Rembrand, gjeniu me një dorë “zjarri”

Nga Luan Rama


“Tabloja ishte pikturuar si nga një dori prej “zjarri“. Duhet të kesh vdekur disa herë që të mund të pikturosh si ai”. -Letër e Van Gogh drejtuar vëllait të tij Teo, 1885.
Përvjetori i lindjes së Rembrandit në Amsterdam është kthyer në një festë të vazhdueshme. Të gjithë e quajnë “Viti Rembrand”, pasi mijra apasionues të artit apo turistë të thjeshtë nga e gjithë bota nuk mund të mos kthehen jo vetëm në muzeumet ku janë tablotë e gjeniut si në Rijskmuseum apo në Hagë, por dhe në itineraret e jetës së tij si ”Shtëpia Rembrand”, kisha ku prehet trupi i tij, ekspozita “Rembrand dhe Karavaxhio” apo Leyde ku kaloi fëmijërinë dhe rininë e vet piktori hollandez, etj. Çuditërisht, Amsterdami këto ditë është ngjyer me një diell që të kujton dritën e pikturave të Rembrandit. Një diell që përshkëndrit rrugët ku nxitojnë mijra njerëz mbi biçikleta dhe veçanërisht gra e vajza, fustanet e të cilave ngrihen nga era, në këtë fund pranvere. Vajza shtatlarta e me lëkurë të bardhë të ngjashme me personazhet e Rembrandit. Këtë 400 vjetor, piktori është në qindra afishe e banderola që të shfaqen buzë urave të cilat ndërthurin këtë qytet, Amsterdamin që sot ndihet krenar për piktorin e vet.
Katër shekuj kanë kaluar dhe të shumtë janë njerëzit që duan të pikëtakojnë gjeniun e madh. Syri ynë i ka parë prej vitesh tablotë e tij, por tashmë ky pikëtakim është më intim, pasi është ndryshe ta pikëtakosh atë në rrugët ku ka shkelur ai, në shtëpinë ku ka jetuar, në atelierin ku ka krijuar, në vendin ku ka vdekur dhe varrin e tij; është ndryshe ta rigjesh atë atje, ku ai ngjizi një nga tablotë pikturale më mbresëlënëse dhe ngjethëse të epokave të shkuara.

Nga hambaret e mullixhiut në atelieret e artit

Rembrand van Rijn ishte fëmija i gjashtë por jo i fundit i familjes së mullixhiut Harmen Gerritzoon van Rijn dhe i vajzës së një bukëpjekësi, Neeltgen. Harmen e kishte mullirin buzë lumit,pra dhe u quajt van Rijn (Rhin), dhe Leyde ishte qyteti i lindjes së Rembrandit, ku ai u rrit midis kanaleve të ujit që përshkonin anëmbanë qytetin. Pas skicave të para familjare, i entuziazmuar, mullixhiu van Rijn e dërgoi birin e tij në Amsterdam në atelierin e piktorit dhe mikut të tij, Pieter Lastman. Djaloshi Rembrand zbarkoi kështu në Amsterdam, magjia e të cilit e tërhoqi menjëherë, sepse pikërisht në atë kohë, hollandezët ishin në ekspansionin dhe shkëlqimet e tyre të mëdha, kur marinën më të madhe të Evropës e zotëronin pikërisht ata. Mjeshtri dhe profesori i tij e njihte mirë Tician-in, Caravagio-n dhe pikturën e Rilindjes italiane. Pikërisht aty, Rembrandi do të pikëtakohej me dy gjigandët e pikturës italiane. Në këtë epokë, të gjithë piktorët e veriut, flamandë e hollandezë, shkonin në Itali për të parë kryeveprat e Leonardo-s, Tician-it, Rafael-it, dhe të mjeshtërve të tjerë të mëdhenj Por Rembrandin asnjëherë nuk do ta tërhiqte ideja për të zbarkuar një ditë në Itali. Ai kurrë nuk do të shkonte atje dhe asnjëherë nuk do të lëvizte nga Hollanda e tij. Pas kthimit nga Amsterdami dhe një qëndrimi të shkurtër në Leyde, periudhë kur ai krijoi mjaft autoportrete, peisazhe apo portretet e nënës dhe të jatit të tij, Rembrandi do të merrete sërrish rrugën e Amsterdamit për të mos u kthyer më në Leyde. Para tij hapej rruga e artistit të madh që shpejt do të bëhej i njohur në rrethet artistike dhe fisnikët e mëdhenj.

