Bota sot e sheh propagandën me përbuzje, si një armë kundër racionalitetit të njeriut. Dhe arti i përdorur për propagandë konsiderohet inferior. Por në histori ka pasur shumë propagandë që ka qenë njëkohësisht edhe art shumë i mirë
Alastair Sooke
“Propaganda është shumë shpesh një fjalë me kuptim shumë negativ dhe shumë e keqkuptuar”, tha Xhozef Gëbelsi (Joseph Goebbels) më 1933. “Njerëzit e përdorin atë për të nënkuptuar diçka inferiore apo edhe të neveritshme. Fjala propagandë ka gjithmonë një pas-shije të hidhur”
Si ministër i propagandës në qeverinë e Adolf Hitlerit, Gëbelsi bëri më shumë se çdokush për ta bërë këtë pas-shije aq të hidhur sa vetë arseniku. Megjithatë në këtë rast kishte të drejtë: njerëzit janë shpesh dyshues ndaj propagandës, e cila është krijuar për të na detyruar ne të ndjekim axhendën e dikujt tjetër.
Kur vjen fjala tek arti vizual, të kuptuarit e zakonshëm sugjeron se propaganda është në kundërshti me madhështinë. Shiko për shembull posterin për rekrutim të publikuar nga qeveria e Britanisë në fillim të Luftës së Parë Botërore, që paraqet Lordin Kitcher (sekretari i Luftës), me një pamje të ashpër dhe me mustaqe duke bërë me gisht nga publiku dhe me sloganin “vendi yt ka nevojë për ty”. Është një vepër mbresëlënëse dhe efektive dizenjoje grafike, por është shumë larg të qenët art cilësor.
A mundet që arti i komisionuar nga shteti të jetë art i mirë? “arti është diçka subversive”, tha Pablo Picasso në një rast. “Nëse artit i jepen ndonjëherë çelësat e qytetit, atëherë ky art do të jetë aq i shpëlarë dhe aq impotent sa për të nuk ia vlen të luftohet”.
Mbi mesazhin
Duke ecur përmes një ekspozite të Bibliotekës Britanike me titull “Propaganda: Fuqia dhe Bindja”, unë hasa shumë shembuj nga ky lloj arti i shpëlarë zyrtar. Si posteri i Kitchener, shumica e tij qe një art i fuqishëm në dhënien e mesazhit apo nxitjen për një ideologji politike, por i dobët kur vjen puna për ta analizuar në terma artistikë.
Aty gjenden posterat e kohës së luftës të realizuara nga Norman Rockwell; (artist amerikan); Imazhet histrionike (sëmundje mendore e njerëzve me emocionalitet eksesiv dhe dëshirë për të tërhequr vëmendjen nga vetja) dhe imazhet bombastike të Benito Mussolini-t; Ka një portret pikant të Hitlerit duke nxitur kultin e Fyhrerit: të gjithë këto shembuj kanë një cilësi budallaqe ku arti është një ushtar i lavazhit të trurit. Ndërsa unë lashë ekspozitën, e gjeta veten duke menduar: a mundet që propaganda të prodhojë ndonjëherë art të madh?
Në fund të mendimit, përgjigjja në mënyrë surprizuese është: po! Shumë prej nesh e lidhin propagandën me regjimet totalitare të Hitlerit, Stalinit dhe kryetarit Mao. “Ai u rrit në shekullin e njëzetë”, shkruan David Welch në katalogun që shoqëron ekspozitën e Bibliotekës Britanike “kur zhvillimi i medias masive (dhe më vonë komunikimeve multimediale) ofroi një terren pjellor për përhapjen e propagandës ndërsa konfliktet botërore të këtij shekulli ofruan financimet e nevojshme për rritjen”.
Megjithatë, propaganda ka qenë vërdallë për mijëra vjet dhe shumë nga arti i lashtësisë që ne vlerësojmë sot është një formë propagande. Statujat e mermerit të Panteonit lavdërojnë virtytet e athinasve në dëm të kundërshtarëve të tyre.
Promovimi i vlerave politike të një qytet-shteti të Greqisë përmes këtyre skulpturave përbën njëkohësisht një përkufizim të asaj se çfarë është arti. Megjithatë, shumë pak njerëz i konsiderojnë ato vepra si “impotente” siç mendon Picasso se duhet të jetë çdo art propagandistik.
Maskimi i së vërtetës
Një histori e ngjashme është ajo e një vepre të famshme arti nga antikiteti: maska me ar masiv e Tutankhamunit, e cila është bërë emblemë e ekzotizmit, opulencës dhe cilësisë së artit të lashtë të Egjiptit.
Maska është magjepsëse në mënyrë të dyfishtë: është spektakolare, por edhe verbuese. Kjo ndodh për shkak se në terma historikë, Tutankhamuni qe një jo-etnitet – një fëmijë mbret i dobët që nuk ia doli të arrijë as moshën e adoleshencës.
Me fjalë të tjera, mbreti Tut e pushtoi përjetësinë jo për shkak të arritjeve të tij personale, por për shkak të mjeshtërisë së artizanëve të epokës së artë të artit egjiptian. Ata qenë në gjendje të krijonin imazhe potente për mbretërit që nuk kanë kapërcyer kurrë më pas. Maska e vdekjes së Tutankhamunit është një vepër e retorikës vizuare, – një formë, nëse ju pëlqen kështu ta themi, e propagandës.
Vepra e artit propagandë që mua më pëlqen më shumë nga bota e lashtë është, gjithsesi, Kolona e Trajanit në Romë. E ngritur në vitin 113 pas Krishtit, ajo u ndërtua për të përkujtuar dy fushata të suksesshme të Perandorit Trajan kundër Dakëve, një fis barbar që banonte në Rumaninë e sotme.
