Çfarë duhet të dimë për yndyrat në gjak


Yndyrat janë një nga katër produktet bazë me të cilat ushqehet organizmi ynë. Nëpërmjet këtyre produkteve trupi merr karburantin e përditshëm, të cilin e kthen më pas në energji. Marrja e yndyrave vjen nga të gjitha llojet e ushqimeve, por grupet më të pasura me llojet e yndyrave janë ushqimet me bazë shtazore, si: mishi, peshku, pula, produktet e bulmetrave (qumështi, kosi, djathi etj.), produktet me të cilat ne gatuajmë si vaj vegjetal, vaji i misrit, lulediellit, vaji i ullirit etj. Pak më poshtë ne do të shpjegojmë se ku qëndron diferenca në përdorimin e këtyre yndyrave, ose siç klasifikohen më thjesht në yndyra të mira apo të këqija. Klasifikim ky që vjen nga fakti se çfarë shkakton në organizëm përdorimi i tyre. Megjithatë, vaji i ullirit preferohet të konsumohet më shumë, madje konsiderohet si yndyrë e mirë, pasi ka një raport më të balancuar në përmbajtjen e acidit yndyror të ngopur dhe të pangopur. Praktikisht sa më i lartë të jetë raporti i yndyrave të pangopura, aq më e lehtë është që këto të fundit të përthithen siç duhet nga organizmi. Burime të tjera nga të cilat ne marrim yndyrat janë edhe produktet e konservuara, të cilat kohët e fundit po ashtu po përdoren në masë në regjimin e përditshëm. Në përgjithësi yndyrat absorbohen dhe thithen nga pjesë të caktuara të stomakut, zorrëve dhe kalojnë në organizëm. Më pas ato transportohen dhe shkojnë kryesisht në mëlçi, ku dhe përpunohen.
Kategoritë
Përgjithësisht, yndyrat ndahen në disa lloje kategorish: kolesterol total, në trigliceride, në LDL kolesterol, në Hd kolesterol, i cili përfshihet tek yndyrat e mira, pasi arrin të që të shpërbëjë raportin e yndyrave të dëmshme në organizëm, duke i përpunuar në mënyrë të tillë që të mos lejojë grumbullimin e tyre si mbetje të rrezikshme. LDL është kolesteroli më i keq. Përqendrimi i kësaj yndyre në organizëm në sasi të larta bëhet shumë i dëmshëm. Kjo, pasi fillon krijon pllakëza në enët e gjakut, që me kalimin kohës edhe oksidohen, çka ndikon në ngushtimin e seksionit të enës së gjakut, deri në bllokimin e plotë të saj. Në momentin kur këto lloje yndyrash bllokojnë totalisht enën e gjakut, atëherë kemi të bëjmë me infarktin. Me bllokimin e kësaj ene, pjesa e indit apo e organit që merrte gjak nga kjo enë, po ashtu bllokohet duke mos mundur më të kryejë funksionin e saj. Ndaj thuhet se kjo pjesë ka bërë infarkt. Nëse ndodh në tru, themi se kemi infarkt të trurit. Po ashtu kur ndodh në mushkëri, kemi infarkt të mushkërive, të zemrës zorrëve, e kështu me radhë për të gjitha organet të cilat preken nga këto grumbullime të dëmshme. Këto probleme krijohen kur ne marrim më shumë sesa duhet në sasi dhe kryesisht yndyra të këqija. Këto të fundit bëhen më të rrezikshme në rastet kur ne nuk kryejmë fare aktivitet fizik. Marrim ushqim, duke marrë kalori të larta (nga yndyrat merret kalorazhi më i lartë sesa nga të gjitha produktet e tjera), por duke mos lëvizur ky kalorazh nuk shpenzohet, duke u mbledhur në formë grumbulli në organizëm.