Kryetari i PS-së, Edi Rama, njëherësh kryeministri i ri i vendit ka rrëfyer të enjten në emisionin "Zona e debatit", në "Klan Kosova" për gazetarin Baton Haxhiu, historinë me dy breshkat e tij, që janë pagëzuar me emrat Sali e Fatos. Përtej politikës, Rama ka folur për filmat, librat që lexon dhe muzikën që dëgjon.
Po fillojmë me breshkat që kanë bujtur në zyrën tuaj në PS. Ç'do bëhet me breshkat? Breshkat do vijnë me mua në zyrën tjetër, patjetër. Historia e tyre është shumë e thjeshtë. Një miku im artist, kishte qenë në Senegal, shumë vite më përpara dhe më tregoi që njerëzit që kanë probleme me astmën, dhe unë kam pasur probleme me astmën, është mirë që të mbajnë breshka në vendin ku rrinë. Një natë duke u kthyer nga Elbasani, pashë nën dritat e makinës një breshkë që po kalonte rrugën. I thashë shoferit "ndalo dhe merre" dhe e morëm breshkën. Pastaj e morëm edhe një tjetër. Të dyja, sepse nuk mund të kishim Fatosin pa Saliu dhe kështu u pagëzuan dhe pastaj më shoqëruan në udhëtimin tim dhe janë këtu me mua.
Cilat kanë qenë pritshmëritë tuaja për rezultatin e zgjedhjeve? Keni pritur më shumë, më pak apo kështu siç ndodhi? Keni shëtitur në një Shqipëri gati tribale dhe keni arritur në një Shqipëri plebishitare? T'ju them të drejtën, ne ishim përgatitur për të fituar, por edhe ne jemi të befasuar pozitivisht nga ky revolucion i heshtur me votë e shqiptarëve. Mbresa më e fortë vjen nga harta e Shqipërisë, e cila është e gjitha e purpurt nga veriu deri në jug, si një shprehje e qartë vullneti që shqiptarët nuk duan të vazhdojnë me politikën e dasive të vjetra, as me dasinë e vjetër të së shkuarës komuniste dhe as me dasinë e më të vjetërve, që e kanë ushqyer shumë armiqtë e Shqipërisë, veri-jug.
Dy gjëra janë interesante në këto zgjedhje: e ndërrove ngjyrën e kuqe për arsye se në fillim ke qenë pjesë e një revolucioni edhe politik, edhe kulturor, edhe ideologjik në vitet 1990 dhe tash ju pret një revolucion tjetër, ikja nga tranzicioni. Dhe ky është po aq i rëndë sa ai i dikurshmi... Ngjyra e purpurt është në fakt ngjyra që bashkon të kuqen dhe blunë dhe ne sot kemi një koalicion, që shkon nga e purpurta tek e kuqja, por njëkohësisht që ka detyrë madhore që i bashkoi shqiptarët përmes një rrugë të re komunikimi me ta dhe përmes një mënyre të re shërbimi ndaj tyre, pa i ndarë në ne dhe ata, pa i ndarë në ata të veriut dhe këta të jugut, duke çuar përpara atë mision që shqiptarët na ngarkuan me votën e tyre për t'u dhënë fund dasive dhe dhënia fund e dasive është guri i themelit në rrugën që ndan tranzicionin nga Shqipëria evropiane.
Ju keni fituar betejën me dy liderë, Fatos Nanon dhe Sali Berishën. Dhe natyrisht, meqë këta janë dy lider që vijnë nga periudha komuniste, a do të thotë se fitorja ndaj tyre është gjithashtu përtej të majtës dhe të djathtës? Unë nuk dua që të jem medoemos modest, por sinqerisht besoj që ne duhet t'i japim fund edhe kapitullit të një politike, ku edhe fitorja konsiderohet fitorja mbi dikë apo një humbje konsiderohet humbja mbi dikë, sepse besoj që në fakt këto dy figura dominante të një tranzicioni shumë të vështirë e kanë mbaruar misionin e tyre, njëri më parë, tjetri më pas. Unë besoj se ky mandat na ngarkon neve me një barrë më të rëndë se barra e një fitoreje, me barrën që ne vetë të shkojmë përtej fitores dhe të jemi shumë modestë e të përulur në çuarjen përpara të rrugës, për të cilën shqiptarët na vunë në krye të detyrës. Na vunë në krye të detyrës për të hapur një rrugë të re, ku e përsëris, nuk duhet të ketë ne dhe ata, në kuptimin e dasisë, por sigurisht palë që janë në korsi të ndryshme drejt Shqipërisë Evropiane.
