PRO ET CONTRA:Funksionet politike të Isa Mustafës gjatë komunizmit!






Prof.Dr.sci. Isa Mustafa
Data e lindjes: 15-05-1951
e-mail: Isa.Mustafa@ks-gov.net






Kryetari i Komunës zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët e komunës që kanë të drejtë vote, në përputhje me Ligjin për zgjedhjet lokale që është në fuqi, për mandat të njëjtë sikurse anëtarët e Kuvendit të Komunës. Kur përkohësisht mungon kryetari i Komunës, ose kur përkohësisht nuk ka mundësi ta ushtrojë funksionin e kryetarit, atë e zëvendëson nënkryetari i Komunës.

Biografi e shkurtër e Kryetarit

Edukimi:Në Prishtinë ka kryer shkollimin fillor, atë të mesëm dhe Fakultetin Ekonomik. Ka magjistruar në shkencat organizative – Menaxhmenti Financar dhe ka doktoruar në ekonomi në fushën e Lidershipit të ekonomisë.

Kariera Politike: Është kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kariera e punes: Është profesor i Ekonomiksit (Mikroekonomisë) dhe i Menaxhmentit Financiar në Universitetin e Prishtinës. Nga data 14 shkurt 2006 është emëruar Këshilltar i Lartë për Ekonomi i Presidentit të Kosovës, detyrë të cilën e ka kryer deri ka sa është zgjedhur kryetar i Komunës së Prishtinës. Ka qenë i angazhuar aktivisht në organet drejtuese të institucioneve me rëndësi për Kosovën: anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, anëtar i Bordit Drejtues të Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës, Nënkryetar i Institutit për Hulumtime Zhvillimore Riinvest dhe bashkëthemelues i Universitetit Riinvest.

Ekspertizën profesionale e filloi nga viti 1974 si pedagog në Universitetin e Prishtinës, ndërkohë ka qenë edhe kryetar i Qeverisë Komunale të Prishtinës (1984-1988), drejtor i Entit për Plan dhe Zhvillim të Kosovës dhe ministër i Ekonomisë dhe Financave të Republikës së Kosovës (1991-1999). Ka qenë kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës “Dardania”, anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës së Re të Kosovës dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit Amerikan në Prishtinë.

Pas luftës, kryesisht, ëshë angazhuar në punën shkencore dhe hulumtuese në Institutin Riinvest dhe në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Në kuadër të programeve të bashkëpunimit dhe ngritjes profesionale e shkencore ka qëndruar disa herë në Staffordshire University në Britani të Madhe dhe një herë në Fakultetin e Ekonomisë dhe Ekonometrisë të Universitetit të Amsterdamit. Ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në disa projekte vendëse dhe ndërkombëtare në fushën e zhvillimit ekonomik, sidomos ato që kanë të bëjnë me politikat fiskale, arsimin dhe zhvillimin ekonomik lokal.

Ka botuar disa tekste universitare, tekste për shkolla të mesme si dhe punime të tjera shkencore dhe profesionale në vend dhe jashtë vendit. Ka qenë aktivisht i angazhuar në grupet e ekspertëve në bisedimet e Vjenës për statusin përfundimtar të Kosovës.

Në periudhën e viteve 1990-1999, pas shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, është ndjekur nga regjimi serb dhe ka qëndruar jashtë vendit, kryesisht në Gjermani, Zvicër, Shqipëri, Slloveni dhe Kroaci, ku si Ministër i Ekonomisë dhe Financave ka qenë njëri nga ideatorët dhe themeluesit e “Sistemit të Financimit të Republikës së Kosovës”, i cili falë mbështetjes së bashkatdhetarëve dhe popullit të Kosovës arriti të sigurojë mbijetesën në Kosovë, funksionimin e arsimit dhe mbështetjen e rezistencës paqësore dhe luftës çlirimtare.







I S A  M U S T A F A
 GJATË REGJIMIT KOMUNIST!
 