Hyrje në oborrin e gjenisë: “Mësimi i anatomisë” dhe “Rojet e natës”


Në vitet 1630, Rembrandi është një portretist dhe portreti do të mbetet në fakt thelbi i pikturës së tij. Ai pikturonte në vaj, ku mbizotëronte e zeza, okra, e kuqja, e verdha dhe e bardha, madje krijonte shumë gravura, shumë prej të cilave janë vërtet të jashtëzakonshme për nga forca e vizatimit dhe gjendjet e personazheve, përgjithësisht njerëz të shtresës popullore dhe imazhe të jetës së përditshme. Pikturat e tij atëherë preferoheshin dhe shumë fisnikë kishin dëshirë të kishin varur në muret e shtëpive, tablotë me fytyrat e tyre. Më 1631 një porosi e çuditshme i vjen nga doktori Tulp: në “Theatrum Anatomicum” do të behej autopsia e një krimineli të sapo ekzekutuar, i cili ishte gjykuar dhe dënuar me vdekje për një vjedhje. Rembrandi është ndoshta nga piktorët e parë të historisë së pikturës që hedh në telajo një subjekt të tillë. As Mikelanxhelo nuk kishte pikturuar diçka të ngjashme. Rubens më parë kishte pikturuar diçka të përafërt në bazë të disa skicave, por Rembrandi do të asistonte pikërisht në autopsinë për të pikturuar tablonë e famshme të tij, e cila më pas do të quhej Mësimi i anatomisë. Kjo tablo, që do ta vendoste Rembrandin në rradhën e piktorëve të mëdhenj të kohës do të ekspozohej në ndërtesën e kirurgëve të qytetit dhe do të qëndronte atje për dy shekuj me rradhë gjer në vitin 1828. Rembrandi do ta përsërisë këtë eksperiencë vite më vonë me tablonë Mësimi i anatomisë së profesor Deijman (16 56), por porosia do ti vinte nga një doktor tjetër. Pikërisht pas kësaj tablloje të disa viteve më parë (1632), porositë filluan të vinin njëra pas tjetrës. Të gjithë flisnin tashmë për piktorin Rembrand i cili ishte i preferuari i tyre. Dhe kjo do të vazhdonte më pas me tablonë e tij të dytë emblematike Rojet e natës (1638), një porosi kjo e milicisë së qytetit, e cila bënte kontrollet para zgjimit të qytetit, dhe ku Rembrandi do të krijonte formatin më të madh të pikturave të tij me një lartësi prej 5m. Kjo tablo duhej të vendosej në bashkinë e Amsterdamit. Në këtë periudhë piktura e Rembrandit duket më dramatike dhe e fortë. Tek Rojet e natës, që do të kthehej më vonë në një emblemë nacionale, ai nuk pranoi të bënte thjesht portretin kolektiv e realist të 16 milicëve të kapitenit Frans Cocq, por një tablo me një atmosferë tepër dinamike dhe entusiazte, e lënë veten në një frymëzim të lirë dhe duke shtuar elemente të rrugës, fëmijë, një vajzë me një gjel në duar, dy djem, një qen e personazhe që përfshihen nga një lëvizje e jashtëzakonshme.

