Home »
» Vetëvendosje, demonstratë ditën e ratifikimit të Marrëveshjes – VIDEO
Vetëvendosje, demonstratë ditën e ratifikimit të Marrëveshjes – VIDEO
Drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje edhe njëherë kanë ftuar të gjithë qytetarët e vendit që të dalin të enjten në ora 9:00 në demonstratë për të kundërshtuar ratifikimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovës-Serbi. Lideri i kësaj Lëvizje, Albin Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës po dëshiron që shpërndaj përgjegjësinë me LDK-në dhe AAK për të ratifikuar këtë marrëveshje. Kurse Shpend Ahmeti ka thënë se po shihet qartë që datën 3 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale e ka caktuar, Ivica Daçiq dhe duke emëruar edhe komandantin e Policisë së Kosovës, Nenad Gjuriq, shkruan Kosovapress.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Kurti ka thënë se ekzekutivi i vendit po bënë përpjekje për të ratifikuar këtë marrëveshje dhe të shpërndaj përgjegjësinë tek partitë e tjera. “Siç e dini Qeveria e Kosovës po orvatet që të ratifikoj marrëveshjen Thaçi-Daçiq dhe ndoshta edhe planin e zbatimit. PDK-ja dëshiron që të shpërndaj përgjegjësinë edhe me LDK-në e AAK-në dhe të i nënshtroj të dyja këto. Kështu Daçiqi po e përdor Thaçin dhe marrëveshjen me të për të avancuar Serbinë drejt Bashkimit Evropian dhe brenda Kosovës, ndërsa Thaçi po e përdor Daçiqin dhe marrëveshjen me të për të dominuar LDK-në dhe AAK-në si dhe për imunitet ndaj EULEX-it”, ka deklaruar Kurti. Madje ai e ka quajtur Qeverinë e Kosovës si qeveri mafioze dhe sipas tij problemet e përgjuara të aferës “printo” që dolën në publik e dëshmuan këtë gjë, ndërsa ka shtuar se paqja dhe stabiliteti po mbahen përmes dialogut e marrëveshjeve ndërmjet kriminelëve të korrupsionit në Prishtinë e kriminelëve të luftës në Beograd. “Normalizimi i marrëdhënieve është normalizim i marrëdhënieve ndërmjet kriminelëve të cilët e kanë gjetur gjuhën e përbashkët, sepse i kanë të përbashkëta interesat”, ka theksuar ai.
Kurti ka shtuar se Qeveria e Kosovës po ngutet që të bëhet ratifikimi në Kosovë para se të bëhet në Serbi, gjë që sipas tij me këtë mënyrë plagës në Kosovë, Thaçi po ja shton fyerjen, ndërkaq shërbimin që po ja bënë Serbisëe po ja shton dhuratën. Ai ka ftuar të gjithë qytetarët e vendit, gjithë ish të burgosurit politik, veteranët e lirisë, që të dalin dhe të kundërshtojnë ratifikimin e kësaj marrëveshje në demonstratën e 27 qershorit. “Ne do të kundërshtojmë ratifikimin e fuqishëm brenda Kuvendit e jashtë tij. Të enjten jemi njoftuar që do të sillet në Kuvend për ratifikim kjo marrëveshje. Prandaj në ora 9 e mëngjesit me 27 qershor në Sheshin “Nëna Terezë” para Kuvendit e Qeverisë së Kosovës do të mbahet demonstratë kundër ratifikimit të marrëveshjes me Serbinë. Nëse ratifikimi sillet nesër (mërkurë) atëherë një orë para seancës fillon demonstrata. Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohemi në këtë demonstratë. Dallimet që mund të i kenë qytetarët në bindjet e tyre politike janë të parëndësishme karshi kësaj të keqe që duan të ja vënë vulën e Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkohë i pyetur a do të ketë ndonjë aktivitet nga deputetët e kësaj lëvizje në Kuvend të Kosovës, Kurti nuk ka mohuar një gjë të tillë. “Ne bëjmë veprime demokratike e paqësore. Do të bëjmë sërish, kemi kryesinë tonë, grupin parlamentar dhe aty i marrim vendimet”, ka theksuar ai. Për më tepër ai ka thënë se nëse ratifikohet kjo marrëveshje shteti i Kosovës është shtet në letër, pavarësia e Kosovës është pavarësi në letër.
E nënkryetari i kësaj lëvizje, Shpend Ahmeti ka thënë se datën për mbajtjen e zgjedhjeve lokale po shihet qartë që e ka caktuar Ivica Daçiq. “Tashmë si duket edhe Qeveria e Kosovës është inatosur pak me Daçiqin se përse e përmendi ai datën 3 nëntor, por dihet qartë që kjo është datë kur Serbia ka vendosur që të mbahen zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës. tash mund të del Qeveria dhe të thotë sa të dojë jo ne e propozoj Quinti, jo na erdh propozimi prej Brukseli, jo prej Catherine Ashton”, ka theksuar Ahmeti. Po ashtu ai ka thënë se edhe komandantin e Policisë së Kosovës, Nenad Gjuriq e ka emëruar Serbia, përkundër dy shkarkimeve që i ka pasur. Duke komentuar deklaratën e kryeministrit , Thaçi se opozita mund të propozoj çfarëdo datë për mbajtjen e zgjedhjeve, por duhet të jap përgjegjësinë që ato të mbahen në gjithë vendin, Ahmeti ka thënë se pajtohet me këtë deklarim të kryeministrit, duke shtuar se Vetëvendosja i organizon zgjedhjet, vetëm kryeministri të jap dorëheqje.
Ndryshe ratifikimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë pritet që të dal për votim në seancën e së enjtes.