Shkruan: Sheradin Berisha

Funksionet politike të Isa Mustafës gjatë komunizmit

     Pas demonstratave të 11 e 26 marsit dhe të 1 e 2 prillit 1981, regjimi komunist gjatë verës së atij viti ndërmori një sërë masash ideo - politike të cilat kulmuan me „Platformën politike të KQ të LKJ’së për Kosovën“, të miratuar më 17 nëntor 1981 në Mbledhjen e XXII’të të KQ të LKJ’së në Beograd. Në zbatim të kësaj PLATFORME, strukturat pushtetore’partiake dhe ato gjyqësore në Kosovë, në bashkëpunim edhe me UDB’ën nisën një fushatë të gjerë arrestimesh e burgosjesh ndaj organizatorëve të demonstratave si dhe në të njejtën kohë intensifikuan diferencimin ideo - politik brenda radhëve të pushtetit, nëpër organizata punuese dhe në të gjitha institucionet tjera publike e me theks të veçantë në institucionet shkencore - akademike të Kosovës, siç ishin: Instituti Albanologjik, ai i Historisë dhe mbi të gjitha Universiteti i Prishtinës, i cili u cilësua si “Bastion i nacionalizmit dhe separatizmit shqiptarë”. Për t’i realizuar masat, që dolën nga“Platforma…” e KQ të LKJ’së, regjimi gjatë viteve 1981 - 1990 në vendet udhëheqëse i emëroi ato kuadra politike, që ishin dëshmuar në çdo situatë të zellshëm dhe besnik në luftimin dhe çrrënjosjen e “nacionalizimit dhe seperatizmit shqiptarë”! Dhe, njëri nga ata besnikët e këtij regjimi ishte padyshim komunisti i devotshëm Isa Mustafa, (tani kryetar i komunës së Prishtinës dhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës.)

       Isa Mustafa

     Në biografinë e shkurtër të Isa Mustafës, të botuar në portalin e Komunës së Prishtinës, thuhet se: Isa Mustafa ”Ekspertizën profesionale e filloi nga viti 1974 si pedagog në Universitetin e Prishtinës, ndërkohë ka qenë edhe kryetar i Qeverisë Komunale të Prishtinës (1984-1988),” dhe “drejtor i Entit për Plan dhe Zhvillim të Kosovës”…. Por, si duket shoku Isa Mustafa e paska harruar se ka qenë edhe“sekretar krahinor për Zhvillim, Shkencë, Informatikë dhe Bashkëpunim Shkencor-teknik me botën.”, në Këshillin Ekzekutiv të KSA të Kosovës me kryetar Jusuf Zejnullahun, që u formua më 4 dhjetor 1989, në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës.


 
Shkëputur nga gazeta Rilindja, datë 5 dhjetor 1989

     Isa Mustafa për katër vjet rresht (1984-1988) si Kryetar i Këshillit Ekzekutiv të kryeqytetit të Kosovës - Prishtinës (ku përfshiheshin edhe komunat: Fushë Kosovë, Obiliq dhe Novobërdë) dhe njëkohësisht të qenit“drejtor i Entit për Plan dhe Zhvillim të Kosovës”, ka qenë njeriu më i pushtetshëm i regjimi komunist, ashtu sikurse ishin:
Ali Shukria - Kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1981-1982),
Nebih Gashi - Kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1982-1983),
Shefqet Jashari - Kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1983-1984),
Ymer Pula - kryetar i KE të KSA të Kosovës (1982-1986),
Kolë Shiroka - Kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1984-1985),
dhe Kryetar i KK të KSA të Kosovës në periudhën (1985-1986),
Nazmi Mustafa - kryetar i KE të KSA të Kosovës (1986-1989),
Jusuf Zejnullahu - Kryetar i KE të KSA të Kosovës ( 1989-1990),
Bajram Selani - Kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1986-1987),
Remzi Kolgeci - Kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1987-1988),
Azem Vllasi - Kryetar i KK të KSA të Kosovës (1986-1988) dhe
Rrahman Morina - Kryetar i KK të KSA të Kosovës (1988-1990).

Kontributi i Isa Mustafës gjatë ndryshimeve
kushtetuese për “Serbinë unike”!