Sensualiteti

Nga Veroneze, Ticiani apo piktorët e Quatroçento-s e këndej, piktura nudo ka qenë objekt i gjithë artistëve të mëdhenj, dhe tek secili nga ata vështrimi ishte gjithnjë i ndryshëm dhe kjo sepse trupi njerëzor, veçanërisht ai femëror, kishte magjinë e sensualitetit dhe ku gjinjtë, supet e zhveshur, këmbët, barku dhe vithet, gjithë sëbashku nuk ishin thjesht mishtorë por të ngjyer me dritë hijet dhe elokuencën e linjave që si tek njëri apo dhe te tjetri të befasonin dhe të tërhiqnin drejt asaj magjie ku trupi shkëputej nga realja, realiteti, gjendja fizike, duke u kthyer në diçka hyjnore dhe të mistershme. Ndryshe nga Rubens apo Van Dyck, Rembrandi, ka nudot e tij, jo thjesht se në to është figura e të dashurave apo grave të tij, Saskja, Hendrickje apo diku dhe Geertghe, por sepse në to janë të tjera gjendje dhe paleta ngjyrash që nuk i ndeshim tek italianët, shkolla spanjolle, flamandët apo piktorët e tjerë të veriut. Mos vallë ndodh ajo që i shkruan dhe Vang Gogh në një letër drejtuar Teos, vëllait të tij, se “Rembrandi depërton aq thellë, sa që thotë gjëra që nuk ka asnjë gjuhë të botës që mund ti mishërojë ato”. Danae e tij e vitit 1636, që gjendet sot në“Ermitazhin” e Saint-Petersburgut është një kryevepër po aq sa dhe Bethsabé-ja, apo “Gruaja që lahet në lumë”, “Suzana në banjo” si dhe “Gruaja në banjo”, etj. Një grua me këmbët në lumë që ngre këmishën e saj që mos të laget, duke zbuluar në mënyrë të pafajshme kofshët e saj, është vet Hendrickje, ashtu siç është ulur ajo dhe duke pozuar për Bethsabé-në, kjo nudo në një mjedis të ngrohtë e njëherësh në një gjendje dramatike, ndërkohë që një shërbyese i lan këmbët. Në duar ajo mban letrën e mbretit David me një vulë të kuqe. Eshtë një Bethsabé e trishtë dhe mëdyshëse. Sipas librit të shenjtë të Samuelit, është historia e gruas së komandantit ushtarak të cilën mbreti David e kishte parë duke u larë dhe i dashuruar pas saj e ftoi në pallatin e tij. Por ndërkohë ai i kishte dhënë urdhër burrit të saj dhe besnikut të tij që të shkonte në vijën e parë të frontit, ku dhe do të vritej. E kështu perëndia, për tu hakmarrë ndaj Davidit do të bënte që ti vdiste fëmija e tij e parë…Një nga kritikët e asaj kohe, Andries Pels, dymbëdhjetë vjet pas vdekjes së Rembrandit, shkroi se “Kur ai donte të pikturonte një nudo, ai nuk përzgjidhte si model Venusin grek por një pastruese apo punëtore të shëndoshë diku në një hambar. Gjinjtë në tablotë e tij janë shpërthyes, duart e tyre të deformuara dhe në barkun e tyre shihen palë…”. Në gravurën “Shtrati alla francez”, ai ka skicuar një akt seksual në një shtrat, çka është befasuese në një shoqëri kalviniste dhe puritane siç ishte shoqëria ku jetonte Rembrandi në atë kohë.


Hendrickje

Hendrickje Stoffels do të jetë gruaja e tretë që hyn në jetën dhe veprën e Rembrandit, në ethet e krijimit të tij. Pas vdekjes së Saskias (e cila i la një prikë të majme prej 40.000 florins, por me testament se nuk mund ti përdorte nëse do të martohej sërish) dhe disa vjet pasi kishte kaluar me guvernanten e tij Geertghe, (e cila më pas do të përfundojë në një çmendinë), Hendrickje do të kthehej në një lumturi dhe paqe të dytë për mjeshtrim e madh, siç kishte qenë në fakt dhe Saskia e tij e dashur, e cila herë pas here rishfaqej në tablotë e tij. Kjo vajzë 23 vjeçare, e kolme, plot mirësi dhe hire, nuk do të mund të martohej me mjeshtrin. Kur Hendrickje ishte shtatzënë, kisha i kërkoi asaj dhe Rembrandit ti jepnin fund lidhjes ilegjitime dhe të martoheshin, po ata nuk i u përgjigjën kërkesës së tyre, duke refuzuar të shkonin dhe në proçesin gjyqësor. Ja pse kisha e akuzoi atë për prostitucion apo siç shkruhej në dokumentet e kohës për “hoerery”. Më 1654, Hendrickje lind një vajzë të cilën do ta quajnë Cornelia. Shumë tablo Rembrandi i a ka kushtuar familjes, i ndikuar padyshim jo vetëm nga lidhja e ngushtë që ai kishte me familjen e tij, por dhe me “sacra famiglia” të tregimeve biblike, siç e gjejmë në atë kohë në pikturat e artistëve të shumtë të Rilindjes europiane… Është një “trio” që përsëritet te Rembrandi: nëna, fëmija i vogël dhe ati. Kësaj teme ai do ti rikthehet edhe në vitin e fundit të jetës së tij, kur Titus nuk është më. Në tablonë « Portret familjar » shquhet Madalena me foshnjen, Cornelian dhe atin e saj.

