Ka nervozizëm në transferimin e qeverisjes - Aleksandër Çipa

Aleksandër Çipa 

Kryeministri në ardhje, Edi Rama, është i nervozuar nga Kryeministri në ikje, Sali Berisha. Natyrisht nervozizmi nuk është afishuar publikisht dhe nuk është artikuluar prej tij, por prej përfaqësuesve të PS-së së ardhur në pushtet. Ndërkohë, Kryeministri në detyrë zoti Berisha, po aktron politikisht gjer në ditën e fundit të mandatit të vet, duke ikur disi nga etika dhe morali për mosvendimmarrje në çastin e fundit. Mbledhja e një dite më parë e KRTRRSH-së, të cilën e drejtoi dhe e përdori për një fjalim krenues me miratimin e projektit të gazsjellësit TAP, ishte shprehje e hapur e kësaj krenarie. Por performanca e këtyre ditëve të tij, është sjellje dhe dëshmi e qartë për synimin e politikanit të regjur që përmes një regjistri propagandistik ia arrin të “fshehë” një proces tjetër që e dirigjon po ai. Me këtë sfond krenimi si kryeqeverisës i deritanishëm, po ia del të mbyllë pa dëshmi demokracie, pasuesin e vet në Partinë Demokratike.

Në të njëjtën lojë dhe me të njëjtin aktrim, po e përdor epilogun e karrierës së vet të bujshme politike, (po natyrisht siç e ka vetëpranuar, pa fjalim lamtumire), për të lënë hapur derën e një kapitulli të ri prezence në politikën shqiptare. Është tentativë e dukshme për të imituar në shumë aspekte përmbajtësore ish-presidentin paraprirës të tij, Ramiz Alia, të cilit ia mori postin, pasi u shemb regjimi komunist. Po e investon gjithë kujdestarinë politike për pasardhësin dhe për dominimin e mëtejshëm të partisë. Ndërkohë që po e mban kabinetin kryeministror në punë për mbledhje dhe vendimmarrje, të cilat po e shumëfishojnë skepticizmin më shumë te pasardhësit e rezultuar nga zgjedhjet e 23 qershorit, ndërkohë që kanë shtuar dyshime e pse jo edhe dilema te mjedise diplomatike dhe kancelari, por më së shumti tek institucione financiare dhe ekonomike. Takimi disaminutësh i zotit Berisha në zyrën e deritanishme me ambasadorin e BE-së në Tiranë, zotin Ettore Sequi, ka pasur vlerën e një mesazhi  pa ekuivoke dhe jo të një dialogu.

Komentues diplomatikë dhe ekonomikë shprehen gati njëzëri se një gropë  financiare e segmentit kohor të këtij tranzicioni qeverisës, po krijohet mbi atë që dyshohet të jetë thelluar gjatë vitit të fundit elektoral. Ekspertë të financave shprehen me skepticizëm për heshtjen bankare të kreditimit dhe sidomos për pazëshmërinë e gjithëkohshme të Guvernatorit të Bankës Kombëtare. Ndërkohë që vendimi i qeverisë Berisha për rritjen e pagave 11 për qind, një vendim të premtuar gjatë fushatës dhe të marrë zyrtarisht në ditëikjet nga qeveria, e konsiderojnë një faturë tjetër shtesë që e gozhdon edhe më tej “xhepin” financiar dhe mundësinë e qeverisë që do të kryesojë  Kryeministri i ri, Rama.

Gjendja financiare paralajmërohet më e frikshme, nga njoftime të herëpashershme të përcjella më shumë nga mediat dhe shtypi i deritanishëm pro-opozitë, të cilat bëjnë fjalë për transferime shumash të mëdha nga bankat shqiptare në filiale bankash të huaja. Këta zëra, madje specifikojnë edhe mundësinë e një minikrize për lëvrimin e pagave në muajin tetor për administratën publike.

Pa asnjë dyshim, kjo situatë dhe njohja më specifike që tashmë ka krijuar dhe po krijon Kryeministri i ri, Rama, kanë qenë motivi i parë i ciklit të menjëhershëm të takimeve institucionale që realizoi brenda një dite me Presidentin e Republikës zotin Nishani dhe Prokurorin e Përgjithshëm, zotin Adriatik Llalla. Raportimet empirike të mediave për këto takime, gjithsesi nuk e kanë fshehur dot thelbin e shqetësimit apo edhe nervozizmit që kryeministri në ardhje ka për gjendjen dhe trashëgiminë konkrete financiare dhe institucionale që po le përgjatë periudhës së transferimit të pushtetit, Kryeministri në largim Berisha. Ky nervozizëm shprehet hapur në rrjetet sociale prej deputetëve dhe drejtuesve të lartë politikë të së majtës. Por në një nëntekst ato mund të lexohen edhe tek informimi i paplotë dhe me vlerën e vetme të kortezisë që kryeministri i ardhur, Rama, bën për fansat dhe lexuesit e vet në “Twitter”.

Koha e gjatë e mbi dy muaj e transferimit të qeverisjes, deri në mesin e muajit shtator, është një kosto e parathënë për mirënisjen e qeverisjes së majtë. Vjen një pushtet i cili gjendet përballë një kryesimi institucional të vendosur më së shumti prej palës që largohet. Në këto kushte, është i pashmangshëm paragjykimi dhe natyrisht edhe besimi i dyshimtë i palës në ardhje. Por dyshimet për “gropën financiare” dhe për akt-provën e pastrimit të gjurmëve apo mëkateve të qeverisjes që largohet nga administratorët dhe përgjegjësit e lartë politikë të saj, largohen nëse do të ishte edhe më efektive vetartikulimi paraprak i institucioneve kushtetuese. Kjo është e nevojshme jo vetëm për të ruajtur një informim realist dhe transparent për gjendjen, por edhe për të evituar paraprakisht alibitë e mundshme të qeverisësve të rinj për vështirësinë apo pengesat e nisjes.

Politikani në largim, (por me gjasa jo i larguar) Berisha, kësaj here do ta respektojë rigorozisht protokollin formal të shtetit. I nevojitet më shumë se politikisht imazhi formal i burrit të shtetit, por po kaq politikisht i vlen kontrasti mes lumturisë dhe rritjes që le me varfërimin dhe vështirësinë që do krijohet. Në këtë fushë është “usta” me prova të shtuara. Për shkak të shenjave të plota të ripërsëritjes së tyre në ditët dhe orët e fundit të qeverisjes, pasardhësi Rama, po përpiqet që nervozizmin ta konvertojë në dijenivënie dhe masakërkim nga institucionet dhe autoritetet që kanë qenë plotësisht zgjedhje dhe në besim të Kryeministrit Berisha. Ky është nervozizmi klasik i atij që vjen për atë që e “bën të vetën” deri në dekik të fundit. Si i tillë ky nervozizëm duhet pranuar, por edhe inkurajuar. Sepse, në fund të fundit, ka të bëjë me një “burrë shteti” për llogari të shtetit dhe të askujt tjetër.