A mund të merrni nismën e shkëputjes nga modeli i koncentrimit të plotë të pushtetit qeveritar tek lideri dhe si mund ta bëni këtë, sepse ekziston një traditë e keqe e besimit tek lideri dhe jo e punës në ekip? A keni ekipin e besueshëm, që e ka të ngjashëm qoftë shijen për të bukurën, qoftë shijen për një Shqipëri tjetër evropiane? Pyetja besoj lidhet me një pyetje tjetër, a i ka Shqipëria potencialet për ta ndërtuar këtë ekip dhe unë besoj që po. Dhe detyra jonë më parësore është të ndihmojmë që këto potenciale të dalin mbi sipërfaqe, të ndërtojmë një proces transparent ndaj apelimit të këtyre potencialeve dhe të thithjes së tyre, që mund të vijnë nga rrugë të ndryshme. Në këtë fushatë unë kam njohur njerëz fantastikë, që kanë kontribuuar për fitoren e Partisë Socialiste, por ka edhe shumë të tjerë, që unë s'i kam njohur, apo që ne s'i kemi njohur, të cilët janë pjesë e atyre 1 milion votave që ka marrë Aleanca për Shqipërinë Evropiane. Dhe është një pjesë akoma që nuk janë pjesë e atyre votave e që jetojnë jashtë shtetit ose edhe që nuk na kanë votuar, por që kanë çfarë t'i ofrojnë këtij vendi. Ne duhet t'u japim të gjithëve mundësinë që ta bëjnë ofertën e tyre. Sigurisht, kjo nuk do të thotë që gjithkush të gjejë një vend pune në shtet, por kjo do të thotë që shteti t'u gjejë punëve njerëzit e duhur dhe jo njerëzve punën. Kjo është e mundur dhe unë dëshiroj dhe do të bëj çmos që vetë Kryeministria të jetë një shembull i krijimit të një skuadre brilante, me talente brilante, me njerëz që nuk vijnë thjeshtë nga rruga e bashkëpunimit me mua, por vijnë edhe nga rrugë të tjera, duke propozuar dhe duke ofruar kontributin e tyre.
A mund të keni për projekte të mira një tender të hapur, sepse njerëzit vijnë, por e kanë të pamundur të trokasin në dyert burokratike për faktin se u frikësohen projekteve të mira? Për këtë po flasim, që të krijojmë mundësinë që në këtë proces të ndërtimit të një shteti të besueshëm, të kujdesemi për burimet njerëzore të këtij vendi, duke u kujdesur që ata të cilët janë në punë sot, me meritë, jo sepse janë kushërinjtë e dikujt që deri dje ishte në pushtet ose sepse kanë paguar dikë ose sepse vijnë nga një shërbim fanatik partiak, por jo nga aftësitë e tyre, pra ata që janë në punë realisht nga merita e tyre të qëndrojnë në punë. Por sigurisht edhe ata që kanë kontribuuar për fushatën dhe kanë aftësitë. Fitorja jonë nuk duhet të përjashtojë askënd tjetër që nuk ka qenë pjesë e fushatës.
Shqipëria ka nevojë për një ekip. Ne kemi detyrën t'u japim mundësinë atyre që të bëhen pjesë e një ekipi.
