Një lloj i ri tape që mbulon shishen në formë kapuçi me metal dhe plastikë është hedhur në treg. Por me këtë humbet zhurma tradicionale e hapjes së shishes së verës dhe kjo mjafton që tapa e re të refuzohetKultura e verës
Tom de Castella
Ngjan si e pagabueshme. Një shkencëtar mund të flasë për një zhurmë shpërthyese të tapës së verës në kuptimin e presionit apo elasticitetit.
Por për të dashuruarit pas verës, zhurma karakteristike nënkupton se diçka e mirë po ndodh. Ajo shkakton një lidhje, një intimitet shoqëror, relaksim, aroma buqetë, festë… të gjitha këto shkojnë shumë përtej një pijeje thjesht alkoolike.
Zbulimi këtë javë i një stili të ri tape ngre pyetje se pse lloji tradicional i tapës vijon të dominojë shumicën e botës së verës.
Tapa Heliks hapet vetëm me një dorë të thatë. Ajo përdoret gjerësisht në pije të tjera alkoolike. Nuk është e nevojshme një hapëse vere për shkak se maja e shishes ka një fill që hapet si në rastin e paketave të cigareve.
Shishja e verës dhe kombinimi i tapës mendohet se ka filluar në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Por materialet më të reja që ekzistojnë sot, janë sipas mendimit të disave, më të përshtatshme për të vulosur shishen sesa tapa e drurit.
Tapat me spirale dhe tapat plastike janë përqafuar nga prodhuesit që janë ngopur tashmë me verën që bëhet me erë tape – pra që merr një aromë të pakëndshme myku, të ngjashme me atë të një qeni të lagur, që shkaktohet nga një tapë e prodhuar keq.
Kritiku amerikan i verës, Robert Parker, mendon se në mes të viteve 1990, 7 deri në 10 për qind të verës që ajo shijoi e kishte tapën në formë vide. Nga viti 2015, ai mendon se kjo teknologji do të dominojë industrinë e verës.
Tapa prej metali e plastike që mbulon majën e shishes e ka emrin Stelvin për njohësit e industrisë së verës, për shkak se ky është emri i markës së kompanisë më të madhe prodhuese të saj. Përdorimi i saj u zgjerua në mënyrë spektakolare në kombet e verës të “botës së re”. Nga viti 2011, 90 për qind e verës në Zelandën e Re u vulos në këtë mënyrë.
Por në Europë dhe SHBA, tapa tradicionale vijon të dominojë.
Është disi habitëse për disa. Vera është bërë demokratike dhe moderne. Ka çmime dhe stile pirjeje të përshtatshme për çdokënd. Po pse metoda e mbylljes nuk ka evoluar?
Portugalia, ku mblidhet shumica dërrmuese e drurit që përdoret për prodhimin e tapave, ka luftuar ashpër kundër përdorimit të përbërësit kimik trichloroanisole (TCA), një nga shkaqet më të zakonshme të tapave të cilësisë së keqe që i japin erë verës.
Por tapa e re me metal dhe plastikë jo vetëm që e shmang problemin e tapave defektoze, por krijon një mbyllje edhe më të fuqishme. Shumica e kritikëve thonë se kjo tapë garanton aroma më të mira për të gjithë me përjashtim të verave më të shtrenjta, të cilat mund të vjetrohen më mirë nëse marrin më shumë oksigjen.
“Ne parapëlqejmë këtë tapë të re për t’u siguruar që vera nuk do të jetë defektoze”, shpjegon Ewan Murray, zëdhënës i Shoqërisë së Verës në Britaninë e Madhe. “Verërat që përgatiten për t’u pirë të reja gjithmonë do të jenë më të freskëta nën këtë lloj tape.
Por ajo çfarë tapa Stelvin nuk ka është krenaria e hapjes së një shishe vere që krijon zhurmën karakteristike me tapën e vjetër. Hapja e saj përbën një moment jodinjitoz.
Për pijedashësit e zakonshëm, pritshmëritë kulturore dhe një farë snobizmi vere kanë një rol për të luajtur. Kjo mund të shpjegojë se pse në botë ka ende kompani të fuqishme që vijojnë të prodhojë tapa për shishet e verës me dorë edhe në kohën tonë. Këto kompani argumentojnë se kërkime tregu në SHBA dhe Europë tregojnë se mbi 90 për qind të konsumatorëve nuk kanë ndër mend të ndahen nga tapa tradicionale.
Tapa e re është e ngjashme me ato që gjenden nëpër shishet e uiskit dhe të sherrit, me përjashtim të shtresës plastike në majë. Shefi ekzekutiv i kompanisë së shisheve O-I Eric Bouts thotë se kjo lloj tape e re synon tregun e shisheve të verës që kushtojnë nga 8 në 15 dollarë. Konsumatorët në piknik nuk do të kenë nevojë të kërkojnë për hapëse vere vërdallë.
Kjo tapë e re shisheje ka edhe të mirën tjetër, që mund të rivendoset te shishja e lënë përgjysmë, por për njohësit e verës, kjo nuk përbën një avantazh. E vetmja mënyrë për ta mbajtur një shishe vere përgjysmë të konsumueshme edhe për ditën tjetër, është të përdorësh pajisjen e posaçme për krijimin e vakumit.
Prodhuesit e tapës Heliks thonë se shishet me këtë tapë do të jenë nëpër dyqanet europiane brenda dy-tre vjetësh, por ata shpresojnë të kapin edhe një pjesë të tregut me rritje të shpejtë të Kinës, treg që ka kapërcyer Britaninë e Madhe, duke zënë vendin e pestë më të madh në botë për konsum vere.
Nuk janë vetëm konsumatorët me dyshime pengesa e përdorimit të tapës së re. Disa organe të klasifikimit të verës aktualisht ndalojnë kantinat nga përdorimi i tapave Stelvins.
Në vitin 2008, prodhuesi italian, Allegrini, vendosi të tërhiqet nga denominimi i origjinës, në mënyrë që të ishte në gjendje të përdorë kapuçin mbi shishen e verës.
Kjo tregon se tapa e shishes së verës nuk është thjesht e lidhur me verën. Është më shumë për karakterin dhe romancën që ka krijuar përgjatë shekujve tapa klasike.
Sa më shumë para shpenzon për verën, aq më shumë rituale duhet të jetë eksperienca. Dhe ndoshta, përdorimi i hapëses së verës është pjesë e rëndësishme e kësaj eksperience. Nëse shpenzon 40 apo 50 euro për një shishe verë, nuk është normale të presësh që ajo të hapet si një kanoçe coca cole.
Tapa tradicionale ka edhe një avantazh tjetër. Ndryshe nga tapat moderne, ajo nxirret nga druri i një peme. Kjo e bën shumë të përshtatshme me imazhin e verës si një pije e lidhur me dheun dhe për faktin se dy shishe vështirë se mund të jenë të njëjtat. Francezët përdorin fjalën “terror” për të përmbledhur ndjesinë gati shpirtërore të dallimeve krahinore të verës.
Një kapak metalik garanton qëndrueshmëri. Por për tradicionalistët ai kurrë nuk do të ofrojë gëzimin e një tape druri tradicionale.





