Tri ditë midis poetësh


Nga Dhimitër Shuteriqi*


Vjeshtën e vitit 1936 u nisa për studime universitare në Francë. Duke kaluar nga Tirana, vendosa të qëndroja aty nja tri ditë, që po i cilësoj "Tri ditë midis poetësh". Ishte rasti të njoh poetët e rinj, të cilët banonin në kryeqytet: Petro Markon, Nexhat Hakiun, Aleks Çaçin, Andrea Varfin, Shevqet Musarain, Manush Peshkëpinë. Shevqetin e kam konfonduar me Manushin si fizik gjer ditën kur do ta shihja përsëri në Tiranë më 1945. Me Nexhatin kam patur korrespondencë, që e ruaj pjesërisht. Të gjithë këta i njihja nga shkrimet e tyre në shtypin e kohës, akoma asnjëri prej tyre nuk kishte botuar librin e parë, e të gjithë më njihnin vetëm nga shkrimet, përveç Petros, i cili ishte takuar me mua njëherë në Korçë. Midis tyre unë çmoja veçanërisht Petron, diçka edhe Nexhatin. Andrea kishte shkruar një kritikë të ngrohtë për vëllimin tim të dytë të vjershave "Kangë?" qe doli atë vit. Takova dhe njoha me këtë rast Tajar Zavalanin, Branko Merxhanin dhe një ditë Skënder Luarasin.
Në Tiranë u shoqërova sidomos me Petron. Fjeta tri net në dhomën e tij në varfëri të plotë. Petrua, një djalë i hijshëm, kaçurrel, i pakrehur, sikur të kishte dalë nga analet e romantizmit, me një gjuhë të përpjekur, me të folmen të shpejtë, me gazin në buzë, turbulent më shumë se i zhurmshëm, që jo vetëm shkruan poezi por edhe jeton si bohem, - që ka guximin e moshës, që hyn e del gjithkund, gjurmon, heton, qan hallet, thumbon, që shkruan shumë e s'ka shumë kohë të mendohet, që më s'e lexon atë që shkroi e botoi, që njeh një mori njerëzish, shkrimtarë, gazetarë, intelektualë gjithfarësh, nëpunës, deputetë, ministra - dhe që e njohin të gjithë. Të gjithë e dinë se është komunist po miqve, ndonëse e çmojnë, s'u duket se e ka me tërë mend, është më shumë poet se komunist, më shumë bohem se i veprimit shoqëror, më shumë i veprimit të çastit, se njeriu që mundet të organizojë për nesër. Musa Juka i ka mbyllur "ABC"-në, që nxorri së bashku me Asim Vokshin, po ky ishte një guxim i tepruar. Guximi mund të kishte merituar burgun, po Musai nuk u druhej ende poetëve, ndonëse diçka gazetarëve.
Komunizmi dukej ende larg si rrezik e këtu në Shqipëri më shumë si "modë", pa "bazë sociale" sikundër mendonte Mehdi Frashëri dhe do të shkruante Branko Merxhani, megjithëse ngjarjet e Korçës dhe Kuçovës po i çelnin sytë qeverisë. Burgoseshin më shumë antizogistët, burgimi i komunistëve gati nuk kishte filluar. Në Korçë gati lexohej sheshit "Humanite"-ja. Mund të këndoje "Internacionalen" përpara prefekturës, po "Lirinë kombëtare" mund ta lexoje vetëm nën "dorë".
Petroja ishte redaktor i Branko Merxhanit, që nxirrte revistën "Përpjekja shqiptare". Njëri komunist, sepse ka një Moskë, një Stalin, po që nuk ka lexuar as Marks, as Engels, as Stalin, pale Lenin, tjetri eklektik, e që i thotë vetes "pozitivist" sepse vjen nga Turqia, ku pozitivizmi ka patur ndikim të madh ndër intelektualë, po që ka kulturë gjermane dhe është plot admirim për filozofinë gjermane të pjesës së dytë të shek.19 e këtej, pra që i pëlqen Kanti, Dyrkhaimi edhe Froidi ta zemë.
Petrua është larg nga të gjitha këto, po që është i bindur që letërsia mundet dhe duhet të veprojë "për një shoqëri tjetër" ku të mund të vendoset "lumturia njerëzore" dhe ndjen se te një Branko bashkohet shpirti demokrat me një mendje filozofike, e cila zor se do të pajtohet me idealet e komunizmit, që ai e cilëson "utopi" për Shqipërinë e kohës.
