Si të shmangni problemet me zemrën gjatë verës


Ja cilat janë gjashtë sëmundjet nga të cilat preket zemra

Në verë, zemra vihet në një provë shumë të vështirë, për shkak të temperaturave të larta. Këto kushte klimatike çojnë në keqfunksionimin e zemrës, simptoma të zakonshme, por që nuk duhen nënvlerësuar. Ja disa sugjerime për ta përballuar sa më mirë stinën e nxehtë të verës.

Rregullimi i ilaçeve

Ata që marrin trajtime me ilaçe, duhet të shkojnë tek mjeku i tyre i besuar dhe të këshillohen për dozën e ilaçeve. Ilaçet për zemrën ulin tensionin dhe duke u ndikuar nga temperatura të larta dhe në dimër nga lagështia, mund të kenë mjaft efekte negative. Për këtë arsye, është e rëndësishme të dihet që, ata që vuajnë nga sëmundje të tilla, duhet t’i drejtohen mjekut të tyre, për ta përshtatur trajtimin në bazë të kushteve klimaterike.

Çlodhje pa stres

Ata që vuajnë nga sëmundjet e zemrës gjatë pushimeve, duhet të bëjnë kujdes për aktivitetet e lodhshme që ushtrojnë, duhet t’i reduktojnë ato sa më shumë të jetë e mundur, sidomos nëse organizmi nuk është mësuar dhe nuk ka pasur ndonjë parapërgatitje fizike. Në mal, evitoni shëtitjet shumë të gjata dhe të lodhshme, ndërsa në det evitoni qëndrimin e gjatë në diell, sidomos në ditët e para të plazhit. Është e domosdoshme që njerëzit që vuajnë nga sëmundje të zemrës, nëse dëshirojnë të bëjnë pushime në zona shumë të izoluara, duhet të sigurohen që atje të këtë qendra mjekësore.

Hidratim i kontrolluar

Shpesh, pacientëve që vuajnë nga zemra, sidomos nëse kanë kaluar të 50-at, mekanizmat që rregullojnë temperaturën e trupit u janë të dobësuar, ndjesia e të nxehtit, të ftohtit dhe të etjes janë të dobësuara. Ju mund të pini ujë edhe kur nuk ju pihet, por kjo gjë mund të shkaktojë disa efekte negative: çrregullime mendore, përgjumje, gjendje të fikëti, por edhe ngadalësim të punimit të zemrës. Por, nëse keni dehidratim, ka efekte të tjerë; me humbjen e lëngjeve shtohet përqendrimi i ilaçeve në trup dhe efekti i tyre është më i fuqishëm. Kështu që duhet pasur kujdes me ilaçet, sidomos antidepresivët (mund të shtojnë rënien e presionit të gjakut), ato diuretike (të cilat shtojnë dehidratimin) pasi në verë pacientët e moshuar duhet të mbajnë nën kontroll tensionin, dhe t’i drejtohen mjekut për të parë vlefshmërinë e terapive me ilaçe.

Ushqim i freskët

Është e nevojshme marrja e lëngjeve (rreth 2-3 litra në ditë), pra, të pish të paktën 1 litër e gjysmë ujë, por pa e pirë më zor. Në tavolinë nuk duhet të mungojnë frutat dhe perimet, të cilat pasurojnë trupin me vitamina dhe me kripëra minerale. Hiqni dorë nga pijet alkoolike dhe nga dozat e tepruara të kafeve, pasi ato prishin gjumin.

Vera e dobishme për sëmundjet e zemrës

Pirja e dy gotave verë çdo ditë i bën mirë zemrës së grave. E ndihmon “të mbajë ritmin”, i lejon të përshtatet më shpejt nevojave të ditës. Aspekt shumë i rëndësishëm ky, që tregon shëndet shumë të mirë dhe ul rrezikun e infarktit. Në këto përfundime kanë arritur studimet mjekësore nga shkenca dhe mjekët kardiologë. Studimi, i udhëhequr nga Instituti “Karolinska” në Stokholm, ka pasur subjekte 120 gra nën 75 vjeç, të mbijetuara nga të një infarkt ose bllokim venash. Efektet ndryshojnë nëse vera zëvendësohet me birrë ose një pije superalkolike. Ndërsa vera, e cila ka një efekt relaksues mbi sistemin nervor, i mundëson zemrës “ta marrë me qetësi” punën e saj. Ka mundësi që këto efekte lidhen me faktin se kush pi verë bën një gjumë më të qetë, duke i lejuar zemrën të punojë më qetë.

Funksioni i zemrës dhe dieta

Tek femrat me anoreksi dhe ato që kanë humbur shumë shpejt peshën e trupit mund të lajmërohen probleme me zemrën, me rrezik për jetën, të cilat bëhen të dukshme gjatë ushtrimeve, pohojnë ekspertët. Dihet se tek femrat e sëmura nga anoreksia paraqiten probleme në zemër, tek të cilat paraqiten të rrahura të pakta në zemër dhe dëmtim të muskulit të zemrës. Përveç kësaj, shkencëtarët besojnë se vdekja e menjëhershme në rastin e të sëmurëve nga anoreksia kryesisht është rezultat i problemeve në zemër. Një grup shkencëtarësh kanë studiuar punën e zemrës tek 36 vajza me moshë prej 11 deri 18 vjet, të cilat trajtoheshin në spital për shkak mosushqyerjes, të shkaktuara nga anoreksia. Këto femra paraqiteshin me probleme serioze me funksionin dhe shpeshtësinë e rrahjeve të zemrës.

