Zisu Tërpo, shqiptari që përjetoi Gulagun rumun

 Nga Dr. Florin Colonas


Pas daljes nga Lufta e Dytë Botërore, një pjesë e Europës do të përballej me një tjetër mynxyrë. Dukej sikur ishte vetëm një ndërrim nuance, një alternancë ngjyre për lindorët, nga e gjelbra në të kuqe. Ndryshon ideologjia. Kalohet në demokracinë socialiste, e cila, shumë e sigurt se vetëm kështu i gjithë populli mund të jetë i lumtur, përbalti gjithçka që ishte kombëtare, dhunoi gjithçka që ishte e vlefshme në personalitetin njerëzor, duke përmbysur vlerat, duke kthyer me kokë poshtë kriteret e vlerësimit të personalitetit njerëzor. Ndryshimi i sistemit në Rumani çoi në atë që në krye të hierarkisë, të vendosej një institucion "në shërbim të popullit" që quhej “Securitatea” (sigurimi), ndërkohë që në Shqipëri u quajt Sigurimi. Njerëzit e saj ishin "më të zgjuarit", ata që duhet të bënin rregull në jetën shoqërore, partia komuniste u kishte dhënë kompetenca të plota.

Qëllimi i tyre ishte shkatërrimi i më të aftëve, i më të diturve dhe i atyre që kishin vërtet pikëpamje demokratike. Pse? Sepse në fillimet e tij, ky institucion shtypës kishte në radhët e saj njerëz pa kulturë dhe shpesh të paarsyeshëm, mundësisht sa më pak shkrim e këndim, të rekrutuar nga shtresat më të ulëta të shoqërisë, të frymëzuar nga komisarët politikë të Sovjetskaia Armia, u shndërruan në xhelatët e popujve të Europës Lindore.
Shtypja e partive historike
Në Rumani, pas krijimit, në mars 1945, të qeverisë të udhëhequr nga Petru Groza, u kalua, sidomos nga mesi i vitit 1947, në një spastrim të vërtetë social përmes arrestimesh, dënimesh, shtetëzimesh, konfiskimesh dhe internimesh. Sigurisht se në këtë vorbull politike në shënjestër ishin anëtarë të partive politike, historike, Partia Fshatare Kombëtare, Partia Kombëtare Liberale, dhe madje edhe Partia Social Demokratike, e cila ishte bashkuar me Partinë Komuniste. Por komunistët u arrestuan dhe mes tyre, kështu që dhe si anëtarë të PSD, ata rënë viktima të terrorit të kuq.
Pas vitit 1948, përmes metamorfozës të Sigurisë së Shtetit në Shërbimin e Sigurimit të Shtetit, u shkaktua një uragan i vërtetë në botën e politikës, duke filluar me arrestime masive mes ish-anëtarëve të partive tradicionale. U fillua duke arrestuar krerët e tyre, duke zbritur gradualisht, vetëm në dy vjet, për të mbërritur tek anëtarët e thjeshtë dhe mbështetësve të këtyre forcave politike. Natyrisht, objekt kryesor ishte  PNT, (Partia Fshatare Kombëtare) një forcë e fuqishme, me shumë anëtarë dhe me një bazë elektorale të qëndrueshme.
Në mesin e anëtarëve të kësaj partie ishte edhe një shqiptar, i quajtur Zissu P. Tarpo, i cili nuk kishte pozita në parti, por ishte i njohur për bindjet e tij thellësisht demokratike. Zissu Tarpo lindi në Shqipëri më 13 mars 1913 në fshatin Drenovë, pranë qytetit të Korçës, ishte djali më i vogël i pronarit të një lokali të vendosur në Bukuresht, Petro Tarpo (Botka) dhe Evanthisë (me mbiemrin e vajzërisë Nano). Në moshën një vjeçare, do të vijë me nënën dhe motrën e saj më të madhe, Marien, në Rumani. Ndoqi shkollën e mesme "Princi Karol" në Bukuresht, pastaj u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë, duke u bërë anëtar i PNT qysh në moshën 19 vjeçare, në vitin 1932. Më 7 qershor 1948, në mes të ditës, u mor nga shtëpia dhe u dërgua në Drejtorinë e Përgjithshme të Sigurimit Shtetëror, ku u mbajt në katin e shtatë të ndërtesës në rrugën Eforia, i mbyllur në një dhomë rreth njëzet metra katrore bashkë me tridhjetë burra të tjerë në një ditë të nxehtë, pa ujë dhe në kushte të rënda.

