Kina rrezikon të ndjekë Japoninë në komën ekonomike

Megjithëse një vend ende i varfër, Kina po përballet me një sektor krediti shumë të fryrë dhe me investime publike, të cilat realisht nuk nxjerrin fitime. Përgjigjet e qeverisë janë të ngjashme me ato të Japonisë dy dekada më parë

Analiza

Wayne Arnold, Reuters


Pas shumë dekadash kopjimi të mrekullisë ekonomike japoneze të prirur nga rritja e eksporteve, Kina duket se është përballë rrezikut të vijimit në të njëjtën lloj kome ekonomike nga e cila Japonia po përpiqet të zgjohet që prej 20 vjetësh.

Kina po përpiqet të shpëtojë veten nga vesi i mësuar nga fqinji i vet më i zhvilluar: varësia nga rritja e prirur nga eksportet si dhe nga investimet e furnizuara nga tregu i kreditit. Kjo e ka lënë ekonominë e saj të shtrembëruar, thonë ekonomistët, me investime masive të tepruara në prona dhe industri, të cilat po humbasin me shpejtësi avantazhet e tyre në kosto, nga minierat, tek elektronika, te makinat dhe tekstilet. Pagat po rriten ndërsa fitimet mbi investimet e reja po ulen me shpejtësi.

Ndërsa rritja po ngadalësohet, presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe kryeministri Li Keqiang, duken të vendosur për të shmangur një krizë financiare të stilit amerikan me falimentime në shkallë të gjerë dhe me humbje vendesh pune.

Përpjekjet për parandalimin e një krize të tillë, thonë ekonomistët, mbartin rrezikun që në vend që të krijohet një rritje më e qëndrueshme, të krijohen banka parazitare dhe kompani që thithin jetë nga ekonomia reale, siç ndodhi në Japoni.

Shto këtu edhe popullatën që po plaket më shpejt nga sa u plak në Japoni. Të gjitha këto i shtyjnë ekonomistët të mendojnë se ndoshta përpjekjet e Kinës janë të pamundura për të qenë të suksesshme.

“Ka shumë përpjekje për të mohuar. Njerëzit mendojnë se demografia nuk ka rëndësi”, thotë Chetan Ahya, kryeekonomist për Azinë në “Morgan Stanley” në Hong Kong. “Unë jam i shqetësuar për rrezikun për deflacion”.

Deflacioni mund të duket i pamundur në një ekonomi që vijon të rritet me 7.5 për qind në vit dhe ku çmimet e mallrave të konsumit po rriten me 2.7 për qind në vit. Por ekonomistët paralajmërojnë se Kina në shumë drejtime i ngjan Japonisë së vitit 1989, dy vjet para krizës.

Njësoj si Japonia, Kina u bazua te bankat për të nxitur investimet në industritë eksportuese për të krijuar vende pune dhe për të financuar zhvillimin e vet. Për këtë arsye, normat e interesit u rregulluan në mënyrë të tillë që bankat të siguronin fitime të shëndetshme. Për shkak se kreditë më fitimprurëse qenë ato për kreditorët me më pak rrezik, bankat i përqendruan kreditë e veta te kompanitë e mëdha nën pronësi shtetërore.

Njësoj siç bëri Japonia më 1980, Kina u përpoq të shërojë këtë problem pjesërisht duke liberalizuar sektorin financiar, duke krijuar qendra të reja finance, një treg bondesh dhe kredidhënie të tjera jobankare. Por njësoj si në Japoni, kjo masë nxiti bankat të kreditojnë më shumë, por jo më mirë, duke krijuar një flluskë në çmimet e pronave të patundshme. Gjërat shkuan më keq më 2009-n, kur Kina filloi një program stimuli përmes kreditimit me vlerë 4 trilionë juanë për të kundërbalancuar efektet negative të krizës botërore.

Ndërsa Japonia pa se si kreditimi për ekonominë u rrit nga 127 për qind e PBB-së më 1980 në 176 për qind më 1990, krediti në Kinë u rrit nga 105 për qind në vitin 2000 në 187 për qind vitin e kaluar, sipas vlerësimeve të “JPMorgan Chase”.

Rrezik kredish

Problemi i Kinës aktualisht është që çdo juan i investuar rishtas jep kthime gjithnjë e më të pakta në shtesën e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ngadalësimi sakaq po krijon shenja presioni deflacionar: çmimet e prodhimit kanë vijuar të ulen për 16 muaj me radhë dhe “Morgan Stanley” vëren se kostoja reale e huamarrjes prej 8.7 për qind është më e lartë se sa ritmi i rritjes së ekonomisë.

Një rrezik, për rrjedhojë, është që reformat e Kinës të ngadalësojnë rritjen aq sa të shkaktojnë një valë falimentimesh që trondisin të gjithë sektorin financiar.