A jeni gati të bëni që ju si kryeministër transferimin e pushtetit nga njeriu tek pushteti? Të mos harrojmë edhe një gjë tjetër që është më prozaike, por është shumë e rëndësishme. Ne kemi fituar në një koalicion, në një aleancë për Shqipërinë Evropiane dhe kemi një partner që është strategjik dhe është shumë i rëndësishëm për të gjithë ekuilibrat e qeverisjes, ç'ka do të thotë se sot më shumë se më parë është e qartë se nga bashkimi i PS-së me LSI-në, përfituesit më të mëdhenj do të ishin ata që e kundërshtuan këtë bashkim, që do të thotë se ata që e kundërshtuan këtë bashkim, në emër të moralit, sot janë përfituesit më të mëdhenj sepse të dyja këto forca do të jenë shumë të kujdesshme që të jenë në lartësinë e arsyeve që i kanë bashkuar dhe të mos provojnë si të vërteta të gjitha ato arsye që janë rreshtuar pse nuk duhej bërë bashkimi. Dhe shtoj që ky bashkim është garancia e parë për faktin se modeli qeverisës nuk mund të jetë modeli i pushtetit të një njeriu dhe qeverisja nuk mund të jetë shfaqja e një njeriu.
85 mandate janë 1 milion vota kundër qeverisjes së shkuar Berisha, por që pati brenda edhe Metën. Ju do jeni një qeverisje Rama-Meta. A i frikësoheni se mund të ndëshkoheni rëndë, nëse së paku provoni të jeni si qeverisja e kaluar? Mendoj se kjo votë plebishitare është mesazh i qartë: "Nuk ju kemi zgjedhur ju, kemi zgjedhur domosdoshmërinë për ndryshim. Bëjeni ndryshimin, ose do ta paguani ndoshta edhe më keq se ç'e pagoi ky që na çoi në rrënim". Kështu e lexoj unë këtë votë.
Kur e mendoni veten se do jeni kryeministër i shqiptarëve dhe kur kryeministër i Shqipërisë? Nuk kam asnjë delir për të qenë baba i të gjithë shqiptarëve, sepse ky delir u dënua në 23 qershor me votë. Unë kam vetëm një ambicie në këtë aspekt, që bashkë me të tjerët, duke filluar me prioritetin strategjik të marrëdhënieve me Kosovën e qeverinë e saj, ne të hapim një epokë të re mes njëri-tjetrit dhe rajonit. Ne mund ta bëjmë këtë jo me fjalime aluçinante, që jeni një komb mes shteteve, por duke ndihmuar të tjerët që të kuptojnë që pas marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, është hapur një kapitull i ri, ku përgjegjësia jonë është çfarë do të shkruhet në të.
Atëherë po ndalem te një figurë, jeni marrë vazhdimisht me analizën e binomit Nano-Berisha, nga perspektiva si kryetar bashkie dhe si intelektual. A ju mungon zoti Nano si subjekt i analizave që kemi bërë dhe nuk do t'i bëni? A do ju mungojë z. Nano në pjesën tuaj të politikës, se do ju mungojë dhe si subjekt i analizës? Çfarë do të bëni me personalitetin e tij, apo do t'ia lini historisë së PS-së? Ai e shkruan vetë historinë e tij dhe sigurisht të tjerët pastaj shkruajnë historitë e tuaja. Është si historia e bukur e një filmi të bukur të "Akira Kurosaëa", ku katër vetë që marrin pjesë në të njëjtën ngjarje, e tregojnë katër ngjarje në versione të ndryshme. Megjithatë, jam i bindur se tek e fundit pak gjëra mbeten për t'u sqaruar nga historia lidhur me figurën e Fatos Nanos, qoftë për mirë, qoftë për keq.
