Arian Leka
GURI FILOZOFAL
Ajo që i lipset njeriut nuk është një botë më vete, as një kohë më vete, madje as një dhomë më vete, siç këshillonte dikur një pjesë të shoqërisë Wirginia Woolf. Ajo që i duhet atij është një kokë më vete. Këtë mendoja vjet, në ditë Krishtlindjesh, teksa rishihja fragmente të zgjedhura nga filmi më i ri i Giuseppe Tornatore-s, ‘Baarìa’. Tek një skenë, të cilën po e veçoj edhe këtu, mes një atmosfere mjerimi, zymtie dhe mungese perspektive, një familje italiane përgjon ndarjen nga jeta të plakut të shtëpisë Torrenuova, të cilit nuk i del shpirt pa u kthyer Peppe-ja, i biri. Në ëndrrën atërore, Peppe-ja, që e kishte filluar jetën si një punëtor krahu për t’u bërë më pas asistent në kishë dhe që pas akoma qe përfshirë në politikën e majtë, e cila e çoi nga Moska në Paris, i biri pra, ishte vetëm një gjë: deputet. E teksa fiket, me atë fill zëri të mbetur dhe mes një fishkëllime metalike që i hap gjoksin, plaku Torrenuova pëshpërit në dialekt ca fjalë që tingëllojnë të huaja, të pakuptueshme për të pranishmit që e rrethojnë. “La politic’ e’ bella...! La politic’ e’ bella...! La politic’ e’ bella!” “Politika është e bukur”, - tha. Për njeriun në përgjithësi, atë të përkufizuarin si “kafshë politike” prej më shumë se 2300 vjetësh, politika mund të jetë gjithfarë. Ajo mund të jetë e re apo e vjetër, e shëmtuar apo e keqe, platoniane, makiaveliane apo fusheiste, idealiste, materialiste, marksiste, pragmatike, utilitariste, e rrezikshme, progresive, regresive, personale apo mbipersonale, kombëtare apo antikombëtare, ekonomike, historike, kulturore, e rëndësishme apo krejt e dorës e dytë... por e bukur jo. Por ndërkaq, të mbrosh mendimin se politika është e bukur, sidomos po të gjendesh i kyçur vetëm brenda realitetit shqiptar, duket sikur i ke vënë të gjitha kreditet tek një kalë garash për të cilin nuk vë bast askush. Po a është, mundet dhe a duhet të jetë e bukur politika?
Tingëllojnë mirë vargjet e A. Bosquet-së që ngushëllojnë korbin se nën pendët e zeza mishin e ka të bardhë. Ndërkaq, pyetjes nëse politika duhet të jetë e bukur, më duhet t’i shtoj edhe dilemat nëse pas kaq e kaq betejash të humbura e të fituara ndaj politikës, arti ka të drejtë të vihet sërish në kërkim të idealit politik për të “destabilizuar jo më diktaturat, por demokracitë”, ashtu siç na shfaqet në filmin madhështor dhe aq poetik të Tornatores. Çështja merr formën e një shkolle riedukimi në marrëdhënien e pushtetit ndaj artit, si instrumenti më i përsosur i lirisë dhe i krijimit, kur mendon se filmi, megjithëse prodhim i “Medusa-s” - pjesë e perandorisë mediatike të Berlusconi-t kjo, nuk e ka kushtëzuar autorin të na artikulojë të vërtetat e tij. Politika i ka tanimë kupëmbajtësit dhe temjandjegësit e vet. Ajo nuk ka nevojë për skllevër, qofshin këta edhe me dhunti prej artisti.
