Si do ta lexojmë votën?

AGIM BAÇI
  


Euforia e shfaqur e kryeso cialistit Rama dhe heshtja nga PD dhe Berisha janë dy leximet më të qarta në orët e para pas përfundimit të votimeve për zgjedhjet parlamentare. Ndërkaq, LSI dhe PDIU shihen dy forcat politike që kanë njohur një rritje të ndjeshme të mbështetjes, por pa dyshim me kahe krejt të ndryshme për motivin e votimit. Megjithatë, ajo që është interesante jo vetëm për publikun, por edhe për vetë anëtarët e partive politike, është fakti nëse do të dinë dy forcat kryesore të lexojnë votën?

Pra, a do ta shohë Rama këtë votë si një votë pro tij, apo një votë kundër arrogancës së pushtetit të kundërshtarit të tij? Ndërkaq, a do të dijë Berisha ta shohë si një votë pro kundërshtarit të tij, apo kundër politikave drejtuese të mjaft përfaqësuesve të qeverisjes së tij? Mes kësaj dileme është vota e papritur e shtuar ndaj Ilir Metës, i cili gjatë kohës së PD-së u akuzua si i korruptuar, ndërkohë që tashmë që kaloi në krahët e partisë që braktisi dikur, ai është katërfishuar. Është pikërisht vota ndaj tij që ngre dilemën nëse është votuar kundër qeverisjes së Berishës, ku ka bërë pjesë edhe vetë Meta, apo pro rotacionit me Partinë Socialiste?

Pikërisht përgjigjet ndaj kësaj dileme ndoshta do të sqarojnë edhe një pjesë të moralit të votimit të së dielës. Po përse duhet bërë ky lexim i shpejtë i votës? Së pari, Rama duhet ta lexojë votën ndaj tij si një dëshirë për të ndryshuar. Po për cilin ndryshim? Nëse do të jetë ndryshimi i kërkuar i stilit të kreut të PS-së së Korçës, për të shkarkuar këdo nga puna e për të hapur 400 mijë vende pune për socialistët dhe aleatët e PS-së, atëherë nuk kemi të bëjmë me ndryshim, por me revansh. Ndaj, leximi i votës do ta ndihmojë të heqë dorë nga qeverisja personale, e cila në fakt duket shumë e mundshme për shkak të stilit personal gjatë drejtimit të opozitës në këto vite. Ndërkaq, leximi i mirë i votës së 23 qershorit nga PD do të bëjë që opozita e ardhshme të jetë e mirorientuar nga kontrolli i maxhorancës, dhe jo nga bllokimi i saj. Tashmë, pas shumë përvoje në pushtet, PD duhet të dijë që rikthimi vjen nga idetë, dhe jo nga bllokimet. Gjithashtu, për PD-në është edhe një shans për të ndërruar modelet e gabuara apo arrogante të disa përfaqësuesve, të cilat i kanë sjellë koston që po shënohet me numrin e votave të munguara apo me abstenimin e demokratëve edhe në të ashtuquajturat bastione të të djathtëve. Pikërisht për këtë proces Berisha duhet të operojë shpejt, pasi perdja politike që ka rënë kërkon largimin e mjaft aktorëve të dobët.


E duke pasur parasysh që opozita e ka mjaft të hapur debatin brenda vetes, sidomos pas tetë viteve në pushtet, ky drejtim i ri në opozitë është po aq i vështirë sa edhe në pushtet. Gjithsesi, duket se qartësimi i rezultateve do ta qartësojë edhe më shumë nevojën e qëndrimeve që më pas duhet të reflektohen në qeverisje apo në qëndrimet e opozitës së ardhshme. Dhe sa më i shpejtë dhe më i qartë të jetë leximi i votës, aq më i shpejtë do të jetë edhe reagimi pozitiv i grupimeve, që kanë nevojë për një frymë tjetër parlamentare nga ajo që po mbyllim, kur mbizotëroi mosvotimi dhe bojkoti i socialistëve. Ndërkaq, Ramës do t’i duhet të gjejë zgjidhje politike, ndoshta duke zgjeruar maxhorancën, për të frenuar pushtetin e madh që fitoi LSI të dielën. Në të kundërt, nëse do të jetë i varur nga votat e LSI-së, gjithnjë për maxhorancën, nuk është e çuditshme që pakënaqësinë e elektoratit të PD-së ta pësojë shumë shpejt edhe PS, pasi premtimi më i madh i Metës ka qenë punësimi.