Nata mes shtunës dhe të dielës ishte më e përgjakshmja, qëkur para 20 ditësh në Stamboll nisën protestat antiqeveritare. Policia e armatosur me gaz lotsjellës, shkopinj gome, topa uji, e të mbështetur nga automjete të blinduara, deri në orët e hershme të mëngjesit kanë rrahur brutalisht demonstruesit.
Ishte kjo përgatitja për ardhjen e kryeministrit turk Recep Tayyip Erdogan në Stamboll, për herë të parë qëkur nisën protestat masive. Vetëm disa orë më parë, protestuesve që qëndronin në parkun Gezi të lagjes Taksim, Erdogani ua dha një kërcënim të drejtpërdrejtë: ose shpërndahuni, ose ne do t’ju dëbojmë.
Premtimi u përmbush shpejt. Në Stamboll arritëm më shumë se njëmijë forcat të policisë speciale nga pjesë të ndryshme të Turqisë, të cilat u dërguan tek protestuesit. Taksimi është “spastruar” nga protestuesit dhe çadrat e tyre u shkatërruan. E tërë kjo u bë që të sot Erdogani të mund të mbajë një tubim partiak në një pjesë krejtësisht tjetër të qytetit.
Në takimin e partisë së Erdoganit për Drejtësi dhe Zhvillim, u mblodhën mbi 10 mijë mbështetës, raporton BBC.
Mbështetësit e Erdogan thërrisnin: “Populli është këtu, ku është turma”, “ne jemi shumica e heshtur, e jo llumi që u përpoq të na trembë”, tha për Reuters një prej mbështetësve të partisë në pushtet.
“Kjo është fotografia e vërtetë e Turqisë, pavarësisht se çfarë emitojnë mediat ndërkombëtare”, u tha Erdogani tifozëve të mbledhur, ndërsa ftoi CNN-in, BBC-in dhe Reuters-in “që të shtrembërojnë imazhin e këtij takimi, nëse munden”!
Erdogani në fjalimin e tij sulmoi protestuesit, duke thënë se ata janë mbështetur nga grupet e interesit, ndërsa shtoi se ” protestat u ndoqëm më shumë nga shtetasit e huaj”.
Ai ia dërgoi një mesazh edhe Parlamentit Evropian, i cili miratoi një rezolutë mbi protestat në Turqi. Dihet, Evropa ka kritikuar Erdoganin për represion policor.
“Turqia nuk është vend që do të pranojë sugjerimet nga Parlamenti që nuk di gjë për Turqinë. Bashkimi Evropian duhet ta di se ku e ka vendin”, tha Erdogani.
As protestuesit nuk rrinin duarkryq. Mijëra njerëz që refuzojnë të pranojnë represionin e Erdoganit, disa herë gjatë ditës u përpoqën të kthehen në Sheshin Taksim, i cili është i rrethuar nga kordoni policor. Policët as këtë herë nuk kursyen gazin lotsjellës dhe topat e ujit.
Në disa pika në Stamboll, por edhe në Ankara, protestuesit u përleshën me policinë.
“Do ta marrim përsëri Sheshin Taksim dhe parkun Gezi në Taksim”, tha për Guardianin një zëdhënës i një grupi të protestuesve, Alican Elagoz.
Guvernatori i Stambollit, Huseyin Avni Mutlu, tha se Sheshi Taksim dhe parku Gezi janë mbyllur deri në një njoftim të mëtejshëm për publikun dhe se askush nuk ka të drejtë të mblidhet aty.
Policët që kanë rrethuar Sheshin Taksim legjitimojnë kalimtarët dhe kontrollojnë bagazhet e tyre.
Protestuesit nuk ia kanë dalë ende ta marrin Sheshin, por grupet e mbledhura në rrugët anësore synojnë të depërtojnë. Problemi i madh për ta është përdorimi i tepruar i gazit lotsjellës nga policia. Protestuesit kundërpërgjigjen duke sulmuar policët me gurë.
Sipas raporteve të gazetarëve ndërkombëtarë në Stamboll, merret përshtypja se kjo është vetëm një hyrje drejtë protestave në masë të gjerë. Erdogani, me aksionin policor të së shtunës, vetëm sa ka shtuar revoltën e njerëzve kundër autoriteteve shtetërore, çështje kjo që javët e fundit është bërë shumë e ndjeshme në Turqi.
Në mbështetje të kësaj teze shkon edhe fakti se dy sindikatat më të mëdha turke kanë paralajmëruar grevë për të hënën. Grevës do t’i bashkohen 240 mijë punëtorë. Greva fillestare do të zgjas vetëm 24 orë, por shpejtë mund të vazhdojnë nëse represioni i Erdoganit ndaj protestuesve nuk merr fund.
Krerët e sindikatave kanë deklaruar se qëllimi i grevës është të ndalet dhuna policore ndaj qytetarëve të Turqisë. /Telegrafi






