Një jetë me kitarën dhe serenatën korçare

Serenatisti 78-vjeçar, Dhori Polena, rrëfen dashurinë për muzikën që në moshën 7-vjeçare

Polena ka krijuar dy albume origjinale dhe mbetet një prej serenatistëve më të njohur të qytetit

Gëzim Ashimi


Në një lulishte të qytetit të Korçës, shumëkush nga të moshuarit e kalon kohën duke luajtur domino, ndërsa 78-vjeçari Dhori Polena bisedon e çlodhet pak me të njohurit e pastaj shkon e mbyllet në shtëpi. Atje, krejt i vetëm, merr kitarën dhe ato motivet e këngës që ka përsëritur në mendje, i këndon sërish dhe i regjistron në magnetofon. Kështu ka arritur të krijojë dy albume me këngë serenatash, një duzinë prej të cilave krijime origjinale të tij, ndonëse mund të quhet një lloj amatori si kompozitor. Jo vetëm nga mosha e vjetër, por ai mbetet një prej serenatistëve më të njohur të qytetit, sepse këngët e tij pëlqehen së tepërmi e siç thotë edhe vetë, janë përhapur gjithandej. Ka diçka prej Homeri te ky i moshuar korçar, që me një vështrim të mjegulluar prej vitesh nga puna si furrxhi duket se arrin të shikojë më shumë me sytë e shpirtit për të arritur të pasurojë serenatën korçare me krijime të reja. “Serenata është ajo që më mban gjallë dhe me këtë zë që e kam njësoj si 20 vite më parë, nuk do të ndaloj të këndoj derisa të rroj”, thotë Dhori Polena.

Kitara dhe serenatat

Ka një jetë prej afro 70 vitesh që pasionin e tij e ka lidhur me serenatën korçare. Dhori tregon se që në moshën 7-vjeçare ka kënduar së bashku me motrën e tij dhe babanë, duke përbërë kështu një kompleks të vogël në shtëpi. Kur ishte 15 vjeç, te fqinjët serenatistë filloi të mësonte kitarën dhe më pas frekuentoi për mësime me nota të kësaj vegle muzikore edhe kishën katolike në qytet. Një djalosh i ri, Dhori filloi të aktivizohet me korin e ndërmarrjes së artizanatit, që kishte drejtues të njohurin Pavllo Sholla. “Hyra në një zanat furrxhiu për të pasur një rrogë më të mirë, por edhe për të pasur më shumë kohë që të isha i pranishëm në prova e koncerte të grupeve artistike, por nga kjo punë, e kam pësuar, sepse tani jam si gjysmë i verbër”, thotë Dhori Polena për jetën e ndërthurur mes punëtorit dhe artistit. Ka qenë një periudhë kur serenata nuk lejohej të këndohej publikisht, me pretekstin se prishej qetësia, sidomos natën vonë nëpër rrugët e Korçës. Dhori dhe serenatistë të tjerë, shkonin në kodrat mbi qytet, por ndodhte që edhe e shkelnin kur rrëkëllenin ndonjë gotë më shumë dhe atëherë përfundonin përpara punonjësit të policisë së lagjes apo edhe të mbajtur për një natë të tërë në izolim policor. Aty nga viti 1994 pati një iniciativë të lavdërueshme në Korçë për organizimin e të parit festival të serenatës. Sapo dëgjoi njoftimin e dhënë në televizionin lokal, Dhori u interesua për të qenë pjesëmarrës i këtij festivali, që i hapi rrugë edhe krijimtarisë së mëtejshme e të organizuar si serenatistit. Bashkëpunimi me kompozitorin Grigor Çani i bëri të mundur krijimin e albumit të parë me serenata të vjetra korçare. E që prej atyre viteve, ai nuk mungon në asnjë veprimtari, ku spikatet kjo këngë qytetare korçare. Afro 3 muaj më parë, ka nxjerrë edhe albumin e dytë, me krijime origjinale të tij, për të cilat, siç thotë vetë, kujdeset që të mos kenë ndikime greke apo italiane, por të përcjellin serenatën puro korçare.

Zemra që s’ka trishtim

I përzemërt me të gjithë dhe me një sinqeritet gati fëmijëror, Dhori Polena duket sikur ato 78 vite që ka mbi supe, i ndien vetëm me peshën e serenatës. Disa vite më parë, i ka vdekur gruaja dhe tashmë jeton i vetëm në apartamentin e tij, pasi të dy djemtë i ka emigrantë në Greqi. Njëri prej tyre, më i madhi ka shprehur dashamirësinë që të paguajë për krijimin e albumit të dytë me serenata të të atit. Një mbështetje që ka edhe trashëgiminë në mes, pasi edhe vetë Dhori është rritur në një familje ku këndohej serenata dhe tashmë i biri që e pëlqen muzikën, ka zgjedhur të financojë albumin me këngë të babait të vet. Dhori nuk qahet për asgjë, edhe pse ai vetë e di sesa i mungon gruaja, fëmijët, sesa ia vështirëson jetesën në pleqëri sëmundja e syve dhe sidomos të jetuarit i vetëm. Megjithatë, ai vazhdon të ketë ngrohtësinë e serenatës që e këndon dhe e kompozon vetë. Duke mos i lënë asnjëherë vend trishtimit e halleve të moshës. “Unë vetë nga natyra jam shumë optimist dhe këtë e dëshmoj edhe në një prej serenatave që kam krijuar, ku thuhet se zemra ime nuk njeh trishtim”, pohon artisti korçar, i cili gëzimin dhe dashurinë për jetën nuk resht së përcjelli edhe me serenatat e tij.