Takat e larta shtrembërojnë këmbët dhe sjellin probleme

Femrat shqiptare preferojnë gjatësinë dhe takën e lartë në çdo veshje të tyre
Skifteri: Vishen bukur, por e ekzagjerojnë në përzgjedhje

Erta Bode


Preferenca kryesore e femrave shqiptare është përdorimi i takave të larta. Në gardërobën e çdo femre gjen patjetër mbi 3-4 palë këpucë që kanë takë të lartë. Përdorimi i tepërt i takave të larta sjell probleme serioze në shëndet, si shtrembërimin e kockave të legenit dhe të pulpave të këmbëve. Ajo që çdo ditë të bie në sy është përdorimi i tepërt i tyre edhe në jetën e përditshme. Pavarësisht se mund të duken më tërheqëse dhe mund të bien më lehtë në sy, femrat shqiptare tregojnë një pjesë mosinformimi në përdorimin e tyre. Shumë stilistë e shikojnë këtë si një pjesë ekzagjerimi, që kur jeton brenda Shqipërisë nuk të bën përshtypje, po kur kthehesh nga jashtë shtetit i bën përshtypje kujtdo. Taka e lartë e këpucës është shumë e rrezikshme, e përdorur nga mosha 16-vjeç deri në moshën 24-vjeçare, ajo sjell shtrembërim të pulpës së këmbës, si dhe shtrembërim të kockave të legenit. Mjekët bëjnë me dije se shtrembërimi i pulpës së këmbës sjell pasoja serioze në qëndrimin e mëvonshëm në këmbë si dhe në dukje të lëkurës shfaq varicet, që janë damarët e fryrë të kuq në lejla, që janë shumë të padëshiruar nga femrat. Ndërsa gjinekologët bëjnë me dije se shtrembërimi i kockave të legenit ka pasoja gjatë lindjes, duke sjellë një vështirësi gjatë lindjes, në moshapjen e kockave si në plasjen e parakohshme të ujërave. Ndërkohë mjekët bëjnë me dije se edhe kur blejnë taka vajzat duhet të jenë shumë të vëmendshme. Në radhë të parë duhet të këmbëngulin që harku i këmbës së tyre të përputhet me harkun e këpucës që kanë përzgjedhur. Nëse ato zgjedhin një këpucë me takë të lartë që nuk u përputhet harku i këmbës me atë të këpucës, do të kenë shumë probleme në qëndrimin në këmbë pas moshës 40-vjeçare. Ndërkohë shumë stilistë e shikojnë si të dalë jashtë mode përdorimin e takës në çdo orë të ditës. Faktikisht ajo që të bie më shumë në sy është përdorimi i takave nga femra të reja edhe gjatë orëve të paradites, ose nga punonjëset e zyrave, të cilat rrinë 8 orë me taka të larta. Stilistët këshillojnë të jenë më praktike dhe të përzgjedhin një takë ortopedike. Nga ana tjetër edhe pupat e sheshta fare janë të dëmshme për këmbën. Kjo është ajo ç’ka shpjegon stilistja Rezarta Skifteri, e cila deklaron se edhe pupat e sheshta fare sjellin të njëjtat probleme në shëndet, sidomos në ndryshimin e harkut të këmbës. “Edhe pse janë shumë të rehatshme, kanë të njëjtat pasoja me takat. Pupat e sheshta dhe takat e larta janë njësoj të dëmshme për shëndetin femëror. I këshilloj femrat që gjatë orëve të ditës të përzgjedhin një këpucë ortopedike, ose ta kenë takën të lartë deri në 2 cm, sepse dhe e sheshtë njësoj me tokën ajo hap probleme në tabanin e këmbës së femrës. Madje edhe në drejtimin e shtyllës kurrizore, duke e bërë trupin femëror të mos rrijë drejt”, – thotë Skifteri. Stilistja shpjegon se takat e larta janë në modë, po nëse taka është e gjerë dhe është prej druri, dhe jo një takë e hollë, e cila hyn te klasikja dhe mund të vishet vetëm në rastin e darkave ose në evenimente serioze. Gjithashtu ajo këshillon që të eliminohen pupat e sheshta, duke i zëvendësuar ato me një palë pupa të rehatshme, por pak të ngritura, të cilat janë të rehatshme edhe për qëndrimin drejt, duke shmangur kështu edhe dhimbjen e mesit. Stilistët shprehen të shqetësuar se humb komplet hijeshia femërore kur shikon një femër 16-vjeçe që ecën mbi taka dhe në rastet më negative kur as nuk di të ecë me to. Për to është absurde përdorimi i tyre gjatë orëve të paradites, duke shpjeguar se taka e lartë kërkon një veshje serioze dhe një tualet të rëndë, i cili është shumë i papërshtatshëm në ato orë të ditës. Gjithashtu ata këshillojnë se takat klasike nuk mund të përdoren për të pirë kafe ose për të ecur më këmbë, një fenomen që shihet si më se normal në rrugët e Shqipërisë. Ndërkohë parehatshmëria që ato krijojnë në këmbë është bezdisëse edhe për sikletet që kalon trupi në orët e nxehta të verës. Stilistët bëjnë me dije se femrat që janë të detyruara të mbajnë veshur për një kohë të gjatë një palë këpucë, të zgjedhin sandale me rripa, sa më shumë me ajrosje, që të mos krijojnë djersitje në këmbë. Për këtë këmbëngulin dhe mjekët, sepse djersitja në këmbë sjell mykun dhe reumatizmin që shfaqet më vonë.

