“Ka pasur një ngërç të tij me emisionin, dhe ky ngërç lidhet me një emision të fillimit të janarit”
Pyetje: Të gjithë e kemi dëgjuar dhe flitet si legjendë urbane se kryeministri Berisha nuk erdhi në emisionin tuaj pasi është përgjuar një bisedë e juaja me Saimir Tahirin. Ju i keni kërkuar të vijë në emision. Ai ju ka kundërshtuar duke ju thënë se vetë ti, nuk e lejon që ai (Sajmiri) të përmendë fëmijët e kryeministrit. Dhe ju i keni thënë: “eja thuaj çfarë të duash për kë të duash”. Pas kësaj bisede, Berisha ju ka refuzuar. Eshtë e vërtetë?
Fevziu:Nuk e kam dëgjuar këtë gjë, ose më saktë, kam dëgjuar aq shumë gjëra sa më vjen të qesh me secilën prej tyre. Nuk besoj që kjo të jetë e vërtetë, sepse deri më sot, asnjë politikan s’më ka thene: ti s’më lë të them këtë apo atë gjë! Gjithsecili ka ardhur dhe ka thënë argumentat e tij. E dyta, unë çdo njeriu që ka ardhur në emision këto 16 vjet i kam thënë: thuaj çfarë të duash. Besoj se këtë gjë ju kam thënë edhe ju sa herë keni qenë në studio. Madje ju kam thënë mund të thoni çdo gjë që mendoni edhe për mua personalisht. Madje emisioni nuk ka lidhje as me raportet personale. Plot njerëz që më kanë sulmuar edhe personalisht, kanë qenë të ftuar në emision. Studio s’ka të bëjë me raportet personale. Njerëzit janë aty sepse i duhen emisionit atë moment, ose s’janë sepse nuk i duhen. Ndaj s’besoj se ka pasur nevojë për kaq xhalo, përgjim, biseda të fshehta a ku di unë, për diçka që e dinë dhe prej vitesh e aplikojnë të gjithë: studio është e hapur dhe gjithsecili artikulon aty tezat e tij. Në fund është publiku që vendos!
Pyetje: Atëherë, cila është arsyeja që Berisha nuk u duk në studion tënde, (ishte si në shtëpi për shumë kohë)?
Fevziu: Përgjigjen më të mirë se përse Kryeministri nuk ishte në studio mund t’jua japë vetë Kryeministri. Po, ka pasur një ngërç të tij me emisionin dhe ky ngërç lidhet me një emision të fillimit të janarit. Së paku ky është shpjegimi zyrtar që është dhënë përmes të tretësh. Unë me Kryeministrin as kam folur, as kam pasur debat dhe as kam diskutuar diçka konkrete. Thjesht një ditë komunikimi ka pushuar dhe që nga ajo ditë s’kemi folur më në telefon. Vetëm kaq. Unë vijova emisionin sipas të njëjtit stil dhe shpesh më vinte të qeshja kur pas intervistave me Ramën apo të tjerë, kolegë të mi në studio apo gazeta diskutonin si të mirëqenë që pyetjet vinin nga Berisha. Dukej qesharake, por përderisa ata kishin vendosur të vijonin komentet ne një mungesë të plotë informimi, nuk desha fare të ndërhyja. Pak njerëz që punojnë me emisionin si Lubonja, Bushati, Shkullaku, Baton Haxhiu kanë pasur dijeni për atë që po ndodhte dhe të gjithë më kanë sugjeruar që të vijoja normalisht pa tensione. E fundit, besoj se Berisha kishte zgjedhur si formë prezence në publik një model që e aplikoi edhe Basha në 2011, modelin e Taun Hollit. Ky model nuk përputhet me stilin e emisionit tim dhe unë s’mund të bëj diçka që s’është e imja. Nuk pranova të drejtoj as Taun Hollin e Bashës në 2011 dhe s’kisha pse negocioja me Berishen për një gjë që s’më takonte në 2013. Nga ana tjetër nëse Kryeministri vinte në intervistë, apo prezantim programi sipas modelit që zgjodha unë, ashtu siç bëri Rama, ai do të ishte i mirepritur. Në fakt asnjëherë ai nuk tha as po dhe as jo, dmth përmes zëdhënësve, por në fund deklaroi se donte model jashtë studioje dhe me publik që pyeste. Këtu vijoi vetë…Edhe diçka. Unë kam pasur nje raport kompleks pune me Sali Berishën si politikan. E kam njohur mëngjesin e 10 Dhjetorit 1990 në Qytetin Studenti, një ditë përpara se Ramiz Alia të priste përfaqesinë e studentëve dhe të deklaronte pluralizmin politik; kam qenë në dhomën ku ai u zgjodh anëtar i Komisionit Nismëtar të PD; kam qenë aty kur u zgjodh Kryetar Partie në 14 Shkurt 1991! Për vite kam pasur raporte të tensionuara dhe opozitare me të dhe për vite të tjera, një raport që unë e komsideroja mjaft miqësor. Por raporti me të, qoftë edhe në distancë ka ekzistuar gjithnjë. Ai është padyshim politikani më i talentuar i këtyre 23 viteve dhe njeriu që do shënjojë edhe historinë post komuniste të Shqipërisë. E kam thënë edhe njëherë, që sot e tutje ai nuk e ka raportin me ne, por me historinë. Vitet e opozitës me të kanë qenë të ashpra, vitet e miqësisë të bukura dhe padyshim që sot i vlerësoj shumë. Miqësia me të, në një farë mënyre ishte një privilegj. Por sa vlen, sa zgjat dhe kur prishet një raport miqësor, nuk besoj se kjo i intereson lexuesit. Ky është një raport personal dhe vetëm kaq!
Marrë nga Shekulli