I ndërtuar me 29 blloqe të ndryshme mermere që peshonin deri në 77 tonë secila, ai përmban 2500 figura, secila dikur qe e pikturuar me shkëlqim. Takëmet e luftimit dhe detajet e aktivitetit (Vetë Trajani shfaqet në 59 figurina), kompleksi është një shprehje potente e eficensës romake dhe pamëshirshmërisë ushtarake. Ajo është gjithashtu një kryevepër e artit narrativ.
Po të ecim shpejt drejt shekullit të 20 – pra te propaganda siç e kuptojmë ne atë, sipas David Welch, ne gjejmë shembuj të artit të cilësisë së lartë të përdorur nga propaganduesit. Gjatë Luftës së Ftohtë, për shembull, arti modern u bë një armë e përdorur nga qeveria amerikane.
Më 1946, Departamenti amerikan i Shtetit shpenzoi gati 50 mijë dollarë për të blerë 79 piktura nga Ben Shahn, Georgia O’Keeffe dhe artistë të tjerë, të cilat përfunduan në Pragë në një kohë kur Çekosllovakia qe përtej Perdes së Hekurt. Ideja qe që të hidhej poshtë pretendimi sovjetik se SHBA-ja ishte kulturalisht bosh. Ka pasur edhe raporte që thonë se CIA ndihmoi në financimin e Lëvizjes Abstraksioniste Ekspresioniste për arsye të ngjashme.
Arti është rrallë një formë e papërzier e gjenialitetit individual si Picasso: zakonisht ai është në përputhje me axhendat dhe kërkesat e të tjerëve, të tillë si patronët e artit, të cilët janë gjithashtu edhe sundimtarë politikë.
Në zemrën time unë e di se arti i mirë është një mjet i vetëshprehjes. Por mendja ime më thotë se arti dhe propaganda nuk është e domosdoshme të jenë armiq të betuar me njëri-tjetrin. Kur vjen puna tek arti, propaganda merr një prezantim shumë negativ në media, por ndoshta, siç e tha edhe Gëbelsi – është e padrejtë ta karakterizosh atë si inferior. Ndoshta arti i propagandës mund të ecë mirë me një sekser të aftë.
Alastair Sooke është një kritik arti për “The Daily Telegraph”.
1
Vendi yt ka nevojë për ty
Imazh i famshëm i gjeneralit anglez, Lord Kitchener, i përdorur për të rekrutuar ushtarë në fillim të Luftës së Parë Botërore, një shembull i propagandës efektive me pak vlera artistike.
2
Rroftë Cezari
Ky poster thotë ‘ata që janë gati për të vdekur të përshëndesin’. U krijua nga Ministria e Jashtme e Britanisë dhe u shpërnda në Itali gjatë vitit 1942 si propagandë kundër Musolinit.
3
Xhaxha Semi
Mbi 4 milionë kopje të këtij posteri janë botuar mes viteve 1917 dhe 1918. Imazhi i Xhaxha Semit tashmë është bërë simbol i të gjithë Amerikës.
4
Kafkë dhe kocka
Mesazhi i Presidentit amerikan për të rinjtë, tregon maskën e Hitlerit mbi një kafkë. U prodhua nga zyra për informimin mbi luftën e SHBA-së në vitin 1942.
5
Revolucioni kulturor
Një pikturë që tregon Maon fitues në grevën e urisë së minatorëve të vitit 1922. Besohet se është imazhi i prodhuar në më shumë kopje se çdo imazh tjetër në histori.
6
Propaganda e lashtë
Skulpturat e Panteonit që mbahen nga Muzeu i Britanisë, në disa raste i referohen me emrin “mermeret Elgin”, paraqesin virtytet e athinasve përballë armiqve të vet.
7
Mbreti Tut
Maska e Tutankhamunit e krijuar me ar masiv është një shfaqje magjepsëse e “retorikës vizuale” duke glorifikuar një fëmijë që u bë faraon në moshën 9-vjeçare.
8
Kolona e Trajanit
Kolona e Trajanit e konceptuar nga Apollodori i Damaskut, paraqet 155 skena ushtarake që ngrihen në formë spiraleje për gati 200 metra lartë. Gjendet në Romë.
9
Taktikat e Luftës së Ftohtë
Vepra e Abraham Rattner “Tryeza e Verdhë” qe pjesë e Projektit për Avancimin e Artit Amerikan për të promovuar lirinë e shprehjes artistike gjatë Luftës së Ftohtë.
10
Shpreh vetveten
Një hetim i vitit 1995 nga gazeta britanike “The Independent” gjeti një program të CIA-s për promovimin e artistëve Abtraksionistë Ekspresionistë, përfshirë Jackson Pollock.
11
Bondet e lirisë
Një poster amerikan që tregon se investimi i kursimeve në borxhin e qeverisë amerikane ndihmon vendin të fitojë luftën. Publikuar gjatë Luftës së Parë Botërore
Përkufizimi i Propagandës
Propaganda është një teknikë që synon të bindë publikun e gjerë për një argument të caktuar, duke përdorur mjete që nuk kanë synim në vetvete të japin të vërtetën. Ndahet zakonisht në tre lloje: Propaganda e bardhë është ajo që jepet nga një njeri/organizatë për të promovuar veten; propaganda gri është ajo ku burimi i mesazhit është i fshehtë, fjala vjen, përhapja e thashethemeve të paqena për kundërshtarin; propaganda e zezë, ku njëra palë krijon media që flasin në emër të palës kundërshtare me synimin për ta paraqitur palën kundërshtare të dobët apo ekstremiste edhe në sytë e vetë mbështetësve të kundërshtarit.