Stili i femrave shqiptare

Stina e verës dhe tendencat e saj

Gjinia femërore është shumë e përkushtuar pas imazhit të saj, sidomos në stinën e verës, kur lëvizja është më e madhe dhe ekspozimi i trupit është më i favorshëm. Gjatë kësaj vere tendencë të madhe në veshje do të kenë ngjyra vjollcë dhe e verdha, si më të preferuara për këtë verë. Ndërkohë s’do të mbeten pas veshjet me shumë lule të mëdha shumëngjyrëshe, os vehsjet me shumë lule të vogla njëngjyrëshe. Një vend të rëndësishëm do të zënë bizhuteritë, të cilat janë sa më të mëdha dhe sa më verore, ku tendencën kryesore e kanë zinxhirët e larë në flori ose argjend si dhe byzylykët rrathë-rrathë të kombinuar. Për sa i përket tualetit, ai duhet të jetë sa më i lehtë, sepse veshjet me shumë ngjyra nuk pranojnë tualet të ngarkuar. Ndërkohë problem më i madh është veshja e këmbëve. Stili i kësaj vere janë takat ortopedike prej druri, ose këpucët dhe sandalet me rripa që e kanë takën në formë drejtkëndëshi të gjerë dhe në ngjyrë druri. Kjo është tendenca e një dite normale, por nuk do të mungojnë sandalet e sheshta dhe pupat verore. Një ndër aksesorët zbukurues do të jenë fjongot dhe lulet. Për sa u përket aksesorëve me gurë, ata do të jenë të zëvendësuar me temina dhe me qëndisje në formë luspash peshku. Për sa i përket flokut, stilimi ditor do të jetë një gërshetë e shthurur, flokë të shpupurishur ose një topuz francez i mënjanuar dhe jo i rregullt. Ajo ç’ka përfaqëson moda e kësaj vere është liria dhe shpirti praktik, ku gjërat precize dhe shumë të rregullta do të duken demode. Për sa u përket kapelave, ato do të jenë tendenca e kësaj vere, sidomos ato me strehë shumë të gjerë dhe çantat e mëdha gjithashtu. Fustanet e gjata me shumë lule, fundet e tilla me rrudha dhe lule do të jenë një tjetër trend i kësaj vere.

Problemet

Shtrembërimi i kockave vjen nga takat e larta

Stilistët bëjnë me dije se tendenca kryesore e femrave shqiptare gjatë dimrit dhe verës janë taka e lartë, që sjellin probleme serioze në shëndetin e femrave. Stilistët shpjegojnë se taka e lartë kërkon një veshje më serioze, një tualet më të ngarkuar, i cili të bën të dukesh më e madhe në moshë. Ndërkohë tregojnë se me taka të larta asnjëherë nuk ndihesh komode. Mjekët nga ana e tyre bëjnë me dije se shtrembërimi i pulpës së këmbës vjen pikërisht nga takat e larta, të mbajtura me orë të gjata në këmbë. Përdorimi i tyre i shpeshtë sjell shtrembërim të kockave të legenit, që ndikon drejtpërdrejt në problemet e shtatzënisë si dhe gjatë lindjes. Një tjetër problem nga takat e larta shfaqet pas moshës 40-vjeçare, që janë varicet e këmbëve, si dhe ndryshimi i harkut të tabanit të këmbës, i cili sjell problem në ecje dhe në qëndrimin në këmbë pas moshës 50-vjeçare.