Home »
» Qytetërimi ynë: tradicional apo modern?
Qytetërimi ynë: tradicional apo modern?
Nga Gëzim Tushi
Padyshim, jeta moderne në Shqipëri nuk mund të kalonte pa sjellë pasoja sociale dhe pa bërë ndryshimet e shpejta dhe të duhura, lidhur me transformimet e thella të pikëpamjeve të njerëzve tanë mbi shoqërinë, jetën dhe botën e sotme. Të cilat ndihen të qarta në faktin që qytetari shqiptar jo vetëm ka kuptuar timbrin e qytetërimit modern, por ai në përputhje me të ka ndryshuar edhe motivimet e aktivitetit jetik personal dhe social. Tashmë edhe ne shqiptarët jetojmë në epokë të re (modern apo post-moderne, ky është problem që duhet diskutuar), në të cilën ndryshimet e tipareve të qytetërimit dhe sistemi i sjelljes qytetare kanë ndryshuar radikalisht. Dallimet në këto aspekte ndihen sepse janë të thella në qoftë se përpiqemi të bëjmë dallimet nga njëra shoqëri tek tjetra, nga ajo e kohës së totalitarizmit në këtë të demokracisë.
Por tani kemi hyrë në fazën e re të ndryshimeve intensive të tipareve të qytetërimit dhe sjelljes qytetare, në të cilën është bërë delikate dhe gjërat që ndihmojnë për vlerësimin e tyre nuk janë të njëjta. Kanë ndryshuar traditat, vlerat, zakonet, mënyrat e sjelljes dhe “piketat orientuese” të atyre që ndihmojnë qytetarët tanë t’i vlerësojnë dhe besojnë. Megjithëse, kur të sotmen e shikon me optikë të errët dhe ndryshimet e natyrshme të zakoneve dhe traditave i vlerëson me shqetësim të pakuptimtë të duket sikur “…e tashmja është një epokë e cinizmit dhe e dëshpërimit, e shembjes së vlerave dhe e shpërbërjes së standardeve fikse dhe shenjave të qytetërimit tonë”. (Izaiah Berlin, Përplasja e ideve, f 172)
Natyrisht, së pari dhe mbi të gjitha duhet kuptuar imperative i epokës në të cilën kemi hyrë. Kjo do të thotë se që të jetosh normalisht në kohën moderne, dhe shoqërinë me natyrë dhe vlera relativiste, është e natyrshme që nuk mund të flitet më për qëndrueshmëri të ngurtë dhe konceptim metafizik të respektimit “atu” të traditës kombëtare dhe “shenjtërimit” të pradigmave të vjetra kulturore. Qytetari shqiptar i kohës sonë, më shumë se vlerëson qëndrueshmërinë ndaj traditës dhe mban besnikëri të “verbër” ndaj paradigmave të trashëguara kulturore, është i detyruar të mësohet me imperativat e jetës moderne dhe të adoptohet me shpejtësi me “reagimet përshtatëse” qytetare me kohën dhe qytetërimin modern.
Një qëndrim i tillë është në koherencë të plotë me natyrën e shoqërisë liberale shqiptare, kompatibile me karakterin individualist të njeriut, i cili gradualisht po i redukton besnikëritë me natyrë sociale që vijnë nga “bota e jashtme”. Sepse në shumë aspekte është i detyruar, që duke e përqendruar vëmendjen tek “mbijetesa” (jo në kuptimin e ngushtë materialist), është më i prirur të bazohet në kombinimin e menyrave dhe parimeve të jetës modern si kusht për të zgjidhur problemet ontologjike dhe detyrat empirike të jetës së përditshme.
Me sa duket, edhe në shoqërinë e sotme shqiptare erdhi koha që tradita e ngurtë dhe kultura e kuptuar si “superstrukturë sociale”, nuk kanë më atë vlerë strategjike që kanë patur dikur në determinimet e tyre për organizimin e jetës sociale të njeriut si qytetar konkret. Qëndrimi pragmatik ndaj paradigmave të traditës dhe kulturës në kohën e sotme është jo vetëm koherent me kohën, por dhe shprehje elokuente e natyrës komplekse të qytetarit mendjehapur të kohës sonë, i cili ka spikatur natyrën vlerësuese dhe skeptike, utilitare dhe pragmatiste ndaj vlerave të trashëguara. Unë jam i mendimit se në vend të respektimit dogmatik të traditës dhe kulturës, të konceptuar në mënyrë sempliste dhe mekaniciste, në jetën sociale dhe qytetërimin tonë, do të ketë më shumë “qëndrueshmëri të rinovuar” të qytetarit ndaj vlerësimit të merituar të formave të traditës dhe kulturës qytetare.
