Vlorë/Rreth 200 banorë në fshatin Nartë të Vlorës kanë protestuar të mërkurën para kishës, kundër vjedhjeve dhe dhunimit. Madje gratë e moshuara kanë ngritur një pretendim të rrallë, se janë përdhunuar, duke kërkuar edhe analizat e ADN-së së meshkujve të fshatit si të dyshuar e ndërsa kanë deklaruar se nëse policia nuk i gjen agresorët të gjithë banorët e fshatit në shenjë hakmarrjeje do të bllokojnë rrugën nacionale derisa të zbardhet e vërteta. Po ditën e djeshme policia e Vlorës ka reaguar nëpërmjet një komunikate shtypi, ku sqaronte së ka pasur një tentativë vjedhjeje në banesën e një të moshuare në Nartë, rreth orës 01:00 të mëngjesit të 8 korrikut. Vetë E. N., e cila është edhe e sëmurë, denoncoi ngjarjen, por policia nuk konstatoi vjedhje. Më tej është kryer me ekspertë një ekzaminim mjeko-ligjor, pasi e moshuara pretendonte se ishte përdhunuar dhe po kështu banorët e ngritën si shqetësim. Por ekspertët konstatuan se nuk ishin kryer marrëdhënie seksuale me gruan.
Apeli i banorëve
Gjithsesi banorët protestuan për disa orë rresht në sheshin e fshatit dhe i kërkuan policisë që të rrisë masat e sigurisë dhe rendit dhe zbulojë agresorët. Gratë thanë se prej vitesh sulmohen nga kriminelët që duke ditur se jetojnë të vetmuara, u hyjnë në banesa duke i grabitur dhe në shumë raste edhe janë përdhunuar nga agresorët. Banorët paralajmëruan se do të bllokojnë edhe rrugët nacionale dhe nëse policia nuk i gjen fajtorët ata do të kryejnë vetëgjyqësi për këtë turp që ka zënë rrënjë në fshatin e tyre. Policia gjatë deklaratës për shtyp tha se po hetohet nëse bëhet fjalë për “marrëdhënie seksuale me persona të pazotë”, e mbetur në tentativë, apo për “vjedhje”.
Protesta
Duke deklaruar se ndihen të kërcënuar banorët shkojnë deri aty, sa deklarojnë se ka pasur edhe raste përdhunimesh e dhunime fizike jo vetëm të grave të moshuara, por në shumë raste edhe të vajzave të reja, ndërsa kanë kërkuar angazhimin e strukturave të policisë në zbardhjen e ngjarjeve të fundit. “Vendosëm të mblidhemi si fshat dhe të kërkojmë një zgjidhje tek strukturat e shtetit”, tha Kryeplaku i fshatit Nasho Zoica. “Po ndodhin çdo ditë vepra të shëmtuara. Të përdhunohen nënat, gratë nuk e lejojmë më. Nëqoftëse është nga Narta të varet këtu në mes të sheshit. Sot i ndodhi nënës sime, nesër mund të më ndodhë mua”, thotë një prej banoreve të Nartës. Banorët kanë paralajmëruar se nëse ngjarjet nuk zbardhen, do të bllokojnë rrugën dhe do të ndërmarrin akte të tjera ekstreme. Por nga ana tjetër banorët deklarojnë se një pjesë e ngjarjeve nuk janë denoncuar, pasi konsiderohen tabu. Ndërkohë policia apelon për denoncim të çdo rasti sulmi në Nartë apo në zona të tjera të qarkut.






