Shqiptarët, protestë në New York


Qindra shqiptarë protestuan para selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork kundër represionit dhe diskriminimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Protestuesit kërkuan që shqiptarëve të Luginës t’i garantohen të drejtat e njëjta me ato të pakicës serbe në veriun e Kosovës dhe se autoritetet serbe të kthejnë lapidarin e UÇPMB-së në sheshin e Preshevës, aty ku më 20 janar u hoq dhunshëm nga xhandarmeria serbe.
Nismëtarë të protestës ishin një grup intelektualësh shqiptarë të Luginës së Preshevës, të mbështetur nga shoqatat e komunitetit shqiptar zonën e ashtuquajtur e “Tri-Shteteve”.
Protesta është zhvilluar në periudhën kohore kur para sheshit të OKB-së, ditën e hënë do të kalojnë edhe ambasadorët e të gjitha vendeve anëtare të OKB-së, mes tyre dhe ish- ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, që mban detyrën e presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Organizatorët me këtë rast lëshuan një Memorandum special lidhur me gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe represionin serb në këtë trevë, i cili sipas organizatorit iu drejtua Kombeve të Bashkuara dhe Administratës amerikane, Senatit dhe Kongresit në Uashington, organizatave ndërkombëtare prestigjioze për Liritë e të Drejtat e Njeriut, në Njw Jork.
Në memorandum ndër të tjera thuhej se shqiptaro-amerikanët janë thellësisht të shqetësuar për keqësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut dhe rritjen e tensioneve në Luginën e Preshevës./gazetashekulli