Home »
» Përse Turqia nuk e do më Erdoganin?
Përse Turqia nuk e do më Erdoganin?
Erdogan është krahasuar me Hitlerin dhe rrëmujat e këtyre ditëve në 90 qytetet turke nuk do të kenë ndikim pozitiv në kandidaturën e tij në zgjedhjet e 2014-s. Në një fjalim publik ai ka hedhur poshtë akuzat për autoritarizëm: “Erdogan një diktator? Kjo është ajo që mendoni për një shërbëtor të popullit… Jam pa fjalë!”
Nuk ishte vetëm një çështje pemësh ajo që bëri të dilnin në sheshet e pothuajse të gjitha qyteteve turke miliona njerëz. “Ka të bëjë me demokracinë”, thonë manifestuesit, sepse era e Rexhep Taip Erdoganit është karakterizuar me dominimin e shoqërisë shpesh herë me dhunë dhe me lejimin e hapësirave shumë të ngushta të shprehjes.
Arroganca
Në shesh nuk dolën vetëm nacionalistët, por të gjithë turqit që rebelohen kundër represionit të jetës dhe arrogancës së sistemit. Si gjithmonë ngjarje të tilla janë rrjedhoja të shumë faktorëve, ndërsa Turqia një vend i madh e dinamik në qendër të një kuadri ndërkombëtar kompleks, kërkon të luajë rolin e protagonistes.
Moralizmi islamik i partisë qeveritare, AKP, me kalimin e viteve e ka rritur presionin mbi institucionet, gjë që është përkthyer në ligje shtypëse, të cilat turqëve nuk iu kanë pëlqyer aspak. Ndonëse përplasjet nisën për 600 pemët e parkut “Gezi” të cilat qeveria synon t’i rrëzojë, që më parë ishte planifikuar një manifestim mbarëkombëtar kundër masave të ashpra që ndrydhin lirinë e njerëzve në Turqi, si p.sh. ligji i ri mbi alkoolin, apo rasti i një agjencie transporti në Ankara që i ftoi pasagjerët të silleshin “moralisht” duke shmangur puthjet dhe përqafimet në mjetet e transportit publik.
Mjaft me AKP-në
AKP-ja u ngjit në pushtet me maturi, duke recituar pjesën e respektit ndaj laicitetit të shtetit dhe atë të përgjegjësisë ndaj rolit të Turqisë në angazhimet ndërkombëtare. “Muaji i mjaltit” vazhdoi gjatë dhe AKP-ja u tregua një partner i besueshëm për elitën ekonomike, duke ndikuar në zhvillimin e vendit.
Megjithatë, sot Turqia mund të ketë mbërritur në pikën në të cilën nuk ka më nevojë për AKP-në. Partia e moderuar islame, për një kohë të gjatë ka gëzuar mbështetje të madhe në vend, por tani duket se turqit janë lodhur nga nacionalistët, ndikimi i ushtarakëve dhe nga alternativat laike të përfunduara në komitete biznesi, shpesh të tronditura nga skandalet.
Mungesa e reformave për ligjet ekstremisht represive, të lëna në fuqi që nga koha e diktaturës, veçanërisht të ashpra për këdo që kritikon qeverinë, janë pengesa më e madhe e pranimit të Turqisë në BE. 72 punonjës të medias, 42 prej të cilëve gazetarë, gjenden aktualisht të burgosur. Pjesa më e madhe e tyre janë kurdë, për më tepër të shpallur fajtorë sepse kanë raportuar me korrektësi krimet dhe masakrat e policisë dhe të shërbimeve ushtarake mbi civilët.
Turqia e lodhur me Erdoganin?
Ky është mandati i tretë radhazi i Erdoganit dhe në secilin prej tyre ka marrë gjithnjë e më shumë vota. Në vitin 2011, AKP-ja arriti të marrë rreth 50% të votave, duke pasur vetëm 3 parlamentarë më pak nga kuota e mjaftueshme për të ndryshuar kushtetutën e shkruar nga ushtarakët, sipërmarrje që deri më tani nuk është finalizuar për shkak të përplasjeve midis laikëve dhe islamikëve.
Atlantist, europeist e në të njëjtën kohë mysliman dhe aziatik me prirje lindore, Rexhep Taip Erdogan ka luajtur për një kohë të gjatë rolin e protagonistit virtuoz, duke e vendosur peshën e shtetit të tij mbi të gjitha tavolinat dhe duke fituar një besueshmëri të madhe por me pak suksese, për të humbur, si pasojë, mbështetjen e atyre që e patën përkrahur në të kaluarën.
Është e qartë se kjo kundër Erdoganit është revolta kundër një ushtrimi antidemokratik të pushtetit, i cili kalon si një rul ngjeshës mbi qytetet turke të bombarduara nga qendrat tregtare dhe xhamitë që “bekojnë” aleancën midis liberalizmit të spekulatorëve dhe moralizmit të fanatikëve.
Demilitarizimi i Turqisë ka qenë relativ, sepse kryeministri nuk ka arritur të zgjidhë çështjen kurde, gjithashtu sepse në kufij janë paraqitur probleme të tilla si lufta në Irak dhe tani konflikti civil në Siri. Tentativat e Erdoganit për të kënaqur nacionalistët duke u vendosur si far mbi vendet islame nuk u treguan më të frytshme se zgjedhja për të ndërhyrë në konfliktin sirian, i cili i ka kushtuar shumë shtetit turk duke mbajtur mbi vete koston e një fluksi të madh refugjatësh.
Gjithashtu Erdogan i përkeqësoi gjërat, në fillim duke deklaruar se do të përdorte grusht të hekurt kundër protestuesve dhe më pas duke u tërhequr (pas telefonatës me presidentin e republikës, Abdullah Gul). Ai ka një interes të veçantë që ta përqendrojë vëmendjen e krizës së qeverisjes mbi parkun e famshëm “Gezi” dhe kështu lajmëron hapjen e një hetimi mbi përdorimin e gazit lotsjellës mbi qytetarët, por thekson se çfarëdolloj qëndrimi që të kenë manifestuesit, qendra tregtare do të realizohet, në përputhje me ligjin që u jep të drejtë ndërtuesve dhe administratës.
Kohët ndryshojnë
AKP-ja nuk përfaqëson më ofertën politike të dikurshme dhe paradoksalisht tërheqja e kurdëve nga territori turk vetëm pak ditë më parë (e cila në teori përfaqëson një sukses për qeverinë) i është shtuar kushteve që kanë mundësuar një përgjigje të tillë popullore kundër qeverisë, duke eliminuar nga debati politik termin “terrorizëm kurd”, i instrumentalizuar në demokraci njësoj si në diktaturë.
Vetëm koha do të tregojë nëse revoltat e këtyre ditëve që prodhuan mbi 1000 mijë të plagosur dhe po aq të arrestuar, përbëjnë ndodhi të atypëratyshme, që Erdogan do të dijë t’i dominojë, apo do të vijojnë të zgjerohen. Ajo që duket mjaft e sigurt është se AKP-ja e ka thuajse të pamundur të përmirësojë rezultatin e saj në zgjedhjet e 2014-s, të parat të drejtuara nga presidenti i republikës. Erdogan do garojë pa dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit, sepse të përjashtuar nga kandidatura do të jenë vetëm ish-presidentët.
Përgatiti: Dorina Gjuzi
Dita