Hekatomba Rembrandapo “acta tragica”

Të rrallë janë artistët e mëdhenj që të kenë vuajtur aq sa Rembrandi. Sigurisht mund të mendojmë për El Grekon, Karavaxhion, e gjer tek Van Gogh, por jeta e tij ishte kthyer në fakt në një hekatombë të vërtetë. Ky njeri do të përjetonte vdekje të njëpasnjëshme të njerëzve të tij më të dashur : në fillim tri fëmijët e tij me Saskia-n. Fill pas lindjes së djalit të vetëm Titus, Saskia do te vdiste. Por Rembrandi nuk do ta ndalte krijimtarinë e tij. Gjithnjë pranë kavaletit përmes magjisë së krijimit ai kërkonte ta mundte tragjiken me atë çka krijonte shpirti i tij, duke i ringjallur portretet e Saskias dhe duke u përhumbur në sensualitetin e një dashurie të humbur. Por pas Saskias, edhe Hendrickje do të vdiste në moshën 38 vjeçare, gruaja e tij besnike dhe modelja e mrekullueshme e tij. Por shpirti dhe trupi i saj sikur donte të vazhdonte ta shoqëronte në krijimtarinë e tij. I mbyllur në atelierin e tij, ai shpesh harrohej në se ishte ditë apo natë, nëse jashtë agonte apo Djalli fshihej në perëndim. Si mund të përballej me vdekjen veçse duke pikturuar? Sikur të mos mjaftonin këto, edhe Titus i sapo martuar do të vdiste, e pas tij dhe gruaja e tij dy javë më pas. Vdekja sikur kërkonte të godiste mjeshtrin e madh. Udhëtimi drejt varrezave ishte gjithnjë një ritual i vazhdueshëm: gjithnjë duke përcjellë njerëzit më të afërt dhe më të dashur të tij. Dikush tjetër ndoshta do ti ishte dorëzuar fatit, por me të ndodhte ndryshe: edhe në kulmin më të madh të tragjedisë, i vetmi shpëtim ishte paleta e ngjyrave, portreti, ajo që shfaqej në telajo dhe merrte ngjyrë, formë, jetë për tu bërë më pas e pavdekshme… Në fundin e jetës së tij, pasi ka përcjellë Titius-in 27 vjeçar në varrim, ai ka qëndruar para pasqyrës (Autoportret) me një vështrim të humbur: tani nuk është veçse një plak i mjerë, me dhëmbë të rënë, me flokë të shprishur, i ngjashëm me figurat e pelerinëve të tij nga tregimet biblike: mos vallë ishte nisur dhe ai drejt pelerinëve të Emmaus?