Padyshim, në mendimin filozofik dhe sociologjik ka patur dhe vazhdon të bëhet një debat të gjërë teorik, lidhur me mendimin në se zhvillimi ekonomik dhe moderniteti janë faktorë që mund ta dëmtojnë shoqërinë, “…meqënëse shpie në eliminimin e traditave dhe të trashëgimisë së tij kulturore”. (Amartya Sen, “Zhvillimi si liri”, f 53) Në raste të caktuara thelbi i këtij debati ka marrë trajtën e dilemës, në se është më mirë të jesh i pasur dhe i lumtur apo më mirë i varfër dhe tradicional ? Padyshim, duke folur kështu asnjëherë nuk mund të mendojmë në mënyrë të njëanshme, sepse tradita dhe kultura kanë vlerën e tyre, për sa kohë ne kemi nevojë të kemi diçka të përbashkët, që është thelbësore për popullin tone. Ne gjithnjë do na duhet ajo që Barak Obama me të drejtë e quan “bashkësi idealesh” që venë në lëvizje “vetëdijen kolektive” të qytetarëve tanë, që është në fund të fundit një grup të përbashkët vlerash që na mban të bashkuar si shqiptarë.
Por kjo nuk duket idolatrizuar më shumë se duhet. As duhet kthyer në mjet të abuzimit ideologjik me njerëzit e kohës sonë. Tradita dhe kultura janë padyshim burim krenarie për ne, janë mjeti që duhet të na ndihmojmë të gjejmë gjuhën e përbashkët si qytetarë shqiptarë. Por kjo nuk do të thotë që të shënjtërojmë traditat e vjetra, ca më pak të mos kuptojmë të vërtetën, se sa larg qëndron sot thelbi i jetës moderne në Shqipëri nga shumë zakone, tradita,mite të vjetra që nuk kanë më “kohë ekzistence”.
Qytetërimi ynë nuk mund të jetë më tradicional në kuptimin dogmatik të termit. Sepse shoqëria dhe qytetarët tanë janë duke u “perëndimorizuar” dhe kanë përqafuar modelin e jetës të bazuar në botëkuptimin modern. Është dominante dhe duhet kuptuar prirja sociale e qytetërimit tonë, i cili nga njëra anë në mënyrë konstante dhe me sens mase po zhvlerëson disa elementë të traditës dhe nga ana tjetër, qytetërimi ynë është në një proces tejet intensiv refleksiviteti ndaj parametrave të jetës moderne. Vetëm ata që nuk kuptojnë kohën dhe imperativat e qytetërimit modern, kanë në majë të gjuhës paranojën konservatore sipas të cilës, në shoqërinë tonë tradita dhe sistemi vendas i vlerave janë nën sulmin e degradimit dhe moralit të “huaj”.
Duke vlerësuar raportet e traditës me modernitetin dhe dialektikën e këtij ekuacioni në kohën tone, sociologu i njohur britanik Entoni Giddens, thotë se “…kemi hyrë në periudhën e modernitetit të zhvilluar, ku vërehen çlirime nga lidhjet e ngurtësuara të traditës apo çlirime nga ajo, që, për shumë kohë, u quajt si “pikë epërsie” dhe kjo është epërsia e perëndimit”. (Anthony Giddens, “Pasojat e modernitetit”, f 177)
Megjithatë, sipas meje ka një gjë që duhet kuptuar më mirë. Në shoqërinë e sotme liberale, demokratike, e ndërtuar me qytetarin me natyrë të theksuar individualiste, krejt i kundërt nga “njeriu modular” i së kaluarës gjërat, qëndrimet dhe sistemi i vlerave tradicionale kanë ndryshuar. Sepse, “Shoqëria e tregut vepron jo vetëm duke i ndryshuar çmimet, por duke i ndryshuar edhe grupimet dhe bindjet: nuk ka çmime të drejta dhe as kategorizime të njerëzve të ndershëm, gjithçka mund të ndryshojë dhe duhet të ndryshojë”. (Ernest Gëllner, “Konditat e lirisë”, f 169)
Koha modern ka më për shtat qytetarin pragmatist, utilitar dhe jo atë modular, që i qëndron pasivisht dhe mekanikisht “besnik” gjërave të vjetra për kohën moderne. Që të shmangen shqetësimet dhe njëanshmëritë, sociologët janë të mendimit se alternimi i zakoneve me modën, në kohën tonë përbën “ligjin e tretë” të funksionimit të shoqërisë moderne. (Bernard Valade, Renaud Fillieule, “Hyrje në shkencat shoqërore”, f 362). Në këtë kontekst, barra e zakoneve dhe traditave nuk mund të ketë aq peshë sa të pengojë progresin social të qytetërimit tonë. Kjo është kategorike, sepse njeriu i kohës moderne më shumë se i qëndron besnik traditave dhe të shkuarës vlerëson kohën, imperativat e saj, progresin dhe zhvillimin social të qytetërimit bashkëkohor.