Kujdes nga vitamina C

Shenja e parë e sëmundjes së zemrës në 50 për qind të rasteve vihet re vetëm kur zemra pushon së rrahuri. Megjithatë një analizë e thjeshtë e gjakut mund të shpëtojë jetën e shumë njerëzve të rrezikuar nga ataku kardiak. Analiza e gjakut quhet CRP ose Proteina Reaktive C, e cila mund të zbulojë mjaft herët problemet në venat e gjakut duke krijuar kështu mundësi për kurim të suksesshëm. Shkencëtarët besojnë se prekja e arterieve të zemrës është shkaktari nxitës i shumë goditjeve në zemër. Kjo është edhe arsyeja që një nivel i lartë i Proteinës reaktive C mund të jetë vdekjeprurës, edhe kur niveli i kolesterolit është i ulët. Një analizë paraprake e gjakut mund të jetë tregues i qartë i nivelit të kolesterolit dhe proteinës C.

Faktorët që shkaktojnë atakun kardiak janë:

- Një tromb që bllokon totalisht ose pjesërisht lumenin

- Mosha, seksi

- Histori familjare për sëmundje aterosklerotike

- Duhani, përdorimi i kokainës

- Diabeti melit

- Hipertensioni

- Obeziteti

- Rritja e nivelit të homocisteinës

- Jeta sedentare

- Stresi psikosocial

- Sëmundjet perivaskulare

- Higjiena e varfër orale

- Faktorët që rritin përdorimin e oksigjenit si ushtrimet e zgjatura, ethet, hipertiroidizmi

Ataku

Shumë shpesh ataku kardiak realizon ndalimin e zemrës, sidomos kur shfaqen simptomat e para dhe pacienti nuk i drejtohet spitalit që në orët e para kur ai ndjen shqetësimet më të para, të cilat vazhdojnë për më tepër se dhjetë minuta. Por është e vërtetë se ataku i zemrës nuk është përherë i paparashikueshëm, përkundrazi, më shpesh fillon me një intensitet të moderuar të lokalizuar në qendër të kraharorit, që herë shfaqet e herë zhduket. Kur këto shenja “alarmi” i shfaqen çdo personi, i lind dyshimi se diçka po ndodh. Për këtë arsye është e rëndësishme që të njihen mënyrat sesi shfaqet ataku kardiak dhe çfarë duhet bërë në ato momente. Para se të ndodhë ataku kardiak, trombocit i mpiksur gjaku mbyll arterien e zemrës duke bllokuar kalimin e gjakut nga zemra për në vena dhe arterie. Në këtë situatë muskuli i kësaj zone fillon të vdesë dhe ky është ataku miokardiak. Ekzistojnë mjekime farmaceutike që ulin mundësitë e mpiksjes së këtyre trombociteve, po ashtu ka mjekime që lirojnë arterien nga koagulimi i gjakut, si dhe është e mundur që vena e bllokuar të hapet me një operacion kirurgjikal. Në këtë mënyrë, ataku kardiak mund të parandalohet përkohësisht.

Miokarditis

Miokarditis është ndezje e përgjithshme e muskulit të zemrës, gjë që paraqitet si rezultat i sëmundjeve të tjera, ndonjë infeksion më i madh si gripi, reumatizmi i dhëmbëve, bajameve etj.

Infarkti

Infarkti është vdekje e një pjese të indit muskulor të zemrës. Kjo sëmundje paraqitet nga mbyllja e ndonjë dege të arterieve të cilat ushqejnë zemrën, gjatë kontraksionit (ngushtimit) momental të arterieve, ndonjë plasaritjeje e arterieve e përcjellë me gjakderdhje, gjatë streseve ose si pasojë e shtypjes së lartë. Në këto raste indi muskulor ose një pjesë e zemrës mbetet pa ushqim dhe pa oksigjen, menjëherë pas kësaj ajo pjesë e muskulit të zemrës të vdes. Infarkti përcillet me dhimbje të rënda. Ka raste kur zemra ndërpret punën dhe shkaktohet vdekje.

Aritmia

Aritmia është rrahje e shpejtë dhe e ngadalshme e zemrës ose rrahje e përzier e ngadalësuar dhe e shpejtuar me kërcime dhe ndërprerje të rrahjeve. Kjo dukuri është pasojë e kontrollit të dizharmonizuar të ngacmimeve nervore të punës së zemrës, të cilat e kanë prejardhjen nga qendrat e sistemit nervor.

Arterioskleroza

Arterioskleroza është grumbullimi i lëndëve të yndyrshme dhe kripërat e kalciumit në brendi në muret e arterieve, kjo çon deri tek mbyllja e tyre dhe zvogëlimi i qarkullimit të gjakut me shumë pasoja si dhe zmadhimi i shtypjes së gjakut, e cila mund të shkaktohet edhe nga gjendjet nervore, streset etj. Të gjitha këto kanë lidhje të drejtpërdrejtë me mosfunksionimin e mirë të zemrës.

Embolia

Embolia është mbyllja e ndonjë arterie të trurit, një lloj si infarkti i zemrës. Kjo shkakton dëmtimin e ndonjë qendre dhe me këtë rast paraqitet paraliza ose vdekja.