     Procesin për ndryshimet kushtetuese e kanë përcjellur një sërë mbledhjesh e vendimesh të niveleve të ndryshme të regjimit. Fillimisht po sjellë një koronologji të këtyre ngjarjeve, ku në këtë kuadër do të përvijohet edhe aktiviteti i Isa Mustafës.
     Gjatë viteve 1984 - 1990 kur Isa Mustafa kishte pushtet ekzekutiv në çdo sferë të jetës në Prishtinë, Kosova përballej me shumë sfida dhe ndër sfidat më të rënda padyshim ishin: ndryshimi i Kushtetutës në interes të Serbisë dhe heqja e Autonomisë së Kosovës.
     Intensifikimi për “Serbinë e bashkur” përmes ndryshimeve kushtetuese, nisi me ngritjen e Sllobodan Millosheviçit, nga pozita e kryetarit të Komitetit të LK’së për Beogradin në postin drejtues të KQ të LK të Serbisë, në maj të vitit 1986. Platforma ideologjike e Millosheviçit bazohej në Memorandumin e Akademisë së Shkencave të Serbisë, i hartuar në shtator të vitit 1986. Sipas hartuesve të memorandumit “e keqja më e madhe për kombin serb u sendërtua në tekstin e Kushtetutës së vitit 1974, e cila jo vetëm e ndau Serbinë në 3 pjesë, por krijoi edhe mjedisin e përshtatshëm për fillimin e gjenocidit ndaj serbëve të Kosovës.” ( V.Meier: Fundi i Jugosllavisë - goditja në Kosovë, Lubjanë - Liria 2007, fq.82)
     Nga ana formale memorandumi shprehte vetëm kërkesën për rishikimin e kushtetutës dhe krijimin e një shteti të përbashkët “federativ”, por kërkesa për “të drejta të barabarta” për serbët dhe “bashkim kulturor dhe shpirtëror të popullit serb” nuk ishte gjë tjetër veçse një rikthim tek ideja e vjetër e hegjemonisë serbe. Ky memorandum ndërkohë u shndërrua në një armë të fortë për Millosheviçin, për të mobilizuar popullin serb në realizimin e synimeve hegjemoniste, dhe forca kryesore e Millosheviçit në këtë rrugëtim, ishte Levizja serbe me seli në Fushë Kosovë, të cilën e legjitimoj më 24 prill 1987 kur mori pjesë në mbledhjen protestuese të organizuar në Fushë Kosovë, nga drejtuesit e kësaj levizjeje Miqo Shparavallo, Mirosllav Sholeviqi etj.
     Më 21 janar 1987 Kryesia Federale, kishte propozuar fillimin e ndryshimeve në Kushtetutën Federale, duke përfshirë 29 amandamente (nga 9 - 37). Në këtë kuadër më 28 korrik 1987 edhe Kuvendi i Serbisë vendosi t’i hyjë ndryshimeve në Kushtetutën e Serbisë. Më 14 shtator 1987 Kuvendi i Serbisë ua dërgoi Propozimin për ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë, Kuvendit të Kosovës dhe atij të Vojvodinës “për të dhënë pëlqimin” për ato ndryshime që do t’u përkisnin çështjeve “me interes për Serbinë (unike) si tërësi”.
     Në mbledhjet e Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 6 nëntor 1987 dhe 2 shkurt 1988 u miratua propozimi i Kryesisë së Kosovës për t’u hyrë ndryshimeve të Kushtetutës së Kosovës, sipas direktivave të Serbisë. Gjatë verës së vitit 1988 (pikërisht në kohën kur Millosheviçi intensifikoi veprimet politike përmes “metingjeve antiburokratike” të organizuar nga shovinistët serbe të Kosovës me seli në Fushë Kosovë) u bënë përgatitjet organizative - politike, për formimin e këshillave koordinues në organet e Lidhjes Socialiste, të aktivave politike etj., që do të jenë bartëse të procesit për ndryshimet substanciale në Kushtetutën e Kosovës. Kuvendi i Kosovës më 22 shtator 1988 miratoi Projektin e ndryshimeve kushtetuese në Kushtetutën e Kosovës, dhe ky projekt përfshinte ndryshimin e 142 dispozitave të Kushtetutës së Kosovës në amandamentet 18 - 51. Diskutimi publik u zhvillua deri më 31 tetor 1988, në 1597 shoqata e 350 konferenca lokale dhe në 2.427 organizata themelore punuse qeverisëse. (N.Gjeloshi -Kosova në udhëkryq ’89, Velar 1997, f.43)
     Këto zhvillime, të cilat po e shkatërronin edhe atë copë autonomie që kishte Kosova, shkaktuan një valë protestash në Kosovë. Nga 17 - 21 nëntor 1988 në Prishtinë e në qytete tjera të Kosovës u organizuan protesta gjithëpopullore, dhe kjo valë protestash nisi në mëngjesin e 17 nëntorit me marshimin e minatorëve të Trepçës nga miniera e Stan - Tërgut për në Prishtinë. Me minatorët u solidarizuan studentët e UP’së dhe i gjithë populli, por jo edhe strukturat politike shqiptare të këtij regjimi, të cilat këto protesta i cilësuan si armiqësore e kundë -  revolucionare. Më 22 shkurt 1989 ndryshimet në kushtetutën serbe u miratuan njëzëri nga komisioni kushtetues i Serbisë, ndërkaq dy ditë më vonë pasoi miratimi unanim i kushtetutës në seancën plenare të parlamentit serb dhe për çudi delegatët e Kosovës nuk dhanë asnjë vërejtje në këtë drejtim. Kryetari i komisionit kushtetues në parlamentin serb Borisav Joviç, me paturpësi deklaron se “reforma kushtetuese serbe nuk e kërcënon aspak autonominë e krahinave” dhe se vetëm tani Serbia “gjendet në rrugën drejt barazisë me republikat e tjera”! (V.Meier: Fundi i Jugosllavisë - goditja në Kosovë, Lubjanë - Liria 2007, fq.133)