Ju thatë që do të bëjmë gjithçka ndryshe nga të tjerët, por në mikrostrukturë si do të depërtohet, sepse kjo bëhet me njerëz të cilët emërohen drejtorë. Ky është një menaxhim që nuk shkon lehtë dhe do kohë? Absolutisht që do kohë, por unë besoj te modernizimi. Unë besoj tek sistemi, unë besoj tek reformat që e modernizojnë sistemin duke i mbrojtur njerëzit nga tundimet e korrupsionit. Çfarë dua të them? Nëse dikush është drejtpërdrejt përgjegjës i një monopoli për të zgjidhur një problem të dikujt, ai e keqpërdor këtë monopol. Por nëse dikush është pjesë e një mekanizmi dhe jo e një monopoli dhe ai është i kontrollueshëm, atëherë ai është më i mbrojtur nga tundimi i korrupsionit. Ajo që unë besoj po ashtu është që ne duhet të gjejmë zgjidhje efikase, duke pasur një qasje modeste dhe të ndërtuar mbi bazë të eksperiencave të suksesshme. Unë dua që ne të bëjmë një auditim të Shqipërisë. Pra, është një model i cili është ndjekur nga të tjerë përpara, rasti më i freskët është qeveria sllovake e kryeministrit Fiço. Përpara se sa të merrte përsipër gjërat, kërkoi auditivin e Sllovakisë. Një auditim i Shqipërisë i pavarur, jo nga ne, është i domosdoshëm për të nxjerrë në pah të vërtetat mbi ekonominë, financat, mbi shumë çka tjetër dhe për të ndarë me njerëzit pamjet reale të vendit. Njerëzit kanë votuar kundër një Shqipërie imagjinare dhe propagandistike dhe kundër gënjeshtrës si mekanizëm për të qeverisur, por nga ana tjetër ne duhet të ballafaqojmë publikun me realitetin e gjerave jo mbi bazën e saj që themi ne, pro mbi bazën e të dhënave të besueshme dhe të pavarur. Po ashtu e kemi marrë përsipër dhe mund ta çojmë përpara projektin e dhimbshëm nga pikëpamje politike dhe elektorale të pavarësisht të INSTAT, duke e binjakëzuar me një institucion të një vendi të BE-së, që e merr në menaxhim në bazë të një programi që ka BE për një numër vitesh dhe bën të pamundur ndërhyrjen e qeverisë për të rregulluar shifrat e papunësisë, korrupsionit etj. Po ashtu duam që doganat e Shqipërisë t'ia japim në menaxhim një kompanie dhe të një agjencie ndërkombëtare. Duhet të ndihmojë që të lehtësohet barra. Po ashtu duam që të lehtësohet sistemi i mbledhjes së taksave dhe më rrallë të ndërtojmë struktura dhe mekanizma që i japin një frymëmarrje të re qytetarit dhe njëkohësisht i japin mundësi nëpunësit shqiptar që t'u adaptohet standardeve të tjera.
A do rrisni numrin e ministrive? Kjo është një çështje që do të duhet të diskutohet imtësisht me aleatin tonë strategjik, por ajo që unë mund t'ju siguroj, edhe nëse do të ketë, nuk e di, mund të ketë më pak ose më shumë. Pavarësisht numrit të ministrive, ju siguroj që do të ketë më pak shpenzime qeveritare.
Zakonisht kur ikin nga detyra njerëzit që e kryejnë detyrën mirë harrohen nga të gjithë dhe kjo është zakon ballkanik. A keni një dëshirë që ta kemi diku Ina Ramën, për mua një prej personaliteteve që e ka mbajtur peshën edhe të detyrës edhe të situatave mjaft serioze gjatë gjithë kësaj? Unë kam respekt për të, por nuk dua të spekuloj, sepse bëhet fjalë për një person konkret. Është një pyetje që ju duhet t'ia bëni asaj, nëse ajo ka dëshirë. Ne duam të përfshijmë të gjithë talentet dhe potencialet më të mira të këtij vendi brenda apo jashtë Shqipërisë për të kontribuar në këtë përpjekje të madhe për të rilindur këtë vend dhe për të ecur më shpejt drejt Bashkimit Europian. Tani edhe sloganet i kemi bashkuar.
