Dimitër DINEV
Radioja zinte vend të veçantë në kohën e socializmit real. Ajo qe e vetmja pajisje me të cilën mund të merrje lidhje të drejtpërdrejtë me Perëndimin. Domethënë, për t’u ndjerë disident, njeriut nuk i duhej asgjë tjetër, përveçse një aparat i mirë radioje, i vënë në valët e stacioneve “Europa e Lirë” dhe “Zëri i Amerikës”. Mblidheshin tre veta pranë një radioje të tillë, për të hedhur një gotë raki, dhe pa një pa dy mund të flitej për lëvizje të rezistencës. Radioja qe diçka e mrekullishme, sepse, ndryshe nga rakia, ngjallte te secili ndjenjën se ai ishte heroi. Dhe të gjithë e donin.
Edhe Zarko Kiçevi e donte, por ndjesia e tij ishte rrjedhojë e një historie krejt tjetër. Deri në vitin 1987 radioja nuk kishte luajtur absolutisht kurrëfarë roli në jetën e tij. Në vjeshtën e po atij viti gjithçka do të ndryshonte. Zarkoja shkoi në Pllovdiv për studime në agronomí dhe zuri me qira një banesë për vete, dhomë në apartamentin e një mësueseje pensioniste. Vetëm se muret e banesës qenë aq të holla, sa që Zarkoja dëgjonte jo vetëm shfletimin e albumit me fotografi nga zonja e shtëpisë në dhomën ngjitur, por edhe psherëtimat e saj më të lehta.
E gjitha kjo zor se do të kishte aq rëndësi, nëse dy javë më pas nuk do të ishte njohur me Venetën. Mirëpo, sa më shumë afrohej me Venetën, aq më të rëndësishme bëheshin muret përreth tij.
Një ditë, edhe muri i fundit i padukshëm ndërmjet të dyve ra, menjëherë pas tij edhe rrobat e trupit, dhe, ashtu sikundër ia kishte patur frikën, mu në dhomën e tij e asgjëkundi tjetër. Në kuzhinën ngjitur e zonja e shtëpisë atbotë po trazonte filxhanin e kafesë.
- Këtu gjithçka dëgjohet, - i tha ai me zë të mbytur.
- Hape radion, - i pëshpëriti në vesh Veneta.
Qysh nga ky ças,t radioja u bë bashkudhëtar i përhershëm i jetës së tyre dashurore. Pothuaj nuk kishte program që të mos e njihnin. Herë dëgjonin muzikë, herë lajmet, herë buletinin e nivelit të ujit në lumin Danub me centimetra, por edhe reportazhet për sukseset e ekonomisë së planifikuar socialiste si dhe lëvdatat për të gjitha brigadat, që realizonin planin para afatit. Dhe u bë rregull i përhershëm që, kur donin të bënin dashuri, mjaftonte t’i thonin njëri-tjetrit: “Hajde të dëgjojmë radion.”
Emisionet ndikonin në lojrat e tyre dashurore në mënyra nga më të ndryshmet. Ndërsa Venetën më shumë e eksitonin këngët revolucionare e partizane, të cilat e entuziazmonin për t’u hedhur në eksperimente, ia shtonin fantazinë dhe e bënin më të zjarrtë, Zarkoja mbahej më gjatë në aktin dashuror, kur dëgjonte fjalimet e partiakëve të lartë. Mbase për shkak se fantazia i punonte për komunizmin, ardhja e të cilit po vonohej e po shtyhej vazhdimisht. Ja, pra sesi Zarkoja harmonizonte të dobishmen me të këndshmen, për arsye se, çka rritej e bëhej më e fortë nga këto fjalime, nuk qe vetëm vetëdija e tij klasore. Nuk qe disident, por nganjëherë edhe tek ai radioja ngjallte ndjesinë se ai qe heroi. Për fat të keq, shumë shpejt do të vinin kohë të reja, e bashkë me to edhe heronj të rinj. Pas rënies së socializmit, Veneta u nda me Zarkon, sepse në jetën e tyre dashurore diçka ngeci.
E si mund të ndodhte ndryshe? Vërtet dolën një tufë radiostacionesh të reja, por fjalimet partiake u zhdukën. Befas Zarkos nuk i mbeti gjësendi e fortë. Nuk kishte më lidhje të fortë, as punë të fortë, as vendbanim fort të qëndrueshëm, për të mos folur fare për vetëdijë klasore të fortë. Prandaj edhe ai, si shumë e shumë të tjerë, u nis për të kërkuar kismetin në Perëndim. Për ironi të fatit, e rrasën ilegalisht në Austri në një kamion të ngarkuar dinga me aparate radioje. Kësisoj erdhi, sikundër më pas ia kishte ënda të thoshte, pauza më e gjatë e radiotransmetimeve në jetën e tij. Mirëpo, në krahasim me emigrantë të tjerë, Zarkoja pati kismet. Pas një viti arriti të marrë me qira një banesë më vete, pas tre vjetësh u bë me vend pune fort të qëndrueshëm. Njëra nga pajisjet e para që bleu, qe aparati i radios. Por asnjëherë nuk e ndezi. Priste.
Por edhe pse nuk bënte kërkënd të ndjehej hero, radioja vazhdonte të luante rol me rëndësi në jetën e emigrantëve. Ata, që dikur dëgjonin me veshët bigë radiostacionet perëndimore, tani po me atë zjarr mundoheshin të kapnin në efir radiostacionet e atdheut. Pothuaj nuk kishte punishte a shesh ndërtimi, ku të mos dëgjohej radio. Jo rastësisht edhe shprehjet e para, që emigrantët i nxirrnin pa akcent, ishin nga ato të radioreklamave. “Mos ia ndaj sytë kurorës!”, këndonin shokët polakë të Zarkos në kantier, kur merreshin me përzjerjen e betonit. Kurse Zarkoja nuk kërkonte kurrfarë stacionesh e nuk ndizte kurrfarë radioje. Vetëm se, herë pas here, i fshinte pluhurin aparatit të vet dhe priste.
Një ditë, qëndrimi në pritje u shpërblye. Në pagëzimin e vajzës së një shoku nga Serbia, pas gotës së katërt me raki kumbulle, ai u njoh me Jasminkën.
- Po të duash, mund të shkojmë nga unë, - i propozoi ai në fund të mbrëmjes.
- E ç’do të bëjmë atje?
A thua se pyetja ia fshiu buzëkuqin, që kishte hedhur, prandaj menjëherë nxori nga çanta fishekun e saj dhe leu buzët përsëri. Zarkoja mori frymë thellë, sepse kishte pritur i gjori shtatë vjet, tre muaj e dymbëdhjetë ditë, për të nxjerrë nga goja përsëri atë fjali të çmueshme.
- Do të dëgjojmë radio, - shqiptoi me zë të plotë e të fortë.
Përktheu Abdurrahim Myftiu