Mjerim, dhe pse i ngazëllyer

Në historinë e artit, të shumtë janë artistët që nuk e lanë krijimin dhe në momentet më të vështira të ekzistencës së tyre. E tillë ishte kjo për disa nga bashkëkohësit e Rembrandit, artistë tepër të varfër si El Greco, Caravagio apo shumë më vonë Van Gogh, por që lanë pas tyre një vepër të madhe. Edhe Rembrandi e përjetoi mjerimin : përjetoi gjëndjen e privimit të njeriut nga gjithçka. I mbytur në borxhe në kohën e luftës së Hollandës me Anglinë, njeriu që më parë jetonte si fisnik, një ditë të vitit 1657, pa të trokisnin në portën e tij huadhënësit, të cilët do ti merrnin gjithçka: pikturat dhe koleksionet e tij, e madje dhe orenditë e shtëpisë. I mjeri Rembrand. Imagjinoni një çast artistin e madh, të mbetur vetëm me një foshnje,në një shtëpi të bastisur ku i kishte mbetur tashmë vetëm kavaleti dhe ngjyrat e tij dhe një shtrat për të fjetur. E megjithatë, piktori do të gjente forca të krijonte. Ai kishte besim në artin e tij. Në shtëpinë e bastisur, ai do të punojë i vetmuar, duke harruar të hante dhe i veshur keq, aq sa më 1681, më shumë se një dhjetëvjeçar pas vdekjes së tij, Filippo Baldinucci, do ta  përshkruante Rembrandin në atelierin e tij, duke punuar: “Portreti i atij të mjeri shoqërohej nga rrobat e pista që mbante veshur. Kështu ishte mësuar të rrinte ai, duke i fshirë furçat mbi veshjen e tij. Kur punonte, ai nuk pranonte të priste as monarkun më të madh të botës…”. Dhe ndodhte që pikturat qëndronin me vite në atelierin e tij gjersa ato të shprehnin atë që ai e quante sublime. Shpesh ai i retushonte, ndryshonte vendet e personazheve, siç ka ndodhur me shumë nga veprat e tij. Në tablonë Sindikata e tekstilit, nga studimi me rreze X është konstatuar se ai i ka ndryshuar disa herë pozicionet e personazheve dhe tri herë atë të shërbëtorit, deri sa gjeti raportet e duhura për kompozimin e tablosë.
Shtëpia e Rembrandit sot është kthyer në muze. Është një shtëpi trikatëshe në rrugën Breestraat, ku turistët dynden nga të katër anët, sepse aty jo vetëm që gjendet një pjesë e krijimtarisë së gjeniut, por dhe sepse pikëtakimi me Rembrandin nuk mund të imagjinohet pa hyrë në atelierin e tij atje ku ngjizej arti dhe ku lindën  Danae, Suzana, BethsabéapoRojet e natësdhe Homeri, atje ku mjeshtri i mjerë do të jetonte si një eremit, si një murg i harruar nga fisnikët e qytetit. Shkallët janë të drunjta, po ato të 1600-ës ; aty janë dhe oxhaku, shtrati i piktorit, masandra e tij. Për një çast, në imazhin e atij që ka njohur jetën e Rembrandit, shfaqet piktori i vetmuar, harruar në artin e vet, në momentin kur i kanë bastisur gjithçka, por jo shpirtin dhe ngazëllimin e krijimit të tij. Të vetmit që i jepnin kurajo mjeshtrit ishin Hendrickje dhe biri i tij. Ai fillon të merret shumë me gravura duke shkuar portë më portë që të mund ti shiste. Por Hendrickje dhe Titus e nxisnin atë që ti rikthehej sërish kavaletit dhe paletës që priste. Bashkë me Rembrandin, ata vendosën të shkojnë te një noter, në mënyrë që të zgjidhnin