Në mos përvoja vetjake, është tradita ajo që na mëson si të sillemi ndaj politikës. ‘Baaria’, veç të tjerash, më kujton një histori me tim gjysh, Maze beun, siç i thërrisnin. Familja e tij libohovite, e aftë në bërjen e prokopisë, i kishte dhënë emrin e një guri të çmuar (elmas-diamant) me shpresën se mistika e emrit mund t’ia shtonte shanset për një jetë të çmuar, përrallore edhe atij njeriu, që la shkollën për të luftuar fashizmin dhe që, pa ditur asgjë mbi vuajtjet për shkak të idealit, luftoi për lirinë deri në Vishigrad. Dhe vërtet vetëm një herë, por rasti të notonte mbi ar iu dha! Qe koha e konfiskimeve të të pasurve të Shkodrës, kur atij së bashku me familjen iu caktua të flinte në katin e dytë të shtëpisë që për muaj me radhë shërbeu si depo për grumbullimin e arit dhe sendeve të çmuara. E kaluara është një gjyle e rëndë në këmbët e të ardhmes. Zëri i gjyshërve të tij, që e urdhëronin të mos merrte asgjë nga ajo që nuk i përkiste, doli të qe dhe zëri i tim gjyshi për mua. M’u dha ta kuptoja pa bërë ende 5 vjeç, kur një të diele, teksa familja jonë e gjerë qe mbledhur të kryente ritualin e paracaktimit të profesionit tim, duke më rrethuar me lodra, rraqe dhe sende, mes së cilëve nuk mungonte as koburja ‘Walther’ e kohës së tij të luftës, gjyshi u ngrit dhe hoqi nga rrethaku i sendeve që më ishin vënë për zgjedhje, të vetmen shenjë intelektuale të botës sonë familjare: librin. Edhe pse kam pyetur, askujt nuk i kujtohet se ç’lloj libri ishte ai që hoqi gjyshi, sikundër se as vetë nuk e kujtoj se ç’send kam zgjedhur. Të gjithë mbajnë mend ç’tha: “Me politikë, jo!”. Nuk dihet ku ishte zhgënjyer. Nuk dihet nëse me këtë vendim shpallte kushtrimin e të parëve të vet se, politika u duhet lënë “kobureve” apo shfaqte atë lloj lodhjeje e zhgënjimi që e ndiejmë edhe ne sot, sa herë që flitet për pjesëmarrjen apo dorëheqjet e “librit me dy këmbë” ndaj politikës. Po sidoqoftë, edhe përfytyrimi ynë etnik mbi të qenit “njeri i mirë” nuk shkon shumë larg sjelljes së tim gjyshi. Shprehja “njeri i mirë” i adresohet atyre individëve që dëshirojnë të qeverisin jetën e tyre, por jo dhe jetët e të tjerëve. Largimi nga publikja kthehet kësisoj në mënyrë sjelljeje, pa mundur të bëhet kulturë. Por shoqëria nuk ndikohet nga ligjet e vakumit; i munguari, siç dihet, zëvendësohet përherë nga i pranishmi. Por edhe përtej psikikës sonë, sjellja ndaj politikës nuk është dhe aq mbresëlënëse. Fjalët shoqëruese që përdoren rëndom për politikën i takojnë repertorit leksikor që hapet me “e ndyrë”, “e mërzitshme”, “bajate”, “e përbuzshme”, “e paskrupullt”, “alergjike”, por që nuk përfundon aty. Loja sakaq bëhet ndjellëse edhe për profesionistët në politikë. Duke mos i bërë dot ballë tundimit përqeshës, ata fillojnë t’i godasin me gurë muret e brendshme të kështjellës së tyre, për t’iu bashkuar zërave që ushqejnë me lëndë të re aforizmat e lashta të Ezopit, sipas së cilave politika renditet e dyta ndër profesionet më të lashta të botës. “Madje, kam vënë re se ajo ka ngjashmëri të habitshme me të parën”, - vëren presidenti Regan apo edhe të tjerë pas tij, që pëlqejnë të fshehin emrin, por jo mendimin, kur shprehen se politikanët janë si pelenat. “Të dy llojet duhet ndërruar rregullisht dhe për të njëjtën arsye”. Po përse atëherë arti priret ta gjejë të bukurën edhe aty ku nuk mendohet? Pse krijon iluzionin e rikthimit të botëve të humbura? Përse, tek e fundit, evokon kohërat kur njerëz si ne besonin në utopinë e madhe se politika, njëlloj si bota, edhe nëse nuk ishte e bukur, mëton të bëhet e tillë? Ndoshta se kjo është puna mëditëse e artit përballë politikës: të ruajë dhe jo të vrasë besimin, se edhe kur rrënjët janë të paqarta, të papastra dhe të ngatërruara, frytet apo produkti mund të jenë të dobishëm gjer në atë masë sa politika të mos klasifikohet përherë tek ato biznese që i jep emër të keq jo vetëm atyre që investojnë në të, politikanëve, por edhe konsumatorëve politikë, atyre që thirren rregullisht nën votë një herë në dy vjet dhe që supozohet të jenë aksionerë në atë investim publik madhor të quajtur qeverisje dhe shtetbërje.
