Pse fermerët e kafesë janë të palumtur?

Këtë vit punët nuk po ecin mirë. Prodhuesit e kafesë më pak cilësore nga Vietnami po përmbysin tregun. Industria e ushqimeve po ul përdorimin e arabikes për fitime. Por historia nuk përfundon këtu

Çmimet

The Economist



Kafeja ka shumë konsumatorë besnikë. Aroma joshëse dhe rigjallërimi që sjell kafeina bën që 83 për qind e amerikanëve të rritur ta pinë atë, 63 për qind e tyre në mënyrë të përditshme, sipas një vëzhgimi nga Shoqata Kombëtare e Kafesë. Megjithatë, pavarësisht kërkesës së madhe për kafe, disa furnitorë janë të palumtur. Në Brazil, ku prodhohet një e treta e kafesë së botës, fermerët po zhyten nën çmimet e ulëta dhe po djegin thasë me kafe në protestë. Po pse po vuajnë në këtë kohë prodhuesit e kafesë?

Ka dy varietete kryesore të kokrrave të kafesë: arabike dhe robusta. E para, e cila përbën rreth 60 për qind të prodhimit botëror, konsiderohet me cilësi më të lartë dhe merr çmime më të mira; e dyta është një bimë më e shëndetshme, rezistente ndaj ndryshkut të gjetheve, por ka një shije pak më të hidhur.

Shumica e kokrrave të prodhuara në Brazil janë të varietetit të arabikes. Por këto kokrra tashmë marrin vetëm 106 dollarë për një thes prej 60 kilogramësh, më pak se gjysma e asaj që fermerët mund të merrnin pak vite më parë. Fermerët në Kolumbi dhe Etiopi, të cilët prodhojnë gjithashtu kokrra arabikeje, janë duke vuajtur.

Arsyeja është se prodhimi i kafesë dhe kokrrave më të lira të robustës në veçanti, po rritet me shpejtësi. Vietnami ka ndryshuar. Një dekadë më parë pothuajse nuk prodhonte fare kafe, ndërsa sot prodhon 25 milionë thasë robusta çdo vit. Rezultati është një mbiofertë e kafesë.

Kjo dëmton prodhuesit e arabikes në veçanti, për shumë arsye. E para, konsumi në botën e zhvilluar, pra në Amerikë, Europë dhe Japoni ku njerëzit konsumojnë më shumë se gjysmën e kafesë së botës, nuk po e rrisin konsumin ndërsa recesioni ka dobësuar fitimet e kompanive të mëdha të ushqimit si Nestle dhe Kraft. Si pasojë e krisës, këto kompani kanë filluar të përziejnë robusta më të lirë në produktet e tyre për të ruajtur normën e fitimit, gjë që ka bërë që çmimi i robustës të ulet më ngadalë sesa çmimi i arabikes. Në vendet në zhvillim si Kina, Indonezia dhe Brazili, ndërkohë, ku një shtresë e mesme e re po zbulon kënaqësitë e kafesë dhe ku tregu po rritet me 5 për qind në vit, robusta është varieteti i parapëlqyer.


Për t’i bërë gjërat edhe më keq për prodhuesit e arabikes, çmimet në rënie janë shoqëruar me rritje të kostove: kafeja është ende e mbledhur me dorë, ndërsa pagat po rriten me shpejtësi në Brazil dhe Kolumbi. Shumë fermerë brazilianë dhe kolumbianë kanë investuar për të rritur prodhimin e arabikes në përgjigje të çmimeve të larta të vitit 2011, gjë që ka shtuar edhe më shumë ofertën dhe ka dobësuar edhe më shumë çmimet. Dhe moti i mirë në Brazil ka bërë që prodhimi këtë vit të jetë papritshmërisht i madh. Këto janë arsyet se pse fermerët e Brazilit po vuajnë dhe po kërkojnë më shumë mbrojtje, në formën e subvencionimeve më të bollshme nga ana e shtetit.

Fermerët që rrisin arabike kanë tendencën të jenë specialistë dhe nuk mbjellin lloje të tjera bimësh (metoda e zakonshme e fermerëve për të diversifikuar prodhimin dhe për të mbrojtur veten nga luhatshmëria e madhe e çmimeve në një bimë të caktuar).

Çmimet për kallamin e sheqerit, një alternativë potenciale, janë gjithashtu të ulëta.


Kërkesat e të fiksuarve për kafetë më të mira, të cilat japin edhe çmime më të larta për fermerët, janë të shumta, por fermerët nuk e kanë të lehtë të lëvizin në nivelin e lartë të tregut. Kjo kërkon kohë dhe ekspertizë. Në vend të kësaj, pirësit e kualifikuar të kafesë po ndiejnë gjithashtu diçka të keqe për shkak se vendet e Amerikës Qendrore ku prodhohen kafetë më të mira në botë, përfshirë Guatemalën, Nikaraguan dhe El Salvadorin, janë goditur këtë vit nga ndryshku i gjetheve, sëmundje që mund të ulë prodhimin me 30 për qind. Pra edhe pse kokrrat e arabikes marrin një çmim më të ulët në tregun e lëndëve të para, çmimi i kafeve më të shtrenjta pritet të rritet. Një stuhi me rryma të kundërta po ndodh në filxhanin e kafesë.