Nga Artan Fuga
Ata shajnë duke përdorur shprehje që metaforikisht shprehin dëshirën për të bërë seks të dhunshëm me nënat e miqve të tyre me të cilët janë inatosur për një çast, me nënat e rivalëve, të atyre që kanë pretendime pronësore, me ato të armiqve, me të gjithë, edhe me ato të atyre që pa dashje u kanë gërvishtur veturën apo i kanë prekur me bërryl.
Sharja përplaset te veshët: Ta…!
Shpesh është thjesht një shprehje, sigurisht pa veprim shoqërues, por nga shpirti libidoja agresive del si dëshirë përdhunuese e nënës dhe e motrës së gjithkujt. Nuk ka rëndësi se mund të jesh jetim apo se nuk ke fare motër. Je i përdhunuar edhe më keq, sepse përdhunohet ideja e motrës dhe e nënës.
Sharjet janë të shpeshta, nuk ka rëndësi që fjalitë kërkojnë të të përdhunojnë nënën, lopën, macen e shtëpisë apo makinën qepëse që ta ka lënë trashëgim gjyshja.
Kërcënimi i tjetrit me sharje përdhunuese është pjesa kryesore ku përdoret sot shqipja popullore nga barbarët. Dilni njëherë pa veturë, pa Honda, ose pa motor Vespa, ose pa karrocë me kushineta të vjedhura nëpër rrugët e qyteteve dhe fshatrave dhe do të konstatoni se statistikisht një nënë shqiptare përdhunohet disa herë në ditë nga brezi i ri i mashkullimit shqiptar.
Ah ta…! dhe inati bie sikurse dashnori i lodhur nis ta zërë gjumi mbi kanape, pasi ka bërë seks. Në fakt, po t’u besojmë fjalëve, Shqipëria ndoshta edhe më gjerë i ngjan një bordelloje të madhe, ku barbarët përdhunojnë nënat dhe motrat e njëri-tjetrit si fiset e vjetra ostrogote që habitën krishterët, pasi i zaptuan me rënien e Perandorisë Romake bazuar te Krishtërimi.
Sigurisht një shprehje është, por sa kuptimplotë!
Në fakt, kërkohet të përdhunohet gjëja më e shtrenjtë e njeriut. Kjo tregon në fakt se sa shqiptari është ende në matriarkat zakonor.
Jemi fise të vjetra ne!
Ruajmë zakonet e vjetra sikurse gjuhën më të vjetër të Ballkanit. Greqishtja nuk është veçse një rekrut disaditor krahasuar me vjetërsinë tonë në armatën e gjuhës, kurse serbishtja ende një foshnje.
Ta…!
Nënën, se ajo dhemb më shumë. Mizoria gjuhësore shkon në kulm, pa apel, pa rrethana lehtësonjëse, “Ta…!” sepse më stërkale, sepse më preke me bërryl, sepse më derdhe kafen.
Ne dënojmë tjetërpërtjetër.
Jemi fise të vjetra. Tjetër kemi inat, tjetër përdhunojmë. Kemi vështirësi për të identifikuar personin tjetër, skizofreni absolute.
A nuk vrasim ne edhe tjetër për tjetër!
E vrava sepse vëllai i tij më kishte vrarë vëllain. Kështu edhe koncepti i personit human individual vihet në dyshim. Ku është njeriu? Jemi fise të vjetra. Ne nxehemi me dikë dhe i përdhunojmë nënën gojarisht, sepse nuk e bëjmë dallimin midis birit dhe nënës.
Edhe aktin më sublim në kënaqësinë njerëzore e kemi quajtur si aktin më ndëshkues ndaj femrës, më shumë, ndaj nënës së tjetrit.
E torturojmë tjetrin duke marrë kënaqësi instinktive shfryrje seksuale për veten.
Sot në pyll pashë dy breshka që po kryenin marrëdhënie seksuale dhe zhguajt e tyre përplaseshin si daulle me njëri-tjetrin. Breshku po përdhunonte breshkën, e cila nuk e kuptoja se përse ikte me vrap nëpër ferra. Djali i vogël e pyeti babain e vet se cili prej tyre ishte mashkulli dhe femra.
Ta… breshkën!
Por, do të isha shumë i padrejtë nëse shprehjen: ta…! do ta trajtoja veçse në formën kërcënuese, sepse ajo merr edhe trajta të mirëfillta lavdëruese, mikluese.
Mjafton një ditë të dal në rrugë pa Vespën time dhe format e trajtat e shqipes barbare më shfaqen me të gjithë larminë e tyre. Është e gjithë antropologjia gjuhësore e barbarëve si unë që zbulohet vetiu.
Në Tiranë mund të bëhesh me çmim “Nobël” pa lëvizur nga rruga “Myslym Shyri”.
Ai është për t’ja…! – kjo shprehje është kulmi i vlerësimit për tjetrin, për zgjuarsinë e tij.
Të bësh seks me pahir me nënën e tij është sikur t’i japësh një dekoratë nga ana e Presidentit të Republikës.
Ah çfarë je ti! Ti je për ta…! Dhe tjetri qesh, mburret, fryhet, sepse ka merituar lavdërimin barbar më të lartë.
Imagjinoj fletë lavdërime ose çmime kult me titullimin: “Meriton çmimin që t’i…! për romanin filan apo për rolin e kapterit te filmi filan!”
E gjithë salla ngrihet në këmbë dhe duartroket me frenezi. Dikush mërzitet dhe i thotë gruas se i është bërë padrejtësi meqë, sipas tij do të ishte ai dhe jo tjetri që do ta meritonte këtë çmim.
Unë jam për të ma… nuk është ai për t’ia… Botë e padrejtë!
Por, ka edhe më. Variantet e seksit me simbolikën mëmësore.
Edhe kur dikush lodhet apo mundohet shumë, kur dëshiron që këtë lodhje t’ia njohin të tjerët, përsëri nis të konstatojë se kjo lodhje krahasohet me atë që i kanë përdhunuar nënën. Në këtë rast shprehja “Ta…!” kthehet në “M’u…!”
Barazohet një lodhje përtej kufijve, ndoshta e padrejtë apo e detyruar me marrëdhëniet seksuale të nënës së vet. Nuk kuptoj se përse e paragjykojnë këtë pjesë të jetës mëmësore, kur ajo është një anë sublime dhe procesi gjenetik që qëndron në zanafillë të jetës edhe të atij që shan apo lavdëron veten apo të tjerët.
Ta…!
Mbi të gjitha ne nga fakti se cilin vendosim si vepruesin në fjalinë logjike “ta…! ” tregojmë konceptin stërgjyshor që kemi edhe për marrëdhënie gjinore.
Jemi fise të vjetra.
Mashkulli është te gjuha jonë etimologjikisht një përdhunues, femra, edhe kur është në një marrëdhënie të vullnetshme dëshire seksuale, gjithmonë konsiderohet se pëson seksin.
Breshku gjëmon breshkën nëpër ferrishte ranore.
Breshka vrapon për të shpëtuar.
Jemi viktima iluzionesh që i kthejmë në sharje.
Shajmë dhe qetësohemi.
Ta…!






