxjerrë jashtë loje, i injoruar nga amerikanët dhe i trajtuar si vasal nga sovjetikët, kërkoi të hakmerrej duke penguar sekretarin e Përgjithshëm të OKB që të kryente inspektimet.
Në këtë pikë, Presidenti i Këshillit sovjetik, Anastasij Mikojan, nisi një seri vajtje-ardhjesh në Kubë për t'i kujtuar Kastros disa të vërteta elementare: Moska garantonte blerjen e produkteve bujqësorë të Kubës, e cila ndihej në hall pas bllokadës ekonomike amerikane të pasuar nga shumë vende të tjerë perëndimorë. Moska paguante, prandaj ai Moskës duhej t'i bindej.
Kastros iu desh të mbyllte gojën, ndonëse deri në fund arriti të bëjë sa më të vështirë inspektimet ndërkombëtare, aq sa sovjetikët, për të përmbushur pikërisht ato marrëveshje, pranonin që anijet e tyre me ngarkesa që tanin kryenin rrugën në drejtimin e kundërt, u tregonin materialet helikopterëve amerikanë, duke zbuluar mbulesat me katrama teksa këta uleshin shumë ulët mbi anije. Kubanëve u mbeti hakmarrja verbale; pasi e konsideruan striptiz sovjetik këtë mënyrë inspektimi nga lart, nxorrën edhe një sllogan: "Nikita mariquita, lo que se da no se quita" - "Nikita, i poshtër, ajo që jepet nuk merret".
Megjithatë, fundi i palavdishëm i armatimit nuk e pengoi Fidel Kastron që të kryente, në prill 1963, vizitën e programuar në Moskë. Vasali mund të ishte i nxehur, i padisiplinuar deri në një farë pike, por ai nuk mund të harronte adresën e Mbretit. Mbetet të pyesim përse sovjetikët instaluan raketat në Kubë, duke qenë se versioni i Kremlinit, sipas të cilit ato u kërkuan nga vetë kubanët, mbetet disi i dobët. E ndërkohë që shumë gjëra mund t'i visheshin Kastros, ai nga ana e tij, nuk është budalla; sigurisht që nuk mendonte se, nga ishulli i tij i vogël, të futej në luftë me Shtetet e Bashkuara.
Karakteri ofensiv i armatimeve që po instaloheshin në Kubë bën më të besueshëm versionin e liderit të Havanës, i cili deklaroi se kubanët kishin pranuar ardhjen e këtyre raketave me kërkesë të sovjetikëve. Përtej justifikimit zyrtar të kësaj kërkese (në emër të socializmit ndërkombëtar), duket në fakt më e besueshme që qeveria sovjetike, pas figurës së keqe që administrata Kenedi bëri me dështimin në Gjirin e Derrave, kish menduar se kish ardhur momenti të caktonte një pikë pararojë në botën kapitaliste.
Ndoshta nuk ishte pararojë për veprime luftarake, por me siguri ishte një instument shumë i mirë presioni për marrëdhëniet e ardhshme ndërkombëtare, si dhe një demonstrim force. I bënë keq llogaritë, pasi nuk ditën të parashikojnë vendosmërinë e Kenedit.

Në fakt, askush nuk e donte luftën mes dy perandorive, pasi gjithkush e kish të qartë se një luftë bërthamore do të përkthehej në asgjësim të njerëzimit; ndoshta pikërisht se kishin mbërritur një hap larg horrorit, burrat e shtetit të epokës kuptuan potencialet e tmerrshëm që kishin në duar, sepse menjëherë pas krizës së raketave në Kubë nisi politika e bashkëjetesës paqësore, ose thënë më thjeshtë, që gjithkush të shihte punën e tij, në shtëpinë e tij, pa vënë në rrezik ekzistencën njerëzore.