Shkenca
Përdorimi i qelizave burimore mund të shërbejë për riparimin e syve
Shkencëtarët demonstruan përmes eksperimenteve me kafshë se ajo pjesë e syrit që dallon dritën mund të riparohet duke përdorur qeliza burimore, bën të ditur BBC. Studimi u publikua në gazetën shkencore “Nature Biotechnology”.
Skuadra kërkimore punoi në Londër dhe thotë se ekzistojnë mundësitë që eksperimente të ngjashme të kryhen me njerëz. Ekspertët e përshkruan studimin si një “ngjarje e rëndësishme” dhe një “hap i madh” përpara. Fotoreceptorët janë qeliza në retinë, të cilat reagojnë ndaj dritës dhe e konvertojnë atë në sinjale elektrike që dërgohen në tru. Gjithsesi, këto qeliza mund të vdesin. Por sakaq ka testime me njerëz për përdorimin e qelizave burimore në zëvendësimin e qelizave “mbështetëse” në sy, të cilat i mbajnë fotoreceptorët gjallë.
Tashmë, një skuadër me bazë në Londër tregoi se është e mundshme të zëvendësohen vetë qelizat e ndjeshme ndaj dritës, duke rritur perspektivën e riparimit të kushteve që shkaktojnë verbëri.
Ata kanë përdorur një teknikë të re për ndërtimin e retinës në laborator. Ajo u përdor për të mbledhur mijëra qeliza burimore, të cilat u krijuan në mënyrë të tillë që të transformohen në fotoreceptorë dhe i injektuan ato në sytë e një miu të verbër.
Studimi tregoi se këto qeliza mund të përzihen me arkitekturën aktuale të syrit dhe të fillojnë të funksionojnë. Megjithatë efektiviteti është ende i ulët. Vetëm rreth një mijë qeliza në një transplant prej 200 mijë qelizash filluan të funksionojnë në syrin e miut.
Kryekërkuesi, prof. Robin Ali, i tha BBC-së: “Kjo është një provë e vërtetë e konceptit se fotoreceptorët mund të transplantohen nga një qelizë burimore embrionike dhe kjo na jep një udhërrëfyes për ta bërë diçka të tillë me njerëzit. Kjo është arsyeja se pse ne jemi kaq të gëzuar, pas pesë vjet punësh ky është një synim realist për të filluar testime klinike.”