 
Minatorët në grevë urie - Shkurt 1989

     Nga 20 - 28 shkurti 1989 sërish ishin minatorët ata që kundërshtuan ndryshimet kushtetuese në dëmë të Kosovës, me grevë të përgjithshme, duke u ngujuar në galeritë e tyre të punës. Këtë herë artikuluan 10 kërkesa dhe njëra prej tyre ishte: “Të jepnin dorëheqje të parevokueshme: Rrahman Morina, kryetar i Kryesisë së Komitetit Krahinor të LK të Kosovës; Husamedin Azemi, kryetar i Kryesisë së Komitetit Komunal të LK të Prishtinës dhe Ali Shukria, anëtar i Komitetit Qëndror të LK të Jugosllavisë.” Një ditë pas fillimit të grevës së minatorëve, (më 21 shkurt) 215 intelektualë shqiptarë i drejtuan një Apel opinionit të gjerë publik dhe strukturave pushtetore të Jugosllavisë, Serbisë dhe të Kosovës, ku u apelua “në Kuvendin e Serbisë që të aprovojë vetëm pjesën e amandamenteve që nuk kanë të bëjnë me ndryshimin e raporteve ndërmjet RS të Serbisë dhe krahinave socialiste autonome…” sepse “Ngushtimi eventual i pozitës kushtetuese të Kosovës do të shkaktonte te shqiptarët ndjenjën objektive se po u merret jo diçka që u është dhuruar, por ajo që u takon burimisht…” (N.Gjeloshi - fq.86 - 88 -89)
     Më 22 shkurt, Kryesia e KQ të LKJ’së mbajti mbledhjen e jashtëzakonshme për të shqyrtuar zhvillimin e ngjarjeve më të reja në Kosovë, ndërsa një ditë më vonë (23 shkurt) për të njejtën çështje u mblodhë edhe Kryesia e Federatës jugosllave, dhe këto organe nxorën përfundimin, se:“Ndërrimet e propozuara të Kushtetutës së Serbisë duhet të miratohen në mënyrë të pashtyshme”. (!!!)
     Më 24 shkurt me kërkesën ultimative të minatorëve, Stipe Shuvar kryetar i KQ të LKJ’së dhe Sllobodan Millosheviç vizituan Kosovën, dhe derisa i pari u takua me minatorët gervistë i dyti, i shoqëruar nga Rrahman Morina, Husamedin Azemi e të tjerë, mbajti një mbledhje me udhëheqës të Elektroekonomisë së Kosovës!
     Duke qenë se minatorët nuk kishin ndërmend të dilnin nga greva, në datat 25 e 26 shkurt Millosheviçi përdori të gjitha mjetet që kishte në dispozicion, duke arritur të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme dhe të dërgonte trupa speciale në Kosovë edhe me miratimin e Kryesisë së Federatës Jugosllave në krye me boshnjakun Raif Dizdareviç. Kjo ndodhi në mbledhjen e kryesisë së RSFJ’së (më 26 - 27 shkurt). Në  mbrëmjen e 27 shkurtit, kryesia e shtetit miratoi “marrjen e masave të veçanta për Kosovën”. Dhe këto “masa të veçanta” nuk ishin gjë tjetër veçse gjendje e jashtëzakonshme. (V.Meier, fq.137)
     Më 28 shkurt, (pasi Rr.Morina, H.Azemi dhe A.Shukria kishin ofruar dorëheqjet e kërkuara nga minatorët), minatorët dolën nga greva, por ky trinom millosheviqjan realisht nuk u largua nga fuksionet e tyre!
     Më 9 mars 1989 Kuvendi i Kosovës nxori dy konkluzione:
     “1. Të përkrahen masat e posaçme (lexo: Gjendja e jashtëzakonshme) të Kryesisë së RSFJ’së për Kosovën; 2. Miratimi i amandamenteve në Kushtetutën e Serbisë është me rëndësi të posaçme, jo vetëm për Krahinën dhe RS të Serbisë, por edhe për mbarë stabilizimin e Jugosllavisë dhe se këto amandamente duhet të miratore me kohë”. Në këtë mbledhje Nazmi Mustafa - kryetar i Këshillit Ekzekutiv të  KSA të Kosovës, duke folur për protestat e nëntorit 1988 dhe ato të shkurtit 1989 tha se ato kanë krijuar “një bazë të përshtatshme për shfaqjen e nacionalizmit e të separatizmit shqiptar…”dhe se sipas tij “zbatimi i masave të posaçme u dëshmua i arsyeshëm…”.Bazuar në fjalimin e kryetarit N.Mustafës, KE i KSA të Kosovës nxori vendimin për kufizimin ose ndalimin e grumbullimit të njerëzve në vende publike.
     Më 14 mars 1989, dy kryesitë e Kosovës (ajo e Komitetit Krahinor dhe e Kryesisë së Kosovës) përmes një kumtese të përbashkët, theksojnë, se: “Dy kryesitë përkrahin plotësisht amandamentet për Kushtetutën e RS të Serbisë, me të cilat mundësohet që RS e Serbisë të ushtrojë funksionet dhe kompetencat e veta të domosdoshme në tërë teritorin e Republikës…” dhe se me “këto ndërrime nuk ndryshohen parimet themlore të Kushtetutës së RSFJ’së të vitit 1974 dhe pikënisje është realizimi i konsekuent i barazisë së plotë kombëtare të të gjitha kombeve e kombësive në RS të serbisë dhe në KSA të Kosovës”. (Rilindja, 15 mars 1989)  
     Edhe Kryesia e Konferencës Krahinore të Lidhjes Socialiste më 16 mars 1989 u dha përkrahje të plotë amandamenteve të Kushtetutës së Serbisë dhe insistonte që Kuvendi i Kosovës të përkrahte këto amandamente! Më 17 mars u mblodhën delegatët e Këshillit të Dhomës Shoqërore - Politike të Kuvendit të Kosovës, ku përkrahën njëzëri amandamentet e Kushtetutës së Serbisë, - kështu shkruante Rilindja e datës 18 mars 1989.

