Planet e Zogut për të rrëzuar Enver Hoxhën

Nga Kostaq Xoxa



Në rrethanat kur jemi në prag të marrjes së shtetit kandidat për në BE, pikërisht kur do të mjaftonte një marrëveshje e përbashkët ndërmjet opozitës së E. Ramës dhe qeverisjes Berisha, opozita jonë e bllokoi këtë avantazh për vendin. (Miliona euro për vendin, jo për partitë). Po flasim për „opozitë“, sepse e tillë është sipas Kushtetutës sonë,  duke lënë mënjanë përrallat me Bangladesh, që s’kanë asnjë lidhje me prirjen për të cenuar Kushtetutën tonë, nga ngutja se janë  ende në emërtimin „opozitë“ gjer kur të plotësohen e të jetësohen nenet kushtetuese. Por E. Rama gjithmonë është luhatur në të kundërtat,  të cilat i ka bashkëngjitur kurdoherë në një ortakëri absurde. I ngutur për të marrë në dorë skeptrin e kryeministrit, por i vonuar që KQZ-ja të jetë sa më operative, kur i urdhëroi disa nga anëtarët e saj të shkëputeshin apo të tërhiqeshin nga KQZ-ja, kinse me vullnetin e tyre të pashpjegueshëm. Natyrisht që vendimmarrja e saj u cenua në këtë mënyrë, sepse mund të vihet në veprim edhe KLD-ja, duke shtuar edhe  vonesën, e cila nuk ishte llogaritur si duhet nga E. Rama, madje nuk i intereson kryeministrit të ardhshëm. E përsëritim se këto janë  të kundërtat e E.R. të cilat e bëjnë atë inkoherent.
Kapërcimet e tij pindarike nga antikomunizmi - që s’pati mirëkuptim - në komunizëm në aleancë me veteranët ndaj të cilëve pati më parë shprehje urrejtjeje të papërmbajtshme, sikundër edhe ndaj PP-së që u shndërrua në PS, e cila duhej të nxirrej jashtë ligjit, në një kohë të mëparshme! Kurse tani ua hap oreksin historianëve të indoktrinuar dhe ithtarëve fanatikë të E. Hoxhës që, ose të heqin statujën e Ahmet Zogut I, ose të vihet sërish shtatorja e Enverit! Pranimi në aleancën e tij të dy partive të PP-së dhe të dy të tjerave të P. Komuniste, e shndërroi Shqipërinë në një vend anakronik! Le ta lëmë mënjanë pakënaqësinë e njërit prej krerëve të P. Komuniste, të cilin edhe e kishte bërë prift, edhe ia rroi mjekrën, sepse - ndonëse e futi në vathë, - i propozoi që kryetari i PK-së dhe ndjekësit e tij të votonin për numrin 29! Shkurt ato parti të ekstremit të majtë, të ishin vetëm formalisht në koalicion, një ‘ornament’ duke i bërë shebekët e Ramës që të mos votonin për partinë e tyre, por partinë e E.R.-së!
Duke e lënë mënjanë incidentin, siç thamë, fryma komuniste në koalicion, i frymëzoi përkrahësit e diktaturës, qoftë edhe ‘historianët’ e saj, që të hiqej statuja e Zogut, përndryshe do t’i vihej ... dinamiti! Komunistët e kishin mprehur  shpatën për situatën, qysh me revolucionin ogurzi bolshevik të vonuar të 1997-s. Tanimë kishin në dorë veç një pjese të madhe të pasurisë së uzurpuar (dukuria e “pronarit të ri), por edhe armatimet, nga shpërthimi i dhunshëm i depove të armëve, gjithmonë në atë vit të mbrapshtë të ‘97-s. Të vihet sërish statuja e Enverit, është si të vendoset ndonjë statujë e propagandistit të së keqes, ithtarit nazist  Dr, Gëbelsit, në ndonjë shesh të komunitetit europian! Enveri a mos ka qenë një propagandist i së mirës? I doni endé krahasimet ndërmjet Zogut dhe Enverit? Jemi gati, paçka se kemi thënë diçka krahasuese edhe më parë.