problemin jetik të tij dhe që ai mos të mbytej në borxhe të tjera. Si tutorë të tij, tashmë ata kishin çdo të drejtë mbi punën e tij : ai vetëm të punonte dhe ti kushtonte artit frymëzimin e tij. Në këtë kohë, Rembrandit i duhet të largohet nga kjo shtëpi që vihet në ankand dhe të jetojë në një lagje popullore të Amsterdamit, në Bloemgracht, ku përgjithësisht jetojnë artistët, muzikantët e rrugës apo vozaxhinjtë që bëjnë voza për anijet e mëdha të transportit. Por shpejt Hendrickje do të sëmuret. I vetmi shpëtim i tij, në këtë mjerim dhe trishtim të madh janë tregimet biblike, Librat e Shenjtë që kishte lexuar në shkollën latine të fëmijërisë dhe adoleshencës, tregimet për Abrahamin, Jakovin, Davidin, për Moisiun dhe Tempullin e Jeruzalemit, pasi aty, Rembrandit i ngjan se janë rrënjët e vetvetes dhe të njerëzimit. Kështu do të krijohen në vite, në ngjizjen e penelit të tij Pelerinët e Emmaus, Zbritja e Krishtit nga Kryqi, Engjëlli Rafael lë Tobinë, Adhurimi i barinjve apo Ecce Homo… Por edhe kur temën biblike e trajton në gravurë, “afresku” njerëzor që ai na ofron është magjepsës, siç e shohim atë te Tri kryqet, e kapur në një dinamizëm siç mund ta imagjinonte vetëm Rembrandi një skenë të tillë. Edhe tabloja e tij e fundit, do të jetë pikërisht një temë biblike, Simeoni në Tempull, ku në qendër është figura e Simeonit plak. Vallë një simbol për vetveten në atë fund të jetës së tij, ky Simeon-Rembrand i përmbytur nga drita dhe një lloj gëzimi, duket sikur ikte nga kjo botë, për tu ngjallur pastaj sërrish. Në vështrimin e tij duket se përmblidhet vështrimi i aq e aq gjeneratave, të njerëzimit që rikthehej në ditët e Gjenezës. Por veç temës biblike, ndodhte që Rembrandi të revoltohej nga mjerimi, dhe i shtyrë nga kjo ndjesi, ai depërtonte në realitetin njerëzor dhe jetën e përditshme përmes tablosh që në dukje shiheshin ordinere dhe të habitshme nga publiku i saj kohe, siç ishte Kau i therur, të cilët ai i shihte në thertoret e lagjes së tij. Ai do të bëjë disa tabllo rreth këtij subjekti, por tabloja e Muzeut të Luvrit, ndryshe nga ajo e Galscow është kthyer padyshim në një nga referencat e pikturës evropiane “post-Rembrand”, të cilën do ta ndeshim deri në pikturën moderne me frymëzimet direkte që patën Goja, Sutin, apo shumë më vonë Francis Bacon në shekullin e XX-të. Akademiku Marcel Brion do ta krahasonte me një “korale triumfuese ndaj vdekjes” këtë tabllo që mbetet padyshim një nga dehjet apo ekstazat Rembrandit, duke e kthyer atë objekt aq të zakonshëm mishi, përgjakje, dhjami, në një simfoni ngjyrash e plasticiteti. Sigurisht, hollandezët i pëlqenin në atë kohë pikturat realiste, por një tablo si kjo, do ti trondiste në kuptimin se si mund ti kushtohej një tablo një kau të therur?! Rembrandi nuk ndoqi ndonjë shkollë pikturale apo rregulla të caktuara në botën e artit. Siç do të shkruante dhe një nga biografët e parë të tij më 1720, Arnold Houbraken, “Rembrandi kurrë nuk ishte i lidhur pas rregullave të diktuara nga dikush tjetër”.