Isa Mustafa zëdhënës i ndryshimeve kushtetuese!

     Në vazhdën e fushatës intensive për ndryshimet kushtetuese që zhvillohej në rrethana të gjendjes së jashtëzakonshme, u përzgjodhën edhe figurat politike të regjimit që do t’i bënin jehonë në mënyrë afirmative këtij procesi, me qëllim që t’ua mbushnin mendjen shqiptarëve se me këto ndryshime nuk do të cënohet aspak Autonomia e Kosovës! Në mesin e shumë komunistëve shqiptarë të kohës që u treguan të gatshëm për t’ua mbushur mendjen shqiptarëve se nuk humbim asgjë nga këto ndryshime kushtetuese ishte edheIsa Mustafa. Po të lexosh shtypin e kohës: Rilindjen, Jedinstvon, Borbën, Politikën etj., do të shohësh qartë aktivitetin e Isa Mustafës me shokë në këtë proces të ndryshimeve kushtetuese. Isa madje ka marrë pjesë aktive edhe në debatet që i ka organizuar Radio Televizioni i Prishtinës - RTP, në mbeshtetje të ndryshimeve kushtetuese.
     Ta zëmë, ato ditë marsi në një nga debatet e organizuara në RTP, panelin e debatuesve për ndryshimet kushtetuese e përbënin:
1. Luba Popoviqin (anëtar i Kryesisë së KK të LK të Kosovës)
2. Rade Zvicerin (kryetar i Komisionit Legjislativ Juridik të Kuvendit të Kosovës)
3. Hazër Susuri (nënkryetar i KE të Kosovës);
4. Nikë Lumezi (anëtar i KE),
5. Shefqet Musatafa (anëtar i Kryesisë së Kosovës dhe anëtar i komisionit Kushtetues të Kosovës);
6. Vesel Latifi (sekretar Krahinor i Judikaturës)
7. Pjetër Kola ( kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës),
8. Habib Hashani (anëtar i Komisinit Kushtetues të Kosovës);
9. Isa Mustafa (drejtor i Entit Krahinor të Planifikimit Shoqëror) dhe
10. Ahmet Omeragiqi, zëvendës sekretar Krahinor i Mbrojtjes Popullore.
(Z.Cana - Apeli 215 i intelektualëve shqiptarë, Prishtinë 2001, fq.174 -175)

Ndryshimi i Kushtetutës për “Serbinë unike”!

