U shfaqën në qendrën votimit ndryshe nga të tjerët, ajo me fustan të bardhë nusërie, ndërsa ai me kostum të zi. Fotoja e tyre vetëm në pak orë ka bërë xhiron e botës. Në një galeri fotosh nga atmosfera e zgjedhjeve parlamentare qershor 2013 në Shqipëri në mediat e huaja gjendet dhe fotoja e çiftit shqiptar Endri dhe Megi. Ata përveç përballë njëri-tjetrit dhe Zotit duket sikur u betuan edhe përpara kutisë së votimit si rrallëkush. Në zonën e Saukut, çifti i sapomartuar solli një tjetër atmosferë ditën e votimeve. U panë me kureshtje nga qindra votues që prisnin në radhë e po ashtu morën edhe urimet e tyre në ditën më të rëndësishme të jetës. Edhe pse mund të ishte një ditë e ngarkuar për ta, çifti nuk nguroi që të shkojë të votojë dhe për të vendosur mbi fatin e tyre, duke treguar kështu edhe respekt për votën. Nga e gjithë atmosfera e vrazhdë që shoqëron procesin e votimeve në Shqipëri, duket sikur kjo pamje e bëri më të butë situatën dhe i dha shpresë. Ceremonia marte- sore e tyre ishte një dasmë tradicionale që respektonte zakonet e zonave nga vinin djali dhe vajza. Endri Xhaçka, pasi shkoi në shtëpinë e vajzës për të kryer ritin e zakonshëm të marrjes së nuses nuk shkoi direkt në shtëpinë e tij, por ktheu në një qendër votimi pranë Sanatoriumit në kryeqytet. Aty bëri një tjetër “rit” jo të zakonshëm. Votoi së bashku me bashkëshorten e tij të ardhshme. Në një bisedë për “Shekullin”, Endri tregon se e kishin lënë enkas ditën e dasmës në këtë datë, për të treguar një gjest fisnik sipas tij, por edhe për të dhënë një shembull, sepse nuk ka asnjë arsye që i çon njerëzit të mos votojnë. “Ishte një skenar i menduar”, thotë ai. E kur i pyet përsëri se përse kanë zgjedhur këtë datë, përgjigja e Endrit është: “E kemi zgjedhur për shkak të historisë që ne ishim të bindur se do të kishte. Më pëlqen si datë dhe kjo është edhe arsyeja më e madhe. Do të mbahet mend gjatë, si nga unë edhe nga bashkëshortja, tashmë zyrtare (qesh). Nga ana tjetër, nuk është se jam shumë supersticioz, por edhe e gjykoj si çështje mbarësie.” Dasma mori përmasa spektakli dhe çifti u bë i rëndësishëm jo vetëm në rrethin e tyre familjar, por edhe në rrjetet sociale. “Ne përveçse donim ta kishim një kujtim të bukur për veten tonë donim që nëpërmjet kësaj mënyrë votimi të jepnim një mesazh për të gjithë. Të gjithë duhet t’i nënshtrohen së drejtës së votës që më pas të kenë të gjithë të drejtën t’u kërkojnë llogari atyre që i kanë zgjedhur me votë”. Ndërsa, Megi tregon se ishte emocionuese të votonte në atë lloj forme dhe për më tepër të ishte në qendër të vëmendjes së shumë personave që po prisnin në radhë. Madje, shton ajo, përfituam nga mënyra se si ishim veshur për t’u futur pa radhë në votime. Ajo nuk ka nguron të na tregojë as numrin për të cilin ka votuar. “ Ne kemi shumë miq pranë “Lëvizjes Socialiste për Integrim” dhe do të donim që në ditën më të lumtur tonën, t’ia jepnim votën atyre. Na vjen mirë që në këto momente që po flasim, ndjejmë që vota jonë po lexohet drejtë”, tregon Megi edhe pse nuk ka ndonjë ambicie politike vetë. Por të shkuar deri në këtë ditë, historia e tyre e dashurisë ka bërë një rrugë të gjatë. Origjina e Endrit është nga Devolli, ndërsa Megi është nga Tirana. Gjashtë vite më parë, ndërsa adoleshentja shkonte në gjimnazin “Myslym Keta”, i ra në sy djalit devollit që donte patjetër ta bënte për vete. Me zhdërvjelltësinë e saj të moshës, ajo e mundoi pak Endrin në përpjekjet e tij për ta bërë për vete Megin, por këmbëngulja e tij bëri që ajo të besojë te dashuria e djalit që më vonë do të ishte bashkëshortit të saj i ardhshëm. Pas 6 vitesh, njohjeje, ata vendosën të kurorëzohen në martesë, në një datë që nuk e kishin menduar vite më parë, por kur u caktua data e zgjedhjeve, duket sikur u vendos edhe dasma e tyre. Megi është studente për “Ekonomi Agrare” në Universitetin Bujqësor të Kamzës, ndërsa bashkëshorti i saj është i angazhuar me një biznes privat. Duket se kjo periudhë ashtu si shumë të tjerë e ka lodhur edhe çiftin. Po ashtu si Shqipëria që ishte duke u përgatitur për zgjedhjet Parlamentare të 2013, çifti ishte duke u marrë me përgatitjet e dasmës së tyre. Në fund, kanë ngelur të kënaqur jo vetëm për veten, por edhe për rezultatin që kanë dhënë zgjedhjet. Besojnë se një nga arsyet ishte edhe dasma e tyre publike tashmë që ndoshta shërbeu si hajmali.
Të martohesh dhe të votosh LSI-në
Shqipëria i është drejtuar të dielën qendrave të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e saj për katër vitet e ardhshme. Por, dikush ka provuar edhe shijen e të votuarit, me fustanin e nusërisë dhe kostumin e dhëndërisë. Një çift, të cilët janë lidhur në 23 qershor në kurorë, menjëherë pas ceremonisë janë drejtuar për në qendrën e votimit për të hedhur votën e tyre. Ata nuk e kanë aspak të fshehtë votën e tyre. Tregojnë për “Shekullin’ se kanë bërë kryq mbi numrin 26 të fletës së votimit që korrespondon me numrin e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Sot, dy ditë pasi ka kaluar data 23, ata janë të kënaqur që përveçse dasma e tyre kaloi shumë mirë, edhe procesi i votimit ka pasur të njëjtin fat. U duket vetja në një farë mënyrë si “kumbar” të këtyre zgjedhjeve. Pas këtyre ditëve të vrullshme, ata do të nisën për të jetuar muajin e tyre të mjaltit. Mendojnë se e kanë arritur qëllimin jo vetëm për martesën që realizuan, por nga ana tjetër janë të kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve. Kjo gjë e motivon çiftin e ri që në fakt nuk ka asnjë lidhje me politikën. Qëllimi i tyre i vetëm është mesazhi, fakti që fotoja e tyre ka bërë xhiron e botës, ata pretendojnë se e kanë përmbushur misionin. Numri i fatit Çifti tashmë e ka përcaktuar numrin e tij të fatit. Ai është numri 26. Në ditën më të lumtur të jetës së tyre, me bojën e një stilolapsi ata bënë kryq mbi këtë numër.
Shekulli