Unë isha një poet që vija nga Bodleri dhe simbolizmi, po që kisha përkthyer dhe "Manifestin e komunizmit", që kisha nisur të lexoj ndonjë prej klasikëve, Engels, Bukarin, Kolontaja e ndonjë, që nuk më kujtohet po që shkolla e leximet më mbanin sidomos pas Paskalit, Dekardit, Kantit, Dyrkhaimit me shokë. Poet që isha i bindur se na duhej një "realizëm shoqëror" që kisha shkruar mbi këtë realizëm - të cilit nuk i besoja fort në poezi, por i besoja plotësisht në prozë. Me Petron më bashkonte kështu thelbësorja. Ky kishte shkruar ndër të parët "Drejtimet e reja letrare", kurse me Brankon mund të hyja edhe në ndonjë diskutim savant.
Petroja më njohu me Brankon dhe ndonjë diskutim të tillë e prekëm duke pirë një kafe në "Kursal", një darke në restaurantin "Adriatik" apo në redaksinë e "Përpjekjes". Për shembull a mund të kishte "një mendim filozofik shqiptar". Brankoja nuk çmonte gati asgjë nga përpjekja filozofike e mendimtarëve tanë të së kaluarës, edhe pse Rilindasit tanë fjala vjen, i çmonte fort për mendimin patriotik, letërsinë që krijuan dhe veprimtarinë që patën. Ai nuk e thoshte por të jepte përshtypjen se mendimi filozofik shqiptar "tani po lindte" dhe po lindte si një "mendim pozitivist", që i përshtatej kohës e që kishte të ardhmen. Doemos "në krye" të këtij mendimi ishte ai vetë me shokët e brezit të tij: Vangjel Koça, Ismet Totoja, - kurse "marksistët", këta ishin ca "poetë" ose "agjitatorë", por pa të "ardhme". Kjo e ardhme të paktën në Shqipëri për Brankon, i përkiste pozitivizmit dhe do ta përgatitnin intelektualët.
Unë ato tri ditë në Tiranë i kalova sidomos me Petron dhe biseduam gati vetëm për poezinë, për shokët poetë dhe për përpjekjet e tyre, regjimin shtypës e për hallet e mëdha të popullit, po edhe për qejfet e rinisë ashtu si bëheshin në atë kohë.
Një mëngjes, - të ditës së para a të dytë, - Petrua më thotë se duhet të njihesha me Ismet Toton, i cili drejtonte bashkë me Nebil Çikën gazetën "Arbëria". Ismeti ishte tanimë shumë i njohur edhe si publicist që shqetësohej për të ardhmen e vendit e që e shijonte letërsinë. Shqetësimet e tij për të ardhmen përfunduan siç dihet, në kërkesën e një "diktature të ndritur" - një lloj fashizmi. Për këtë Ismeti e tronditi simpatinë që kishte në rrethet e të rinjve përparimtarë përfshi edhe mua. Libri i tij mbi Ismail Qemalin, le të ishte Ataturku protagonist i "oksidentalizimit të Turqisë" dhe shqiptar nga nëna, nuk më tërhoqi ca më keq përkthimi i Karlajit, që vështrohej si paraardhës i fashizmit bashkë me Niçen, le të kishte shkruar Ismet Totoja një artikull shumë entuziast për librin tim "Kangë?" botuar në faqen e parë të gazetës "Arbëria" e datës 23 shkurt 1936. Po citoj pak gjë nga ky artikull: "Na thonë që Dhimitë Shuteriqi, qenka një djalë i ri. Parvjet na dha një tufë me vjersha me titullin "Kangët e rinisë së parë" tani vonë ka shtypur ndo 20 vjersha të reja me titullin "Kangë?". Të mos keshët vënë asnjë pikëpyetje z.Shuteriqi. Të tuat janë këngë, këngë dhe ligjërime që prekin thellë atë që ndjen. .... Virtyti i fisit tonë do të shprehet kur me gojën e Lasgushit, herë me të Koliqit, herë me të Nologusit e herë me të Shuteriqit." Firmosur me pseudonimin e tij Om (Omega)

*Dhimitër S. Shuteriqi. Marrë nga Blloku i kujtimeve të qershorit 1970 


Milosao

Related Posts: