Tërbohet pa duhan, tenton të
hapë derën e avionit në fluturim
Një banor i Nju Jorkut detyroi dy linja avioni që të realizonin ulje urgjente brenda 12 orëve, pasi i tërbuar nga pamundësia për të pirë duhan, tentoi të hapte derën e kabinës në fluturim për të pasur mundësi që të tymoste. Në të dy rastet, mashkulli me tipare kaukaziane dhe folës i rusishtes ndezi fillimisht cigaren brenda kabinës, përpara se të përpiqej që të hapte dyert e emergjencës që ndodhen në trupin e avionit për ajrosje. Herën e parë, ai detyroi fluturimin nga Las Vegasi në Karolinën e Veriut që të ulej në Albuquerque, ndërsa herën e dytë, disa orë më pas, detyroi një linjë të “US Airways” të ulej në mënyrë të paplanifikuar në Kansas, për të larguar nga lista e pasagjerëve udhëtarin e “çmendur”. Në rastin e parë, ai u intervistua nga autoritetet, por u la të largohej, ndërsa në përsëritjen e veprimeve të tij irracionale, që vendosën në rrezik dy fluturimet, duhanpirësi u shoqërua në qelinë e paraburgimit. Mbetet ende e paqartë nëse nga qelia do të lejohet që të tymosë sa të dëshirojë.
Femrat, sa më shumë në karrierë,
aq më shumë tradhtare bëhen
aq më shumë tradhtare bëhen
Nuk janë vetëm meshkujt të prirur për tradhëti. Por edhe femrat. Sidomos ato që kanë shumë ndikim në vendin e tyre të punës dhe kanë një status social të lartë. Studim i kësaj dukurie është bërë shkak i një studimi të kryer në Holandë,nga Universiteti Tilburg dhe është drejtuar nga psikologu Joris Lammers. Sipas të cilit, sa më shumë karrierë bën një femër, aq më e pritur është t’u drejtohet lidhjeve jashtëmartesore. “Meshkujt besojnë se sa më të fuqishëm të jenë apo me pushtet,aq më të lehtë e kanë për t’i mashtruar njerëzit, -thotë Lammers, -por në qoftë se ky person është një femër, kjo nuk ka asnjë ndryshim në lidhje me sjelljen aq ajo shfaq ndaj tradhëtisë.” Studimi përfundon me citimin e faktit se vetëbesimi i femrës rritet hap pas hapi,së bashku me ambicien për pozitën e saj shoqërore. Duke ndikuar kështu në rënien e pragut të saj të moralit. “Sot, femrat lidere, po shihen gjithnjë si homologët e tyre meshkuj, -përfundon Lammers, dhe kjo mund të çojë në adoptimin e tyre të sjelljeve negative, të tilla si tradhëtia, të cilat deri më tani ishin menduar si një monopol vetëm i meshkujve”.
Njeriu pa 1/3 e kafkës fiton 58 mln $
Një piktor fitoi një dëmshpërblim prej 58 milionë dollarësh, pasi truproja i një lokali nate e rrahu në mënyrë brutale, duke i shkaktuar dëmtime të tmerrshme në tru. 43-vjeçari Antonio Lopez Chaj u shoqërua në spital në fund të jetës dhe mjekët u detyruan t’i hiqnin 1/3 e kafkës për ta shpëtuar. Si rrjedhojë e dëmtimeve, Chaj ka nevojë për asistencë të vazhdueshme dhe vuan ndërlikime në shumë aspekte të jetës, përfshirë kufizimin e aftësisë për të ecur. I gjithë faji i Chaj për këto dëmtime të pabesueshme ishte një zënkë që pati me një truprojë të një lokali nate, që nisi ta rrihte, ta qëllonte me një shufër hekuri dhe ta shkelmonte në kokë ndërsa ishte i rrëzuar. Dëmshpërblimi i caktuar nga një gjykatë në Kaliforni e që duhet të paguhet nga lokali i natës është më i larti në historinë e shtetit, dhënë ndaj një njeriu të vetëm.
Rivalitet mes ndërmarrjeve, menaxherët ndeshen në ring
Menaxherët japonezë kanë një mënyrë të re për tu përballur, me doreza boksi. Në Tokio u mbajt Executive Fight Night, gjatë së cilës 14 drejtues ndërmarrjesh, të ardhur nga shtatë vende të ndryshme, u ndeshën në ring. Eventi në fjalë u organizua nga Ginja Ninjas, një ndërmarrje e themeluar nga ish-punonjës që ishin mërzitur menjëherë pas punës, për faj të shefave të tyre, të cilët vendosën që menaxherët kanë nevojë për një mënyrë për tu shfryrë për të shkarkuar agresivitetin, duke evituar që të jenë punonjësit që të rezistojnë. “Duam të favorizojmë një erë të re për shëndetin e menaxherëve të stresuar në Tokio, me një event boksi pa precedent që është bërë një pikë referimi, për eventet sociale në Tokio”, thuhet nga ana e organizatorëve. Menaxherët që të gjithë pa eksperiencë në boksin me doreza, iu nënshtruan një stërvitje prej 12 javësh me trajnerë profesionistë.
Martohen 15 metra nën ujë
Një premtim martese nën ujë, në një thellësi prej 15 metrash u celebrua nga një çift italian i cili vishte rroba nënujore, në vend të fustanit të bardhë dhe kostumit dhëndëror. Bashkë me ta ishte edhe kryebashkiaku i Bacoli (Itali), Ermanno Schiano, i cili gjithashtu mbante veshje nënujore. Çifti në fjalë janë Fabio Petricelli 33 vjeç dhe Daniela Coppola 29 vjeç, të cilët zyrtarizuan martesën e tyre në gji, në një vend të quajtur kulla e Bacoli në Napoli, përpara 40 vetave, ndërsa mbanin kostume zhytje dhe bombola oksigjeni. Ceremonia e tyre e martesës u shoqërua me brohoritje dhe entuziazëm. Ovacionet u shtuan kur çifti preu pak më vonë tortën.