     Më 21 mars, Këshilli Ekzekutiv i Kosovës i propozoi Kuvendit të Kosovës që në Mbledhjen e caktuar për datën 23 mars të jepte pëlqimin për amandamentet në Kushtetutën e Serbisë. Më 23 mars 1989 (ditë e enjte) në Prishtinë në orën 10 paradite u mblodhën delegatët e të tri dhomave të Kuvendit të Kosovës:
     1. Dhoma e Punës së Bashkuar me kryetar Raif Vërbnica;
     2. Dhoma e komunave me kryetar Radoica Zhizhiq dhe
     3. Dhoma Shoqërore - Politike me kryetar Shefqet Mustafa.
     Në sallën e Kuvendit të Kosovës kishte mbi 500 njerëz, funksionar, punëtorë të sigurimit, mysafirë nga të gjitha komunat e Kosovës dhe nga Serbia, ndërsa ishin 190 delegatë të zgjedhur, qysh në nëntor të vitit 1988 nga komisionet kandiduese të të gjitha organizatave shoqërore - politike. Në këtë mbledhje të përgatitur nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës Vukashin Jokanoviq, diskutuan 27 delegatë, 20 shqiptarë dhe 7 serbë, (N.Gjeloshi - fq.98)dhe në fund u aprovuan me aklamacion (ngritje të dorës) amandamentet e Kushtetutës së Serbisë. Ishin 11 vota kundër dhe dy abstenime, (po aty) por nuk dihej numri i votave “për” sepse nuk u numruan nga kryetari i Kuvendit. Nga pamjet në ekranin e RTP dhe fotografitë që u publikuan në shtypin e përditshëm, duket qartazi, se pjesa dërmuese e atyre që kishin ngritur dorën nuk ishin delegatë! Pasditen e 23 marsit, (pasi u aprovuan ndryshimet kushtetuese në Kushtetutën e Serbisë nga Kuvendi i Kosovës) shpërthyen protesta të fuqyshme e të pandalshme në gjithë Kosovën deri më 28 mars kur në Beograd u finalizua miratimi i Kushtetutës së RS të Serbisë. Ndërsa në Beograd festohej “Serbia unike” dhe “Dita e ribashkimit” të saj, rrugët e Kosovës ishin përgjakur nga njësitë speciale të Serbisë. Nga 23 – 28 mars u vranë 22 shqiptarë dhe u plagosën rëndë rreth 300 të tjerë. (N.Gjeloshi, fq.107)

Diferencimi ideo-politik dhe avansimi i Isa Mustafës

     Pas Kuvendit të Kosovës, më 1 prill Lidhja Komuniste e Kosovës mbajti një plenum, ku vlerësoi situatën e krijuar pas miratimit të Kushtetutës së Serbisë. Ky plenum, si qëndrim esencial nxori “diferencimin ideo-politik në tërë Kosovën” dhe si kriter themelor për diferencim u përcaktua qëndrimi i organeve, i funksionarëve, i delegatëve dhe i punëtorëve të shërbimeve tjera të regjimit “ndaj tubimeve dhe demonstratave të shqiptarëve në nëntor 1988, ndaj grevave dhe ndërprerjeve të punës ën shkurt 1989, si dhe ndaj demonstratave të nacionalistëve e separatistëve shqiptarë në mars 1989”(N.Gjeloshi, fq.108)   
     Në këtë kuadër, Kryesia e Kuvendit të KSA të Kosovës në mbledhjet e 3 e 8 majit 1989 shqyrtoi obligimet dhe detyrat e veta mbi realizimin e diferencimit ideo - politik dhe të punës në nivel të Kuvendit të KSA të Kosovës, të Këshillit Ekzekutiv dhe në organet dhe organizatat krahinore të administratës dhe i obligoi ato institucione e organe që në afatin sa më të shkurtër të bëjnë diferencimin ideo - politik dhe të punës. Ndërkaq nga baza deleguese kërkoi “ndërmarrjen e masave ndaj delegatëve në Kuvendin e Kosovës, të cilët nuk i kishin respektuar qëndrimet e bazës lidhur me grevën e minatorëve në Stari - Tërg, Kishnicë e Novobërdë, duke u përpjekur për miratimin e kërkesave të grevistëve në kundërshtim me qëndrimet e organeve më të larta partiake e të organeve e organizatave të Kosovës për dhënien e pëlqimit të amandamenteve në Kushtetutën e Serbisë”. (N.Gjeloshi, fq.109)
     Dhe në këto zhvillime, diferencimet politike u zbatuan në të gjitha organet dhe institucionet në Kosovë. Nga ky diferencim e pësuan të gjithë ata komunistë (shqiptarë) që në një mënyrë a tjetër u solidarizuan me kërkesat e minatorëve dhe nuk pranuan ndryshimet kushtetuese në favor të “Serbisë unike”, ndërkohë që komunistët tjerë që i mbetën edhe mëtutje besnik politikës antishqiptare të Millosheviçit, u avansuan në pozita më të larta të pushtetit! Në mesin e atyre që u avansua në këtë drejtim ishte edhe kryetari aktual i LDK’së, ISA MUSTAFA! Në Lidhjen Socialiste të Kosovës që prej organizatave lokale, konferencave komunale e deri te konferenca e LS të Kosovës diferencimi politik ose i punës përfshiu afro 700 kuadro, ndërkaq kryetari krahinor i Lidhjes Socialiste Daut Jashanica, u avansua në postin e delegatit të Kuvendit Federativ të Jugosllavisë.

