Syzet e diellit të rrezikshme për shikimin, të zgjidhen para përdorimit


Stina e verës dhe kauçuku i syzeve sjellin sëmundje në sy

Erta Bode

Syzet e diellit sjellin probleme në shikimin e njerëzve. Të blera vend e pa vend, xhamat e tyre sjellin probleme në ndryshimin e numrit për sytë. Në problemet që shfaqen te sytë shenjat e para janë lotimi i syve, skuqja e retinës, për të kaluar në shtrembërimin e syve dhe në pengimin për të parë. Okulistët bëjnë me dije se edhe vetë stina e verës sjell më shumë probleme për sytë, pikërisht nga pluhuri dhe përdorimi i syzeve të diellit. Bëhet e ditur se ngjyra e syzeve për t’u mbrojtur nga dielli, harku i kauçukut që ato kanë në vend të xhamit, cilësia e qeses që bën ngjyrosjen e syzeve e shumë faktorë të tjerë ndikojnë menjëherë në cilësinë e shikimit. Okulistët u bëjnë apel njerëzve se duhet të këshillohen për syzet e diellit dhe nuk duhet t’i blejnë ato vend e pa vend pa i kontrolluar nëse u sjellin problem në shikim apo jo. Gjatë stinës së verës vetë ambienti si dhe temperaturat e larta janë më të dëmshme për syrin. Në këtë stinë djegia e syve, kruajtja, sekrecionet janë më të shpeshta. Shkaqet kryesore të këtyre problemeve janë infeksionet, tharja e syve nga temperatura e lartë, irritimi nga uji i detit dhe i pishinave dhe nga alergjitë e stinës. Pacienti duhet të drejtohet menjëherë për te mjeku specialist që të përcaktojë shkakun dhe të nxjerrë diagnozën e saktë për kurim. Ndërkohë stina e verës sjell edhe alergji te sytë, ku faktorët kryesorë janë faktorët ambientalë, alergjitë e stinës, ku hyjnë polenet e bimëve, faktorët kozmetikë. Shenjat alergjike shfaqen me skuqje të syve, kruajtje, që është shenja kryesore. Gjithmonë duhet të kihet parasysh se trajtimi asnjëherë nuk mund të bëhet në mënyrë individuale, sepse mund të shkaktohen probleme në sy, por me antialergjikë të këshilluara nga mjeku. Një sëmundje shumë e rrezikshme që vjen nga përdorimi i gabuar i syzeve të diellit është edhe tensioni i syrit, i cili provokohet nga ngjyra e qeses që vesh kauçukun e syzeve. Okulistët u bëjnë apel njerëzve që gjatë kësaj stine të përdorin syze dielli, sepse janë të domosdoshme, por të tregojnë kujdesin maksimal në zgjedhjen e tyre duke i kontrolluar ato.

Syzet e diellit

Syzet e diellit të prodhuara në vende të ndryshme dhe të përdorura masivisht sjellin problem në shikimin e njerëzve, sidomos ato të shitura në çdo cep rrugësh. Trashësia e kauçukut të përdorur si dhe harku i kësaj pjese sjellin zmadhimin ose zvogëlimin e këndit të shikimit, duke shfaqur probleme serioze të mëvonshme. Një ndër ta është shtrembërimi i syve dhe përkeqësimi i shikimit, sidomos te gratë shtatzëna.

Stina e verës

Stina e verës është një rrezik në vetvete për sëmundjet që shfaqen në sy, si infeksioni, tensioni i syrit etj. Temperaturat e larta, thatësira e ambientit, pluhuri, grimcat e rërës në plazh, uji i detit, përdorimi i syzeve të gabuara janë shkaqet kryesore që sjellin probleme serioze në shikim, që kalojnë deri në verbim. Shenjat e para janë djegia e syve, kruajtja dhe lotimi i tyre. Njerëzit duhet të paraqiten menjëherë tek okulisti dhe të mos vonohen duke pritur shërimin natyral.