Shënime-16 janar 1972
Lexova librin: "Dans le tourbillon de
l'histoire" ("Në vorbullën e historisë")
të amerikanit C. L. Sulcberger. Janë kujtimet "gazetareske" të këtij njeriu, që hiqet si gazetar, por në fakt është një nga agjentët më të kualifikuar të zbulimit amerikan, CIA-s, e të djallit me të birin. Nëpërmjet këtij libri atë e shikon të hajë e të pijë me të gjithë njerëzit e sferave të larta, të dijë të gjitha të fshehtat dhe t'i besojnë misione diplomatike për t'i kryer.
Në kapitullin për Ballkanin ai zë në gojë Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, natyrisht me përbuzje, duke thënë se populli shqiptar "di vetëm të çajë dru dhe të shesë lajthi qosheve të rrugëve". Urrejtja që ushqen për Shqipërinë e bën atë jo vetëm të nënçmojë luftën e popullit tonë, por, duke i ardhur keq që ne erdhëm në fuqi, zbulon intrigat dhe komplotet që kanë kurdisur anglezët, amerikanët dhe miqtë e tyre për të likuiduar "qeverinë e Hoxhës", siç e quan ai pushtetin e popullit.
Më 1949 Sulcberger vë në gojën e Xhulian Emerit, oficer i misionit anglez te ne në kohën e luftës dhe pas luftës ministër, se "anglezët dhe amerikanët shumë e kanë tjerre deri në verë organizimin e revoltës brenda në Shqipëri". "Unë jam i mendimit - thotë Emeri, - se me pak flori mund të ngremë viset e Veriut të Shqipërisë kundër Hoxhës, pa u bërë vonë etj.". Ja si mendonin dhe vepronin atëherë armiqtë tanë. Tash këtë ata e pohojnë me gojën e tyre.
Sulcberger zbulon, po ashtu, se në nëntor të vitit 1949 anglezët hodhën te ne agjentë sabotatorë të përgatitur në Maltë, të cilët ne i kapëm dhe i shfarosëm. Rëndësi ka që këta i pohojnë tash vetë, se gjyqet tona të atyre kohëve çdo gjë e vunë në dukje me prova të padiskutueshme.
Po ashtu, Sulcberger, në këtë libër, vë në dukje trillimet e Titos, Gjilasit e të Dedijerit kundër vendit tonë dhe tregon se si këta u lidhën ca me Anglinë, ca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka rëndësi se si filloi dhe si mbaroi transformimi i tyre në agjentë.
Tradhtarët titistë Gjilas dhe Dedijer, me trillimet më të poshtra kundër nesh, me gojën e tyre, thonë se paskemi qenë ne, me regjimin tonë "policesk", që gjoja provokonim jugosllavët, që sovjetikët dhe Stalini të kishin një shkak për të ndërhyrë ushtarakisht në Jugosllavi dhe për të likuiduar Titon. Kjo është një shpifje e ndyrë për të fshehur veprimtarinë armiqësore të tyre kundër Shqipërisë socialiste dhe për të krijuar besimin e plotë tek amerikanët se Jugosllavia e Titos po kërcënohej nga Bashkimi Sovjetik dhe nga Stalini.
Sulcberger në librin e tij pohon se ka qenë një nga amerikanët më në kuotë në qarqet monarko-fashiste greke. Ai hynte e dilte si në shtëpinë e tij te mbreti i Greqisë, te shefi i shtatmadhorisë, te Venizellosi dhe te gjenerali Van Fliti.
Sulcbergerin ngarkoi Titoja, nëpërmjet Gjilasit, që të shkonte te mbreti i Greqisë dhe te shefi i shtatmadhorisë greke e t'u propozonte përfundimin e një pakti Jugosllavi-Greqi-Turqi, që u nënshkrua më vonë . Por rëndësi ka ajo çka shkruan Sulcbergeri në këtë libër për ne dhe që po e kopjoj gati fjalë për fjalë:
"Paris, 28 prill 1953. Sonte në mbrëmje piva një gotë dhe bisedova me mikun tim të vjetër, Panajot Kanellopullosin, ministër i Mbrojtjes i Greqisë. Kur e pyeta si shkonin marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe me Turqinë, ja ç'më tha haptazi ai: Në rast lufte nuk do të ketë ofensivë të përbashkët greko-jugosllave kundër Shqipërisë. Shpresohet që, brenda dy deri nëntë muajve që vijnë, do të arrihet të kryhet një grusht shteti, me anën e të cilit do të çlirohet Shqipëria nga Hoxha dhe nga sovjetikët. Në qoftë se do të jetë e nevojshme, trupat amerikane do të mbajnë qetësinë pas grushtit të shtetit. Grekët pranuan që të mos merren me çështjen dhe lajmëruan, gjithashtu, pak a shumë me terma jo aq të qartë, jugosllavët ...
Megjithatë, në rast se grushti i shtetit nuk përfundon me sukses, me aprovimin e admiralit Karni, u vendos që nuk do të jetë e nevojshme të pushtohet Shqipëria. Kështu divizionet greke dhe jugosllave, që ishin vendosur të sulmonin Shqipërinë dhe të pushtonin vendin, lirohen për të kaluar në veri dhe në lindje".
Kështu shkruan shkurtimisht ky agjent i regjur amerikan. Sigurisht komplotet e mëdha dhe të rrezikshme të amerikano-anglezëve janë të shumta. Ata nuk guxojnë t'i zbulojnë, por historianët e vendit tonë me fakte dhe me dokumente, i kanë nxjerrë në dritë dhe do të vazhdojnë të shkruajnë për to dhe t'i demaskojnë.
Marrë nga libri "Gjithmonë vigjilencë", vol. 2, fq. 184 - 186.