A mendoni se mund të riktheni Edi Ramën e vitit 2001, kur keni qenë një nga personalitet më popullor? Nuk kam asnjë dyshim.
Me çfarë po flasim për skenën politike, sa e përcillni dhe çfarë mendoni për partitë dhe për "Vetëvendosjen"? Është e vërtetë që e kam vlerësuar "Vetëvendosjen", siç është e vërtetë që nuk e kuptoj më atë. Por mbase është caku im i aftësive për të kuptuar, edhe pse shumë dashamirësisht do t'u sugjeroja miqve të "Vetëvendosjes" që ta rishohin shumëçka në aksionin e tyre politik.
Ju keni pranuar publikisht që në PS ekziston një imazh jo shumë i mirë në Kosovë. A mendoni se pas fitores së 23 qershorit, ky imazh i PS do të ndryshojë me prezencën tuaj më të shpeshtë atje, të domosdoshme për të sqaruar dhe biseduar? Edhe një gjë tjetër që duhet të ndryshojë është që qeveria e Shqipërisë duhet të flasë më pak dhe duhet të bëjë më shumë. Në opozitë kemi pasur mundësinë të flasim më shumë dhe kemi pasur privilegjin të mos vihet në provë, sepse s'kemi pasur çfarë të bëjmë, veçse të flasim. Ndërsa në qeverisje mund të flasim, por do të gjykojmë nga ato që bëjmë. Unë e di shumë mirë që edhe në raport me Kosovën pas katër vitesh do të gjykohem për ato që do të kemi bërë dhe ajo për ato që do të themi.
Si e ndjeni veten kur udhëtoni nëpër autostradën Kosovë-Shqipëri? A ndjeni falenderim për kryeministrin Berisha, që me taksat e qytetarëve të Shqipërisë ndërtoi rrugën? Unë ndjej gjithmonë dy gjëra. E para, dallimin e madh të standardit estetik midis dy anëve të rrugës, ana këtej dhe ana andej. E dyta, duke qenë absolutisht i bindur se rruga ishte një projekt i domosdoshëm strategjik, nuk e amnistoj dot vjedhjen e miliardave nga ajo rrugë, duke e kthyer flamurin kombëtar në thes për ta mbushur me para.
Nuk do të merreni me këtë vjedhje më? Ajo është një çështje që me sa unë jam në dijeni është mbyllur për arsye procedurale, por në raport me drejtësinë si koncept, jo në raport me qeverinë, sepse ne duhet të qeverisim me drejtësi, por nuk e kemi tagrin të bëjmë drejtësi, sepse s'jemi prokurori apo gjykatë.
Përse asnjë parti politike në Kosovë nuk ka guxim që të luftojë paragjykimet për socialistët? Pse e kanë frikë të jenë të majtë? Rezonanca me fjalën socialiste është shumë e fortë.
Të premtet, të shtunat dhe të dielat janë të mbushura me njerëz të Kosovës plazhet... ? Bashkimi ka ndodhur. Fatkeqësisht sytë për ta parë dhe vënia në lëvizje e mekanizmit për ta shfrytëzuar ende nuk kanë të gjithë fuqinë e plotë, por bashkimi ka ndodhur.
A mendoni se duke qenë opozita e dobët, ju do të ndjeheni i lehtësuar për të qeverisur papërgjegjshëm? Opozita mund të jetë e dobët, por të jeni i sigurt që ne do ta ruajmë dobësinë për opozitën, sepse vijmë nga opozita. E gjithë ajo e keqe e madhe që kemi hequr për shkak të pushtetit, aq sa mund të ushqejë ndjejnë e revanshit, aq edhe këshillon për të mos bërë me të tjerët, atë që të tjerët bënë me ne. Unë u përkas atyre që dëgjojnë këtë këshillë dhe jo atyre që ushqehen nga ndjenja e revanshit.
Nëse duhet gjykuar sipas asaj që do të ndodhë, ndoshta zoti Basha mund të jetë kryetar i PD-së. Të gjithë thonë që Aleanca për Shqipërinë Europiane do t'i ketë tri parti, për faktin se z. Meta ka lidhje shumë të forta me z Basha.