Nata e vonë njerëzore…

Dhjetëvjeçari i fundit i piktorit (1659-1669) është një nga periudhat më tronditëse dhe më humane të pikturës së tij, sepse pikërisht në shumë portrete dhe autoportrete, Rembandi nuk është më në pozicionin e piktorit përballë personazhit dhe krijimit, përballë pjellës së tij. Jo, Rembrandi ka depërtuar dhe është dyzuar me figurën, është brenda saj. Jeta e tij fizike duket se ka mbaruar. Ai është në ngjyrat e errëta e tronditëse, është në pikëpyetjen e madhe të ekzistencës dhe pikëtakimit me misterin, siç pyesin sytë e tij në autoportretet e fundit. Ai është në tabanin e thelbit njerëzor, në natën e vonë njerëzore…
Rembrandi është plakur. I goditur nga rrufetë e jetës dhe i vetmuar e poshtëruar nga artistët e oborrit e xhelozitë e mëdha; i harruar nga princat, fisnikët e tregtarët e mëdhenj të detrave, i vendosur nën tutelën e gruas dhe të birit, me një shtrat të thjeshtë, ai është hedhur i tëri në tone të tjera dhe në universin e pyetjeve të mëdha. Kur u ndërtua bashkia e re e Amsterdamit, porositësit e harruan gjeniun e madh. Por kur njëri prej piktorëve që do të bënte një nga tablotë u tërhoq, Rembrandi mori porosinë e re dhe filloi tablonë Claudius Civilis, e cila më së fundi u vendos në një nga sallat e bashkisë. Por ajo do të qëndronte shumë pak e vendosur në mur. Përse vallë? Ndoshta pse tonet e errëta nuk ishin për shijen e borgjezisë së re dhe të guvernatorëve të rinj. Apo pse vetë Rembrandi e hoqi atë për ta retushuar, duke menduar ti jepte akoma më dritë? Askush nuk e di. Por një gjë është e qartë: për Rembrandin kjo është periudha e pikturave të errta, e cila do të ndikonte në mënyrë të jashtëzakonshme tek Françisko Goja i cili shekuj më vonë, pikërisht në fundin e jetës së tij, do të krijonte ciklin e tablove e quajtur „seria e tablove të zeza“ të vendosura ne kishën Santa dela Florida. Por le të kthehemi tek “seria e zezë“ e Rembrandit dhe le të kundrojmë një çast Claudius Civilis, Autoportret me beretë, Autoportret me kësulë të bardhë, Murgu që lexon, Evangjili që shkruan, Shën Matië dhe ëngjëlli, apo disa portrete të Krishtit. Duke shkruar për tablonë Claudius Civilis, akademiku francez Marcel Brion ka theksuar se ajo është “një nga shprehitë më të thella dhe më totale të Rembradit, një tablo me figura fantomatike dhe të errta të natës, me demonët e tij, këta banorë të mbretërisë së tij…Janë vetë fytyrat e pasionit dhe të zemëratës së tij, të shpresës dhe luftës së tij“. Vallë ishte lufta e fundit e tij?
Ka një tabllo në “National Gallery“, të cilën Marcel Brion e krahason me Mona Lizën dhe që për të cilën Walter Pater shkruan: „Ajo është më e vjetër se shkëmbi mbi të cilin është ulur, ajo ka vdekur me kohë dhe të fshehtën e varrit e ka njohur me kohë“…Po, portretet e fundit të Rembrandit janë një dëshpërim i pafund. Rubensi ka vdekur, dhe Van Dyck gjithashtu. Ai është vetëm në botën pikturale evropiane. Por piktori i madh e ndjente veten se dhe një shkallë e ndante nga bota e të gjallëve. Ai kishte frikë se mos humbte shikimin dhe mbetej i verbër…I mjeri Rembrandt. Në ethe fillon të punojë një portret të Homerit. Homeri i verbër është ndoshta vetë ai. Një kryevepër! …Por trupi i tij, i drobitur shpejt do të shuhet në shtëpizën e thjeshtë në Rozengracht më 4 tetor 1669.

Këtu prehet Rembrandi

Buzë një prej kanaleve kryesore të qytetit, ngjitur me shtëpinë ku ishte fshehur Ana Frank dhe ku ajo kishte shkruar ditarin e famshëm që tronditi ndërgjegjen njerëzore, ngrihet kisha Westerkerk që mbart në vetvete disa varre njerëzish të njohur, por vizitorët që vijnë këtu kërkojnë të shohin vetëm një varr: atë të Rembrand van Rijn. Ndërsa lart kupolës, ku sipër organos gjigande është shkruar “Deo et Proximo“, poshtë saj, në anë, në një pllakë të vjetër mermeri është shkruar: Hier Ligt Begraven Rembrandt Harmensz van Rin. Geb: 15 jul. 1606. Gest: 4 oct.1669. Nën një muzikë të Bahut, afrimi tek Rembrandi bëhet më intim, pothuaj engjëllor, si të hysh pa trokitur në atelierin e mjeshtrit të madh.
Asnjë artist evropian, që nga mesjeta nuk ka qenë aq i obseduar nga “Absolutja“ si Rembrandi. Jo më kot, Van Gogh, i gozhduar nga mrekullia e bashkëpatriotit të vet, kishte shkruar :“ Nuk mund të shohim një tablo të Rembrandit pa besuar te Zoti“…Kur Rembrandi vdes, pjesa më e madhe e tablove të tij janë ende në Hollandë, madje shumica në Amsterdam. Por shpejt tablotë e tij do të udhëtojnë drejt metropoleve evropiane, në koleksionet e princërve dhe të monarkive të mëdha si në oborrin e Luigjit XV dhe XVI, të Katerinës së Rusisë, të mbretërve spanjollë, etj. Disa prej tyre blihen më vonë për Luvrin, Nga fundi i shekullit XIX janë amerikanët që blejnë me çmime të jashtëzakonshme veprat e Rembrandit, këtij gjeniu që vdiq si një njeri i humbur dhe me një meshë të thjeshtë, siç do të ndodhte shumë kohë më vonë me gjeniun tjetër të muzikës Amadeus Mozart. Asnjë shënim në fletoren e qytetit ku shënoheshin dhe gjërat më të rëndomta, gjer tek çmimet e shitjes së stofrave. Vetëm në vitin 1681 në një botim në Firence për Rembrandin do të shkruhej se ishte një „piktor shumë i madh“ dhe më pas, më 1685, ai do të cilësohej si „piktor universal“. Por ata që do të jepnin të dhëna historike mbi jetën e Rembrandit ishin biografi i tij Arnold Haubraken si dhe një nga miqtë e piktorit, tregtari italian Ruffo, i cili vazhdimisht e ftonte atë të udhëtonte në Itali por Rembrandi kurrë s’do të shkelte në Romë për të parë Sixtinë-n. Dy shekuj më vonë, duke parë tablotë e Rembrandit në Luvër, Delacroix do të shkruante :“A do të vijë dita që të zbulohet se Rembrandi ishte një piktor shumë më i madh se Rafaeli?“… Shumë prej tablove të Rembrandit kanë humbur, por kryeveprat e tij lumturisht kanë mbetur. Nëse në vitin 1962 u gjet një nga tablotë e rinisë së tij në fondin e muzeut të Lionit në Francë, kjo tregon se enigma Rembrand mund të na befasojë përsëri në të ardhmen.

