Elton Qyno
Pëllumb Çabej ishte duke pastruar xhamin e dritares, kur ka rrëshqitur. Nuk pësoi asnjë dëmtim
Pëllumb Çabej, botuesi i një sërë librash studimorë dhe pronar i një librarie “Çabej” në Tiranë, është rrëzuar nga kati i katërt i pallatit të tij, por fatmirësisht është ndalur në stendën e një biznesi në katin e parë. Çabej ka qenë duke pastruar dritaren e apartamentit që ndodhet te pallatet “Shallvare”, kur papritur është rrëzuar, duke u ndalur në tendën e katit të parë të një dyqani që ushtron aktivitet tregtar. Nga rënia prej 12 metra lartësi, shkrimtari nuk ka pësuar asnjë dëmtim, ndërkohë që policia e pasqyroi lajmin në media se ai është hedhur nga dritarja e apartamentit, duke dashur të vetëvritet. Mirëpo e kundërta e kësaj ka ndodhur gjatë marrjes në pyetje të Pëllumb Çabej, i cili ka pohuar se ishte duke pastruar xhamin e dritares së njërës prej dhomave të apartamentit, kur nga një pakujdesi e tij, ai është rrëzuar dhe e ka gjetur veten në tendën e katit të parë të një dyqani. Banorë të zonës, por edhe kalimtarë që kanë parë ngjarjen në fjalë, kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë dhe disa të tjerë kanë njoftuar policinë e Tiranës. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie si dhe një autoambulancë e cila, pasi është mundësuar zbritja e 50-vjeçarit nga tenda, e ka marrë atë duke e transportuar në drejtim të spitalit.
Botuesi: Jam mirë
“Jetëgjati asnjëherë nuk bëhet jetëshkurtër”. Kjo është një fjalë që populli e përdor shpesh. I tillë ka qenë dhe fati i botuesit Pëllumb Çabejit, i cili ka rënë nga kati i katërt i pallatit, duke përfunduar në stendën e një dyqani shëndoshë e mirë. Nga përplasja me stendën, Çabej nuk ka pësuar asnjë dëmtim trupor, ndërkohë që shprehet se ai është shëndoshë e mirë. Sapo kanë mbërritur forcat e policisë dhe ato të shërbimit zjarrfikës, shkrimtari është marrë nga një autoambulancë dhe transportuar në drejtim të spitalit. Pëllumb Çabej, nuk ka dashur të hipë në autoambulancë pasi ka pretenduar se e ndjente veten mirë dhe se nuk kishte nevojë për mjekim, por policia për të shmangur çdo problem të mëtejshëm ka urdhëruar që 50-vjeçari të transportohet në spital dhe të verifikohet nga ana e gjendjes shëndetësore. Pasi ka mbërritur në spital, Çabej i është nënshtruar një kontrolli mjekësor pasi mendohej se ai mund të kishte marrë ndonjë frakturë nga rrëzimi i katit të katërt, por që fatmirësisht një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Çabej ka marrë vetëm një serum dhe më pas është lënë i lirë për të shkuar sërish në banesën e tij.
Banonte i vetëm
Prej disa vitesh Pëllumb Çabej banonte vetëm në shtëpi dhe kjo gjë ka shtyrë policinë e Tiranës të hedhë dyshime të forta se 50-vjeçari është hedhur nga dritarja duke tentuar të vetëvritet. Në fillim u mendua se shkak i këtij akti ka qenë depresioni, por që në fakt ka qenë krejt e kundërta. Çabej, si çdo ditë, duke mos pasur praninë e një gruaje, punët e shtëpisë i bënte vetë. Kështu edhe ditën e djeshme, teksa ishte duke fshirë xhamat e dritares së tij, ka rrëshqitur papritur dhe për pak sekonda e ka parë veten në tendën e një dyqani poshtë pallatit. Fillimisht ai është trembur shumë, por kur ka ndalur në tendë, ai është tërhequr këmba dorasi derisa ka mbërritur në një vend të sigurt dhe aty ka qëndruar deri në pritje të ardhjes së policisë së Tiranës.






