Spiunia Koreano Veriore: Si i vrava 115 njerëz


Spiunia më e famshme e Koresë së Veriut, e cila vendosi një bombë në një avion, që u mori jetën 115 udhëtarëve, ka thënë në një intervistë për një program australian.
Kim Hyun-Hee, e cila ishte mësuar të adhuronte Kim Jong-il si një zot, tentoi disa herë të vriste veten pas arrestimit. Ajo më pas u ekstradua në Korenë e Jugut, ku u dënua me vdekje, por jo vetëm që nuk u ekzekutua, por u fal dhe tashmë bën një jetë të zakonshme dhe është nënë e dy fëmijëve. Historia e pabesueshme e jetës së 51-vjeçares u rrëfye për herë të parë në “Australian Broadcasting Corporation”. Në vitin 1987, e shoqëruar nga një agjent tjetër, pas një programi disavjeçar shpëlarje truri në vendin e saj të origjinës, Hyun-Hee vendosi një bombë të sofistikuar në një avion gjatë udhëtimit nga Europa në Bahrejn. Bomba, e programuar për të shpërthyer në pjesën e dytë të fluturimit nga Bahrejni në Korenë e Jugut, u mori jetën 115 udhëtarëve. Atentati u krye me urdhër të diktatorit të atëhershëm Kim Jong-Il, i cili dëshironte të dekurajonte turistët për Lojërat Olimpike të Seulit në vitit 1988. Në Bahrejn spiunia u arrestua së bashku me “babain” për falsifikim dokumentesh. Të dy tentuan të vetëvriteshin me cigaret e cianurit që kishin me vete, por ndërsa partneri i saj ia doli, Kim u kap në kohë dhe u pengua që të vriste veten. Më vonë ajo u zhvendos në Korenë e Jugut, ku u dënua me vdekje, por duke gjykuar nga gjendja e saj dhe duke vlerësuar se urdhri kishte ardhur direkt nga diktatori Jong-Il, gruaja u fal dhe u lirua. Sot ajo është e martuar, ka dy fëmijë dhe bën një jetë të zakonshme në Seul, por çdo ditë ngrihet me frikën se spiunë koreanoveriorë mund të mbërrijnë për ta vrarë.
“Isha mësuar që lideri ynë, Kim Il-Sung, themeluesi i kombit, ishte zoti mbi tokë. Në mësonin se ai ishte babai ynë i vërtetë dhe detyroheshim që të luteshim që në fëmijëri, duke thënë “faleminderit lider i madh” për gjithçka. Edhe një gjest i vogël kundërshtimi të çonte në kampet e përqendrimit, nga ku nuk dije më gjallë”, – rrëfeu ish-spiunia.
“Koreja e Veriut nuk është një shtet, por një kult. Një ditë një makinë e zezë ndaloi përpara shkollës sime. Brenda ishin disa anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë dhe më thanë se më kishin zgjedhur. Nuk pata kohë t’u thosha “mirupafshim” familjes dhe shokëve të mi. Ishte viti 1980 dhe më dërguan në një shkollë elitare spiunazhi në një zonë malore të Koresë së Veriut”, – tregon ajo. Me një identitet të ri, pas shtatë vjetësh trajnimi fizik, politik dhe psikologjik, Kim u urdhërua që të hidhte në erë avionin koreanojugor. “Në Bahrejn misioni u vonua dy ditë. Ndieja një ankth të tmerrshëm. Duhet të realizonim misionin, ose ndryshe do të na merrnin në pyetje, torturonin dhe ekzekutonin. Agjenti tjetër ishte i moshuar. Në mirëbesim, kur më dha cigaren me helmin e cianurit, që duhej të përdornim për të vrarë veten nëse binim në duart e autoriteteve, më tha: ‘Sa e re! Më vjen keq për ty!” Kur misioni përfundoi me sukses, ishte një çlirim, ndonëse më pas u arrestuam për punën e dokumenteve, përpara se të zbulohej aktiviteti ynë i vërtetë”, – tha Kim në intevistë. E pyetur për dënimin e saj me vdekje të pazbatuar dhe jetën që bën sot, 51-vjeçarja u shpreh: “E meritoja dënimin me vdekje për atë që bëra, por mendoj se jeta ime u fal pasi isha e vetmja dëshmitare e terrorit shtetëror të Koresë së Veriut. Si e tillë, detyra ime e sotme është që të dëshmoj të vërtetën.” Në fund Kim komentoi edhe situatën aktuale në Korenë e Veriut: “Kim Jongu është i ri dhe i duhet të afirmohet në sytë e drejtuesve me shumë ndikim të ushtrisë. Kam bindjen se e gjithë kjo që po ndodh është vetëm një lojë për të fituar mbështetjen e brendshme popullore.”

Kush ishte Kim Jong-Il?

Kim Jong-Il ishte një prej krerëve më enigmatikë dhe të izoluar të botës dhe udhëhiqte një vend të izoluar dhe vetmitar. Ai e mori pushtetin në vitin 1994 pas vdekjes së babait të tij Kim-II Sung. Bota dinte shumë pak për liderin e ri Kim Jong-II, pasi ai ishte shfaqur shumë rrallë publikisht. Në vitin 1991 ai u zgjodh komandat suprem i ushtrisë popullore koreane dhe sipas analistëve kjo u bë që askush të mos guxonte të vinte në dyshim të drejtën e tij për trashëgimin e postit të udhëheqësit. Kur Kim mori pushtetin, Koreja e Veriut ishte në mes të krizës së urisë dhe ai, në fakt, e lehtësoi disi gjenden duke kërkuar ndihmë ndërkombëtare, sidomos nga Kina. Sipas njerëzve që e kanë takuar, mes të cilëve zyrtarë të lartë dhe gazetarë, Kim Jong-II ishte një njeri i zgjuar, dinak dhe ndiqte me vëmendje atë që ndodhte në botë. Ata gjithashtu thonë se ai ishte i dhënë shumë pas ushqimit dhe pijeve, madje në disa raste u quajt edhe një donzhuan. Ai u përpoq disa herë për të qetësuar situatën në rajon, dhe kjo kulmoi me takimin me presidentin koreanojugor Kim Dae Jung në vitin 2000, takimi i parë që pas luftës së 53-të që ndau vendin. Por pas këtyre viteve situata ndryshoi rrënjësisht dhe Koreja e Veriut vazhdoi të mbetej një vend i izoluar, i udhëhequr nga diktatura komuniste. Tensionet dhe fërkimet me fqinjët jugorë nuk munguan kurrë, madje dhe përleshjet ushtarake. Vdekja e Kim Jong-II pa dyshim që i jep fund një epoke, por askush nuk di me siguri atë që do të pasojë. Ai mund të mbahet më shumë mend për sfidimin e komunitetit ndërkombëtar dhe forcimin e programit bërthamor të Koresë së Veriut, ndërkohë që miliona banorë të vendit vuanin nga uria.