Ta fillojmë nga vrasjet e kundërshtarëve politikë. Është e vërtetë se Zogut i ngarkohen disa vrasje politike. Avni Rustemi, Luigj Gurakuqi, Hasan Prrishtina dhe ndonjë tjetër. Por edhe këto duhen parë me rezervë: Avni Rustemit Zogu i premtoi një rojë vetjake, se ishte në gjak me njerëzit e Esat Pashës. Avniu nuk pranoi. Luigj Gurakuqin e vrau Baltion Stamolla. Gjyqi i Tranit (Itali) nuk dha një version të qartë, sepse Baltioni kishte disa shkaqe të vetat për atë krim. Por, ama, atentatorin Beqir Valteri, përbrenda parlamentit e  fali, kurse Valteri  u vra në atentat nga komunistët, më vonë! Sejfi Vllamasi, në kujtimet e tij, ishte penduar që ishte përfshirë në atentatin e Vjenës kundër Zogut në Vjenë, duke i njohur mbretit edhe disa virtyte në dobi të Kombit. Delvinjoti Novruz Zejnati, doktor i shkencave në fushën ushtarake, pedagog i Akademisë së Shtabit të Përgjithshëm (1971) i ka vënë pikat mbi i, në një libër 700 faqesh, që i interesojnë subjektit tonë. Citojmë, në f. 664: “ (Zogut) i bënë atentat në parlament, ku e plagosën. Atentatori ishte Beqir Valteri, Këtë e kishin përgatitur Avni Rustemi e Luigj Gurakuqi dhe e kishin stërvitur në qitje. A. Zogu e pyeti B. Valterin në burg: - “Unë e di sa të vlen lëkura ty; por kërkoj të më thuash kush të shtyu të më qëlloje. Nëse ma thua, do të të jap pasaportë që të ikësh nga vendi”. Ai i thotë që e ka shtyrë Avni Rustemi, i cili i kishte dhënë edhe revolverin. Ahmet Zogu i dha atij dhe ca para të ikte. Avni Rustemi pat vrarë Esat Pashë Toptanin e Toptanët ishin një ndër familjet më të forta në Shqipëri. Një familje që, për të marrë hakun  e Gani bej Toptanit, kishte vrarë djalin e kryeministrit turk në mes të Stambollit. Dy herë deshën ta vrisnin edhe Avni Rustemin. Por Ahmet Zogu i kishte ndaluar, sepse kishte të ëmën Toptanase. Pas asaj dite ai çoi një person që t’i thotë Avni Rustemit “Ruhu se do të të vrasin”.
Më duket tepër domethënës ai stigmatizimi që historiani Zejnati u bën ‘historianëve’ tendenciozë: “I quaj fajtorë ndaj atdheut ata që e kanë luftuar me të padrejtë  Ahmet Zogun, duke i vënë të paqena nga më të ndryshmet” (f. 663). Flet për ata  që e poshtërojnë Zogun me argumentet infantile të ditarit të kontit Galeaco Çiano, duke mos e studiuar  diplomatin e parë të traktativave me Zogun, Aleksandër Lesonën, madje duke mos njohur as librin e Françesko Jakomonit, të përkthyer në shqip nga “55-a”. Janë pikërisht ata historianë enveristë, “fajtorë ndaj atdheut”,  cituar disa rreshta më sipër. Në suplementin e së dielës të një gazete ultra të majtë jepet, megjithatë, operacioni “Apple” (Mollë). Është kodi i një dokumenti sekret, për orvatjen e Zogut për të përmbysur  E. Hoxhën. Kam përshtypjen se Roli i spiunit anglez, Kim Filbi, që u shndërrua në bashkëpunëtor sekret të spiunazhit sovjetik, ai që i njihte pikat strategjike të zbarkimit nga ajri, është kaluar disí  përciptazi dhe interpretuar si jo efektiv për njohjen e Sigurimit shqiptar të pikave të desantimit. Në BS Filbi  ra në zhgënjim, paçka se ky student i Harvardit u gradua gjeneral në BS; por pastaj sikur  këtij ia varën, se e kishte mbaruar misionin e tij kryesor, të  shpartallimit të të ashtuquajturve diversantë, në Shqipëri.  Ai u dha pas pijes dhe ndonjë autor ka treguar se kishte bremje të ndërgjegjes për atë kontribut që kishte dhënë në favor të diktaturës shqiptare. Kim Filbi kishte vdekur në mjerim, duke e quajtur veten si limon të shtrydhur.
