Artistë dhe publicistë në vend vlerësojnë se liderët politik shqiptar për 20 vjet nuk kanë shprehur interesin e duhur për zhvillimin e kulturës shqiptare, përderisa Qeveria ndan miliona euro për evenimente të ndryshme të kulturës maqedonase.
Sipas tyre, qeveritarët maqedonas diskriminojnë pjesën shqiptare, ndërsa për ngjarjet kulturore maqedonase japin miliona euro.
Aktori i njohur shqiptar, Bajrush Mjaku thekson se problemi kryesor është se zyrtarët përgjegjës shqiptarë nuk janë kujdesur për t’u përfshirë në këshillat dhe bordet e ngjarjeve kulturore në republikë, si në rastin e “Vera e Ohrit”, apo festivalit të teatrove profesionist të Maqedonisë “Vojdan Çërnodrinski” në Prilep.
“’Vera e Ohrit’ organizohet për çdo vit. Dikur ka pasur vetëm një shqiptar sa për të thënë që është një. Edhe në rast se është vetëm një shqiptar, ai duhet të jetë i aftë për seleksionim, prezantim të mirëfilltë të një projekti teatror, muzikor apo të artit figurativ.
Problemi kryesor është se nuk kemi pasur nëpër ato borde ndonjë artist shqiptar, të cili nuk do të shkojnë të jetë prezent vetëm për numër, por që do të di të luftojnë, t’i bie tavolinës dhe të sjellë në ato evenimente vlera të mirëfillta”, ka deklaruar Mjaku.
“Në qoftë se sivjet janë akorduar mbi 66 milionë euro, aq sa më kujtohet mua, në bazë të buxheti republikan për vitin 2013, atëherë shqiptarëve do t’u takonin 22-22 milionë euro.
Por, jo që nuk ke 23 milionë, por nuk ke as 1 milion. Edhe ato 2-3 milionë që i dedikojnë për Teatrin e Shkupit, Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës, aspak nuk janë harxhuar”, thotë nga ana tjetër publicisti Azam Dauti./Zhurnal/