Unë mund të bëj vetëm një koment për atë që po ndodh në PD, duke shprehur kënaqësinë time që inercia e kopjimit vazhdon, sepse pa e pasur në statut zgjedhjen e kryetarit me një anëtar, një votë dhe pasi e kanë anatemuar sa kanë mundur zgjedhjen me një anëtar një votë të kryetarit në PS dhe vënien në statut të këtij parimi nga ana ime, tani po e aplikojnë. Është një gjë shumë e mirë që po e aplikojnë, pavarësisht nga cilësia e aplikimit, por rëndësi ka që po e aplikojnë.
Kur e keni realizuar pikturën tuaj të fundit? Dje, sepse sot kam qenë gjithë kohë si angazhuar me takime.
Çfarë mendimi keni për artin kontemporan. Sa i përcillni trendet, sidomos që keni dy miq, që së paku njërin do e kthesh në Shqipëri. Kush është ai? Andri Sala.
Jo, ai nuk kthehet në Shqipëri për të jetuar, por vjen në Shqipëri. Unë po përpiqem dhe jemi në proces të realizimit të tri grupeve. Një grup me njerëz të shquar në fushën e ekonomisë dhe të zhvillimit social, një grup me njerëz të shquar në fushën e planifikimit urban dhe një grup me artistë. Po flasim për tri grupe njerëzisht shumë të shquar, të cilët unë do t'i mbaj vazhdimisht në kontakt, qoftë për të marrë këshillat e duhura, qoftë me këta të dytët dhe të tretët për të bërë punë dhe do t'i japim artit dhe kulturës një prerje tjetër.
Zakonisht politikanët gënjejnë kur thonë që lexojnë ose dëgjojë muzikë. Unë s'e kam problem s'e e di që ju lexoni, por njerëzit dëshirojnë të dinë shijen tuaj? Çfarë filmash shikoni, a jeni adhurues i ndonjë aktori? Unë shoh filma në mënyrë shumë të rregullt. Nuk ka javë që të mos shoh film. Nuk them që s'ka natë, sepse ka edhe natë që nuk shoh, por përgjithësisht pas orës 12:30-1:00 bashkë me Lindën ne shikojmë filma. Për mua filmi është pjesë e jetës dhe qeshim me kolegët kur ju them shihni filma. Fjala adhurim mbetet për ata që janë regjisorë të mëdhenj, që i përkasin një kohe të mëparshme, ndërkohë që për filmat e rinj, koha do të tregojë. Së fundmi në fakt unë kam parë një telefilm që do jua këshilloj juve të "Klan Kosovës", të merrnit të drejta e autorit "Borgen", një telefilm danez që tregon për politikën, qeverinë dhe tregon jetën në opozitë dhe në qeveri të një personazhi që është Kryeministre e Danimarkës. Është një telefilm mjaft interesant dhe mora vesh në Zagreb që është filmi kult i David Kameron dhe i gjithë ministrave të qeverisë, që janë pothuaj të detyruar që ta ndjekin filmin.
Jepjani edhe ministrave tuaj të ardhshëm. Po muzikën? Unë jam shumë i dhënë pas muzikës klasike, operistike dhe tek muzika e lehtë pas muzikës së vjetër. Me një përjashtim që ndjek me shumë kuriozitet këngëtarët e rinj të Kosovës. Mendoj se aty ka një potencial të paparë, por s'po them emra se nuk dua t'u ngelet hatri.
Ju keni një referencë prej autori. Cili autor ju bën përshtypje? Unë kam kthyer sytë nga letërsia politike në përgjithësi. Edhe së fundmi kam lexuar një libër shumë të bukur të Xhonatan Poëell, ish-shefi i stafit të Toni Blair-it. Një libër shumë i bukur, "Makiaveli i ri" titullohet, për të gjithë ata që i pëlqen politika.