Pavarësisht kësaj, “Plani i Zogut për rrëzimin e diktaturës së E. Hoxhës” është dhënë objektivisht, me fakte, pa interpretime subjektive. Flitet për tri takime me ‘zyrtarin e lartë amerikan’ që jepet në një kod të padeshifrueshëm: “Chief, EE – q 1”. Takimi i parë: në Uashington, më 17 gusht 1951. I dyti, në Nju-Jork, më 30 gusht 1951. I treti në Nju-Jork, më 12 shtator 1951. Kishin rënë dakord që kryengritja të paraqitej si spontane,  e nxitur nga pakënaqësia e brendshme. Zogu mendonte se amerikanët “duhej të deklaronin botërisht dhe vendosmërisht ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë”. Nëse fqinjët do të kishin pretendime territoriale “këto duheshin bërë nëpërmjet OKB-së për rregullimin e mosmarrëveshjeve”. Amerikanët duhej të merrnin garancinë nga Greqia, Jugosllavia dhe Italia, “se ato (vende) nuk do ta sulmonin ushtarakisht Shqipërinë”. Në OKB, si ish-kryetar i Shtetit Shqiptar ai do të provonte se “brenda Mbretërisë së tij nuk kishte pasur asnjë mm² truall të huaj” (Të mbahen vathë në vesh këto shprehje patriotizmi të Zogut!). Pasi shkruhet në këtë shkrim se bisedimet bëheshin pa përkthyes, vijmë te një angazhim i Zogut: “Ai mund të  rekrutonte deri në dhjetë mijë burra”. “Zogu, mandej, përmendi se armatimet; radiokomunikacioni dhe transporti do t’u liheshin në dorë (në ngarkim)  amerikanëve”.
Duke anashkaluar disa hollësi të operacionit, vijmë te një dyshim i Zogut, në lidhje me rolin e britanikëve. Vazhdojmë me citimet: “Në lidhje me Greqinë – shton dokumenti (Molla- shënim) – Mbreti shprehu frikën se britanikët mund të kenë lidhur njëfarë marrëveshje sekrete për t’iu lejuar grekëve që të pushtojnë Shqipërinë e Jugut, në këmbim të heqjes dorë ndaj pretendimeve të Qipros. Ai shtoi se besonte se SHBA-të kishin autoritetin e  duhur, nëpërmjet ndihmës ekonomike, që të detyronin Italinë, Jugosllavinë dhe Greqinë që të bënin deklaratat e duhura në favor të Integritetit të Shqipërisë”.
Le ta mbyllim këtu këtë shkrim interesant për “Operacionin Molla”, që vazhdon dy ditë të njëpasnjëshme botimi. Do të ishte e mjaftueshme për njërën nga akuzat e denigruesve smirëzinj të historisë, me hedhje të baltës për ikjen e Zogut jashtë Shqipërisë, paçka se ai kishte  lënë  Abaz Kupin që  të bënte qëndresë në Durrës. Në të vërtetë okupatori italian u përball me pushkë në të gjithë bregdetin. Sa për Zogun dhe ikjen e tij të përfolur nga shfytyruesit e historisë sonë, vetëm Leopoldi III i Belgjikës nuk iku. Bëri keq, jo mirë! Se ra në duar të gjermanëve, duke u komprometuar prej tyre dhe duke u detyruar, më vonë, të abdikonte.  Kupit, ose Bazit të  Canes, iu bënë këngë, në të cilat përmendet edhe Qemal Stafa: “Ngreu, të keqen nëna / Të do Bazi i Canes”. U bë edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm N.Çlirimtar, me lavde të shkruara nga vetë E.H.-a, përderisa nuk cenohej pushteti i Enverit, që e ndaloi ardhjen e Zogut në Shqipëri (Kongr. i Përmetit, e më parë). Lexuesi, për më tepër, mund të lexojë në “55-n” e 15 korrikut,  një shkrim dy faqesh për Kupin të gazetës, në faqet 16-17. Zogu ka qenë autoritar (me autoritet), por jo diktator. Për “vrasjet” folëm. Për patriotizmin nuk mund t’i biem cules në një vrimë me Çianon, që tradhtoi edhe të vjehrrin, Musolinin dhe u ekzekutua prapa krahësh, si tradhtarët. Aksioni “Apple” na sqaroi edhe më tepër. Po Enveri? Në kohën e mjaltit me Titon i dhuroi këtij antishqiptari vendin e Sekretarit I të KQ të PK shqiptare! (Mund të lexohet në nr.1 të Revistës së  Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Jugosllavi, paçka se kjo revistë u zhduk nga të gjitha bibliotekat dhe shitoret e librave, sapo mjalti u thartua...). As Kuislingu nuk e poshtëroi Norvegjinë sa Enveri Shqipërinë! Të vësh në krye të vendit tënd, një të huaj! Sa gjyqe politike ka kryer Zogu? Vetëm një. Me ç’ dënime? 