“Rembrandeskët“ – tabloja e Rembrandit në Shqipëri është thjesht një kopje…

Që në të gjallë të Rembrandit, nxënësit e atelierit të tij imitonin dhe pikturonin si mjeshtri i tyre. Shumë prej tyre do të bëheshin të njohur. Por edhe me vdekjen e Rembrandit, atëherë kur emri i tij po bëhej i dëgjuar në gjithë Perëndimin dhe kur tregtarët e mëdhenj të pikturave të Italisë, Francës, Spanjës dhe Anglisë kërkonin të blinin tablotë e tij, një mori piktorësh të Amsterdamit dhe Hollandës në përgjithësi do të vazhdonin të kopjonin tablotë e mjeshtrit dhe personazhet e tij. Një nga to duhet të jetë ndoshta dhe tabloja që prej shumë kohësh është në Shqipëri dhe që  flitet se është e Rembrandit. Shkrimtari Anastas Kondo i ka kushtuar një studim të apasionuar por duke u njohur me pikturimin e Rembrandit, kohën kur jetoi, dhe historinë e tërë këtyre “rembrandeskëve”, si dhe duke patur parasysh se shumë pak dihet rreth udhëtimit të kësaj tabloje nga Amsterdami në Shqipëri (ku për më tepër nuk ka një firmë të Rembrandit çka ai nuk mungonte ta vinte në çdo tablo të tij, pas vitit 1640) tregojnë se duhet të kemi të bëjmë thjesht me një kopje apo imitim të artit të Rembrandit dhe jo me një Rembrand të vërtetë. Mendoj se mjafton thjesht një analizë e pëlhurës së tij për ti dhënë fund kësaj hamendje, kur dihet se Rembrandi ishte nga të vetmit piktorë hollandezë të epokës që për telajot e tij porosiste një pëlhurë të veçantë, me përbërje rëre të bluar dhe kuarci, të cilën nuk e gjejmë në asnjë nga tablotë e bashkëkohësve të tij.
Tek largohesh nga ky pikëtakim i mbramë me Rembrandin, nuk mund të mos kujtohesh për letrën e van Gogh-ut për “duart e tij prej zjarri“, dhe të mos ndjehesh i ngazëllyer dhe i trazuar shpirtërisht. Është forca e gjeniut që përmes veprës së tij, dramacitetit, klithmës njerëzore dhe sensualitetit biblik, që të mbart në krahë rrugëve të praruara të qytetit nga një dritë e fuqishme që në perëndim kërkon ti ngjajë paletës rembrandiane. E në këtë atmosferë, vajzat me biçikleta mbi biçikletat që shkojnë dhe fustanet që u ngrihen në erë, ngjan se kërkojnë të të zbulojnë atë çka tashmë sapo e kemi parë në një mënyrë tejet poetike në tablotë Rembrand.