Meqenëse fitoret e politikës janë tepër të kushtueshme, asaj, veç të tjerash, i duhet të ketë gjithmonë më shumë besim se sa besimtarë. Përballë progresit të pakët, të ngadaltë dhe hapave të vegjël, të cilave u gëzohemi, rrinë shumë dështime. Por, me gjithë zhgënjimet, bëhemi pjesë e faktit se falë edhe politikës, demokracia, pavarësisht ambiguitetit të termit, ndryshe llojet e totalitarizmit, identifikohet me hapat e vegjël. E megjithatë, kjo mund ta bëjë politikën fqinje të largët me artet, veçse nuk e bën më të bukur se ç’është.
Nuk mund të thuhet se përqasja e politikës me artet është një gjë krejt e re. Që para një shekulli Bismarck-u e cilësoi atë si “art i së mundshmes”. Por art, gjithsesi, mund të përgjigjet zekthi. Një art, por pa muzën përkatëse. Art pa frymëzuesen e vet, duhet thënë, nëse nuk duam të sforcohemi aq shumë sa të përfytyrojmë flatra në trupin e lodhur të fjalëve që politikani nxjerr nga fundi i shportës retorike (liri-demokraci-drejtësi-tolerancë-shtet ligjor-barazi-të drejta themelore-dinjitet), për t’u vetëndjerë homofaber dhe njeri që i përket botës së parimeve të larta. Midis pohimit të Bismarck-ut dhe kundërshtimit që i bën atij ekonomisti John K. Galbraith, për të cilin “politika nuk është art i së mundshmes, por i asaj që duhet të zgjedhë mes shkatërrimit dhe të pakëndshmes”, duket se ka ende vend për një vëzhgim aspak poetik, por që na vjen pikërisht prej një poeti: Paul Valery-së. Për Valery-në politika nuk është gjë tjetër veçse, “arti i parandalimit të njerëzve për t’u marrë me çështjet që u interesojnë plotësisht atyre”. Përtej teorive dhe citimeve, si mund ta përshtatim për terrenin tonë përjetimin ndaj politikës? Ta shpërfillim apo të përfshihemi në të? Të duartrokasim nga shkallët e arenës për fitoret e të tjerëve, apo të zbresim edhe vetë ndonjëherë në arenë - vendi ku të lëndojnë, të përdhosin, të plagosin kur thua të vërtetën, por gjithashtu edhe logu ku jo rrallë të kurorëzojnë, me dafina apo gjemba, sipas rastit? Të angazhohemi apo të trembemi nga gogoli i “njeriut të angazhuar” me përkatësi dhe principe të qarta politike? “Në çastin kur nuk do të jem asgjë më shumë se shkrimtar, unë do të pushoj së qeni shkrimtar”, - shprehet Albert Camus në vend të një përgjigjeje të matur.
Duke qenë një përmasë relativisht e re e formatimit të jetës publike shqiptare, politika në viset tona nuk shihet dhe aq si art i qeverisjes së shoqërisë, por si formë paksa më e zhvilluar e jetës fisnore. Trupi i saj i rënduar lëkundet mes arrogancës, moslëshimit, frikës nga humbja, mungesës së sjelljes civile, karshillëkut, por edhe pozës pseudoaristokrate. Në fakt, politika jonë është vendi ku shfaqet më fort se kudo epshi i arrivizmit në kushtet e mungesës së alternativave konkurruese, ku jeton ende mitologjia e trashëguar, por e papërligjur e karizmës së udhëheqësit të paepur e të pagabueshëm, e “bobit-babaxhan” që rri sup më sup me popullin, të cilit i njeh jo vetëm brengat, por edhe humorin, yryshi i “zyshave” dhe “presorëve” që formatojnë CV-të akademike duke u vërtitur në karuselë televizivë. Po, jemi mjeshtër turmash dhe koresh, por ende të pamësuar në punë solistësh, që dalin kundër korit. Por shtetarët dhe politikanët që qeverisin keq nuk zgjidhen vetëm nga partitë dhe militantët. Ata nuk mbahen në pushtet vetëm nga kultura e korrupsionit dhe deformimit shpirtëror. Nuk fitojnë vetëm falë