2- 4 vjet! Madje i nxori para kohe nga burgu, në vigjilje të 7 prillit, për të mos rënë të burgosurit  në duar të zaptuesit. Po Enveri? Dënime kapitale që nuk numërohen, me akuza false, duke nxitur njërin kundër tjetrit. E kemi fjalën për bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Përndryshe, vriste pa gjyq edhe femra shkencëtare, si Sabiha Kasimatin, duke e pasur edhe shoqe klase! [Tani G. Ruçi  na del në sesion shkencor dhe na shpall “heroizmat” e M. Shehut, si veprimtar antinazist, kur krimet e Mehmetit ndaj shqiptarëve të pafajshëm,  madje edhe ndaj ushtarëve italianë të dorëzuar në vigjilje të ardhjes së gjermanëve, nuk ka oqean uji që t’i lajë . Nuk mjafton një Nuremberg, për t’i ndëshkuar! (Përgjegjësinë e ka, doemos, E. Rama , se Ruçi nuk bën asgjë, pa miratimin e kryetarit).  Atëherë duhej shpallur E. Hoxha si mashtrues, të cilit zyrtarisht i duhen hequr dekoratat e Heroit të Popullit, që e kishte shpallur M. Shehun si tradhtar e poliagjent! Dy të vërteta të kundërta nuk ekzistojnë – sipas një aforizme  të njohur. Por kjo bie ndesh me aleancat e komunistëve në koalicionin e Ramës dhe me ulërimat publike të enveristëve për të vënë sërish statujën e E.H.-s! Këto kontradikta shpjegohen  vetëm me arsyetimet kontradiktore të E.R.-s!].
Janë me dhjetëra librat që e vlerësojnë Zogun për krijimin e një Shteti Ligjor. Një vend kaotik ai e shndërroi në një vend të sigurt, me vendosjen e një rendi të mirëfilltë. Jo me mënyra groteske, si ato me efektet e ‘bojnave’ të fasadave apo me trotuare ‘të bukura’, kur i janë lënë pasardhësit 250 km. rrugë gropa-gropa që bëhen pishinë, me shiun e parë! Sa për atë që Zogu u dashka përbaltur se nuk e donte komunizmin, sot të gjithë thonë se janë antikomunistë! Edhe ata që bëjnë koalicion me katër parti komuniste! Komunistët tanë,, meqenëse kanë gjetur eldoradon në këtë vend fatkeq, kanë ideologjinë e tyre ‘sui generis’ për totalitarizmat e sh. XX: Totalitarizmi hitlerian është i keq. Totalitarizmi i kuq, ai i Stalinit, është më  i mirë! Filozofia e shejtan-budallait! E kanë hallin te fakti se Enveri ka qenë stalinist, gjer më 11 prill 1985...Propagandisti i Hitlerit, Dr. Gëbelsi, po të ishte gjallë, mund të thoshte të kundërtën, se krimet e Hitlerit janë 25  mln, ndërsa ato të Stalinit janë 100 mln! Mak Karti në SHBA i vuri në një thes dhe thesin e vërviti  në  flakadanin si atë të Torkuemadës. Dhe e ngriti zërin kumbueshëm: “Asnjë  fjalë për ata që duan të na njollosin demokracinë. Liri të plotë për pluralistët!”.
Sikur Zogu të dilte fitimtar në përçapjen e tij të jashtëzakonshme, do të ishte shpëtimtari i vendit tonë, por edhe flamurtari i lirisë së gjithë Ballkanit. Por rrethanat janë ato që janë. Pa përjashtuar edhe veprimtarinë kriminale të Kim Filbit. Duke shtuar edhe atë mjeran që hante plumbin për një kafshatë bukë  desantit,  të quajtur diversant. Na kujtohet thënia e  Bertolt Brehtit: “Nëse ne luftuam dhe u mundëm prej padrejtësisë, kjo nuk do të thotë se padrejtësia paska të drejtë”.