Tani që zonjusha Krizë po i prek, diku më shumë e diku më pak, familjet shqiptare, është bërë gati diçka e rëndomtë të shohësh njerëz që blejnë “me listë”, siç thuhet. “Me listë”, për ata që blejnë pikërisht në këtë mënyrë, ka kuptimin e dhimbshëm të furnizohesh, çdo ditë, kryesisht me ushqime e prodhime të tjera të domosdoshme, por pa paguar ngaqë nuk disponon fondin e nevojshëm për këtë; pastaj, kur merr rrogën qesharake, pensionin e pamjaftueshëm ose gjen ndonjë të ardhur tjetër të mjerueshme, shkon e shlyen borxhin. Dhe kështu çdo muaj të vitit. Për këtë fajin e ka zonjusha Krizë, sigurisht, por edhe qeveria blu ende në funksion, siç do ta ketë në shtator qeveria e ardhshme rozë, dhe kjo për arsye se zonjusha Krizë nuk pyet për ngjyrat e politikës, siç nuk pyeti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Spanjë, Portugali, Francë, Itali e gjetiu, pa përmendur vendet e botës së ashtuquajtur në zhvillim, ku përfshihet edhe Shqipëria jonë e vogël, por me probleme të mëdha. “Me listë” blihen prodhime të tilla si buka, vaji, mishi, mielli, orizi, fasulja, gjalpi, djathi, gjiza, sapuni e detergjentet etj., etj.
Nga kjo listë tashmë janë hequr: uji me shishe (uji i çezmës na qenka krejt i pijshëm, prandaj edhe i është ngritur sadopak çmimi kohët e fundit), letra higjienike (gazetat sikur e kanë holluar letrën, pastaj një spërkatje e lehtë paraprake me ujë krijuaka zbutjen e dëshirueshme; gjithsesi, lamtumirë letër higjienike me parfum pjeshke, portokalli apo luleshtrydheje: ç’luks idiot për prapanicën që nuk e mohon kurrsesi parfumin e saj të mirëfilltë bio!); deodorantët (pak sodë buke në secilën sqetull, si në kohën e qepës moniste, dhe era e djersës, megjithëse bën vapë e madhe, asnjanësohet gati për mrekulli), kremrat hidratues (lëkura e kastravecit dhe ajo e patates ta lëmojnë fytyrën shkëlqyeshëm); pasta e dhëmbëve (pak sodë buke e pak kripë mbi furçë dhe, hop, dhëmbët e mishrat e tyre ndihen për bukuri!). Sidoqoftë, duke lënë mënjanë ushqimet, njeriu me ndërgjegje të shqetësuar në këtë kohë krize, mund të pyesë me shumë të drejtë: A ka ndonjë listë për prodhime të tjera si ilaçet, rrobat e këpucët? Nuk e kam fjalën për atë tip liste që quhet kredi (për blerje shtëpish, ndër të tjera), por për një sërë produktet të nevojshme, midis të cilave edhe ato kulturore, si për shembull, librat, CD-të dhe DVD-të.
Ah, meqë sapo përmenda librat, dua t’i bëj të ditur lexuesit tim të vëmendshëm e të paanshëm se një botues mjaft i njohur, tek i cili edhe unë kam botuar dy a tre libra, më mësoi, për keqardhjen time të madhe, se shitja e librave të tij kishte rënë me 60 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. I shqetësuar nga kjo e dhënë e frikshme, që tregon se zonjusha Krizë po ndihet edhe në rrafshin kulturor, vajta te disa librarë të njohur të Tiranës, të cilët, fatkeqësisht, më konfirmuan se shitja e librave ka rënë ndjeshëm. Prej atyre mësova gjithashtu se, me përjashtime të rralla, askush nuk blen libra “me listë”! Rrjedhimisht, i bie që produkti kulturor me etiketën “libër” të bjerë më rrallë në duart e lexuesve të varfër nga kuleta, ndonëse të pasur në shpirt. Sigurisht, përdorimi masiv i Internetit dhe “zbavitjet” e shumta që shoqëria e konsumit u vë në dispozicion të rinjve e kanë ulur numrin e lexuesve, por edhe varfëria e shkaktuar nga zonjusha Krizë ka gisht në këtë dukuri negative.
Sa për t’i shuar kureshtjen lexuesit tim mik besnik të librave, do t’i them se këtë vit nga gjithë studentët e tri viteve të ciklit të parë, në Departamentin e Frëngjishtes të fakultetit ku jap mësim, vetëm njëra, J. F., është leximtare, d.m.th. lexuese e nivelit tepër të lartë (me 1500-2000 faqe të lexuara çdo muaj dhe me një rekord ditor prej 300 faqesh). Por ndoshta do të më duhet ta pyes nëse i rastis të blejë libra, pra, ushqim shpirtëror, “me listë”. Po me shokët dhe shoqet e saj, çfarë ndodh vallë?
Nuk lexojnë ngaqë e kanë hequr librin nga “lista” e produkteve të domosdoshme, apo ngaqë parapëlqejnë “zbavitje” të një natyre tjetër? Si përfundim, kam përshtypjen se një pjesë jo e papërfillshme e bashkatdhetarëve të mi po jetojnë sot “me listë” si nga pikëpamja materiale, ashtu edhe nga ajo shpirtërore. Sa realitet i trishtueshëm!