alkimisë që i shndërron idealet në interesa. Ata fitojnë edhe falë qytetarëve të mirë, atyre që përpiqen të mos i sjellin asnjë kokëdhembje shtetit, që i paguajnë detyrimet dhe taksat edhe kur nuk janë dakord, ata që e kanë një dhomë apo një botë më vete, por që duke u dorëhequr, nuk e besojnë as në versionin fiction fabulën e plakut të Tornatores, i cili gjer në buzë ta varrit ngulmon të thotë se politika, edhe kur nuk është, mundet të jetë e bukur. Kuotimi me tepri në bursën e mendimit i një klani të mbyllur emrash, mungesa e rotacionit të pushteteve, mbështetja dhe votimi masiv i një formatimi politik, i cili si modelim dhe pavarësisht nga mosha, për pak po konsumon thuajse gjysmën e periudhës që diktatura qëndroi në Shqipëri, kryen dekurajimin më të madh që mund t’i bëhet shtetasit shqiptar, që nuk rron përditshëm me politikë, e atij njeriu që nuk zgjedh ashensorin, por integritetin moral dhe profesional për t’ia dalë jetës, edhe atëherë kur të zgjedhurit shfaqen thjesht si menaxherë të interesave të veta dhe kur nuk lënë as edhe një fije shprese se politika, edhe nëse nuk është, dikur mund të bëhet e bukur, edhe pa qenë art. T’u kujtosh atyre vetëpërmbajtjen, durimin, tërheqjen, humbjen, apo shprehjen se, “mendja është si një parashutë, vlen vetëm nëse hapet”, është blasfemi, herezi madje.
Për shqiptarin e sotëm, politika mund të jetë e bukur po aq sa mund të jenë të dashura për të, punët jovetjake apo vetë res-public-ja. Me fare pak përmirësime, edhe sot e kësaj dite mundemi ta këndojmë lirshëm himnin që “armiku i vogjëlisë”, Faik Bej Konica, nënshkroi këtu e 110 vjet të shkuara, kur shkroi: “More dudum kokëkungull / Gojëbuall e barkrrumbull / Thuamë, të rëntë pika! / Ç`të duhet ty politika? / Hiq, more dudum dorë, hajde / Të të kllasëm në një kade / Plot me mjalt`e me reçel / Ha e pi e kurrë mos del”. Dhe si çdo gjë, politika ka produktin e vet. Por ajo duket se ka prirjen të ndajë gjithçka që ka lindur bashkë dhe që për nga natyra është e bashkuar. Falë pasionit që politika ka për pjesën (party), asnjëherë si sot shenjat identitare të kombit, të historisë, gjuhës, etnisë, të kulturës, të viseve dhe personaliteteve të tij, nuk janë vënë më shumë në dyshim dhe nuk janë lënë krejt pa mbrojtje. Njeriu nuk ka vetëm një identitet. Por edhe sikur të ketë vetëm një, identiteti i tij i vetëm nuk është ai politik, sikundërse edhe përkatësia e tij nuk mund të jetë vetëm partiake. Politika nuk është, madje as që duhet të jetë e bukur. Ajo duhet të jetë thjesht politikë, ushtruar si dorëheqje, tërheqje, kundërshtim, pranim, refuzim, mbështetje, ngulmim, mospjesëmarrje, por sidomos pjesëmarrje. Mundemi që nga pika ku ndodhemi, t’i shpërfillim shpresat dhe kontributin e atyre që punuan për një politikë më të mirë? Mund të jemi aq të verbër sa të mos e vëmë re, tekefundit, se me gjithë rezervat, vonesat dhe pengimet, me gjitha anatemimet dhe bekimet që kemi bërë në këta vjet, diçka nga ajo që kemi dashur të ndryshojë ka ndryshuar? Të mbrosh mendimin se politika është e bukur, duket se është një gjë aq e kotë sa të duash të marrësh pozën e atij që tha: “le të hedhin gurë ata që nuk kanë mëkatuar”. Gjë thuajse e pamundur kjo për njeriun që jeton në një botë gjithmonë e më shumë politike, në të cilën i duhet të përshtatet e të sillet si një “homo politicus”, që shkon duke belbëzuar “La politic’ e’ bella...! - “Politika është e bukur!”