Nga burgu në burg

Të ndjekim itinerarin e "universiteteve" të ndjekura nga Zisu Tarpo, për të përdorur një term nga trilogjia e Maksim Gorkit, i cili e ka quajtur një libër autobiografik "Universitetet e mia", por në një kuptim krejt tjetër.
Pas rreth një jave u dërgua në burgun e Vakareshtit, ku u mbajt për dy javë në burg, pastaj u dërgua në një burg që do të bëhet i njohur në Pitesht, ku do të fillojë eksperimenti i tmerrshëm i "riedukimit".
Para se të vijojmë udhëtimin e "të burgosurit”, dua të theksoj se në Pitesht, gardianët përdornin ende apelativin "zotëri", duke pasur frikë shumë syresh, duke përfshirë këtu edhe drejtorin Dumitrescu, për të cilin kam dëgjuar se ishte amator i muzikës, se mund të vinin amerikanët dhe do të kthehej rrota mbrapa sërish.
Duke u kthyer pas në kohë, duhet ju tregoj se në vitin 1938, pas një konflikti me ministrin e Punëve të Brendshme, Picky Vasiliu, duke qenë pa pasaportë, u kërkua që të dëbohet dhe u çua deri në kufi, në Turnu Severin. Me çfarë akuzë besoni se po e dëbonin? Aktivitet komunist! Vetëm pas 24 orësh kthehet me një pasaportë italiane, të cilën e kishte marrë në Legatën italiane në Beograd. Kjo i zemëroi autoritetet dhe urdhëruan që shqiptari të dëbohet përsëri dhe të shoqërohet përsëri në pikën kufitare në Turnu Severin. Këtë herë, në nëntor të vitit 1938, do të mbërrijë në Shqipëri, ku do të qëndrojë deri në mes të prillit të vitit 1939. Do të vizitojë të afërmit në Drenovë dhe Korçë, duke shkuar në Tiranë disa herë me një aeroplan të vogël të një kompanie italiane.

I revoltuari i Gherlas

Do ta çonin në burgun e tmerrshëm të Aiud-it, ku do të takonte shumë të njohur, avokatë, gjeneralë, gjykatës, politikanë dhe zyrtarë. Situata politike ishte duke u ndryshuar me shpejtësi. Regjimit komunist forcohej çdo ditë e më shumë, kështu që, gjithë të burgosurit politikë tani thirreshin "banditë". Këtu, për shkak të qëndrimit të "pabindur" dënoheshe me tre javë qëndrim në qeli të larta dhe të ngushta (kurse racioni ushqimor për gjithë ditën ishte afër zeros, pak ujë i pijshëm dhe asnjë lloj shëtitje më këmbë). Pasoi më pas një periudhë prej disa javësh në burgun e Gherla-s. Këtu atij i ofrohet mundësia për të punuar në një kantier. Zgjedh këtë variant dhe shkon në punë. Punëtorët u detyruan të prishnin pistën e aeroportit të ndërtuar nga gjermanët në Someseni, për të bërë një tjetër më modern. Shefat e burgut i detyronin të burgosurit të "tejkalonin normën", madje thirreshin edhe familjet e tyre për të dhënë para për të blerë eksplozivë, për të ekzekutuar sa më shpejt punimet. Prindërit, bashkëshortët, të afërmit e të burgosurve përpiqeshin të dëshpëruar të mblidhnin të holla. Shisnin objekte personale me vlerë për të blerë materiale eksplozive. Projekti u realizua. Por të dënuarit u mashtruan nga drejtuesit e burgut dhe jo vetëm që nuk përfituan asgjë nga kontributi i tyre, por u kthyen përsëri në burgun e Gherla-s. Shqiptari do të organizonte një revoltë individuale, por pa asnjë rezultat. Më pas u dërgua në burgun Ocnele (Qarku Valcea), ku në një dhomë njëzet metra katrorë, do të mbaheshin rreth 60-70 të burgosur. Këtu do të jetë bashkëvuajtës me Mihai Popovici-n, zëvendës kryetar i PNT, ish-ministër i Financave. Do te ritakonte, gjithashtu, të njohurit e vjetër, fisnikët si Petre Pandrea, dhe filozofin e shquar Petre Tutea. 