Mr.Isa Mustafa,
“sekretar krahinor për
Zhvillim, Shkencë, Informatikë dhe
Bashkëpunim Shkencor’teknik me botën”
në Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të
KSA të Kosovës (dhjetor 1989)

     Gjatë nëntorit të vitit 1989 strukturat politike serbe të drejtuar nga Sllobodan Millosheviçi punuan intenzivisht në përzgjedhjen e kuadrove për funksionet politike në Kosovë të cilët tashmë (tetë vjet e gjysmë pas demonstratave të pranverës 1981) ishin dëshmuar si „luftëtarë të denjë për realizimin e politikës së LK të Kosovës, të LK të Serbisë dhe të LKJ“ që do të thotë „për luftimin e nacionalizmit dhe seperatizmit shqiptarë“ si dhe „për ndaljen e shpërnguljes së serbëve e të malazezve nga Kosova“ …
     “Në mbledhjen e përbashkët të tri dhomave të Kuvendit të KSA të Kosovës, të mbajtur me datë 4 dhjetor 1989 (E hëne) u bë konstituimi i përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhja e kandidatëve për funksionet më me përgjegjësi - të kryetarit të Kryesisë dhe të anëtarëve të Kryesisë së KSA të Kosovës, të Kryetarit të Kuvendit, të nënkryetarëve të Kuvendit dhe të kryetarëve të dhomave të Kuvendit të KSA të Kosovës si dhe të delegacionit të KSA të Kosovës në Dhomën e Republikave dhe të Krahinave të Kuvendit të RSFJ’së” - kështu shkruante gazeta „Rilindja“ e ditës së martë - datë 5 dhjetor 1989
     Daut Jashanica, Kryetar i Konfrencës Krahinore të LSPP (dhe i  avansuar në postin e delegatit të Kuvendit Federativ të Jugosllavisë), në mbledhjen e 4 dhjetorit, tha: „duke u përcaktuar struktura nacionale, në bazë të propozimit inicial të Kryesisë së KSA të Kosovës dhe Kuvendit të KSA të Kosovës si dhe në bazë të qëndrimeve të Këshillit Koordinues për politikën e kuadrove të Konferencës Krahinore të LSPP të Kosovës, Kryesia e Konferencës Krahinore të LSPP të Kosovës si bartëse e konsultimeve, ka inicuar procedurën e propozimit dhe të evidencimit të kuadrove të mundshme për zgjedhjen e kryetarit dhe të anëtarëve të Kryesisë së KSA të Kosovës, të kryetarit të dy nënkryetarëve dhe të kryetarëve të dhomave të Kuvendit të KSA të Kosovës.“ (Rilindja, 5 dhjetor 1989)
     Me rastin e propozimit të kandidatëve të mundshëm për funksionet e përmendura dhe me rastin e zgjedhjes së tyre, LSPP e Kosovës si dhe subjektet e tjera shoqërore në Krahinë, kanë bërë përpjekje që në të gjitha fazat të propozohen më shumë kandidatë për funksionet më me përgjegjësi që për to të propozohen kuadrot, të cilat në periudhën e deritashme janë dëshmuar luftëtarë të denjë për realizimin e politikës së LK të Kosovës, të LK të Serbisë dhe të LKJ, kuadrot që gëzojnë besimin e pjesëtarëve të të gjitha kombeve dhe kombësive, individët që në aktivitetet e deritashme kanë luftuar me vendosmëri kundër të gjitha dukurive të nacionalizmit, e në radhë të parë kundër nacionalizmit dhe seperatizmit shqiptar, për ndaljen e shpërnguljes së serbëve e të malazezve nga Kosova dhe ardhjen e të gjithë atyre që dëshirojnë të jetojnë e të punojnë në Kosovë, kuadrot të cilat me cilësitë e veta personale garantojnë se do të jenë të suksesshme në kryerjen e funksioneve që u besohen.“ Shkruan Rilindja. E martë 05 dhjetor 1989)

*  *  *
     Në mbledhjen e Kuvendit të KSA të Kosovës, Kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës u zgjodh Isen Kajdomçaj, Kryetar i Kuvendit të KSA të Kosovës,Gjorgje Bozhoviq, ndërsa Kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës u zgjodh Jusuf Zejnullahu. Sekretar krahinor i Punëve të Brendshme u emrua përsëri Jusuf Karakushi, mr.Rifat Zulfiu u emrua sekretar krahinor i Judikaturës, Shefqet Cana sekretar krahinor i Financave,Radman Milosavleviqi sekretar krahinor për Ekonomi, Lekë Berishasekretar krahinor për Bujqësi dhe Pylltari, Selajdin Skeja, sekretar krahinor për Komunikacion dhe lidhje, dr.Muhamet Bicaj u emrua sekretar krahinor për Arsim dhe Kulurë, Lekë Vuksani sekretar krahinor për Punë, Shëndetësi dhe Politikë Sociale, dhe për çështjet e luftëtarëve e të invalidëve, Radovan Vujoviqi, sekretar krahinor për Urbanizëm dhe Çështje Komunale-Banesore dhe mr.Isa Mustafa, sekretar krahinor për Zhvillim, Shkencë, Informatikë dhe Bashkëpunim Shkencor - teknik me botën.

