Sheqeri dhe yndyrat krijojnë po aq varësi sa kokaina


Shkencëtarët kanadezë, në bazë të studimeve të fundit shprehin shqetësimin e tyre mbi nivelin e varësisë që disa njerëz krijojnë ndaj sheqerit
Studimi


Studimi më i fundit, i prezantuar këtë janë në Takimin Kanadez mbi Neuroshkencën 2013, tregon se shurupi i misrit me nivel të lartë fruktoze, mund të shkaktojë sjellje të njëjtë varësie ashtu siç mund të na shkaktojnë droga të llojit kokainë.
Kërkimet u kryen mbi kaviet dhe ashtu siç shprehet një këngë hit e Robert Palmer në vitin 1986 “Addicted to love” (Të varur nga dashuria) ashtu edhe pas kaq viteve mund të pohohet me saktësi varësia e njerëzve nga ushqimi.
Që prej vitit 1980, numri i obezëve në të gjithë botën është dyfishuar dhe shkencëtarët vazhdojnë të kërkojnë për ilaçin dhe sjelljet e duhura që do të ndihmojnë në largimin e kësaj epidemie.
Eksperti mbi varësinë, Françesko Leri, një profesor i asociuar i neuroshkencës dhe shkencave konjitive të aplikuara në Universitetin e Guelphit në Ontarion, Kanada, këshillon se disa njerëz krijojnë varësi ndaj ushqimit, ashtu siç përdoruesit e drogës varen prej saj.
Kjo varësi e theksuar ndaj ushqimit, mund të shpjegojë të paktën pjesërisht shkallën gjithnjë e më në rritje të obezitetit.
“Ne kemi prova se në laboratorin e kafshëve, gjenden disa prej tyre që në mënyrë vullnetare krijojnë preferenca ndaj ushqimeve të ëmbla dhe kokainës”, u shpreh Leri në një intervistë.
Avantazhi i përdorimit të kafshëve është se mund të merren të dhëna të qarta mbi biologjinë dhe sjelljen, pa ndërhyrjen e standardeve kulturore, besimit vetjak dhe mesatares ekonomike.

Jeni edhe ju të varur nga sheqeri?

Leri kërkoi mbi sjelljen dhe përgjigjet kimike e neurobiologjike te minjtë me një përqendrim jo normal të sheqerit, yndyrës dhe “kënaqësive të shijes”, siç janë shurupi i misrit me përmbajtje të lartë të fruktozës dhe ushqimeve shumë të ëmbla.
Teksa rritja e kërkesës për ushqime të përpunuara, të ëmbla dhe me nivele të larta yndyre mund të shpjegojë pjesërisht shkallën e obezitetit në të gjithë botën, shkencëtari Françesko Leri kundërshton se rritja e kërkesës dhe mallrat e shumtë të ëmbël nuk mund ta shpjegojnë këtë obezitet.
Përkundrazi, ai ka teorinë e tij të varësisë. Sipas tij, ushqimet që ne përdorim çdo ditë, përmbajnë lëndë të tilla që rrisin nivelin e varësisë dhe dëshirën tonë për t’i konsumuar përsëri. A është kjo vetëm falë substancave që përmbajnë, apo vjen edhe si shkak i ndërhyrjes së prodhuesve me lëndë artificiale, ky nuk është qëllimi i studimit.
Çka është e qartë për shkencën, është fakti se ushqimet që përdorim çdo ditë, nuk janë pjesë e rutinës sonë ditore, por pasojë e një varësie që vjen gjithnjë e më në rritje.
Leri shpjegon për gazetarët se në këtë konsumim përfshihet si dëshira e njerëzve edhe fakti i disponueshmërisë së këtyre ushqimeve. Mjafton të shkoni në një supermarket dhe do ta gjeni atë të mbushur me ushqime të ëmbla, me yndyrë dhe të dëmshme për shëndetin. Ky mund të jetë një faktor i obezitetit, por jo i vetmi.
Kërkimet mbi konsumin e kokainës, për shembull, tregojnë se mes shumë individëve që përdorin drogë, vetëm një përqindje e vogël e tyre bëhet e varur.
Të gjithë ne kemi akses në substanca që përfshijnë alkoolin dhe të tjera akoma më të rrezikshme. Shumë prej nesh po zhvillojnë probleme në lidhje me peshën, por jo të gjithë janë të varur ndaj ushqimit.
Ne kemi prova të sakta, që tregojnë se rreziku njerëzor vjen më shumë si pasojë e sjelljes sesa mënyrës së ushqimit dhe kur kjo ndodh, krijohet një cikël që të ndjek gjithë jetën.

Varësia ndaj ushqimit

Leri nuk është i vetmi që po merret me këto lloj studimesh. Julia Ross, autore e “The Diet Cure”, shkruan në librin e saj të ri, se sheqeri mund të jetë katër herë më problematik se kokaina, bazuar në studimet e Universitetit të Bordeaux në vitin 2007.
Në vitin 2012, Nora Volkou, shefe e Institutit Amerikan mbi Abuzimin me Drogën, u shfaq në një emision vendas, duke shpjeguar se sheqeri, droga dhe alkooli, kanë mundësi të barabarta për të krijuar efekte varësie mbi trurin.