Princi i sapolindur i Britanisë do të ketë pak fat, thotë “The Economist”. Ai do të bëhet monark në moshë të madhe dhe do të kolovitet për shumë dekada në rast se Britania nuk ndjek shembullin e monarkive të tjera me abdikime
Shumë kohë deri sa të mbretërosh mbi ne
The Economist
Ministria e Jashtme e Iranit dërgoi urimet e veta të përzemërta, siç bëri edhe presidenti i Izraelit. Vladimir Putin dhe Barack Obama ranë dakord se ishte një ngjarje e rëndësishme. François Hollande, pallati i të cilit është fare pranë vendit ku Luigji XVI u dënua me vdekje me gijotinë, dukej veçanërisht i gëzuar. Udhëheqësit e nacionalistëve skocezë dhe të Uellsit thanë pak a shumë të njëjtën gjë, siç bënë edhe udhëheqësit e Partisë Konservatore dhe asaj Laburiste.
Lindja e një princi të ri – ngjarje që ishte pjesë e një loje lindjeje, pjesë e një telenovele, – arriti në vende të paaksesueshme nga politikanët e zgjedhur. Por me gjithë gëzimin, gjithsesi, prania e një trashëgimtari (Princi Charles) dhe dy rezervave (Princi William dhe i sapolindur George Alexander Louis) e vënë këtë institucion në një situatë të pazakontë.
Britania është krahasimisht e mirë për t’i dhënë të rinjve mundësi. Në qendrën financiare të Londrës, Siti, pasuritë mund të bëhen para se të mbushësh 40 vjeç. Kryeministri është 46 vjeç, në të njëjtën moshë me zëvendësin e vet. Udhëheqësi i opozitës është tre vjet më i ri. Monarkia është ndryshe.
Në shtator të këtij viti, Princi Charles, 64-vjeçar, do të ketë pritur për promovim në fron më gjatë se çdo trashëgimtar tjetër. Princi William do të jetë me siguri mbi të 50-at para se të marrë drejtimin. Me përjashtim të ndonjë sëmundjeje, aksidenti apo ndonjë përpjekjeje tjetër të gabuar për të qeverisur pa Parlament që mund të sjellë si rezultat prerje koke në publik, foshnja mbretërore mund të bëhet mbret diku rreth vitit 2070.
E gjithë kjo pritje është e mërzitshme për trashëgimtarin dhe e rrezikshme për institucionin. Princi Charles ka krijuar shumë insinuata të cilat thonë se ai është i trashë, pompoz, i pashpirt dhe i subvencionuar me tepri për dekada dhe nuk ka pasur shumë shans të mbrojë veten. Edhe “Daily Mail”, gazeta pro monarkisë, publikoi një lajm së fundmi për një oborrtar të punësuar për të mbajtur jastëkun e tij të parapëlqyer vërdallë, ku shkrimi kishte tonin që gazeta zakonisht e rezervon për azilkërkuesit. Thirrja për të “bërë dhe jo për t’u kolovitur” është e kuptueshme, por puna e trashëgimtarit të fronit është pikërisht për t’u kolovitur, një parashikim shumë i saktë për rastin e pasardhësit të pasardhësit të pasardhësit.
Mbretëresha nuk ka pasur kurrë nevojë të përballet me këtë torturë publike. Që kur u ekzekutua Charles I më 1649, vetëm dy monarkë janë ngjitur në fron aq të rinj dhe kanë qeverisur kaq gjatë sa Elizabeth II: George III (në moshën 22-vjeçare)) dhe Victoria (në moshën 18-vjeçare). Që të dy ishin shumë popullorë në shtëpi, pavarësisht vështirësive të rastësishme që Hanoveriani i marrë pati me nënshtetasit e vet amerikanë.
Elizabeth II ka mbretëruar për kaq gjatë sa mishëron monarkinë. Kjo mund të ndihmojë për të shpjeguar popullaritetin e saj: sipas vrojtimeve të opinionit publik, ka vetëm 15 milionë republikanë të bindur në mbretërinë me 63 milionë banorë.
Gjyshi i princit
Kjo së paku nuk mund të merret si garanci. Për shkak se arritjet e monarkisë janë kaq pakuptueshme, ndjenjat për të mund të përmbyten me shpejtësi. Para se princi t’i propozonte, tablloidet që aktualisht janë të mbushura me fotografi të dashura të dukeshës së Kembrixhit, e quanin zonjushën Middleton “Katy e durueshme” duke vrarë mendjen se kur ajo do të zinte një vend pune të përshtatshme. Dhe ndërsa vërdallisja për disa vite në pritje për t’u martuar është qesharake, vërdallisja për gjashtë dekada në pritje për të drejtuar punët e familjes nga djepi deri në varr është edhe më shumë qesharake. Në rast se diçka nuk ndryshon, ky duket se do të jetë fati i mbretërve të Britanisë që do të vijojë deri në shekullin e ardhshëm.
Dhe siç ndodh shpesh, zgjidhja e problemeve mbretërore të Britanisë gjendet në Europë. Në të shkuarën, kur Britania nuk kishte monarkë, ajo kishte zakon të importonte një princ nga kontinenti. Tashmë që ajo ka me tepri nga ata, ka nevojë të importojë një praktikë kontinentale. Mbretëresha Beatrix e Holandës (75 vjeçe) dhe mbreti Albert i Belgjikës (79 vjeç) së fundmi njoftuan abdikimet e tyre. Edhe Papa Benedikt (85 vjeç) u dorëhoq. Monarkët e Britanisë kanë nevojë të fillojnë të bëjnë pikërisht këtë gjë.
A mundet që dinjiteti mbretëror të kombinohet në mënyrë të përshtatshme me teorinë e menaxhimit? Kur mbretëresha (61 vjet në fron) të mbushë 90 vjeç, ajo do të ketë mposhtur rekordmbajtësen e mëparshme, mbretëreshën Victoria, e cila mbretëroi për 63 vjet. Në këtë pikë, ajo duhet të dorëzohet. Princi Charles duhet të ndjekë të njëjtën praktikë kur të mbushë 80 vjeç, princi William duhet ta bëjë në moshën 70 vjeç.
Në njëfarë pike, mosha e daljes në pension të familjes mbretërore do të duhet të jetë në përputhje me moshën e pensionit në rritje të nënshtetasve. Atëherë monarkia dhe populli do të jenë në sinkronizim dhe George Alexander Louis do të marrë fronin para se mosha e tij të ketë ikur.