"Riedukimi" në Kanal

Ai u dërgua pastaj në veprën e madhe të "socializmit fitimtar", në Kanalin Danub-Deti i Zi, për "riedukim nëpërmjet punës", në koloninë Capul-Midia, ku ndodhej detashmenti i famshëm 14, në të cilin, duhej që askush të mos mbijetonte. Në këtë detashment bënin pjesë eksponentë të partisë fshatare si Coposu sekretar i ish kryeministrit Iuliu Maniu, Kryetar i Partisë Kombëtare fshatare, Radu Kampeanu, kryetar i Rinisë Liberale Kombëtare, Princi Sherban Gjika, Nestor Marin (nënkryetari bashkisë së Calaras-it) dhe të tjerët. Për shkak të kushteve çnjerëzore të punës dhe burgimit, "shqiptari", kishte nxitur dhe kishte realizuar një revoltë, me të cilën u bashkuan anëtarë të tjerë të detashmentit. Komandanti i kampit të Midias, një ish bukëpjekës nga Turda, vendosi ngritjen e një gjyqi ad hoc, duke i dënuar të gjithë me vdekje. I ngjeshi që të gjithë në një vagon mallrash, pa ujë, pa ushqim, sipas metodës së kampeve naziste, dhe i dërgoi në Suceava , ku do të zbatohej dënimi i vendosur nga njerëz pa tru. Pas disa ditë endjesh nëpër stacione të ndryshme të vendit, vagoni mbërrin në afërsi të kryeqytetit dhe të burgosurit u "dorëzuan" në kampin e Ghençeas. Prej këtu, Tërpo do të transferohej në Kampin e Mogoshoajës, ku të burgosurit punonin në një fermë. Ju mund ta imagjinoni gëzimin e disa njerëzve të uritur dhe anemikë për të kafshuar një domate, një kastravec apo një kungull të njomë, por sidomos, dhe për të thithur ajër të freskët. Pasi përfundoi fushata e vjeljes së zarzavateve, do të transferohej përsëri në burgun e Ghencea-s, ku ai do të takonte Radu Kampeanun dhe Stavri Kuneshkën, ish-Sekretar Shteti në Ministrinë e Punës, me origjinë shqiptare, me të cilin do të fliste në drenovarçe, apo me gjuhën “ kainas” që ka folur Viktor Eftimiu (me të cilin Tërpoja ishte shumë i afërt). Pas 56 muajsh, në mbrëmjen e datës 2 shkurt 1953, lirohet pa asnjë shpjegim, pa qenë i dënuar apo i gjykuar.

Një gjyq i ri dhe një gjyqtar guximtar

Pasoi një periudhë arresti shtëpiak (A.SH), shenjë që iu vendos në kartën e tij të identitetit, duke patur detyrimin për t’u paraqitur çdo natë në seksionin më të afërt policor. Por kalvari i tij nuk përfundon me kaq. Në verën e vitit 1953, atij dhe 49 personave të tjerë i kurdiset një proces gjyqësor për një të “ashtuquajtur” sabotim, term i përdorur shpesh në atë kohë, që gjoja kishte ndodhur në kohën e burgimit të tij. Procesi zhvillohet në Medgidia dhe çdo i burgosur ishte i shoqëruar nga një polic. Në mungesë të fondeve, grupi nuk mund të angazhonin një avokat. Kështu që ish kolegët e tij të burgut, përmes priftit të rrethit Dolj, Manolache Bors, e lusin që të bëjë mbrojtjen para trupit gjykues. Sipas dëshmive të tij, ai vendosi të luajë “një kartë të madhe”, sepse, në të tilla raste, zakonisht, merrej një vendim shumë i ashpër dënimi. Zissu Tarpo nis me një mbrojtje të zjarrtë. Vetëm pas disa frazave, kryetari i gjykatës e ndërpret dhe boshatis sallën. Mbeten vetëm të akuzuarit. Në atë moment besoi se çdo gjë kishte marrë fund dhe se do t’i burgosnin. Pas disa minutash, i jepet fjala përsëri. Ai flet më shumë se dy orë, kohë gjatë së cilës ai do të evokonte dramën e dy vjetëve në kampin Midia, kafshërinë e rojeve, regjimit çnjerëzor të punës, mungesën e ushqimit dhe kushtet e burgut, dënimet e padurueshme, norma ditore e gërmimit, mungesa e të drejtës për të folur, ndalimi i korrespondencës dhe mënyrën se si personaliteti njerëzor ishte shkelur me këmbë. Kur ai përshkroi se si binin dherat, duke gëlltitur njerëz dhe vegla, sesi vrisnin ndonjë hardhucë të cilën e shqyenin me uri, gjyqtarët si dhe përfaqësuesit popullorë (njerëz të zakonshëm, anëtarë partie, pa arsim) ishin rrëqethur. Gjykata mori një vendim dinjitoz, gjithashtu të rrezikshëm për ato kohëra, duke dëmshpërblyer për gjithçka. Nderim për ta! 

Fati për të qënë mbesa e diktatorit

Por lidhja fisnore rumuno-ilire nuk përfundon këtu. Një kushëri i tij, djali i dajës se tij, doktori radiolog Kosta Nano, do të arrestohej, për arsye politike, nga xhelati Enver Hoxha dhe do të dënohej me vdekje. Meqënëse ai ishte i martuar me Klarën, mbesa e diktatorit komunist të Hungarisë, Janos Kadar, ky i fundit e lut diktatorin e Shqipërisë që t’ia kalojë dënimin me vdekje në burgim të përjetshëm.  Enver Hoxha ia bën këtë “favor”! pas vdekjes së  „të dashurit Enver”, pas tetëmbëdhjetë vjet burgimi të egër, doktori Kosta Nano del nga burgu dhe vendoset në Kanada, ku jeton edhe sot në moshën 96 -vjeçare.
Zissu Tërpo, pas një jete plot privacione, margjinalizimi dhe persekutimesh, vdes ne Bukuresht ne më 13 dhjetor 1992. Jeta e tij ilustron proverbin “gjaku ujë s’bëhet”!