Lexoni Rilindjen, 5 dhjetor 1989



Mr.Isa Mustafa, sekretar krahinor për Zhvillim, Shkencë,
Informatikë dhe Bashkëpunim Shkencor - teknik me botën,
në Këshillin Ekzekutiv të Kosovës! (Dhjetor 1989)

Për më tepër:

     Ky ishte shkurtazi Isa Mustafa i viteve të 80’ta, ndërsa për Isa Mustafën e viteve 1991-1999, si Ministër i Ekonomisë dhe Financave në qeverinë e Bujar Bukoshit, i cili njëkohësisht ishte edhe njëri nga ideatorët dhe themeluesit e “Sistemit të Financimit të Republikës së Kosovës”, dhekryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës “Dardania” në Tiranë, por, edhe për Isa Mustafën e pasluftës 2000-2010, do të bëjmë fjalë një herë tjetër.

Më mirë në shtëpi se sa me Isa Mustafën e Rrahman Morinës 



 

Gani Geci njëherë nuk e ka ndërmend të kyçet në politikë. Ai po pushon. Bashkë më vëllezërit ka gjasa që të formojnë edhe një subjekt të tyrin politik, por assesi nuk do të ofrohet tek lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

Edhe pse ishte pjesë e atyre që para pak kohe kaluan nga LDD-ja në LDK-në e Drenasit, Geci thotë se LDK-ja ka dal prej sistemit, në bazë të asaj që ai e paramendon.

Krejt pakënaqësinë ai e ka me liderin, Isa Mustafa, të cilin e quan komunistë të Rrahman Morinës.

“Jo nuk do të kthehem në këtë LDK. Njëherë po pushojë. LDK-ja ka dal prej sistemit, në bazë të asaj që e paramendojë. Unë jam tip nacionalistë, nuk jam as komunist i Titës, as i Enver Hoxhës. LDK-në janë duke e udhëhequr komunistët e Titës, dhe un nuk e shoh vetën aty. Ne presim ditë më të mira për LDK-në dhe kjo nuk do të thotë që ajo do të vazhdojë gjithmonë më këtë avaz. Pra, unë kthehem aty, vetëm kur komunisti i Rrahman Morinës, Isa Mustafa, dhe komunistët tjetër do ta lëshojnë vendin nga aty”, thotë Geci në një bisedë për Indeksonline.

Geci, pohon se ai dhe vëllezërit e tij po pushojmë njëherë, ngase janë lodhur duke vrapuar prapa njerëzve që e dëshirojnë kontributin e tyre, e që më anën e atij kontributi, siç thotë ai, favorizojnë njerëzit që janë komunistë.

“Ne vëllezërit Geci, njëherë nuk e shohim vetën në një parti tjetër, sepse ne e kemi dhenë mundin për LDK-në, dhe për filozofinë djathtiste. Faktikisht LDK-ja tani për tani nuk është djathtiste, është parti e majtë, që ka në krye disa pasanik. LDK-ja më tepër po sillet si degë e PDK-së, se sa si parti në vete”.

Ish deputeti i LDD-së mendon se nacionalistët janë përjashtuar nga LDK-ja, me vdekjen e presidentit Ibrahim Rugova.
Jo në LDK me Isën, pa u larguar komunistët e Rrahman Morinës
“Presidenti Rugova i ka tubuar rreth vetës të gjitha shtresat për të bërë një front kundër Serbisë, me titistë me leninistët e nacionalistë. Ai front është bërë me luftë e pacifizëm. Pastaj në një kohë janë larguar Marksist-Leninistet. Në një kohë tjetër kanë mbetë vetëm nacionalistet dhe titistet. Tash, titistët janë bërë më të fuqishëm dhe i kanë larguar nacionalistët. Pra, tash kanë mbetur disa të tjerë dhe ministrat e Rrahman Morinës”, thotë Geci.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, në as një fjali nuk hiqet nga tiketa e Gecit si njeri i Rrahman Morinës në vitet e 80-ta.

“Unë e kam parë një fotografi të Isa Mustafës, Rrahman Morinës e Milloshevqit, të gjithë së bashku. Jam zhgënjyer tej mase, dhe kamë thënë më mirë rri në shtëpi, e nuk dua të jem askund, sa më qenë në një parti me njerëz të Rrahman Morinës”.


)