“Është shumë e rëndësishme të ngadalësohet rritja e kreditit”, thotë Grace Ng, kryeekonomiste për Kinën në zyrën e “J.P. Morgan” në Hong Kong. “Por nëse ne ngadalësojmë tepër, atëherë ka rreziqe të mëdha edhe për ekonominë reale”.

Rreziku më i madh, thotë ajo, si dhe ekonomistë të tjerë, është që Pekini të synojë të shmangë trazirat sociale, duke i lejuar bankat të mbajnë në punë kredimarrësit në telashe përmes riskedulimit të kredive të tyre, siç bënë bankat e Japonisë në vitet 1990, gjë që i ndalon bankat të investojnë në sipërmarrje të reja më fitimprurëse.

Përpjekjet e kohëve të fundit nga Pekini për të shmangur ngadalësimin e rritjes ekonomike po marrin vlerësime të ndryshme. Njoftimi i javës së kaluar nga kryeministri Li, që thoshte se Pekini mund të shkurtojë taksat në bizneset e vogla, si dhe do të ulë kufizimet për importuesit, shihet si një veprim pozitiv, ndërsa rritja e kreditit për tregtinë e jashtme dhe rritja e shpenzimeve për ndërtim hekurudhash janë veprime që shihen si ndërhyrje shpëtimi në miniaturë për biznese që nuk janë më fitimprurëse.

Disa ekonomistë e shohin lëvizjen e Bankës Qendrore të Kinës këtë muaj, e cila vendosi të eliminojë dyshemenë mbi interesat e kredive si një hap pozitiv në drejtim të përcaktimit të çmimit të kredive sipas normës së rrezikut dhe pa ndikimin e politikës. Të tjerë mendojnë se kjo lëvizje është gjithashtu shumë e ngjashme me Japoninë, e cila me veprime rregullatore ndihmoi bankat të rifinanconin kreditë për klientët më të mirë në mënyrë të tillë që kursimet të transferoheshin te kredimarrësit në më shumë nevojë.

“Për shkak se normat e fitimit do të ulen, bankat do të përpiqen të rrisin volumet e kreditit duke reduktuar cilësinë”, thotë Wataru Takahashi, një ish-zyrtar i Bankës së Japonisë që tashmë është profesor në Universitetin e Osakës. “Kjo është pikërisht historia e bankave të Japonisë në fund të viteve 1980”.

Japonia mund të ofrojë gjithashtu zgjidhje

Disa ekonomistë mendojnë ndërkohë se ngjashmëritë po ekzagjerohen. “Krahasimi i Kinës me Japoninë e viteve 1990 është disi i tepruar”, thotë Changyong Rhee, kryeekonomist te Banka Aziatike për Zhvillim në Manila.

Kina ka një nivel shumë të ulët zhvillimi dhe sipas Rhee e të tjerëve, kjo i jep një hapësirë që Japonia tepër e pasur e dy dekadave më parë nuk e kishte. Provincat e brendshme të varfra të Kinës nuk vuajnë nga shfrytëzimi i tepërt i burimeve dhe brenda një kohe të shkurtër, Kina mund të ketë me të vërtetë nevojë për projektet infrastrukturore që sot duken si investime të ekzagjeruara dhe të paleverdishme.

Ndërkohë, nxitja e Kinës për të dërguar më shumë njerëz nga fshati në qytet është një burim tjetër rritjeje. Por një nivel më i ulët zhvillimi mundet ta bëjë gjithashtu më të vështirë shmangien e dobësive në rritjen e vendeve të punës. Dhe urbanizimi mund të mos jetë kaq i fuqishëm sa ishte në të shkuarën: më shumë se gjysma e kinezëve sakaq jetojnë në qytete, ndërsa mosha mesatare e vendit është 40 vjeç dhe rrjedhimisht jo shumë e gatshme nga pikëpamja demografike për të ndryshuar vendbanim në kërkim të mundësive të reja.

Në fund, mund të jetë demografia ajo që do ta çojë Kinën më ashpër në shtegun deflacionar të Japonisë. Falë politikës së saj për një fëmijë, popullata në moshë pune e Kinës sakaq është duke u pakësuar. Kjo është çfarë i ndodhi Japonisë më 1990, gjë që solli konsum më të ulët dhe norma rritjeje shumë më të ulëta.

Zgjidhja mund të gjendet gjithashtu në Japoni, ku qeveria po e lufton deflacionin me politika të reja agresive të uljes së kostos së huamarrjes dhe përmes rritjes së shpenzimeve publike.


“Dy gjëra janë të nevojshme për të shmangur deflacionin dhe një flluskë kredish”, thotë Ahya te Morgan Stanley. “Njëra është politika të mira fiskale dhe monetare dhe tjetra është reforma strukturore”.