Home »
» Zhdukja misterioze e Ludmila Putin
Zhdukja misterioze e Ludmila Putin
Ku ka përfunduar Ludmila Putin, bashkëshortja e kryeministrit të famshëm rus? Këtë pyetje kanë shtruar prej kohësh tabloidët anglezë, pasi vunë re se Zonja e Parë është zhdukur nga skenat publike që prej një viti pa lënë asnjë gjurmë
Ka nga ata që pohojnë se është tërhequr në një manastir, siç bënin njëherë e një kohë careshat e Rusisë kur refuzoheshin nga bashkëshortët e tyre dhe fakti është se Ludmila Putin, shumë diskrete dhe e rezervuar në krahasim me Zonjat e Para të shteteve të tjera, nuk është parë më në publik prej më shumë se një viti. Mungesa e saj nuk kishte si të mos binte në sy në një nga festat më të rëndësishme të Rusisë, atë të Pashkëve, ditë në të cilën shtetarët rusë shoqërohen nga bashkëshortet në vizitat zyrtare. Bjondia Ludmila nuk ishte e pranishme në krah të të shoqit, por në vend të saj ishte kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobianin. Ky fakt ngjalli një seri të gjatë batutash dhe aludimesh, pasi kreu i shtetit kishte zgjedhur një burrë në vend të së shoqes për një festë kombëtare.
Duke lënë mënjanë ironinë, mungesa e Ludmilës po fillon të bëhet shqetësuese. Shfaqja e saj e fundit në publik i takon vitit të kaluar, kur Putini u kthye në Kremlin. Më e re se ai, Ludmila mbushi 55 vjeç në muajin janar dhe as në këtë rast nuk pati ndonjë lajm mbi të, përveç një mesazhi të çuditshëm të liderit çeçen Ramzan Kadirov në Twitter, i cili uronte “gruan e parë” të presidentit rus për ditën e saj të lindjes.
Që nga viti i kaluar qarkullonin zëra për një divorc mes çiftit presidencial, për shkak të flirteve me kampionen olimpike, Alina Kabajeva, e cila prej kohësh është bërë pjesë e radhëve të partisë së Putinit. Madje në dhjetor të vitit të kaluar bëri bujë lajmi se ish-gjimnastja, 28 vjet më e re se presidenti kishte sjellë në jetë fëmijën e tyre të dytë. Zëra të cilat Putini, në të kaluarën është përpjekur t’i mbulojë duke u paraqitur me zonjën e tij Ludmila në evente të ndryshme. Hera e fundit që ata u paraqitën bashkë ka qenë në ceremoninë e përurimit të tij si president në maj të 2012-s e më pas asgjë.
Dhe kështu tabloidët janë vënë në ndjekje të ish-stjuardesës së “Aeroflot” e cilësuar si Zonja e Parë “më e padukshme” në histori. Ka nga ata që pohojnë se e kanë parë në Itali, ku ka kaluar disa ditë pushimi në Komo, ndërsa zëra të tjerë thonë se është bërë pronarja e një restoranti luksoz në Moskë. Në librin e një gazetareje gjermane, të publikuar vite më parë mbi zhdukjen e saj mbështet teza se martesa midis asaj dhe Putinit kishte marrë fund që kur ky mbulonte rolin e agjentit sekret në BRSS. Një martesë “farsë”, e çuar përpara gjatë gjithë këtyre viteve më shumë për formalitet institucional që tani përpiqet t’i nënshtrohet harresës ashtu si shumë martesa të dështuara, por është pikërisht pesha e presidentit që mban Putini që e pengon një gjë të tillë. Përgatiti: Dorina Gjuzi/dita









