Këshilli i Evropës i kërkon Maqedonisë të kryejë një regjistrim të plotë të popullsisë

“Southeast European Time”


Ekspertët thonë se një regjistrim duhet të organizohet vetëm në qoftë se mund të mbahen standarde ndërkombëtare

Me kërkesën e Këshillit të Evropës, qeveria maqedonase po shqyrton praktikat evropiane e botërore për të ndihmuar në organizimin e një regjistrimi mbarë-kombëtar. Asambleja Parlamentare e Këshillit miratoi një rezolutë muajin e kaluar që i kërkoi Shkupit të kryejë një regjistrim sepse politikat e shtetit nuk mund të zbatohen pa një të tillë. Marrëveshja Kuadër e Ohrit e 2001-shit parashikon të drejta të posaçme të pakicës shqiptare në qoftë se përbën 25 përqind të popullsisë maqedonase. "Maqedonia duhet të vazhdojë pa vonesa të mëtejshme me përgatitjen e zbatimin e një regjistrimi të mbështetur në metodologjinë mbi të cilën do të bihet dakord midis zyrtarëve kryesorë, sepse në këtë mënyrë regjistrimi do të ketë një pasojë të drejtpërdrejtë mbi të gjitha komunitetet," tha asambleja. Më 2011, qeveria pezulloi regjistrimin pasi anëtarët e Komisionit të Regjistrimi të vendit dhanë kolektivisht dorëheqjen, duke përmendur shkelje të mëdha të ligjit të regjistrimit në zonat ku jeton një numër i konsiderueshëm shqiptarësh. "Regjistrimi nuk duhet të shihet vetëm nëpërmjet prizmit të etnisë sepse përcakton drejtimet e ardhshme strategjike për zhvillimin e shtetit lidhur me investimin, zhvillimin rajonal, arsimin, shëndetësinë e infrastrukturën," tha Aleksandar Gjeorgjiev, zëdhënës i qeverisë maqedonase. "Në kohën që do të ndërmerret në të ardhmen ... regjistrimi duhet të zbatohet në bashkëpunim me Eurostatin si një garanci shtesë për cilësinë e tij," shtoi Gjeorgjiev. Modeli i konsideruar është një i përdorur në Slloveni, ku numërimi u bë elektronikisht, sipas Aleksandar Cvetkovski, një etnolog në Shoqatën për Tolerancën Etnike dhe Bashkëpunimin në Prilep. "Qeveria ka diskutuar idenë për të kryer një regjistrim dhe u këshillua me Brukselin rreth kësaj," tha Cvetkovski. Disa udhëheqës shqiptarë këshilluan kundër nxitimit të regjistrimit të popullsisë, duke thënë se një regjistrim është një operacion i ndërlikuar që kërkon përgatitje të rëndësishme. "Së pari, gjendja duhet të analizohet dhe institucionet duhet të marrin një qëndrim mbi atë se kur janë kushtet për të kryer një rregjistrim. Pastaj duhet të bëhen rregullimet për të parë nëse Zyra Shtetërore e Statistikave është teknikisht gati të zbatojë një regjistrim," tha Musa Xhaferi, zëvendës/kryeministër për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. "E gjithë kjo kërkon kohë," shtoi ai. Zyra Shtetërore e Statistikave është e aftë të organizojë një regjistrim me cilësi të lartë, por duhet të zbatojë standarde ndërkombëtare për të parandaluar abuzimin, sipas drejtoreshës së zyrës Blagica Novkovska. "Ky është parakushti kryesor, gjithçka tjetër është logjistikë," tha Novkovska. Sipas regjistrimit të 2002-shit, në vend ka 2.1 milionë banorë nga të cilët maqedonasit përbëjnë 64.2 përqind, shqiptarët 25.2 përqind, turqit 3.9 përqind, romët 2.7 përqind dhe serbët 1.8 përqind. Cvetkovski tha se një regjistrim ka të ngjarë të mos kryhet këtë vit pasi nuk kishte buxhet të caktuar për të. "Zyra Shtetërore e Statistikës mori 2.6 milionë euro këtë vit, përkundër 9.7 milionë euro më 2011 që iu dhanë për të kryer regjistrimin," tha Cvetkovski.