“Të çapulësh apo të mos çapulësh”, kjo është çështja

Aktivistët anti-Erdogan përdorin një armë të fuqishme kundër Kryeministrit, humorin dhe satirizimin e asaj që ai tha vetë, veçanërisht fjalës çapul, d.m.th. plaçkitës
Protestat në Turqi

Stefan Martens / Özgün Özçer
“Hürriyet”


Pasoja finale e protestës për parkun “Gezi” në Stamboll mbi politikën apo ekonominë e Turqisë mbetet e panjohur deri më tani. Por nëse ka ndonjë pasojë që duket e sigurt që do të mbetet gjatë, është ndikimi i protestës në kulturën popullore, shakatë dhe satirën që u formulua nga protestuesit përgjatë dy javëve të fundit.
Pasi shkundën turpin dhe ngritën zërin kundër atyre në pushtet, humori u bë arma më e frikshme dhe më e fuqishme revolucionare për të sulmuar themelet e shenjta të shtetit.
Duke zhvilluar një model që më parë ka qenë i panjohur, protestuesit thyen kulturën e bindjes ndaj qeverisë me një përzierje surprizuese humori që u qesh në fytyrë institucioneve të të fuqishmëve.
Dhe sa më shumë policia ka rritur hedhjen e gazit lotsjellës për të shtypur protestuesit, aq më shumë protestues turq janë përgjigjur me shaka shpartalluese.
Kur Kryeministri Recep Tayyip Erdogan përdori fjalën “plaçkitës” (në turqisht çapulcu), në vend që ta hidhnin poshtë atë me përbuzje, njerëzit në të gjithë kombin e përdorën si epitet, si një nofkë nderi.
Neologjizmi që u formëzua vetëm një javë më parë, çapulim, tashmë ka rrëmbyer të gjithë vendin. I zhveshur nga kuptimet negative, termi tashmë nënkupton diçka të ngjashme me “të luftosh për të drejtat e tua”, është bërë term dominues në median shoqërore, si dhe në grafitet që zbukurojnë sheshin “Taksim” dhe parkun “Gezi”.
Edhe kryemjeshtri i fjalës, Uilliam Shekspiri, padyshim që do të ishte dakord me protestuesit në “Taksim”, qoftë në park apo në të gjithë vendin, se pyetja finale nuk është tashmë “Të jesh apo të mos jesh”, por ajo më aktualja, “të çapulësh apo të mos çapulësh.”
Çdo hapësirë e disponueshme në “Taksim” është e mbuluar me grafite; shumë mure pa dyshim mbeten të mbuluara me slogane që vënë në pyetje ato që deri dje qenë të padiskutueshme. Në shesh gjenden gjithashtu edhe sloganet simbol të së majtës, si “Rruga e vetme është revolucioni”.
Por muret janë bërë gjithashtu edhe një muze i gjallë për batuta me më shumë humor ndaj Erdogan-it, policisë dhe pjesës tjetër të qeverisë.
Njëra prej parullave godet përdorimin e tepruar të forcës nga ana e policisë: “Unë nuk thashë të ndaloni (hedhjen e gazit), ju mund të ndaloni kur të keni kohë të lirë”. Një tjetër tallet me simbolin e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, që është një poç dhe i kanë shtuar fjalët: “Edhe Edisonit i vjen keq”, ose “Poçi yt do të digjet Tayyip”. Ka aty mjaftueshëm humor krijues për të mbushur një faqe me gallata.
Edhe zëvendëskryeministri Bulent Arinç, i cili u përpoq të qetësonte situatën, nuk i shpëtoi vëmendjes së protestuesve. “Të ka zënë frika ‘Arinç’ apo jo?” shkruhej në një slogan.
Policia, fajtore për një luzmë gazi lotsjellës kundër protestuesve, u vu gjithashtu nën shënjestër të sarkazmës së protestuesve. “Gazi lotsjellës më bën të paqëndrueshëm”, shkruhet në një slogan të madh, ndërsa Kryeministrit i bëhet e qartë se ai po lodhet nga “të rinj të paqëndrueshëm”. Ose pati gallata në lidhje me demonstrimin e forcës nga ana e policisë me slogane të tilla: “Ne kemi qenë së bashku me TOMA (policia me kamionë me ujë me presion) për tetë ditë, po fillojmë të mendojmë se ka një lidhje serioze këtu”.
Natyrisht, ky shpërthim i papritur i krijueshmërisë, i detyrohet shumë ashpërsisë së treguar nga autoritetet. Siç thotë grafiti nga nisi ky shkrim, të rinjtë e Turqisë kanë deklaruar: “Unë po çapuloj çdo ditë”. Dhe politikanët duhet ta presin diçka të tillë tani e tutje.


1. Çdo ditë unë po çapuloj.
2. Gazi lotsjellës më ka krijuar varësi.
3. Ju jeni i trembur ‘Arinc’?
4. Ka revolucion, ka festë, pilaf për të gjithë.
5. Kemi tetë ditë me policinë, ndoshta është lidhje serioze.
6. Kjo është shëtitja ime e parapëlqyer.
7. Mos të ka mbaruar gazi vëlla?
8. Mos u shqetëso nënë, nuk jam në front, ne ecim së bashku.
9. Mos u trembni, jemi ne, populli.
10. Një protestues i moshuar në detyrë.
11. Spërkatja me piper është e mrekullueshme.
12. Nuk kemi nevojë të na spërkatni me piper, ne jemi sakaq të ndjeshëm.
13. Vëlla polic, po më bën të qaj, literalisht.