Home »
» Pesha e rëndë e fitores - NDRIÇM KULLA
 |
| NDRIÇM KULLA |
Është e denjë që çdo rezultat zgjedhjesh të marrë përgjigjet e duhura të analizës së votës, por në një rast të tillë, kur është kryer paqësisht dhe thellësisht një rotacion, qasja ndaj këtyre përgjigjeve duhet të priret më tepër kah e ardhmja dhe mënyra e administrimit të saj. Aq më tepër që shqiptarët, me votën e tyre të lirë spikatën një ndjeshmëri të fortë ndaj domosdoshmërisë historike dhe ekonomike të vendit. U mendua të qe vërtet një sfidë midis së majtës dhe së djathtës, madje u mendua edhe se rezultati do të qe i ngushtë. Mirëpo duket që maxhoranca e heshtur e shqiptarëve kaloi përtej ndarjeve e majtë/e djathtë, për të votuar një qeverisje pa pengesa e alibi për kryerjen e reformave për arritjen e të bekuarit status, përmes një procesi të gjatë, pa mundësi bllokimi për një qeverisje që duket të marrë përsipër barrën e rëndë të të gjitha atyre premtimeve të rilindjes që u ofroi shqiptarëve. Ndaj, ky avantazh i thellë i së majtës, ky sukses deri në skajet e triumfit, duhet të peshojë akoma dhe më shumë në supet e fituesit, pikërisht edhe për ata njerëz që ndoshta sfiduan edhe bindjet e tyre të djathta për të mos votuar ose për të votuar LSI-në me shumë gjasa, nisur nga fakti se socialistët nuk kanë një rritje në mandate nga zgjedhjet e kaluara. E patëm thënë që në mandatin e shkuar, kur LSI iu bashkua qeverisë me PD, se e majta nuk duhet të ankohet e të ndihet e tradhtuar që një copëz e saj erdhi në pushtet. Dalëngadalë ajo do të përbënte embrionin e shkallëzimit të saj kah marrjes së të gjithë pushtetit. E ja tek ndodhi një gjë e tillë, falë rritjes spektakolare të LSI-së, të ushqyer edhe nga “hisja administrative” që mori nga bashkëqeverisja me demokratët. Megjithatë, kjo votë bujare që shqiptarët me ndjeshmërinë e tyre përtej ideologjive e dhanë për një hop të ri të zhvillimeve të vendit, nëse nuk lexohet siç duhet, mund të kthehet në një burim diktati, vetëkënaqësie, deri dhe revanshi, duke parë dobësinë e opozitës së re. Aq më tepër që tani demokratët mund të ndihen akoma dhe më të dobët pas dorëheqjes së liderit të tyre 23-vjeçar. E gjitha kjo mund të shpjerë në një zbrazëti të thekshme konkurrence në votë e në numra, në një proces të sapofilluar të rinovimit të së djathtës që mundet të kërkojë kohë, e kështu mund të krijojë një dobësim të menjëhershëm edhe të atij tensioni të shëndetshëm që të jep një kundërshtar i fortë, të mosekzistencës së asaj trysnie të ekuilibrit dhe kontrollit që është aq i nevojshëm që punët e moxhorancës së re të japin sa më shumë fryte. Një frikë nga liria e këtij suksesi s’do të qe aspak e dëmshme, por përkundrazi, qasja më e mirë e mundshme e menaxhimit të saj. Ndaj, përveç peshës së madhe të revanshit që duhet përballur, është urgjente të ndihet edhe pesha e ruajtjes së ekuilibrit dhe qëndrueshmërisë ndaj mospërfshirjes në një etjeje të pareshtur të bërjes së punëve vetëm. Do të qe e dobishme dhe e shëndetshme për këtë hop demokratik që duhet të instalohet, që disa institucione të tilla kontrolluese dhe disa pushtete t’i lihen opozitës, edhe pse mund të mos i takojnë me votë. Mund të jenë të shumta arsyet që shpunë në këtë humbje të së djathtës, ndoshta kjo votë mund të lexohet edhe si një votë anti-Berishë, ndoshta është më mirë t’ia lëmë historisë dhe një objektiviteti më të kthjellët vlerësimin, por gjithsesi, nuk mund të thuhet se p.sh. ndërtimi i rrugëve anembanë Shqipërisë ose veprave të mëdha të tilla si Rruga e Kombit, rruga Tiranë-Elbasan e ndonjë tjetër, të mos vlerësohen e çmohen si meritë e së djathtës dhe udhëheqjes së Kryeministrit të saj, zotit Sali Berisha. Ndoshta duhej përdorur një strategji ndryshe elektorale, ndoshta duhet të ishin konsideruar më herët ndikimet ekonomike të krizës mbarëbotërore dhe të merreshin masa ndërhyrëse. Gjithsesi, epoka e Sali Berishës mbaroi dhe Sali Berishës nuk do t’ia errësojë dot askush kontributin e madh historik që ka dhënë për demokracinë dhe rindërtimin e vendit, por e ardhmja dhe e majta që tani e tutje nuk duhet të përballet me humbjen e së djathtës, përkundrazi, duhet t’i bëjë llogaritë me peshën e rëndë të suksesit që i dha vota popullore, e veçanërisht me atë fillim të ri që ky sukses duhet të hapë për Shqipërinë. Është një rast i madh që vota e lirë e jep rrallë, ndaj çdo qeverisës i së ardhmes duhet t’i afrohet asaj me drojë, e gati-gati me një ndjesi frike, se mos dështon në premtimet dhe sfidat që ajo i fal. Kjo do të qe qasja më e denjë që mund t’i bëhet leximit të kësaj vote. E ndoshta shenjat e para të peshës së rëndë të suksesit u dukën qartazi dhe me një gjuhë vërtet të gjetur në fjalimin e parë të kryetarit të opozitës, zotit Edi Rama, tashmë që është në pushtet, pasi e ka ndjekur atë me aq forcë gjatë gjithë këtyre viteve. Ndoshta i shtendosur, ndoshta i këshilluar, ose ndoshta dhe i detyruar, përsëri ajo qe një pikë kulmore e ligjërimit politik të këtyre 20 viteve, pavarësisht se ruante një ngjyrim të theksuar të diskursit politik amerikan. Terma të tillë si “unë e dua vendin tim dhe do ta vë atë mbi veten dhe mbi partinë”, janë një program, një mision i tërë për liderin e socialistëve, që kërkon një ndërmarrje titanike personale për t’u realizuar. Ndoshta kjo është një peshë tjetër e rëndë që kjo qeverisje duhet të mbajë për të përmbushur fjalën e dhënë, por pavarësisht sa e vështirë, me sa tatëpjeta mund të duket kjo barrë e rëndë për t’u ngritur e me sa ndërhyrje qoftë edhe nga miqtë, bashkëpunëtorët dhe aleatët e ditëve më të vështira, do të qe në dinjitetin dhe forcën e një lideri që të ndjekë udhën e vet dhe t’i japë këtij ligjërimi të spikatur politik konkretësinë dhe domethënien reale. Ndoshta duke punuar kokulur, ndoshta edhe pak e kërrusur nga pesha e suksesit, e ligjërimeve të tilla dhe e premtimeve të dhëna, maxhoranca e re mund të duket se nuk po e shfrytëzon gjithë fuqinë dhe pushtetin që i kanë dhënë numrat, por të jetë e sigurt se do të duket më e denjë dhe fisnike në sytë e njerëzve, qoftë edhe të atyre që e votuan. Kjo do të qe vërtet një fillim i mbarë i atij fillimi të ri që kjo votë popullore dëshiron të hapë.