Të mos harrojmë ca të vërteta thelbësore, që vijnë nga historia e zhvillimit të qytetërimit në kontinentin tonë, nga qytetërimi pjesë e të cilit duam të bëhemi. Sociologët e qytetërimit europian kanë thënë me kohë se, “kritika ndaj traditës është ajo që përbën themelin shpirtëror të Evropës,”. Në këto kushte, nuk është normale që të besojmë se e mira e shoqërisë dhe qytetërimit tonë është vetëm mbivlerësimi i traditës, përkundrazi sipas “modelit kontinental”, revolta ndaj traditës është “zakon europian”.
Qytetarët tanë nuk mund të ecin me kohën modern në se mbeten të “verbuar” nga shkëlqimet false të traditës. Përkundrazi, jeta jonë është vënë nën presionin e natyrshëm që të orientohet drejt europianizimit të vërtetë dhe këtë detyrë po e bëjmë nën ndikimin e detyrimit të respektimit të “tabelës së ligjeve” të kohës moderne. Në këto rrethana qytetërimi ynë nuk bëhet moderne pa revolucionin e mentaliteteve sociale. Sidomos të atyre që vijnë nga tradita apo pjesë të fosilizuara të jetës kulturore të së kaluarës, të cilave qytetari kohës sonë nuk mund t’u qëndrojë më “besnik”.
Evolucioni dhe progresi i shoqërisë ka një imperative të përgjithshëm, i cili është detyrues edhe për ne. Sepse në çdo kohë duhet respektuar së pari “vula e epokës” që jetojmë dhe që përcakton pozitën e njerëzve që jetojnë në të. Në këtë kontekst, nuk ka pse habitemi që sot në shoqërinë tonë gjërat kanë ndryshuar dhe po ndryshojnë me shpejtësi, në përputhje me kohën dhe nevojën e adoptimit të qytetarëve tanë me mentalitetin e saj modern.
Nga ana tjetër, në studimet sociologjike kur bëhet vlerësimi raporteve të qytetarit me traditën dhe modernitetin, theksohet dallimi që ka faktori i nivelit të jetesës dhe të ardhurave të popullsisë. Në këtë kontekst sistemet e vlerave të vendeve me të ardhura më të larta ndryshojnë nga sistemet e vlerave të vendeve me të ardhura më të ulta. Sipas tyre njerëzit në shoqëritë me të ardhura të ulta kanë më shumë gjasa të respektojnë traditën në raport me modernitetin se sa njerëzit e vendeve të pasura. Në këto rrethana shoqëritë moderne dhe tradicionale dallohen nga fakti se të parat i japin rëndësi mbijetesës, ndërsa ë dytat shprehjes së lirë. “Vlerat e mbijetesës u japin përparësi kryesore sigurisë ekonomike dhe fizike, si dhe normave konformiste. Vlerat e shprehjes së lirë u japin përparësi të lartë lirisë së shprehjes, pjesëmarrjes në vendimmarrje, aktivizimit politik, mbrojtjes së mjedisit, barazisë gjinore dhe tolerancës ndaj pakicave etnike, të huajve, homoseksualëve”. (Ronald Inglehart, Christian Ëelzel, Cfarë dimë rreth modernizmit, Përplasja e ideve, f 322)
Jo vetëm kaq, por një ndikim shumë të madh në raportet e qytetarit me traditën dhe modernitetin është e lidhur jo vetëm me zhvillimin ekonomik, sepse ai ndikon fort në ndryshimet e parashikuara të vlerave dhe traditave të shoqërisë, por sipas studimeve të sotme sociologjike, në këtë pozicion të qytetarit ndaj respektimit të vlerave të traditës dhe modernitetit ka vendi në të cilin ndodhemi ne shqiptarët në “hartën kulturore globale”. Dhe për fat ne jemi në zemër të Evropës dhe të qytetërimit europian.
Megjithatë në këtë analizë të raporteve të qytetarit dhe qytetërimit tonë me traditën dhe kulturën kombëtare, duhet të jemi realistë dhe me këmbë në tokë. Pa qenë konservator dhe pengues të ndryshimeve të natyrshme, duhet të kuptojmë megjithatë se, ndryshimet e qytetërimit tonë drejt modernitetit kanë masën e tyre të ndryshimit dhe lidhjes së arsyeshme me kulturën dhe traditën tonë. Sepse ne nuk mund të bëjmë përjashtim nga shqetësimi social dhe sociologjik global, që sintetizohet në pyetjen sinkretike: Ku mund të shkojmë, në se tradita dhe kultura nihilohen në mënyrë metafizike dhe krijojmë idenë e gabuar, se ato jo vetëm nuk kanë më vlerë ekzistenciale, por akoma më tej, nuk duhet të kenë më pushtet mbi qytetarin dhe qytetërimin tonë?…






