Nga lojërat e fatit tek klubet sportive, organizatat kriminale të pastrimit të parave janë shtrirë gjithandej duke krijuar parajsat e tyre fiskale në sfidë me ligjet dhe forcat e sigurisë. Shpeshherë ata e pësojnë, por herë të tjera e madje shumë shpesh përmes manovrave dinake arrijnë të shpëtojnë. Cilët janë metodat, teknikat e përdorura dhe rrugët e errëta që përshkojnë organizatat kriminale për pastrimin e parave të pista që rrjedhin nga aktivitetet e jashtëligjshme?
Strukturimi
Strukturimi është një nga teknikat më të thjeshta. Kjo metodë ka të bëjë me një ekip bashkëpunëtorësh që kryejnë një numër pagesash në periudha të ndryshme kohore dhe nëpër institucione të ndryshme bankare. Në këtë mënyrë, lëvizja merr efektin e një transaksioni bankar të vetëm të ndarë në transaksione të shumta, duke shmangur kështu sistemin e monitorimit të sistemit bankar (sistem, i cili ka për qëllim të indentifikojë të gjitha ato transaksione që tejkalojnë një vlerë të caktuar).
Lojërat e fatit
Shpesh aktivitetet e pastrimit të parave janë të lidhura me lojërat e fatit. Në shumicën e rasteve, organizatat kriminale pastrojnë paratë duke përdorur lojërat e fatit dhe kazinotë, blejnë xhetona në sasi të mëdha, në mënyrë që të luajnë, por përdorin vetëm një pjesë të tyre, nuk i përdorin të gjitha. Qëllimi i operacioneve të tilla është rikonvertimi i xhetonave në para dhe në të njëjtën kohë marrin nga kazinoja një dokument që i vërteton ata fitues. Për më tepër, kjo metodë efektive për ta konsiston në vënien e kazinosë apo shtëpisë së lojërave të fatit nën kontroll. Dhe në këtë rast nuk bëhet gjë tjetër veçse deklarohet se paratë e pista janë derivat i aktiviteteve të lojërave të fatit.
Blerja e fitimeve dhe sistemi i basteve të shumëfishta
Përveç kazinove, edhe agjencitë e basteve sportive mund të jenë objekt i interesit të organizatave kriminale të përfshira në riciklimin e parave. Një mënyrë tradicionale për të pastruar paratë është “blerja e biletës fituese”. Në këtë rast fituesi me fat, duke u joshur nga “oferta e një shume më të lartë se sa ajo që fitohet, është i detyruar t’ia dorëzojë biletën fituese organizatës kriminale, e cila në këtë mënyrë siguron marrjen e parave në mënyrë të ligjshme. Megjithatë, mund të ndodhë gjithashtu që organizata vendos për të vënë baste me shuma të mëdha parash (përmes operacioneve të shumta) në të gjitha rezultatet e mundshme të një ndeshjeje sportive, kështu që bëhet një pagesë shumë e madhe, edhe pse shuma e bastit është në një sasi më të vogël”.
Teknika e rimbursimit fiskal
Një tjetër zgjidhje gjeniale është edhe teknika e rimbursimit të shumave të paguara në tejkalim të autoriteteve tatimore. Në praktikë, anëtari i organizatës paguan një shumë që tejkalon në mënyrë të konsiderueshme vlerën e borxheve tatimore, të cilat në lidhje me organet tatimore rezulton si efekt i një gabimi në llogaritje. Megjithatë, pasi zyrat tatimore merren me zgjidhjen e problemit bëjnë ritransferimin e shumës në një llogari bankare të tatimpaguesit. Pra, në këtë mënyrë origjina e parave është e shfajësuar. Kthimi i huasë, kredi për veten
Kjo metodë supozon që anëtari i organizatës që merret me pastrimin e parave ka një llogari rrjedhëse në një bankë të inkorporuar në një cd “Parajsa fiskale”. Në hapin e dytë, organizata kriminale pyet bankën e tij për marrjen e një kredie duke paguar paratë e depozituara si kolateral; në institucionin e parë financiar. Pas parave të dhëna nga banka në formën e kredisë, ai i investon ato në kompanitë e pasurive të patundshme ose në instrumente të tjera financiare. Kjo teknikë është e bazuar dhe e avantazhuar njëkohësisht nga ligjet e vendeve të ndryshme në fushën e sekretit bankar.
Marrja e dhuratave të mira
Blerja e dhuratave është një nga teknikat, për momentit të përhapura me shpejtësi, për shkak të lehtësisë me të cilën gjërat mund të vihen në vend. Në praktikë, udhëheqësi i organizatës kriminale fiton përmes operacioneve në vende të ndryshme bono të emetuara nga kompani të ndryshme dhe i kalon këto bono në dyqanet e tyre. Në sajë të zhvillimit të letrave me vlerë, ato mund të përdoren në të gjithë botën.
Kontrolli i shoqërive sportive
Blerja apo shitja për miliona euro e sportistëve profesionistë (mbi të gjitha futbollistë) nga klube të ndryshme sportive ofron oportunitetin e legalizimit të parave të pista.
Themelimi i një shoqërie mbuluese
Një praktikë mjaft e zakonshme në mesin e organizatave kriminale në mbarë botën është edhe formimi i kompanive, të cilat kanë si objekt të tyre tregtinë e objekteve antike. Transaksionet e blerjes bëhen natyrisht në formën e parave të gatshme. Kur kompania është në gjendje që të grumbullojë një sasi të konsiderueshme të objekteve antike, atëherë sasi të ndryshme mallrash shiten në ankande në vende të ndryshme të botës. Sigurisht që në këtë mënyrë objekti i shitet ofertuesit më të lartë. Nga ana tjetër ndodh që një degë e organizatës tenton të blejë duke ofruar shumën më të lartë derisa del fituese. Në këtë rast, organizata del totalisht e larë dhe transaksionet e shitjes vlerësohen dhe kalohen nga komiteti i ankandit.
Përgatiti: Blerina Toslluku