Home »
» Sa demokratike është Turqia
Sa demokratike është Turqia
Nga Steven A. Cook & Michael Koplow
(Foreign Policy)
Sigurisht që nuk është aq demokratike sa kujton Washingtoni.
Duket e çuditshme që sfida më madhe për autoritetin e kryeministrit turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë më shumë se një dekade në pushtet, filloi si një protestë e vogël ambientaliste, megjithëse pastaj, me mijëra turq mbushën rrugët e qyteteve në mbarë Turqinë. Pra, është e qartë se këtu bëhet fjalë për diçka shumë më të madhe se për shkatërrimin e disa drurëve në Gezi parkun e Stambollit – një zonë kjo e madhe e gjelbëruar afër sheshit Taksim. Protestat në Gezi, të cilat rezultuan me skena të pabesueshme të demonstruesve që po kërkonin dorëheqjen e Erdoganit dhe të qeverisë dhe ndaj të cilëve policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe shkopinj, në fakt, paraqesin kulmimin e pakënaqësisë popullore me drejtimin që kohëve të fundit ka marrë politika turke. Problemi aktual lidhet me shkatërrimin e një parku, jo më të madh se gjashtë blloqe dhe me planet e qeverisë që në vend të tij të ndërtojë një qendër tregtare. Por, e gjithë kjo punë në fakt paraqet mënyrën sesi partia në pushtet (Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit –AKP) dalëngadalë ka ngulfatur gjithë opozitën, por duke pasur kujdes që të mbetet brenda kornizave demokratike. Turqia nën AKP është shndërruar në një rast shkollor të një demokracie të zbrazët.
Egërsia e protestuesve dhe e përgjigjes policore në parkun Gezi në Stamboll pa dyshim që paraqet një befasi për shumëkënd në Washington. Turqia, ky “model i shkëlqyeshëm” dhe ky “partner model”, po ashtu është – siç pohon shumëkush – edhe një vend “më demokratik seç ishte para një dekade”. Ka diçka të vërtetë në këto pohime, megjithëse, ky pohimi i fundit, që është përsëritur ad nauseum, paraqet një prezantim të gabuar dhe shpesh kontradiktor të proceseve politike që po zhvillohen në Turqi. Nën drejtimin e AKP dhe të Erdoganit karizmatik, një numër i paprecedentë i turqve jetojnë në begati dhe janë mobilizuar politikisht – rritja e ekonomisë turke është trefishuar mes viteve 2002-2011, përderisa në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë votuar 87 përqind e turqve, krahasuar me 79 përqind në zgjedhjet e vitit 2002, kur AKP erdhi në pushtet. Por, ky mobilizim nuk nënkuptoi edhe rritjen e aftësisë për kontestimin e politikës. Në fakt, ndodhi e kundërta, iu shtrua rruga AKP për të çimentuar mbetjen e saj në pushtet dhe për ta shndërruar Turqinë në një shtet njëpartiak. Ironia këtu është se AKP po ndërtonte një sistem liberal, në kohën kur Washingtoni po e lartësonte Turqinë, duke e cilësuar si model për shtetet pas-kryengritëse të Botës Arabe.
Pak pas ardhjes së AKP në pushtet, në vitin 2002, në SHBA dhe në Europë u hap një debat rreth asaj nëse Turqia “po e braktiste Perëndimin”. Debati kryesisht ishte rezultat i një islamofobie ‘të sjellshme’ që dominoi epokën e pas 11 shtatorit. Kjo gjë, veç tjerash, nuk ishte e saktë. Që nga fillimi, islamistët e ri reformistë të Turqisë bënë gjithçka që mundën për t’i larguar pikëpamjet se me zgjedhjen e tyre Turqia po ia kthente shpinën një dekade bashkëpunimi dhe integrimi me Perëndimin. Ankaraja rikonfirmoi përkushtimin e Turqisë ndaj NATO-s dhe ndërmori një varg reformash të rëndësishme politike, të cilat vendin e larguan nga shumë trashëgimi autoritare nga e kaluara, siç ishte vendosja e armatës nën kontroll civil, apo reformimi i sistemit gjyqësor.
Sinqeriteti i ri politik, kulturor dhe ekonomik e ndihmuan Erdoganin që t’i prijë një koalicioni të myslimanëve të përkushtuar, kurdëve, elitave kosmopolitane, biznesit të madh, dhe të turqve të shtesës së mesme, dhe për t’u z=rizgjedhur në zgjedhjet e verës së vitit 2007, me 47 përqind të votave; që ishte hera e parë që nga vitit 1983, që një parti politike fiton më tepër se 45 përqind të votave. Ishte kjo një ngjarje e paprecedentë në politikën turke. Por, Erdogani nuk e përfundoi me kaq. Në vitin 2011, kryeministri e përforcoi tutje mistikën e tij politike, duke fituar 49.95 përqind të votave.
Dukej se Turqia ia doli mbanë. Në vitin 2012, Erdogan po i printe ekonomisë së 17’të më të fuqishme botërore, e cila u shndërrua në një faktor me ndikim në Lindjen e Mesme, ndërsa kryeministri turk u bë një bashkëbisedues i besueshëm nga hiq më pak se presidenti i SHBA-ve. Mirëpo, derisa AKP po i fitonte zgjedhjet në shtëpi dhe lëvdatat jashtë saj, paralelisht, dukej se po përgatitej edhe një kthesë autoritare. Në vitin 2007, partia zbuloi një komplot, pjesë e të cilit ishin elementët e të ashtuquajturit shtet i thellë turk – oficerët ushtarakë, agjentët e zbulimit, dhe bota e nëntokës – të cilët akuzoheshin se planifikonin rrëzimin e qeverisë. AKP e shfrytëzoi këtë gjë për heshtjen e kritikëve të saj. Që nga atëherë, Turqia u shndërrua në një shtet ku arrestimi i gazetarëve është rutinë, ndonëse mbi baza të diskutueshme, dhe ku makineria e shtetit përdoret kundër shqetësimeve të biznesit privat, ngase pronarët nuk pajtohen me qeverinë dhe ku ushtrohet presion i vazhdueshëm ndaj të gjitha formave të lirisë së shprehjes.






